DR.MOIKOM ZEQO: NJË ZBULIM KULTUROR NË 30 VJETORIN E PAFESTUAR TË LASGUSH PORADECIT (POEMA E PANJOHUR E LASGUSHIT E VITIT 1921 – BOTOHET PËR HERË TË PARË MBAS 96 VITESH)

Tiranë, 20 tetor 2017: Në 12 nëntor 2017 mbushen plot 30 vjet nga vdekja e poetit të madh Lasgush Poradeci. Për fat të keq Ministria e Kulturës nuk e shpalli fare këtë Vit Jubilar të Lasgushit. Unë jam në përfundim të një libri studimor dhe eseistik kushtuar lirikut të shquar. Midis të tjera shtjelloj edhe Lasgushin si piktor.
***
Në dorëshkrimet e poetit, Lasgush Poradeci ruhet e papublikuar edhe një tekst poetik, i shkruar në gjuhën rumune, që mban titullin “Poemul” (“Poema”).
Në vitin 2000, Maria, e bija e Lasgushit e solli kopjen e këtij teksti në rumanisht në Arkivin e Muzet Historik Kombëtar.
Poema duket e çuditëshme, dhe ka një humor transparent, që krijon një ndjenjë gazmore, por jo pa nuanca edhe ironike.
Lasgushi e ka shkruajtur këtë poemë gjatë pesë ditëve të konkursit për pranimin në Akademinë e Arteve të Bukura të Bukureshtit, ku si djalë i ri ai konkuroi për të studiuar në degën e pikturës në vitin 1921.
Poema e shkruar në formën e një ditari, ndahet në pesë pjesë, pikërisht për të pasqyruar pesë ditët e konkursit, nuk ka asnjë të dhënë konkrete për ditët, apo muajt në të cilin është shkruar.
Shkrimtari Dionis Bubani bëri një përkthim në shqip të këtij krijimi. Përkthimi i Bubanit është i vlerëshëm dhe i këndshëm.

Lasgush Poradeci me gruan e tij, Nafijen.

Në bisedat e mia me Dionis Bubanin (tashmë i ndjerë) kam mësuar se përkthimi i tij ka respektuar origjinalin e shkruar në rumanisht,
Bubani është munduar që t’i përshtasë vargjet dhe strofat me rinë në shqip, për të bërë një lloj identifikimi gati dhe tingëllor të ritmit dhe të rimave në rumanisht, të kësaj poeme – ditar.
Dionis Bubani ishte gjithashtu një njeri që shkruante, madje dhe mendonte në dylingue: edhe në gjuhën shqipe edhe në gjuhën rumune.
***
Kush është narrativa e poemës?
Te “Poezia e ditës së parë” tregohet se në sallën e madhe, ku bëhej konkursi i pikturës kishte plot djem dhe vajza, që janë të shqetësuara dhe vijnë vërdallë, por që bëjnë edhe shakara.
Befas në sallë hyn Sekretari me një vështrim plot autoritet, në atë çast djemtë dhe vajzat “heshtin siç hesht një sahat”.
Dita e dytë paraqitet me dy strofa. Modeli për t’u vizatuar ishte një skulpturë e Venerës (ndoshta replika e Venerës së Milosit), por që ngjan ankthshëm “si statujë përmbi varr!”.
Konkuruesit nisin të vizatojnë mbi letrat e bardha. Sipër është tavani i tejdukshëm “si një Muzë ndër vegime”.
Edhe Dita e tretë regjistrohet nga Lasgushi me dy strofa.
Kjo ditë “erdhi shpejt si pa kuptuar”. Djemtë dhe vajzat konkurente ndjejnë një lloj ekstaze si në Eden.
Kjo ekstazë metaforizohet si ndjesitë e Adamit dhe Evës.
Ne nuk dimë se çka bërë Lasgushi i ri dhe si e ka vizatuar statujën e Venerës gjatë tre ditëve.
Por ai shikon edhe skicat edhe vizatimet e të tjerëve.
Midis tyre ka disa të talentuar. Lasgushi e titullon një strofë pasuese “Një poezi më vete”, por shton edhe fjalët “në vend të nënshkrimit, te skica e një konkurenti”.
Konkurentët kanë bidesuar në pushimet kohore me njëri – tjetrin. Dikush thotë “jam artist”, një tjetër thotë “jam poet”.
Për veten Lasgushi shkruan vargun “Unë hesht si një Profet”.
“Kënga e ditës së katërt” përbëhet nga tre kuplete.
Një kupletë është bërë nën vizatimin e një kandidati të rreptë që quhet Nikifor Radulesku.
Kupleti i dytë i kushtohet një djali me emrin Manu, por që e ka bërë si karikaturë vizatimin.
Kupleti i tretë i kushtohet artistit të ri me emrin Barkus.
Në fund është edhe një poezi me dy strofa kushtuar “Zonjushës Maurika”. Është një motiv intim.
Lasgushi i ka bërë portretin Maurikës, që ajo “ta kujtonte”.
“Poezia e Ditës së pestë”, ku sipas shënimit të Lasgushit ka qenë ditë e premte.
Dita e paraqitjes së punimeve para Komisionit Vlerësues.
Janë gjashtë strofa, ku toni gazi humoristik vërshon.
Një pjesë e konkurentëve nuk e kishin mbaruar dot vizatimin.
Disa janë të pakënaqur.

Lasgush Poradeci (1899 – 1987)

Dikush shkollën “Belle Arte” për shkak se nuk pati fat të fitonte e mallkon për t’u shkrumbosur nga një zjarr.
Poema përfundon me një “Lamtumirë” me dy strofa, ku u drejtohet artistëve të rinj, qofshin ata që një ditë mund të rriten me përmasat e gjigandëve, qoftë dhe ata të cilët do të mbeten në përmasat e shkurtabiqëve, kanë përshëndetje dhe nderime nga autori i poemës.
***
POEMA
(E pesë ditëve të konkursit për pranimin në vitin e parë dhe të katërt në Shkollën e Arteve të Bukura, në Bukuresht.)

Poezia e ditës së parë
Në një kënd të Bukureshtit,
Në shkollën e Arteve të Bukura,
Se ç’u mblodhën si ndër përralla
Djemtë dhe vajzat belkëputura.

Në Sallën e madhe të Pikturës
Për në konkurs po vizatojnë,
Dhe tek krijojnë pëshpërisin
Ato që zemrat u këndojnë.

Disa bëjnë plot shakara,
Ca nga halli vijnë vërdallë, –
Me vështrimin fort të rreptë
Sekretari hyn në Sallë!
Ëmbël duke buzëqeshur,
U avitet, kaq e pat:
Mbetën shtang djemtë dhe vajzat
Heshtin siç hesht një sahat…

Strofat e ditës së dytë

Po hesht Venera, po heshtin
Në mjedisin qelibar…
Oh, se ç’qetësi dhe paqe!
Si statujë përmbi varr!

Dhe tavani i tejdukshëm
Si një Muzë ndër vegime
Për secilin konkurent
Fal nga lart plot frymëzime…

Vargu i ditës së tretë

Ja, pra dhe dita e tretë
Erdhi shpejt si pa kuptuar;
Dhe djelmoshat edhe vajzat
Sikur janë të gëzuar;

Sikur ndjejnëAdami dhe Eva
Një ekstazë si në Edén,
Vizatoi djali dhe vajza…
Dhe atyre u pëlqen…

Një poezi më vete

(Në vend të nënëshkrimit te skica e një konkurenti)

Kur nuk jam fort i trishtuar,
Shkruaj, o bëj një portret –
Dikush thotë se jam artist,
Tjetra thotë se jam poet,
Unë hesht si një profet…

Kënga e ditës së katërt

Kupleti nr. 1

(Nën vizatimin e profilit të një kandidati të rreptë)

E Venerës fort antike,
Je krenari autor!
I ri është dhe na quhet
Radulesku Nikifor.

Kupleti nr. 2

(Nën karikaturën krijuar një ardeleani)

Kush na qënkërka djaloshi?
Ëngjëll a shejtan vërtetë?
S’është as shejtan, as ëngjëll:
Zoti Manu, dora vetë…

Kupleti nr. 3

(Nën skicën e krijuar një artisti mendimtar)

Ky njeri është artisti
Me emrin Barkush:
E krijoi për të piktori
I cili quhet Lasgush.

Zonjushës Maurika

Pasi biseduam,
Lodhja s’të shkoi bosh,
Ta bëra portretin;
Që të më kujtosh.

Por nuk di se kush
I përmëndi mikes
Mua më je lutur?
O unë Maurikes?

Poezia e ditës së pestë

(Teza e të premtes)
Në konkursin e së premtes
Erdhën mjaft të rinj të mbarë:
Vajza fort të ndrojtura,
Djema guximtarë.

Dhe u mblodhën që të gjithë
Për tezën përfundimtare;
Seç vërshuan nëpër salla
Pa e çarë kokën fare.

Por asnjeri nuk arriti
Vizatimin ta mbarojë:
Dhe e mënçura dhe i marri
Mbetën më gishin në gojë…

– “O ti nudo, o ti nudo!
Muzë që nuk turpërohesh!
Kush na thotë të vërtetën,
Pse je zverdhur dhe ankohësh?…”

– “Rri e çmendur mes sallonit,
Shtang kam mbetur, ndjenj një njollë,
Se nuk e mora provimin
Dhe kam mbetur sot pa shkollë…”

O ti shkollë “Belle Arte”,
Që fatin na ke përdhosë:
Mos të jesh kurrë e lumtur
Zjarri ty të të shkrumbosë!…

Lamtumirë

A jeni gjigandë,
Apo shkurtabiqë,
Me mall ju përshëndes
O të dashur miq!

Qofshit porsi dimëra,
O të trishta fare.
Përshëndetje dhe nderime
Artiste krenare!

Nënshkruar: P. LASGUSH

Shqipëroi nga gjuha rumune: Dionis Bubani

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura