GJOKË DABAJ: AMERIKANË, EDI RAMA KA TË DREJTË! KJO ËSHTË GJUHA QË I BËN MIRË EUROPËS

Durrës, 11. 04. 2015 – SHBA-ja, në vend që të thotë „Kjo gjuhë i duhet Europës“, i bën vërejtje Ed Ramës, pse guxoi të flasë për 2 forma bashkimi midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Ndërkaq, shqiptarët progresistë, sërbët progresistë, grekët progresistë dhe të gjithë europianët e tjerë, PROGRESISTË, jo ata të mykurit prej traditavet të mbrapshta të së kaluarës, mund të bëjnë fare natyrshëm këtë pyetje: „Ç’e keqe do t’i vinte Europës, nëse do të bashkoheshin, qoftë edhe me‚ formën klasike‘, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Koosvës?“
Është fjala, nëse e gjithë Europa dhe, në unison me Europën, edhe SHBA-ja, do ta përkrahnin procesin e bashkimit të shqiptarëvet, ç’e keqe do t’i vinte Europës?!
Përgjigjja është fare e thjeshtë: Do të ndodhte një lloj përpëlitjeje, një lloj shpurdhjeje, një zhurmë nevrastenike, e elmentit regresiv, antieuropian, sërb, grek, rus etj.etj, por, në fund fare, Europa do ta gjente veten TË QETËSUAR të paktën sa i përket gadishullit të Ballkanit. Shqiptarët do të merrnin rolin që u takon në këto hapësira, ndërsa qarqet hegjemonistë e luftënxitës do të fashiteshin përfundimisht. Sërbia do të detyrohej të shihte punën e vet brenda vetes dhe brenda Bashkimit Europian, duke u shëruar nga ajo farë skizofrenie, që, me të drejtë e formuloi ambasadori amerikan në Beograd. Greqia nuk do të mund ta kërcënonte më shpëtimtarin e vet, Bashkimin Europian, me ca aleancëra jashteuropiane. Sllavët e Ish-Rep. Jug. të Maqedonisë do ta kërkonin vetë zbatimin pikë për pikë të Marrëveshjes së Ohrit dhe, në vend që t’u frymëzojnë fëmijëvet urrejtjen ndaj bashkështetasvet shqiptarë, do t’u mësonin atyre gjuhën shqipe, për t’u marrë vesh më mirë me shokët e shoqet shqiptare.

Amerikanë, duam Bashkim!

Mirëpo, SHBA-ja, duke mos e miratuar të folurit gjithsesi me shumë kujdes të Ed Ramës, nuk po di apo nuk po do të zhvillojë këtu një politikë mirëfilli proballkanase. SHBA-ja nuk po di ose nuk po do që, prapa përkrahjes pa rezerva të shqiptarëvet, të shikojë kohë të kthjellët në këtë rajon. Ajo, ose po ka frikë prej rusëvet, ose po luan lojë të dyfishtë midis progresit dhe antiprogresit në kontinentin e Evropës.
– Ç’do të thoshte ambasada amerikane, nëse Ed Rama, nga Kalaja e Ulqinit, do të kish kërkuar hapje shkollash shqipe në Tivar, në Plavë e në Podgoricë, dhënie fund maskaradës pronësore antishqiptare në Ullishtën e Ulqinit, lejimin pa kushtëzime të flamurit shqiptar në shtetin malazias, flamur, i cili, veç tjerash, është edhe „daja historik“ i vetë flamurit malazias?!
– Ç’do të thoshte ambasada amerikane, nëse Ed Rama do të kërkonte, nga Kalaja e Ulqinit, ose nga ndonjë tjetër kala, dekriminalizimin e manastirevet në Republikën e Kosovës, të uzurpuar prej sërbëvet tash 800 vjet?!
– Ç’do të thoshte ambasada amerikane, nëse Ed Rama do të kërkonte anulimin e të quajturit „asociacion të komunavet sërbe“, që s’është tjetër, veçse tentativë për ta përjetësuar kolonizimin sërb në tokat shqiptare?!
– Ç’do të thoshte ambasada amerikane, nëse Ed Rama do të kërkonte, nga cilado kala shqiptare, krijimin e një gjykate speciale edhe në shtetin e Sërbisë?!
– Ç’do të thoshte ambasada amerikane, nëse Ed Rama do të kërkonte heqjen nga kushtetuta sërbe e nenevet që i diskriminojnë shqiptarët dhe, në mënyrë të veçantë, shtetin shqiptar të Kosovës?!
Më në fund, a do ta quante ambasada amerikane gjuhë diplomatike të papërshtatshme, në qoftë se Ed Rama do t’i kërkonte shtetit grek (psh, nga Kalaja e Gjirokastrës), që ta njohë ME KUSHTETUTË kombësinë shqiptare dhe të hapë shkolla shqipe për shqiptarët ortodoksë në Prevezë, në Artë, në Paramithi, në Pargë, në Margëlliç, në Filat, në Janinë, në Konicë, në Kostur, në Follorinë, si dhe në të gjithë viset ku banojnë arvanitasit?!
Të gjitha këto, i kërkon apo s’i kërkon Ed Rama, i duartroket apo jo ambasada amerikane, janë kërkesa që realisht qëndrojnë PEZULL mbi vetë ekzistencën e kombit shqiptar në Ballkan e në Europë. Shërbimi diplomatik amerikan, CIA amerikane, FBI-ja amerikane, Departamenti Amerikan i Shtetit, natyrisht që i dinë këto gjëra më mirë se çdo qytetar i zakonshëm. Atëherë, ç’politikë po zhvillon SHBA-ja ndaj shqiptarëvet, ndaj Ballkanit dhe ndaj Europës?!
Europa po shkon qartazi drejt një çakordimi destabilizues, duke mos ditur të zgjidhë as problemin e grekëvet, as të sërbëvet, as të shqiptarëvet, madje as të vetë rendit KONSTITUCIONAL e FINANCIAR të vetëvetes. A po e shikon SHBA-ja çfarë katastrofe do t’i ndodhte vetë SHBA-së, nëse lihet Europa nën hipnozën e të këtilla shkurtpamësive prej një plake të matufjepsur prej kohësh?!
2 fëmijë sërbë i mbysin në lumë vetë sërbët dhe mblidhet Këshilli i Sigurimit „për t’i shpallur shqiptarët fajtorë“! Ukraina Lindore digjet nën flakët e shovinizmit rusomadh dhe Këshilli i Sigurimit as që guxon të mblidhet!
Amerikanë! Kujdes, se mos po thotë Ed Rama edhe ndonjë fjalë në të mirë të kombit të vet e pastaj një Zot e di se ç’mund të ndodhë me „perspektivën europiane“ të Ballkanit Perendimor! Po tha Ed Rama edhe ndonjë fjalë tjetër në të mirë të shqiptarëvet, një Zot e di se ç’e keqe mund t’i jetë përgatitur njerëzimit!

– Konatkti me autorin: [email protected]. 

………………………………………………………………..

/ Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura