REXHEP KASUMAJ: ZONJA E TRISHTUAR (Rieditim)

Berlin, 17 prill 2018: (Një paralele e vonuar qenësh)
Shoqëritë kuazi-urbane a të posadalë terrine të gjatë robnore, në pirgun e madh dertar kanë dhe qentë bredharakë. E tillë, me epoleta Europe dhe shpirtësi Azie, është dhe Kosova e kohës së re. Fati i tyre ekzistencialë sikur merr pjesë, ashtu, në fatin e vetë njeriut. Distinkcioni është fare i hollë: qentë vriten gjithë teatër e zhurmë, ndërkohë që njeriu shuhet heshtur e pa bujë: duke u vjedhur, vorfnuar e dëbuar!

Rrjedhimisht, prandaj, në vënd që të akomodohen në qendra refugjimi, armata e rreckosur shëtitëse e këtyre krijesave të pafaj e besnike, asgjësohen barbarisht nga komunarët e ndërkryer, kudo shesheve a skutave provinciale…
Ndoshta kjo kulturë qenmbytëse, do të ketë prekur njerëzisht aktoren fammadhe Bardo, që, ca vite më parë, ti shkruante, plot politesë e dhimbje, një letër ankese kryebashkiakut të atëhershëm të Prishtinës. Natyrisht, adresanti ishte i drynuar në ndërgjegjen e inercien e tij parake, dhe, mjerisht, letra kje përgjithmonë e pafat.

Mirëpo, me gjasë, zonjërënda parisiene kishte huqur radhë. Nuk e kish ditur, e gjora, se gropa ballkanëse është ende e thellë e mallkuese. Në Kosovë gjerbon një lloj tjetër i species qenërore me fytyrë njeriu, që duhet trajtuar me ngut: kasta e titajve të tërbuar të politikës. Veçse me një kah rreptësisht të kundërt. Sepse ka një relatë e përmasë të ndryshme krahasimore impakti i tyre në rrjedhnajën sociale.
Ndërsa, pra, qentë e shkretë të skajudhëve rrëmujtare, lëvizin drejt njerëzve lirshëm e me sytë e lutjes – këta qentë pushtetarë, trëmben, sigurohen e mbajnë distancë të largët autoritare me rrathët e prekshëm të jetës. Dhe, tutje, ndërsa të parët braktisen përbuzshëm – të dytët gëzojnë mëkimin e përkorë dhe adhurimin e përulshëm. Mandej, ndërsa të parët janë përherë të uritur e rrahur nga era e shiu – të dytët janë grykësorë të mbingopur në kullat e mermerta bashkë me piramidën e vëllezërisë dhe klientelës së tyre zhganore. Tutje akoma, ndërsa nga familje e të parëve, për moskujdesje medikale, qëllon rrallë të çartet ndonjë syresh – këta të dytët janë të çartur të gjithë. E, krejt së fundmi, ndërsa të parët nuk janë aspak ose pak dëmësorë për buxhetin, ambientin a imazhin – të dytët rrënojnë gjithçka: edhe ëndrrën e ditës së nesërme që s’vjen kurrë, edhe natyrën e pazot që dhunohet nga njeriu i saj, edhe imazhin që keqrrafshohet për vdekje.
E tani, si kundërletër të vonuar për Zonjën e merakosur – bëjmë pyetjen e hapur: a nuk do të duhej që, mbase, pikërisht ky soj qenësh të tempullit politik, të merret në dorën popullore? Por, si thamë, me doktrinë dhe elaborat të ndryshëm: pa mort (se tashmë jemi një milje demokracie), por, për shkak të asimetrisë tragjike të dëmit – të shpallen qenëri dykëmbëshe me rrezikshmëri të lartë kombëtare. Dhe, që këtej, të shenjohen e shfytyrohen, e, më pas, të veçohen e mbyllen në institucionet liriprerëse që njeh bota e lirë.
Pra, dhe bota e zonjës së naltnderuar franceze!..
R. Kasumaj
Berlin, prill 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura