FAHRI DAHRI: FANTAZMA E SHËNJAVE

Itali, 14 shkurt 2018: 72 vite më parë, në vitin e dytë që ishte hapur shkolla jonë, mësuesi na mësonte, veç të tjerash edhe vjersha. Njëra prej tyre më ka mbetur në mendje, më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës. Në ato kohë, nuk mund të them se kishte qetësi, sepse nuk kishte natë që të mos dëgjoje batare pushkësh në fshat dhe të nesërmen qarkullonin fjalët “vesh më vesh”, se ishte vrarë ky apo ai kriminel etj.
Kjo situate bënte që ne, fëmijët të rrinim disi të ndrojtur, pse jo dhe të trembur, prandaj kur mësuesi na lexonte vjersha, të cilat i përgjigjeshin aktualitetit të kohës, me imagjinatën e asaj moshe, përfytyronim lëvizjet sipas vargjeve të vjershave. Nuk më janë hequr nga mendja disa vargje të një vjershe:
“E vrave, të vrafshin kur dilte nga shtëpia,
Me shportën në dorë,
Të mblidhte kafshatën për foshnjat e tija,
Dhe ti e shtrive korban për tradhëtorë…”
Familja ime ishte emigrante në ato vite, e ndjenim peshën e emigrimit, jo fort në gjendjen ekonomike, por sesi na dukej vetja, sikur na shikonin të habitur, na dukej sikur kishim ndonjë “shenjë”,”njollë” dalluese për të tjerët. Në të vërtetë përpiqesha të kuptoja shenjën time, por ishte e pamundur. Flisnim shqip, si ne dhe ata. Mësonim, loznim, qeshnin, njëlloj, edhe dhembjet, kur na hynte ndonjë gjemb në këmbë i kishim njëlloj. Koha, vitet i rridhte si lumë, bashkë me vitet, vinin dhe iknin edhe njerëzit.
“Shenja” jonë?.
Të jem i sinqertë nuk na ndahej, na rrinte si hije ngado. Por seç kishte diçka tek ajo shenjë, herë dukej dhe herë zhdukej, ndofta ishte frika tek ata që i shërbenin që shenja të ishte. Në të gjitha mjediset që jetohej, bashkësia nuk e dallonte shenjën. Të folurit e gjuhës, zakonet, mikpritjet, respektet ndaj njëri-tjetrit (vendas- emigrantë) njëlloj, sikur na kish pjellë një nënë!
Megjithatë “shenja” nuk na ndahej. Vërtet sa vinte e mpakej, ishte shkëputur nga dallimi i theksuar i fillimviteve, por rrinte e strehuar në disa syrtarë të qeverisjeve qendrore dhe lokale. Kishte dhe raste që shenja nxirrte veshët si kërmilli, jo mëngjeseve me vesë, por kur gjëmonin bubullimat dhe rrufetë në lartësitë e pushtetit, rrufetë politike të brendshme dhe të jashtme. Pasojat e rrufeve me lehtësi shkarkonin dallimet e mëdha tek komuniteti me shenjë.
Po!. Përherë të heshtur, të veçuar, të dënuar nga “shenja” që nuk ishte shenjë e vërtetë, por ja që edhe shenjat e sajuara ngjiten dhe nuk të shqiten.
Në fillim u kuptua sikur shenja ishte rrjedhojë e të qenurit emigrant, por më pas ajo shenjë u qartësua, mbasi u vërtetua që ishim njëlloj dhe, në truallin “Amë” .
Nuk ishte e thënë, shenja na paskesh qenë e mbartur. Na kishte paraprirë, ajo ishte vendosur mes politikanëve të të dy krahëve, të atyre që ndërtuan mashtrimet dhe kryen masakrat dhe këtyre që druanin të mbronin gjindjen e tyre nga vendosësit e shenjave që ndër shekuj nuk kishin gjetur strehë.
Ndodhën përmbysjet e mëdha në sistemet shoqërore. Iku epoka e mizorive njerëzore, epoka e luftrave, epoka e vuajtjeve, iku nazi-fashizmi, dhe pas tij edhe diktaturat.
Po “shenja”?. Jo, nuk u fshi.
U fshinë “shenjat” mes shteteve që prodhuan gërmadhat dhe holokaustet. Lindën marrëdhëniet miqësore, bashkëjetesa paqësore mes shteteve ndërluftuese. Por ndaj një komuniteti të vogël, që luftërat botërore ranë në trojet dhe shtëpitë e tyre, duke qenë se atyre u ishte ngjitur “shenja”, mbetën në shënjestrën e armëve të të shënjestruesve.
Ka shumë mendime të logjikshme dhe jo të logjikshme se “shenjat” edhe sikur të jenë të vendosura drejt tek sendet, objektet vjen një kohë dhe zveniten. Por nuk është e thënë që edhe objektet, të cilëve shenjat u janë vendosur padrejtësisht, që koha ti zhbëjë.
Kësaj kategorie i takon komuniteti i shqiptarëve të Çamërisë. Atyre, me shpifje, mashtrime i u vendos shenja e “bashkëpunëtorit” me okupatorin. U vranë, u dogjën dhe u dëbuan nga shteti Grek si të padëshiruar për të qëndruar në vendin e tyre. Ata u “njollosën” me bojën e sajuar të nazi-fashistëve grekë të kohës, njollë e cila i përcolli edhe në anën e këndejme të kufirit.
Pushtuesit italo-gjermanë që zaptuan Greqinë, u larguan me mbarimin e luftës në vendet e tyre, por nuk u “shenjuan”. Emri “nazi-fashistë” mbeti si simbol i më të keqes dhe i urrejtjes nga mbarë kombet, por pa pasoja pasardhëse tek popujt e atyre vendeve. Shteti Grek me ato shtete është në paqe, miqësi dhe ndihmojnë njëri-tjetrin si miq të vërtetë.Ndërsa ndaj një komuniteti, ku në territorin e tij, ushtarët “pushtues” dhe bashkëpunëtorët e tyre grekë, kaluan një periudhë kohe si miq, vendosën dhe i vunë “shenjën” si bashkëpunëtorë të armiqve “imagjinarë”. Kjo “shenjë” i mbeti banorëve vendas dhe në saje të përpunimit ushtarak, ndaj tyre filluan masakrimet dhe dëbimet masive nga vendi autokton.
Ç’farë shenje ishte ajo? Ishte akuza ndaj çamëve, si “bashkëpunëtorë me armiqtë e shtetit Grek”. “Shenja” u gatua me dinakërinë greke dhe u përkrah nga “armiqtë” dhe miqtë e shteti Grek.
“Shenja” u përpunua me kujdes, u përhap edhe në hapësirat shqiptare, u arrit që etnonimi ”çam” të mos përfaqësojë prejardhjen e vendit të tij, por mori kuptim me ngjyrim keqësues, përçmues ndaj atij komuniteti. Etnonimi “çam”, nënkuptonte njeriun e pabesë, bashkëpunëtorin me pushtuesit.
E vërteta e këtij kuptimi ngjyrosës të së keqes për etnonimin çam, ishte abstrakt, nuk ishte ngritur mbi baza reale. Kishte një përdorim të përgjithshëm përçmues, ndikonte në atmosferën e përgjithshme shoqërore, tek diferencimet seleksionuese në fushat politike dhe ekonomiko-sociale. Ndërsa në mjediset shoqërore, mes individëve apo grupeve shoqërore, kuptimi me ngjyrosje të së keqes për etninomin çam, humbiste terren. Gjeneza triumfonte dukshëm ndaj pasioneve, keqdashjeve dhe egërsive, të cilat zveniteshin, strukeshin, por në pritshmëri të situatave për të vepruar.
Shqiptarët çamë ishin në truallin e tyre, pushtuesit nazi-fashistë erdhën tek ata bashkë me forcat luftarake të EDES- it dhe i trajtuan armiq. EDES-i, me dyfytyrësinë e saj, arriti që edhe misionerët anglezë, “Aleatët”, të mos interesoheshin për atë komunitet, lejuan masakrat, dëbimet tërësore të çamëve myslimanë.
Llogjika e shëndoshë, e drejtë, nuk mund të justifikojë akuzën ndaj çamëve si “bashkëpunëtorë” me okupatorin, kur me ish okupatorin qeveria Greke dhe EDES-i (operonte në hapësirën territoriale të rajonit të Çamërisë), kishin të njëjtën kauzë, pra ishin miq të të njëjtit qëllim. Kuptohet, akuzat e “bashkëpunëtorit” janë shpifje, mashtrime, pa baza, pa gjyqe. Nuk mendoj se ndonjë njeri normal të mos arrijë të dallojë mashtrimin nga e vërteta. Por çamëve u mbeti “shenja”.
●●●
Në respekt të lexuesave dhe të personaliteteve brenda dhe jashtë vendit, e ndjej të nevojshme të pasqyroj nja dy-tre të vërteta, të cilat tregojnë falsitetin e “shënjës” që kanë aplikuar nazi-fashistët grekë të asaj kohe. Po ashtu t’u jap mundësinë neo-fashistëve të sotëm, matanë kufirit dhe “suflerëve” në anën tonë të kufirit për tu njohur, nëpërmjet dokumentave të tyre zyrtare, me frikën e daljes në dritë të të vërtetave, rrëzimin e mashtrimeve, shpifjeve, kamuflimeve, që kanë ndërtuar kalanë prej rëre të “shenjës”për çamët myslimanë.
I.- Drejtoria e Shërbimeve Kriminale e Ministrisë së Rendit në Greqi, ish kryeprokurorit Vasilios Xhavellas, i ka dërguar një shkrersë zyrtare duke i kërkuar që t’i vinte në dispozicion të gjitha dosjet me çështjet penale, që shteti grek kishte hartuar ndaj popullsisë çame.

Pasi është njohur me kërkesën, ish kryeprokurori i Janinës, Vasilios Xhavellas, ka caktuar me hollësi në dokumentin e datës 29 shtator 1976, në emër të Gjykatës së Diktimit në Janinë, me shkresën nr. Prot.1837 (në kuadër të një korrespondence zyrtare intensive të atyre kohëve) ku i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Rendit Publik të Greqisë, se urdhëri Nr.17835/1976 i Ministrisë së Drejtësisë e detyronte atë të shkatërronte dhe të zhdukte përgjithmonë të gjitha dosjet me çështjet penale, që shteti grek kishte hartuar ndaj popullsisë çame. Në bazë të atij urdhëri kryeprokurori i zhduku të gjitha ato dosje.
Ish kryeprokurori Vasilios Xhavellas arsyetonte se në bazë të urdhërit që kishte marrë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, kishte për detyrë të “avullonte” të gjitha dosjet e proceseve gjyqësore penale të hartuara ndaj popullsisë çame, konkretisht:
1) Të atij të diktimit 5 dhe 3 anëtarësh të Janinës deri në vitin 1970.
2) Të Gjykatës Penale të Kolaboracionistëve të Janinës, Artës, Prevezës deri edhe në vitin 1950.
3) Si edhe të Gjykatës Speciale të Janinës për kolaboracionistët.
Urdhëri dhe vënia në zbatin e tij për zhdukjen e dosjeve, me proces verbalet gjyqësore penale ndaj çamëve, argumenton qartë dhe të pa dykuptimshme, se gjyqet ishin të sajuara, mungonin faktet e veprimeve apo mos veprimeve të çamëve për “bashkëpunim me okupatorët” dhe se nga zhvillimi i gjyqeve, qofshin dhe në mungesë të të akuzuarve, rezulton se nuk janë marrë vendime gjyqësore për të shpallur fajtor të akuzuarit e ashtuquajtur. Mungesa e fakteve dhe mos dalja e vendimeve gjyqësore, afër mendsh ka çuar organet e drejtësisë dhe sigurisë Greke në urdhërat e zhdukjes së dokumentave, kjo masë, mesa duket sipas tyre, ishte një veprim “shpëtimi” nga zbulimi i mashtrimeve.
Njëkohësisht tregon se “shenja” e vendsour ndaj çamëve myslimanë dhe që sorollatet si fantazmë edhe sot tek mendjet dhe deklarimet e segmenteve të caktuara shtetërore dhe kishtare greke, po i vjen fundi, ajo do të varroset ashtu siç “avulluan” edhe dosjet me proçeset e sajuara greke.
II.- Sot qeveritë e dy shteteve, Shqipëri-Greqi, po zhvillojnë negociata për të sheshuar dhe dhënë zgjidhje problemeve të krijuara nga e kaluara, dhe që artificialisht rrijnë si “çekiç” mbi kokë. Po negociohet për të krijuar atmosferë bashkëpunimi, bashkëjetese dhe të vihen në vend të drejtat e njeriut, nën atmosferën e frymës së re Europiane. Pikërisht në kulmin e shpresave për vllazërimin mes dy popujve dhe rindërtimit të fqinjësisë së mirë, na paraqitet tepër i shqetësuar dhe i nervozuar një “ekstremo-nacionalist” duke deklaruar me tone kërcënuese që Tirana të mos përmend “Çështjen Çame”, sepse tek ai komunitet, sipas tij, nuk qenka hequr “shenja”.
Le të njihemi me deklarimet e ditëve të fundit të presidentit të shtetit fqinj.
Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos vijon me deklaratat e forta kundër Shqipërisë për çështjen çame. Pas kërcënimit pak ditë më parë, ku deklaronte se “Shqipëria nëse don BE-në, të mos flasë për çamët”, ai vazhdon sërish:
“Udhëheqja shqiptare bën gabim të madh që mbështet të drejtat e disave që ishin bashkëpunëtorë të nazistëve. Nuk mund të kesh aspirata europiane dhe të kërkosh të drejtat e bashkëpunëtorëve të nazistëve. Kur Tirana të ketë një qëndrim tjetër, atëherë Greqia është këtu ta ndihmojë vendin fqinj për në “BE”.
III.- Risku dhe e ardhmja.
Është një fjalë e urtë: Kur i mënçuri ndodhet përballë personave të ngurtë, të trullosur (stupid) i hap rrugën dhe i thotë: ”Unë nuk jam si ti, o njeri”, dhe vazhdon rrugën e tij. Kemi dhe një thënie tjetër për të tilla marrëzira: “Po ai që vodhi lopën, nuk ka asnjë faj”?
Rrugëdalja nga një situatë e tillë, ku narcizmi mbizotëron, si një anëtar i komunitetit çam, do të pëlqeja që Presidenti ynë, Kryeministri dhe ekspertët e takimit dypalësh, për zgjidhjen e dy problemeve të komunitetit çam, me banim në vendin“Amë” (të drejtat e njeriut dhe gjenocidin grek ndaj tyre), në rastin kur nuk arrihet trajtimi, të kalohet në variantin që siguron suksesin e dëshiruar mes dy popujve, duke i u drejtuar bashkëbiseduesave:
”Z. Prokopis, ju deklaroni se çamët ishin bashkëpunëtorë me okupatorin. Ne themi që komuniteti shqiptar i çamëve nuk ka marrë pjesë në luftë me asnjë pushtues kundër Greqisë, por përkundrazi, mbreti dhe qeveria juaj në atë kohë, ishin me nazi-fashizmin”. “Me që ju dhe ne kemi qendrime të kundërta, është detyrim njerëzor që “Çështjen Çame” ta zgjidhim në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës”.
Ky variant, për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi mes dy shteteve, kërkon detyrimisht të trajtohet në marrëveshjen që do të nënshkruhet nga të dy palët, atje të theksohet:
“Çështja Çame”, si problem i paarritshëm për zgjidhje mes Shqipërisë dhe Greqisë, u vendos nga të dyja palët në takim, që shteti shqiptar ti drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për gjykimin e problemit të “Çështjes Çame”.
Mendoj se ky veprim është më i drejtë për të zgjidhur dhe për ti dhënë fund një problemi shekullor. Me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, sigurohet mbyllja e këtij kapitulli dhe arrihet në marrëdhëniet normale mes dy shteteve dhe popujve tanë.
Dyshoj nëse pala greke do ta mirëpresë këtë variant, sepse akuzat e tyre janë të pabazuara, ata janë të ndërgjegjshëm se drejtësia do vendosë në të drejtat e çamëve myslimanë.
Në mbyllje: Prindërit tanë dolën nga shtëpia, për të siguruar jetesën e fëmijëve, por vrasësit i vranë dhe i quajtën tradhëtorë!!?

Fahri Dahri – Itali më, 14.02.2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura