SHBPK: ‘AHTISARI PLUS’ DO TË THOTË ‘AHTISARI MINUS’

Pashtriku.org, 8 korrik 2017: (Deklaratë për opinion e SHBPK-së, Prishtinë, 10 nëntor 2008) – Ndarja e çmimit Nobel për paqe, ish Presidentit Ahtisari, siç edhe mund të pritej, e ka aktualizuar sërish propozimin e tij gjithëpërfshirës për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Por, siç na ka ndodhur edhe herë tjera dhe nuk do të duhej të ndodhte, në vend se Dokumenti i Ahtisarit t’i nënshtrohej një vlerësimi të përgjegjshëm, parimor, progresiv dhe kërkues, në përputhje me rrethanat e reja dhe kërkesat e kohës, po rishfaqen prirjet për konçesione, kompromise e pazarllëqe të reja sipas avazit tashmë të njohur e të konsumuar: “Ahtisari plus…” formulë kjo, e cila e përkthyer në shqip nuk mund të lexohet ndryshe, pos: “Ahtisari minus…”
Ahtisari meriton Nobel për paqe – Kosova meriton paqe nobël
Ish të burgosurit politikë, ashtu si edhe qytetarët tjerë të Kosovës, e kanë mirëpritur ndarjen e çmimit Nobel për paqe Presidentit Ahtisari dhe e vlerësojnë këtë akt si një rikonfirmim të ri se, Pavarësia e Kosovës e tillë çfarë u derivua nga propozimi i Presidentit Ahtisari nuk është zgjidhja më e mirë për shqiptarët, siç u mëtua të prezantohet pa të drejtë, por është zgjidhje e paanshme dhe neutrale, një kompromis i dhembshëm për shqiptarët e ndarë dhe të copëzuar dhe nën kërcënim të ndarjeve dhe copëzimeve të reja.

Në letrën e tyre të fillimvitit, ish të burgosurit politikë të Kosovës, të bashkuar në Shoqatën e tyre: SHBPK, i drejtoheshin Zotit Ahtisari “…me kërkesën që të mos lejoni të influencoheni nga trysnitë dhe manipulimet e egra, perfide e djallëzore të qendrave strategjike serbomëdha dhe miqve e aleatëve të tyre dhe as nga moskonsekuencat dhe gafet strategjike e taktike, politike e diplomatike të lidershipit kosovar që përfaqëson Kosovën në këtë proces negociator, por duke u mbështetur në përvojën Tuaj të madhe politike e diplomatike dhe duke marrë parasysh parimin universal të vetëvendosjes, të angazhoheni qartë dhe pa ekuivoke për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare, me garancitë e nevojshme për respektimin e monitoruar dhe të observuar të të gjitha të drejtave dhe lirive, njerëzore, kombëtare, fetare e kulturore të të gjitha komuniteteve dhe të gjithë qytetarëve në Kosovë.
Populli i Kosovës dhe në gjirin e tij ish të burgosurit politikë do të Ju jenë për jetë mirënjohës dhe këtë mirënjohje do ta manifestojnë pos tjerash edhe duke ndërtuar një realitet vërtetë të ri, një shoqëri vërtetë të lirë, vërtetë demokratike, vërtetë tolerante, inkluzive, integruese për të gjithë pa dallim që jetojnë dhe duan të jetojnë në Kosovën e Re. Ju sigurojmë se Kosova e pavarur do të dëshmojë se jo vetëm e dëshiron, por edhe se është e zonja të ndërtojë një alternativë vërtetë evropiane të asaj që kishim në të kaluarën. Në këtë mënyrë, duke ndërtuar një model shembullor të bashkëjetesës, paqes, pajtimit e tolerancës ndëretnike e ndër fetare, Kosova e pavarur do të justifikojë ndihmën e deritashme dhe të dëshmojë se meriton ndihmën dhe mbështetjen që aq shumë i nevojitet në të ardhmen.
Urojmë nga zemra që Ju zoti Ahtisari të mbeteni në kujtesën historike të Kosovës dhe botës së re që po lind, si sinonim i lirisë dhe paqes së drejtë e të qëndrueshme të Kosovës, në të cilën kurrë më të mos ketë Burgje politike e të burgosur politikë. Urojmë që Ju të kujtoheni në shekuj si kampion i lirisë dhe paqes së drejtë, ndërkaq ne Ju sigurojmë që Kosova e re, e lirë dhe e pavarur do të jetë kampione e paqes, demokracisë, tolerancës, pajtimit e bashkëjetesës.”
Ndërkohë Zoti Ahtisari u shpall kampion i paqes dhe dëshmoi se ai meriton Çmimin Nobel për paqe që tashmë ai e ka. Kosova, ndërkaq, dëshmoi edhe më mirë dhe po dëshmon për ditë se e meriton paqen e vërtetë, paqen e drejtë, paqen nobel, të cilën fatkeqësisht ende nuk e ka. E tille mund të jetë vetëm paqja me liri e pavarësi të plotë, paqe me tërësinë tokësore të Kosovës, të ardhme me dinjitet dhe identitet, pa tendenca prapakthyese dhe grackat e rrezikshme bllokuese të proceseve. Çështja e kufizimeve që i janë imponuar Kosovës aktualisht, është përdorur me mjeshtëri si justifikim për të imponuar anomali të shumta edhe në Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës dhe për shkelje të shumta jo vetëm procedurale, por edhe parimore, përmbajtësore, funksionale, madje edhe teknike, logjike e gjuhësore…
Por e vërteta është se kufizimet ndërkombëtare (shpesh të tepruara dhe të panevojshme) kishin të bënin kryesisht me nivelin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve ose me raportin me praninë ndërkombëtare, segmente këto që objektivisht as që kanë qenë aq kontestuese. Publiku ynë ka dëshmuar ndjenjë dhe shkallë të lartë pjekurie e maturie sa i përket këtyre kërkesave… Të kontestueshme kanë qenë dhe mbeten formulat e gabuara konceptuale, antidemokratike e antievropiane, prirja për rrëshqitje në lëshime zingjirore ndaj tendencave të rrezikshme potencialisht abuzive dhe manipulative për ndërlikim, instrumentalizim, ripërtëritje te tensioneve e konfliktit dhe veçmas lëshimet ndaj synimeve tashmë të hapura për ndarje e copëzime të mëtejshme, të hapësirës edhe ashtu të ndarë e të copëtuar deri në absurd. Konfigurimi dhe rikonfigurimi i pranisë ndërkombëtare në Kosovë, jo në përputhje me nevojat e procesit paqendërtues dhe paqeruajtës në Kosovë, por në proporcion me presionet dhe shantazhet e qendrave strategjike revanshiste në Serbi dhe mentorëve të tyre, e diskrediton seriozisht misionin e ri në Kosovës që në fillim dhe vështirëson seriozisht përpjekjet e përbashkëta për paqe të drejtë, normalizim e pajtim, në Kosovë dhe Ballkan
Kompromisi i kompromisit-komprometim i kompromisit
Pa kontestuar faktin se një shoqëri postkonflikti, si kjo e Kosovës, nuk mund te mos ketë edhe vulën e kompromiseve dhe balancimeve, duhej ruajtur ndjenja e masës qoftë kur flitet për kufizimet, qoftë kur flitet për favorizimet duke parandaluar formulat absurde, jofunksionale dhe me efekte kundërprodhuese. Nuk është balancim por grackë e rrezikshme nëse Kushtetuta në një gjuhë nis me “ne populli i Kosovës…”, në gjuhen tjetër: “ne qytetaret e Kosovës…”, kurse në vijim dhe gjatë gjithë tekstit nuk qëndrohet as në njërin dhe as në konceptin tjetër. Në një gjuhë shqiptarët janë komunitet në tjetrën nuk janë komunitet dhe madje nuk saktësohet fare çka janë, kurse në gjithë tekstin në vijim kjo çështje mbetet e mjegulluar dhe e ngatërruar.
Kosova si tërësi, edhe përkundër kompaktësisë me mbi 90 % të një kombësie shpallet shoqëri multietnike, por në vijim, gjatë gjithë tekstit ndiqet vija strikte etnike duke etnicizuar mbi baza të një përfaqësimi të papresedan në linja etnike e madje edhe pariteti deri edhe në Këshillin Gjyqësor, Komisionin zgjedhor,etj., dhe duke hallakatur e prishur madje edhe komunat ekzistuese funksionale multietnike dhe duke imponuar komuna artificiale, jonatyrale dhe jofunksionale eksluzivisht monoetnike, në kundërshtim flagrant me Kartën evropiane për organizmin e pushtetit lokal. Duke u thirrur në parimet e Unesko-s e në kolizion frapant me to, imponohet një trajtim i ndryshëm dhe madje diskriminues midis besimeve fetare dhe monumenteve religjioze. Nën pretekstin e joshjes për kthim në Kosovë u ofrohen ndihma e kredi, kodra e lugina edhe atyre që e kanë braktisur Kosovën pasi e kishin vrarë, gjakosur e shkrumbuar atë, kurse fqinjëve të tyre shqiptarë u pamundësohet me forcë rindërtimi dhe meremetimi i shtëpive të tyre në trojet e tyre, injorohet fati i çlirimtarëve të demobilizuar pa u ofruar zgjidhjen adekuate dhe ndërtuesve të harruar të paqes së re në Kosovë, injorohet madje edhe fati i serbëve kosovarë që Kosovën e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë poashtu atdhe dhe perspektivë për ta dhe fëmijët e tyre. Ne emër te diskriminimit pozitiv në raport me komunitetin serb në Kosovë, imponohet një diskriminim negativ midis komuniteteve etnike dhe fetare. Komuniteteve pakicë u njihet e drejta për të vendosur vetë për emërtimet e vendbanimeve etj., por kjo e drejtë u mohohet shumicës shqiptare, duke i imponuar madje edhe emërtime në gjuhë për ta të huaj që nuk u janë imponuar as nga regjimet e mëparshme opresive. Nuk ka dyshim se këto gracka e anomali janë në funksion të strategjisë së bllokimit të proceseve dhe restaurimit dhe regjenerimit të mendësisë së urrejtjes, tensioneve dhe konfliktit.
Amputimi eventual i ndonjë pjese të Kosovës shkakton pashmangshëm ndarje edhe në fqinjësi dhe e rrënon përfundimisht perspektivën e zgjidhjes kozmopolite e kompromis në formën e Republikës se pavarur e multietnike. Kosova e mëvetësishme ka kuptim vetëm si e tërë. Kosova uloke, me pjesë të amputuar, mbi baza të diskutueshëm etnike, nuk ka asnjë arsye që mbi të njëjtën bazë parimore të mos synojë bashkimin e kombit të ndarë e të copëzuar shqiptar.
Ka shumë anomali si këto që dëmtojnë proceset paqendërtuese dhe cenojnë seriozisht thelbin e organizimit dhe funksionimit demokratik. Jo legjitimimi tyre dhe rilegjitmimi, por korrigjimi i tyre ndihmon përpjekjet për normalitet, pajtim, integrim, demokratizim e evropianizim të Kosovës… Parandalimi i grackave të tilla jo vetëm që nuk dëmton asnjë komunitet, por përkundrazi është në interes të secilit prej tyre.
Të bindur se Zoti Ahtisari e di më mirë se çdo kush tjetër rrezikun që paraqesin këto gracka e anomali, për të ardhmen e paqes në Kosovë dhe Ballkan, ish të burgosurit politikë si dhe gjithë qytetarët e Kosovës besojnë shumë se ai do të shfrytëzojë përvojën e tij të pasur dhe autoritetin e tij prej nobelisti për korrigjimin e anomalive dhe në këtë mënyrë për eliminimin e pengesave për projektin e përbashkët të ndërtimit të paqes së drejtë dhe nobël në Kosovë e Ballkan.

Kryesia e zgjeruar e Shoqatës
Hydajet Hyseni, kryetar
Prishtinë, 10 nëntor 2008

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura