ARCH.YLBER VOKSHI-YLLI: PLANIFIKIMI URBAN I QYTETEVE TONA

 Prishtinë, 11. 11. 2014 – (Një refleksion me rastin e 65 vjetorit të ditës botërore të Planifikimit të Qyteteve) – Nuk është befasi e madhe përse kjo ditë në Kosovë nuk është festuar me ndonjë aktivitet ma të theksuar, pos dy tre shkrimeve në shtypin ditor, pasi MMPH si përgjegjëse e kësaj problematike as që ka kontribuar diçka pozitive për planifikimin urban të qyteteve tona, që nga formimi i saj si ministri pas luftës. Është fakt evident i pa mohueshëm se qytetet tona kanë stagnuar me të madhe në të gjitha aspektet, e ma i dhimbshmi për mua është ai urbanistik.
E ka një domethënie interesante shenimi i kësaj dite edhe në Kosovë, pasi posaçërisht në shekullin XXI, shumë pak është punuar që së paku të respektohen principet e një urbanizimi të qëndrueshëm në tërë territorin e saj. Si shoqëri e kemi pasur obligim me filluar me trasuar rrugën e drejtë të zhvillimit të qëndrueshëm hapësinor dhe urban të qyteteve tona, të cilat do të kishin efektet pozitive në të ardhmen, si dhe plotësimin minimal e të drejtave të njeriut, në fushën e urbanistikës në vendbanimet tona, duke i respektuar normat dhe standardet e ndërtimit dhe planifikimit urban të qyteteve, që aq shumë kemi nevojë.
Para 65 vite një profesor nga Argjentina ishte ideator i “Ditës Botërore të Planifikimit të Qyteteve”, me qëllim të avancimit të interesit publik dhe privat në fushën e planifikimit të qyteteve në tërë globin. Kjo ditë festohet me një seri aktivitetesh për të rikujtuar qytetarët se sa i rëndësishëm është planifikimi urban i vendbanimeve tona, ku duhet të jetojmë dhe veprojmë ne dhe gjeneratat e ardhshme. Gjatë këtyre viteve janë organizuar shumë takime, debate, konferenca, simpoziume ndërkombëtare, ku në detale është shqyrtuar kjo problematike,janë nënshkruar disa deklarata si ajo e Aalborgut apo karta e Lajpcigut, me synime që të avancohet problematika urbane e qyteteve në botë.

Si është punuar tek ne posaçërisht në shekullin e ri, të gjithë jemi dëshmitarë të mos respektimit të normave dhe standardeve elementare të urbanizmit në qytetet tona.
Pos vazhdimësisë jo institucionale, si dhe tendencave për të margjinalizua rëndësinë e kësaj veprimtarie esenciale për funksionimin e shtetit, asgjë pozitive nuk vlen për tu përmendur, ky është realitet i ynë kosovar.
Pik së pari ne duhemi me kuptuar, si vendimmarrësit ashtu edhe të gjithë të tjerët, se përse duhet punuar me profesionalizëm të lartë, si dhe me zbatuar planet urbane në të gjithë qytetet e Kosovës, si vepron e tërë bota e civilizuar, për hir të një jete urbane me dinjitoze të cilën e kanë merituar gjeneratat e kaluara, e meritojnë këto të tanishmet dhe duhej ti gëzojnë gjeneratat e ardhshme.
Ka shumë arsye përse është i domosdoshëm planifikimi urban i qyteteve tona, kryesorja është se së pari, duke filluar nga ajo se ato dokumente duhet të kenë rrol dominues në strategjinë e zhvillimit të territorit e bazuar në konceptin e planifikimit strategjik, integrues dhe të balancuar. Obliguese duhet pasur rend dhe rregull në mënyrë që të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë në qytete duhen respektuar disa principe të ndërlidhura në ligje urbane, si parakusht i një jete të përbashkët.
Kush i lejoi këto ndërtime me leje e pa leje, ka tendenca të emërtohen fajtorët kujdestar si ligjet në fuqi dhe udhëzimet administrative,se fajtorë janë profesionistët (urbanistët), se si nuk është punuar sa duhet dhe si duhet, apostrofohen autoritetet përgjegjëse lokale dhe qendrore, posaçërisht potencohet ndikimi i politikes etj. Të gjithë këta pjesëmarrës në procesin e planifikimeve urbane e kanë përgjegjësin sipas nivelit të detyrave, por fajtori kryesorë është populli që i lejoi këto veprime.
Shikoni se si janë katandisur qytetet tona dhe vendbanimet tjera,u lejua të ndërtohet pa leje në të gjitha anët, të uzurpohen hapësirat publike dhe pronat shtetërore. Edhe ato ndërtime me leje që u lejuan,në të shumtën e rasteve fare nuk i kanë respektuar normat e standardet e urbanizmit,por vetëm interesat individuale dhe të grupeve të ndryshme të interesit,e ne ende mbesim të shurdhër nuk reagojmë,edhe se në shumicën e rasteve jeta jonë urbane është rrezikuar ekstrem, kualiteti i jetës nëpër qytetet tona është varfëruar shumë.
Në anën tjetër e kemi shoqërinë civile të organizuar në shumë OJQ të cilat, me përjashtime shumë të vogla,në mënyrë spekulative e anashkalojnë diskutimin për kualitetin e jetës urbanë në qytetet tona, për ne dhe gjeneratat e reja. Ato asnjëherë seriozisht nuk e kanë trajtuar problematikën urbane në qytetet tona,pasi as që iu ka intereson kjo problematik, jetike për zhvillimin e shëndosh të një shoqërie,edhe se pasardhësit e tyre do të jenë të detyruar të jetojnë në këto mjedise. Shoqëria civile në një mënyrë është bërë e shurdhër, pa iu kundërvënë lëvizjeve të gabuara të vendimmarrësve, duke pasur “rehati” shpirtërore false për vetë veten.
Me aprovimin e disa dokumenteve nëpër komunat e ndryshme të Kosovës, në shekullin XXI, vetëm kemi shpenzuar kot mjetet e taksapaguesve dhe KOHËN e çmueshme për çdo shoqëri . Në erën e globalizmit dhe zhvillimeve marramendëse teknologjike,vetëm jemi duke treguar fytyrën e vërtetë e të gjithë pjesëmarrësve në këtë procese duke filluar që nga projektuesit, ndërtuesit, mbikëqyrësit dhe organet shtetërore të dy niveleve. Po vërtetohet ajo që e kamë theksuar shumë herë se neve vetëm po legalizojmë ato ndërtime e nuk po ju paraprijmë zhvillimeve hapësinore dhe urbane në Kosovë. Këto po zhvillohen si tumore në organizmin e shoqërisë dhe shtetit.

Se si janë trajtuar problemet hapësinore dhe urbane posaçërisht pas vitit 1999, e tregon situata gati në të gjitha vendbanimet (qytetet) kosovare e cila është tmerrësisht e keqe sot. Nuk jemi të vetëdijshëm në pasojat afatgjate të veprimeve tona, të cilat me siguri do të na hakmerren. Disa nga mediet publike të shkruara dhe elektronike, kohë pas kohe tentojnë për të aktualizuar këtë problematik sipërfaqësisht, kurse zyrtarët e lartë të institucioneve shtetëror të dy niveleve gati as që shqetësohen për gjendjen urbane të qyteteve tona.
Këto ditë me rastin e festimit të ditës botërore të Planifikimit të Qyteteve nga institucionet qendrore (MMPH), na vjen një propozim konstruktiv për të hapur debatin lidhur me temën e “KAOSIT URBAN” në qytetet tona, edhe se ata ishin dhe janë përgjegjësit kryesor për gjendjen e krijuar në qytetet tona, më mos veprimin e tyre. Mirë thotë populli i ynë ”Ma mirë vonë se kurrë”. Më gëzon kjo iniciativë e Institutit për Planifikim Hapësinor, si pjesë e institucioneve qendrore, mbesim me shpresë se ma në fund çështjet urbane do të fillojnë të trajtohen seriozisht nga shteti.
Renovimet urbane duhej të ishin mundësi për të shpëtuar diçka që është e mundshme në tërë procesin e zhvillimeve urbane tek ne. Ky proces sipas bindjes time të thellë profesionale është i vetmi shans për të ndalur, me forcën e argumenteve të qëndrueshme profesionale,tërë atë se çka është duke ngjarë në qytetet tona nga aspekti urban,të cilin dikush dëshiron ta quan kaos ose fashizëm urban.
Me një politikë të mençur urbane të gjitha këto probleme do të kishim pasur mundësi ti zgjidhim dhe ti reduktojmë në suaza normale për një shoqëri post-konfliktuoze, e cila kishte përjetuar luftën dhe ndryshimin e sistemit politik dhe ekonomik, çka në këto pesëmbëdhjetë vite u treguar se ishte barrë e pa përballueshme.
– Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK) dhe arkitekt i pavarur. Kontakti: ylberv1@yahoo.com – ylberv@gmail.com.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura