Prishtinë, 13 qershor 2018: Në orët e hershme të mëngjesit, në hyrje të Hotelit “Sirius”, njerëzit organizoheshin në dy rreshta varg e varg në dy sallat ku po mbahej e pamja e Familjes Vokrri! O Zot, nuk po shkonim që t’a përgëzonim Fadilin për ndonjë të arritur të tijën, as për t’i uruar rrugë të mbarë për në Lojërat Olimpike! Ne po përshëndeteshim me kryefamiljarët për shkuarjen e tij në Përjetësi!
Nuk di pse, por vetëm Ai nuk e kishte radhën të ndahej nga jeta tash! Ndarja e një figure të shquar kombtare siç ishte ajo e Vokrrit, natyrisht se te të gjithë krijon një zbrazti që nuk mbushet me asgjë, përveç dhimbjes së thellë, ashtu siç po ndodhë këtyre ditëve prej momentit kur morëm lajmin e hidhur për shkuarjen e tij të befasishme!
Nuk e di për gjeneratat e reja, por për brezin tim që përafërsisht ishim aty diku moshatar me te, ironia e jetës dhe forca e vdekjes, ishte një grusht i rëndë! Fadil Vokrri ishte lajtmotiv për suksesin dhe krenarinë kombtare për ne që e njihnim që nga hapat e tij të parë në lojën e futbollit, duke filluar që në ekipin futbollistik të Llapit! Ta shqiptoje emrin “Vokrri’ ishte knaqësia më e madhe e jona, sepse çdo herë emri i tij personifikonte një sukses diku, një arritje më shumë për shqiptarët! Kudo që i jipej mundësia!
Çdo gjeneratë rritet nën hijen e një idoli, i cili është përcaktuar që në jetën e tij në këtë botë, ta bartë atë mision!
Fadil Vokrri ishte njëri nga ata!
Faleminderit Fadil Vokrri! Na bëre krenar me ekzistencën tënde në këtë botë!
Uroj shumë që edhe Ti të kesh qenë i knaqur nga bashkëkombësit tu! Që të trasoje rrugën e suksesit, nuk ishte gjë e lehtë në rrethanat që kultivoheshe si një futbollist i mirëfillt! Por! Ti ia dole!
Dhe shkove ashtu rrëmbimthi nga kjo jetë e nga miqtë e tu dhe familjartë e afërm, pa mundur të thoje një fjalë! Mos u brengos! Ti ke thënë shumë me veprën tënde grandioze!
Sikur t’i dëgjoje fjalët që u thanë me rastin e Akademisë për lamtumirën e fundit me TY!
Sikur të mund t’i dëgjoje e shihje lotët e secilit shqiptar që mori lajmin e hidhur! Sikur të mund të ndjeje brengën e secilit që ike pa ta thënë një fjalë!
Ishe një meteor ndriçues në nënqiellin shqiptar! U bëre një emër në të cilin përmblidhej ekzistenca e një kombi duke e bërë të njohur kudo ndër popujt e tjerë!
Ishe Njeri! Nga babai Avdulla kishe trashëguar mirësinë, të cilën ai e reflektoi sa ishte vet gjallë si një intelektual e atdhetar i pashoq i kohës!
Ishe Legjendë! Ashtu siç u tha këtyre ditëve nga të gjithë!
Andaj, i lehtë të qoftë dheu i Kosovës Fadil! Eksiztenca juaj në këtë botë, do të mbetet një faqe e ndritur në historinë mijravjeçare të shqiptarisë!
Lavdi! Lamtumirë Fadil!