Linz, 28 qershor 2017: Këngëtari i talentuar Burim Caka, tashmë me qëndrim në Austri, para pak ditësh, publikoi albumin e tij me këngë folklorike, zhanrin e të cilave e preferon shumë. Albumi përmban gjithsejt 8 (tetë) këngë dhe tema bosht e këngëve të tij janë kryesisht këngë të përshkuara nga malli për atdhe, shpesh me nota të theksuara trazimi shpirtëror e me tinguj prore melankolues për vendin, mèrgimin, dashurinë dhe shoqërinë në përgjithësi.
Për vite të tëra, këngëtari nga Kaçaniku, Burim Caka, me përkushtim të madh, e kultivoi dhe e këndoi këngën folklorike. Ai, edhe kur ishte në shkollën fillore, për më shumë në shkollën e mesme, duke kaluar dhe ushtruar këtë profesion të “zemrës” siç e quan ai shpesh, në shoqëri të ndryshme kuluro-artistike në Kaçanik dhe rrethinën e tij, u mundua dhe punoi sistematikisht të formohet dhe të ngrihet profesionalisht si këngëtar i mirëfilltë në këndimin dhe kultivimin e këngëve folklorike.
Edhe kur ishte në Kosovë, edhe tani që punon e jeton në Klagenfurt të Austrisë, nuk është ndalur asnjëherë, duke qenë aktiv përherë si në aktivitete që organizohen në Landin ku jeton, e po ashtu, brenda mundësive edhe në Lande tjera, për të ndihmuar dhe për të kontribuar në evenimente të ndryshme me karakter festiv e kombëtar. Dhe rrjedhimisht, pa u hezituar asnjëherë, ai i mbeti besnik stilit të këngës që e preferon.
Albumi i këngëve “Melodi malli” përbëhet nga tetë këngë:
1. Melodi malli,
2. Këngë Gurbeti,
3. Kthehu vëlla,
4. Këngë për Mujë Krasniqin,
5. Pikon loti,
6. Dashuria,
7. Loti i dashurisë,
8. Xhelezia”.
Këngët, kryesisht, këndohen vetëm. Njëra nga këto, “Kthehu vëlla”, këndohet në duet me këngëtarin e mirënjohur, Shaqir Cërvadiku. Muzika: Shaqir Cervadiku & Orkestra Burim Krasniqi. Tekstet e këngëve i shkruan: Milaim Mezini “Melodi malli”dhe të gjitha tekstet tjera i shkroi Izet Rraci. Studio: Etno Music – Prishtinë. Për të mos folur për përmbajtjen e këngëve, ja vlen paraprakisht që të degjohen. Dëgjim të mirë.