REXHEP KASUMAJ: TURMËSI I FAJSHLYER…

Berlin, 1 Prill 2020: (Mbi kulturën e fatpajtimit)
1.
Turma s’është gjë tjetër veçse një qen i zgjebosur, i lidhur për një hu në mes të diellit. Ky qen gjithë ditën fle, kuron zgjebën dhe vërsulet i tërbuar kundër çdo njeriu që orvatet ta shpëtojë nga veset e t’i zgjidhë zinxhirin, me të cilin është i lidhur. Ky fragment nga “Apologjia e Sokratit”, do t’më vinte si zhgënjim. I admiruar, gjithësesi, por dëshpërues me saktësinë e tij për kohën time.

2
.
Për dallim nga bota ku solli mner, dhimbje e mort, zezona e Coronës, pati dhe prurje mrekullie. Rrëzoi një qeveri rebele, llogarilypëse dhe, për çudi, të dedikuar deri në sakrificë. Dhe, ashtu, çliroi Kosovën nga krusma e saj.
Por, njëkohësisht, ana tjetër e së mirës është rikthimi kopeist e i tufëzuar i oligarkisë së vjetër. E kthehet ngazëllyeshëm me formulë të re për krizë e mjegullnaja, kushtetutë të amenduar dhe përvojë të shkëlqyer lindore…Por, mbi të gjitha, me elan vital për rrethimin shpëtimtar të Republikës. Shëlbim e dehje më të ngrohtë për zemrat e tyre, nuk mund të sillte Naltmadhnia e saj pandemike. Ndaj, martirët e shmagjepsjes nga liria do t’a nderojnë përjetë kujtimin e saj.
3.
Ndërkaq midis tyre, mijëra vjet më vonë, turmësi i Platonit hakërron e betohet. Janë hekurat e murtajës së re që e ndalojnë. Se, ndryshe, do shpërthente si magmë vullkani kundër të gjithëve. Madje, më shumë akoma, ndaj atij që desh t’a bënte zot të shpresës së vet.
Veçse tani është mot i heshtjes. Ç’dhuratë e zbritur qiellit kjo prehje e fshehtë fajshlyese.
Dhe asgjë. Dielli vijon të perëndojë pas bjeshkëve të Nëmura. Njësoj ndër shekuj. Duke praruar muzgjet e sulltanëve e dushanëve, kryetarëve e komitetarëve dhe çlirimtarëve e zagarëve, që të ndryshme do t’kenë vetëm gjuhën që flasin.
Mësova nga një dijetar i bekuar se shkalla më e lartë e besimit, qenka heqja e të keqes me dorë. Por më parë se heqjen, dorë e turmësit lëmon atë përulshëm e robnisht. Kujtoj, prandaj, për të satën herë Talmudin e vërtetë që thotë: dhjetë kafe gjumë kanë zbritur në botë. Nëntë prej tyre i kanë pirë robërit, kurse një të vetme të mbetur e gjithë bota tjetër!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

HOLOKAUSTI

HOLOKAUSTI Nga  Xhelal Zejneli Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji –…