BESIM XHELILI: PROMOVOHET NË STOCKHOLM TË SUEDISË ROMANI ‘1803’ I AUTORIT BESIM XHELILI

Stockholm/Vjenë, 23 maj 2018: Nën organizimin e Lidhjes së Shoqatave Shqiptare në Suedi “Iliria” dhe në bashkëpunim me krijuesit dhe intelektualët shqiptarë të Stockholmit me rrethinë, u mbajt një orë letrare për nder të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu. Me këtë rast u promovua romani në suedisht “1803” i autorit shqiptar nga Vjena e Austrisë, Besim Xhelili. I pranishëm në këtë manifestim letrar dhe kulturor ishte përkthyesi i romanit, suedezi dhe miku i madh i shqiptarëve Ullmar Qvick.
Ashtu si edhe në shumë vende të tjera të botës ku kanë emigruar dhe janë vendosur me punë dhe me familjet e tyre shqiptarët, edhe në Suedi jeton një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë. Ata janë shumë mirë të integruar në këtë shtet, natyrisht falë kushteve të mira dhe mundësive që shteti u ka ofruar dhe ata i kanë shfrytëzuar. Për t’u integruar në rrethin ku je vendosur, nuk do të thotë ta harrosh prejardhjen dhe të heqësh dorë nga ajo që ke qenë, nga ajo se si ndjehesh brenda vetvetes dhe si të rreh zemra e të flet shpirti. Përkundrazi, shpeshherë këto tipare të mira që ata që shpërngulen i marrin me vete, ua mundësojnë të gjejnë shumë lehtë veten në shoqëritë ku janë vendosur dhe të pranohen shpejt si bashkëqytetarë nga vendasit. Pra, është për t’u përshëndetur fakti që edhe ne si shqiptarë jashtë vendlindjes tani jemi në fazën ku dimë të konsumojmë, por edhe të ofrojmë art, kulturë, vlera, qytetari të madhe dhe pjekuri e maturi intelektuale e shoqërore.

Në këtë drejtim, për nder të 550-vjetorit të vdekjes së kryeheroit tonë kombëtar Gjergj kastrioti – Skënderbeu, në kryeqytetin e Suedisë, Stockholm, u mbajt një orë përkujtimore letrare, ku disa nga krijuesit shqiptarë me banim në këtë qytet, dhe të tjerë të ardhur nga vise më të largëta të këtij vendi skandinav, lexuan krijimet e tyre apo të shkrimtarëve të tjerë. Për formën organizative u përkujdesën Shuquri Sejdijaj, një aktivist i dalluar në këtë shtet, gazetar me vite të tëra i programit të gjuhës shqipe pranë radios shtetërore suedeze, Teuta Haziri, shkrimtare dhe Murat Koci, mësues, publicist dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shoqatave Shqiptare në Suedi “Iliria”.
Në pjesën e parë të programit, me vargjet e tyre u paraqitën krijuesit: Shqiptar Oseku, Afërdita Xani, Ullmar Qvick, Fahredin Berisha, Teuta Haziri, Entela Tabaku Sörman, Grentina Krasniqi, Elhame Zhitia Krasniqi, Muhamed Krasniqi, Ana Tabaku (poezi nga I. Kadare), Shuquri Sejdijaj, Besim Xhelili dhe Sefer Shyti. Pasi dy ditë më parë kishin qenë të pranishëm në seminarin me mësuesit shqiptarë në Diasporë, që mbahej në qytetin Halmstad të Suedisë, qindra kilometra larg Stockholmit, këtij takimi iu bashkëngjitën edhe Hydajet Hyseni, i cili lexoi disa poezi dhe Hazir Mehmeti, mësues nga Vjena, i cili me një fjalë rasti përshëndeti dhe përgëzoi organizatorët dhe të pranishmit.
Në pjesën e dytë u bë promovimi i romanit në suedisht të shkrimtarit shqiptar nga Vjena e Austrisë, me titull “1803”. Të pranishëm ishin vetë autori dhe përkthyesi Ullmar Qvick, i cili u paraqit me një vështrim të shkurtër mbi romanin. “Kisha kënaqësinë të merrem me përkthimin e kësaj vepre të mikut tim Besim Xhelili, të cilin e njoh vetëm përmes internetit, por nga sot njihemi edhe personalisht. Sa i përket romanit dhe ngjarjes së shtjelluar, mund të them që është një temë moderne, kryesisht i takon motivit të dashurisë, por ka edhe një zinxhir ngjarjesh dramatike, udhëtimesh, takimesh dhe aventurash. Besari, i cili jeton në Vjenë dhe Samira, e cila jeton në Kopenhagë takohen në një aktivitet letrar në Gjermani, dhe mes tyre ka disa fërkime të ngrohta emocionale. Ky takim i shkakton trupit të Besarit disa lëvizje të shpejta, kurse edhe Samira duket gjithashtu e shqetësuar. Mirëpo, ka një ngatërresë sepse të dy janë të martuar dhe kanë familje e fëmijë. Prandaj për këtë gjë ata dy janë shumë të vetëdijshëm dhe të vëmendshëm. Mirëpo, ata komunikojnë, shprehin simpatinë ndaj njëri-tjetrit, dhe dëshirojnë të njihen më shumë mes veti. Shkëmbimet e mendimeve mes tyre zënë një vend të madh në roman”, tha mes tjerash përkthyesi Ullmar Qvick. Ndërsa autori Besim Xhelili, pasi e falënderoi përkthyesin për përkthimin e romanit dhe për fjalën e tij, u shpreh gjithashtu tejet i gëzuar që tani u njoh edhe personalisht me të. Ai gjithashtu falënderoi organizatorët e këtij promovimi, si dhe të gjithë të pranishmit. “Ju jam tepër falënderues për ftesën që të jem këtu sot mes jush, në këtë orë letrare për nder të 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, ku një hapësirë i keni dhënë edhe promovimit të romanit tim. Romani “1803” është pjesa e parë e një trilogjie, pra edhe dy pjesë të tjera të kësaj vepra i kam në dorëshkrim e sipër. Jam munduar të bëj një vepër moderne, që të tërheq ta lexosh me vëmendje, që të bën kureshtar të dish se si vazhdon ngjarja në pjesët në vazhdim. Shumë me rëndësi është që zhvillimet dhe tematika e trajtuar, skenat dhe aventurat ta argëtojnë lexuesin dhe përfundimi fatlum mendoj se është një përshtatje e bukur në këtë drejtim. Romani është i shkruar në vetën e parë, që shpesh keqkuptohet dhe personazhi kryesor gabimisht identifikohet me autorin, që nuk do të thotë se kështu është dhe në të vërtetë. Ngjarjet dhe ndodhitë janë pjellë e imagjinatës së autorit dhe përparësi i është dhënë mendimit të lirë, lirisë së shprehjes dhe kreativitetit”, u shpreh autori Xhelili.
Në pjesën e tretë të programit u shfaq filmi “Me shqiptarët e Suedisë”, me idenë dhe skenarin e Murat Kocit dhe regjinë e Arjan Melonashit.
Me disa pika muzikore këtë aktivitet të ngjeshur kulturor e larmoi me një dozë të theksuar shplodhjeje maturantja Doruntina Asani, e cila me shumë emocion këndoi këngën “Moj e bukura, More”, shoqëruar me duartroktije të mëdha nga të pranishmit. Vlen të theksohet së me praninë e tyre e nderuan këtë aktivitet Ambasadori i Shqipërisë në Suedi z. Ilir Abdi, z. Genti Bendo, Ministër Këshilltar, dhe znj. Rozeta Fejzulla, sekretare në Ambasadën Shqiptare në Stockholm.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura