RAMAZAN KICA: BETEJA E PARË E SKËNDERBEUT (1444)

Pashtriku.org, 13 tetor 2018: Ku shtriheshin Dibrat, Mokra, Modrisa, si dhe ku u bë beteja e vitit 1444 e ushtrisë së Skënderbeut kundër ushtrisë osmane, dhe jo vetëm?
Libri im mbi betejën e parë të Skënderbeut, botuar në fund të vitit 2017, studion vendin se ku është zhvilluar beteja e vitit 1444 e ushtrisë së Gjergj Kastriotit, kundër ushtrisë osmane (e njohur konvencialisht si Beteja e Torviollit), temë kjo deri më sot e pa saktësuar.

Për këtë betejë, të dyja veprat autentike (e Barletit dhe e Frangut), flasin për komandantët, për numrin e ushtarëve, për përfundimin e ndeshjes, për të rënët si dhe për robërit. Mbi të dhënat, del që beteja është zhvilluar në kufi të Dibrës së Poshtme dhe fushave maqedonase, që mbetet variant i besueshëm. “Skënderbeu…, – shkruan Barleti – u nis menjëherë në drejtim të armikut, për të cilin kishte marr vesh, me anë zbuluesish të sigurt, se nuk ishte shumë larg. Në perëndim të diellit, ngriti çadrat në Dibër të Poshtme, tetëdhjetë mijë hapa larg Krujës” (Barleti, faqe 108). [Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, Marin Barleti, shtypur nga “Mihal Duri” Tiranë 1964].
Në këtë të dhënë, përveç asaj që ngriti çadrat në Dibër të Poshtme, Barleti na jep dhe një distancë, “tetëdhjetë mijë hapa larg Krujës”, pra, rreth 120 kilometra (1 hap romak = 150 cm).
Këtu do sjellim në vëmendje tre gjëra logjike, në mbështetje të mendimit tonë për vendin e zhvillimit të betejës së vitit 1444, që kjo betejë, duke pasur si referim Krujën, është bërë në skajin më të largët të Dibrës së Poshtme.
Distanca 80 mijë hapa nga Kruja jepet edhe për betejën me Ali Pashën, edhe për “krahinë e Epirit, e cila ndodhet në lindje të Krujës dhe mban 80 mijë hapa prej saj, sepse ajo ishte më e shkretë në burra dhe prandaj shikohej si më e preferuar dhe më e përshtatur për plaçkë” (Barleti, f. 367). Asnjë vend tjetër i shtetit të Skënderbeut nuk jepet në këtë largësi nga Kruja.
Vendi më i largët i Dibrës së Epërme nga Kruja, është Sfetigradi, i cili është “në Dibër të Sipërme… në kufijtë e tribalëve, 70 mijë hapa larg Krujës” (Barleti, f. 65), i cili ndodhet “mu në kufi, në hyrje të Maqedonisë” (Barleti, f. 66). Pra, pika më e largët e Dibrës së Epërme nga Kruja është 70 mijë hapa (105 km).
Vendin ku u zhvillua beteja Barleti na e përmend dy herë dhe e quan Dibër e Poshtme (Barleti, faqe 103 & 108). Barleti për këtë betejë shkruan: “…kush i ka frikë me këto legjione komandantit të Muratit, sidomos në fushat maqedonase shumë të mbrojtura prej vetë natyrës” (Barleti, f. 107). Gjithashtu duke u shprehur për ndihmën që do t’i jepte Hungarisë, (Skënderbeu) me ushtarë, “të cilët… shpartalluan Ali Pashën në kufi të Maqedonisë” (Barleti, f. 120).

A kemi, në Dibër të Poshtme, fusha maqedonase? A mund të jemi njëkohësisht në Dibër të Poshtme si dhe në fushat maqedonase, apo në kufi të fushave maqedonase?, gjithashtu ky vend duhet të jetë shumë i mbrojtur prej vetë natyrës. Pra, duhet të jemi njëkohësisht:
– në Dibër të Poshtme (në kufi të saj),
– në kufi (të shtetit të Skënderbeut),
– në kufi me fushat Maqedonase.
Barleti na jep edhe një të dhënë shumë të rëndësishme, për vendndodhjen e betejës së vitit 1444, kur shkruan: “Pasi u arrit fitorja, Skënderbeu e kaloi tërë atë ditë dhe atë natë në kamp”(Barleti, f. 111). “Kapedani i matur dhe që s’dehej kurrë nga sukseset i frenoi mirë dëshirat e ushtarëve deri sa zbuluesit e dërguar njoftuan se s’kish gjë kund rrezik nga pritat. … Si plaçkitën mjaft e ç’frynë sa u ngopën nëpër vendin e armikut, Skënderbeu dha shenjën e nisjes” (Barleti, faqe 112). [bëhet fjalë për nisjen, nga viset armike ku po bëhej plaçkitja, për në kamp, vendi ku u zhvillua beteja],… “gjer sa u përshëndetën nga rojet e kampit që kishin dalë përpara pahisores” (Barleti, f. 113).
Po për këtë betejë, Skanderbeu – shkruan Dhimitër Frangu: “Organizoi ushtrinë dhe u nis në kufijtë e tij” (Frangu, f. 57). [Veprat e famshme e të lavdishme dhe ndërmarrjet fitimtare kundër turqve të zotit Don Gjergj Kastriotit i quejtun Skanderbeg, Princ i Epirit, shkruar nga Dhimitër Frangu, shtypur nga “Arbëria”, Tiranë 2007, përktheu Lek Përvizi]. Në përfundim të betejës, Dhimitër Frangu thotë: “Të pasnesërmen, mbasi vuni rregull në gjithë ushtrinë, kaloi nji ditë në viset e sulltanit” (Frangu, f. 58). Këtu, në logjikën e plaçkitjes dhe kthimit në kamp, kemi të bëjmë me shtjellim situate dhe zhvillime ngjarjesh, brenda ditës, që duhet ta shpjegojë plotësisht llogjika. Nuk flasim për distanca, ku mund të kemi dhe gabime.
Për t’i bërë gjërat më të thjeshta dhe më të koncentruara, këto të dhëna po i radhisim shkurt, duke kërkuar një territor fushëbeteje, që t’i plotësojë këto kushte:
– në kufi të Dibrës së Poshtme dhe fushave maqedonase (Barleti).
– në Dibër të Poshtme, tetëdhjetë mijë hapa larg Krujës (Barleti).
– në fushat maqedonase shumë të mbrojtura prej vetë natyrës (Barleti).
– në kufi të Maqedonisë (Barleti).
– në pozicion të tillë gjeografik, ku brenda një dite vere, pasi të vëzhgohet terreni, të bëhet grabitja, duke u kthyer në darkë në kamp (Barleti).
– në kufijtë e shtetit të tij /Skënderbeut/ (Frangu).
– ushtria të kaloi nji ditë në viset e sulltanit, dhe në mbrëmje të arrij në kamp (Frangu).
Barleti na thotë që Mokra me Dibrën e Sipërme “ndajnë mbretërinë epirote nga viset armike” (Barleti, f. 382-383). Pra, normalisht, që ushtria osmane të shkonte në Dibër të Poshtme, duhet të kalonte nëpër territoret e Dibrës së Epërme, ose nëpër Mokër. Atëherë, ne duhet:
– të gjejmë një rrugë apo një shteg malesh, që kalon nga territoret osmane në Dibër të Poshtme, pa kaluar nëpër Dibër të Epërme, apo nëpër Mokër.
Kjo fjali e bold-uar, mbetet referencë për ne, e paprekshme, sepse:
– Ushtria osmane nën komandën e Ali Pashës, në vitin 1444, erdhi në vendin e betejës, nga territoret osmane drejtpërdrejt në kufijtë e Dibrës së Poshtme.
Shohim që grabitjen Skënderbeu do ta bëjë në ato territore, që zbuluesit e dërguar më parë, të shohin që nuk ka mbetje të ushtrisë (së Ali Pashës). Kjo ka rëndësi sepse konkludojmë qëpjesa e shpartalluar e ushtrisë së Ali Pashës u largua nga fusha e betejës nëpër territoret ku do të grabiste Skënderbeu (territore nga dhe erdhi Ali Pasha për në fushën e betejës).
Nga sa më lart, ku ishin viset që, Skënderbeu, pas fitores, u fut me ushtrinë e tij dhe plaçkiti?
Kronikanët osmanë, si Mynexhimbashi, Sollakzade, Hoxha Sadeddin, Mehmet Neshri, etj., na japin shkrime ku shprehen për grabitjet në kullotat e Tetovës (në libër janë referencat e tyre).
Burimet bizantine vetëm sa i përmendin plaçkitjet (Kritobuli prej Imbrosi).
Nga Barleti shkëputëm: “Kastrioti erdhi në Dibër të Poshtme, në prag të Maqedhonisë dhe gati m’u në kufi të mbretërisë së vet, në vendin nga ku, sidomos barbarët, e kishin zakon të mësynin Epirin dhe t’u rrëmbenin fshatarëve gjënë pa u dëmtuar, duke i shtypur të pambrojtur. Ky vend, megjithëse nuk ishte e vetmja portë e hapur për ata që hynin në Epir, ishte me gjithë këtë thuajse e vetmja hyrje e volitshme, nga ku edhe tanët, më tepër se nga çdo anë tjetër, dëmtonin zakonisht viset armike” (Barleti, f. 293).
Këtu do të evidentojmë:
– Dibër të Poshtme.
– në prag të Maqedonisë.
– në kufi të mbretërisë së vet.
– nga ku, sidomos barbarët, e kishin zakon të mësynin Epirin.
– Ky vend, megjithëse nuk ishte e vetmja portë e hapur për ata që hynin në Epir, ishte me gjithë këtë thuajse e vetmja hyrje e volitshme (flasim për hyrje të ushtrisë osmane nga territoret e fushës së Pollogut për në Dibër të Poshtme).
– nga ku (pra nga ky vend) edhe tanët, më tepër se nga çdo anë tjetër dëmtonin zakonisht viset armike (flasim për lëvizje të ushtrisë epirote nga Dibra e Poshtme në malet dhe kullotat në perëndim të luginës së Pollogut, pa kaluar nëpër Dibër të Epërme apo Mokër).
Këto fjali na japin përshkrime dhe rrethana që përputhen plotësisht me përshkrimin që i bën Barleti vend-betejës me Ali Pashën.
Automatikisht shtrohet pyetja: A mund të shkohet brenda ditës (flasim për ditën e qershor-korrikut, dita më e gjatë e vitit), nga Dibra e Poshtme e sotme, në luginën e Pollogut (apo në malet në perëndim të luginës) dhe të kthehesh i ngarkuar po brenda asaj dite, ku, më përpara, po brenda asaj dite, një grup kalorësish të ketë bërë po këtë rrugë vajtje kthim, si dhe, para kthimit, të ketë vështruar terrenin që “nuk ka mbetje të ushtrisë armike”?
Pikërisht përgjigja e kësaj pyetje është çështja jonë!
Mendimet e dhëna, nga studiues të ndryshëm, që beteja e vitit 1444 është bërë në “fushën e Domosdovës”, në “fushën e Kalasë në Bulqizë”, në “Shumbat”, në “Peshkopi”, në “luginën e Drinit në Dibër të Poshtme”, nuk qëndrojnë.

Harta: Ku shtriheshin Dibrat dhe Mokra në kohën e Barletit?
Për Dibrën e Epërme të kohës së Skënderbeut kemi disa pika referuese të sakta të saj dhe të identifikuara, kryesisht nga Barleti, por edhe nga Frangu dhe Muzaka:
– Sfetigradin, i cili ndodhet në rajonin Demir Hisar dhe është kufiri juglindor i territoreve të Skënderbeut. Duke e parë në këndvështrimin e thellë historik, Sfetigradi ishte si përgamja homeriane në Ilios; ai vështronte në drejtim të ultësirës së Pelagonisë.
– Hyrjen nga Ohri, përfshi dhe Oronikun si kufi jugor apo jugperëndimor.
– Pellgun e Strugës (në Maqedoni).
– Në veriperëndim kishte Rekën.
– Në veri kufizohej me fushën e Pollogut.
– Në verilindje, Dibra e Epërme kishte zonën e Mokrës, çeshtje që do ta trajtojmë më poshtë.
Për Dibrën e Poshtme, në një këndvështrim të parë dhe të shpejtë, si dhe pa u thelluar, me të dhënat e Barletit mbetemi më konfuzë. Të dhënat për të dalin vetëm në mënyrë indirekte dhe përputhemi me pozicionin gjeografik ku ajo shtrihet sot.
– Nga sa na jep Barleti, Dibër e Poshtme ishin dhe kullotat, bjeshkët dhe livadhet për kullotjen dhe mbajtjen e bagëtive në veri dhe veriperëndim të malit të Korabit, ku grabiste ushtria osmane. Kjo për arsyen e thjeshtë që në atë kohë, prioriteti kryesor i ekonomisë ishin bagëtitë. Njëkohësisht dhe plaçkitja e territoreve armike, qëllim parësor kishte bagëtitë. Këtë mision kishin si ushtritë osmane në territoret e Dibrës së Poshtme, po ashtu dhe ushtria e Skënderbeut, në fushat Maqedonase (me fushat maqedonase kupto livadhet dhe kullotat në perëndim të fushës së Pollogut dhe verilindje të malit të Korabit). Meqenëse Barleti shprehet se këtu bëhej grabitja e bagëtive, nga ushtria osmane në viset e Skënderbeut, dhe, grabitej Dibra e Poshtme, atëherë, logjikisht, këto kullota ishin territore të Dibrës së Poshtme. Nga malet e Pollogut shkohet në Dibër të Poshtme nëpër atë shtegun e vështirë që na përmend Barleti, i cili ndodhet në veri të majës së malit Korab, në anën lindore të Fushës së Koabit.
– Edhe defteri turk i vitit 1467 na sjell të dhëna të mjaftueshme për t’u bindur, që zonat, të cilat ne sot i quajmë Dibër e Poshtme, edhe në kohën e Skënderbeut quheshin me këtë emër.
– Shtojmë gjithashtu që janë dhe disa regjistrime osmane, të më vonshme se ai i vitit 1467, të cilat duke i parë me kujdes përputhen në vazhdimësi. Megjithëse dokumentet osmane duhet të shihen me shumë vëmendje, si në kuptimin e pasaktësisë së tyre, po ashtu dhe në pikëpamjen e përkthimeve, sjellim në vëmendje që regjistrimi i fshatrave dhe zonave është një dokument më i besueshëm dhe më i saktë. Cilësojmë që kur administrata osmane bëri regjistrimin e popullsisë, për efekt pagese tatimesh, në mars e vitit 1467, emërtimin e vendeve e shënoi ashtu siç ato quheshin, sepse ajo nuk pati kohë të bënte riemërtime vendesh. Ky proces zgjati vetëm pak muaj, sepse, siç dihet, Skënderbeu i rimori ato territore me ikjen e verës.
Mokra (vendi ku janë zhvilluar pjesa më e madhe e betejave të Skënderbeut) është si thembra e Akilit për të kuptuar pozicionet gjeografike të territoreve të Skënderbeut. Me saktësimin e saj, historia e Skënderbeut do të preket plotësisht nga ne, me të gjitha vendet ku u zhvilluan betejat. Noli e vendos mes fushës Pollogut dhe Dibrës. Kristo Frashëri e vendos në Grykë të Radikës. Shmitt-i e vendos në malin e Korabit. Biçoku e vendos në malet Jakupice. Asnjë nga këto variante nuk është i saktë. Mokra ishte në krah të fushës së Pollogut. Barleti shkruan: “Kastrioti.. Skish hyrë ende në fushë (të Pollogut), kur, me të lënë Mokrën u prish koha…” (Barleti, f. 301-306). Kuptojmë që nga Mokra hyhet drejtpërdrejt në fushë të Pollogut, si dhe anasjelltas, nga fusha e Pollogut hyhet menjëherë në Mokër. Në betejën e dytë me ushtrinë osmane të komanduar nga Ferizi, Skënderbeu “zuri menjëherë i pari dhe e mbushi me ushtarë të armatosur një luginë të ngushtë që e quajnë Mokër e që ishte e vetmja rrugë kalimi për barbarin” (Barleti, f. 134). Ferizi po lëvizte nga Shkupi në drejtim të perëndimit, dhe u përplas me Skënderbeun në Mokër, pa shkuar në Pollog dhe që ishte e vetmja rrugë kalimi për të. Pra, nga Shkupi për në Pollog, kalohet nëpër luginë të ngushtë Mokre. Këtu kuptojmë thjeshtë që në jug të ngushticës së Radushës, jemi në Mokër (ngushtica e Radushës nga kalon Vardari, është e pakalueshme për ushtrinë).
Fusha e Pollogut, siç e ka përkufizuar Barleti, “kufizohej nga njëra anë prej malit tonë të Mokrës, nga ana tjetër prej qytetit të turqve, që e quajnë Shkup. Kish edhe dy male të tjerë që rrethonin fushën, me një lartësi të shënuar, të cilët kam marrë vesh se i quajnë, me një emër jo të veçantë, male të Pollogut” (Barleti, f. 302). Nga kjo na del se mali i Mokrës ishte në anë të fushës së Pollogut. Përveç Mokrës, në anë të fushës së Pollogut, kishte dhe dy male të tjerë që rrethonin fushën dhe që quheshin male të Pollogut (dihet që Shkupi ndodhet në vazhdim të fushës, pasi merr kthesën drejtim lindjes).
Fusha e Pollogut (nga Gostivari në Tetovë) është një luginë afërsisht jug-veri (në kuptimin nga Pollog i Epërm, në Pollog të Poshtëm), që ka dy anë, perëndimore dhe lindore.
Ana perëndimore, (sot) përbëhet nga shumë fshatra, pas qytetit të Gostivarit, si, Debreshe, Vrapçisht, Toplica, Dobri Dol, Gradec, Pirok, Bogovinë, Kamenjan, etj., deri në Tetovë. Këto vende ishin territore osmane, fakt shumë i thjeshtë për tu kuptuar sepse ishin në anën e bjeshkëve të Pollogut ku grabiste bagëtitë Skënderbeu (faktin që Skënderbeu grabiste bagëtitë në bjeshkët e Pollogut, na e thotë Barleti, Frangu dhe disa kronikanë osmanë të kohës së Skënderbeut), popullsi që Barleti i quan Tribalë (kuptohet që Skënderbeu nuk grabiste territoret e veta). Pra malet në anën perëndimorë të fushës së Pollogut janë malet e Pollogut që rrethojnë në njërën anë fushën e Pollogut.
Ana tjetër e fushës së Pollogut (kujtojmë që Barleti na thotë që fusha rrethohej nga dy male që quhen male të Pollogut dhe mali i Mokrës), është ana lindore, që është një mal i cili (sot) ka shumë fshatra (në shpatin perëndimor), si Forinë, Çegran, Volkovije, Stençe, Tenovë, Miletin, Radiovç, Çelepek, etj., (të cilët, së bashku me malin shtrihen përball tribalëve). Ky mal me të gjithë fshatrat, na del që është mali i Mokrës (i Barletit). Më duket shumë e natyrshme për të arritur në këtë përfundim. Pra ky mal, me fshatrat në anën perëndimore, por jo vetëm (sepse ka fshatra dhe në anën veriore, lindore dhe jugore), është krahina e Mokrës, për të cilin Barleti na thotë që “përballë trialëve ishte një vend fort i bukur i asaj krahine, shumë i populluar dhe plot me katunde të dendura. Banorët fqinj e quajnë Mokër” (Barleti, f. 89). Kështu kemi saktësuar që Mokra e Barletit është mali që sot quhet Suva Gora (mali i Thatë).
Kështu, përfundimisht konkludojmë që Mokra (e Barletit) është në anën lindore të fushës së Pollogut (mali i Thatë – Suva Gora), përball tribalëve, që janë në anën perëndimore të luginës së Pollogut. Mokra ishte një krahinë, plot me katunde, lugina, male e gryka. Mokra shtrihet në lindje të Pollogut, të cilën lumi Vardar e ndan prej saj. Gjithashtu vazhdon në veri deri te lumi Vardar, ndërsa nga ana lindore ndahet nga territoret e maleve Jakupica prej lumit Treska. Ndërsa në jug të Mokrës shtrihet Modrisa (në libër trajtohet gjërsisht Mokra).
Mokra ishte vend shumë strategjik për lëvizjen e ushtrisë, nga fusha e Pollogut drejt juglindjes, si dhe lëvizjen nëpër luginën e lumit Treska, ku Mokra është në anën perëndimore të tij. Gjithashtu për të shkuar nga Shkupi në luginën e Pollogut, ushtria kalonte detyrimisht nëpër Mokër. Ndaj Skënderbeu e bëri Mokrën pjesë të territoreve të tij. Dhe po të shohim me kujdes, në të gjitha betejat kur ushtria osmane vinte nga veriu, përmendet Mokra. Kjo sepse ushtria nuk kishte rrugë tjetër (përjashto shtegun e jugut, nga Ohri) për të hyrë në Epir.
Kalaja që ngriti Skënderbeu në Modrisë (pasi ra Sfetigradi), shërbente pikërisht për të lajmëruar ardhjen e turqve, si nga lugina e Pelagonisë drejtim veriut, si dhe nga ana e veriut (Shkupit) dhe përputhet me Modrishën e lumit Treskë.
Edhe një herë mbi Dibrën e Poshtme
Barleti shkruan: Ushtria turke, e komanduar nga Sinami, nga kampi i saj që ishte afër Alhries, u nis “për në fushën e Pollogut drejt Mokrës… Tanushi dhe njëri nga Stresët, të nipërit, si dhe Pejk Emanueli u dërguan në Dibër të Poshtme për të pritur, po ta donte puna, sulmet e Sinamit, (që ishte stacionuar në fushë të Pollogut) por jo me më shumë se një të tretën e ushtarëve, sepse rreziku që andej ishte më i vogël dhe hyrja në tokat tona më e vështirë… Forcat e tjera (dy të tretat) së bashku me Moisinë ai (Skënderbeu) i mbajti vetë në Dibër të Sipërme” (Barleti, f. 382-383). Këtu, me një logjikë të thjeshtë, shkojmë në konkluzionin që, “Dibra e Poshtme” ku u dërguan Tanushi dhe njëri nga Stresët, të nipërit, si dhe Pejk Emanueli, është Dibra e Poshtme e sotme. Kjo është e thjeshtë. Nëse do të bëhej fjalë për një vend, diku në territoret e Dibrës së Epërme, mbrojtjen e saj e bënte Skënderbeu me Moisiun me dy të tretat e ushtrisë dhe që qëndruan në Dibër të Sipërme (afër Oronikut).
Gjithashtu theksojmë dhe diçka shumë esenciale: Vendi ku ata u dërguan (në Dibër të sotme të Poshtme), për të pritur, po ta donte puna, sulmet e Sinamit, nuk është diku afër hyrjes nga Rahovniku (Dibra e Madhe e sotme) për në Dibër të Poshtme të sotme. Pra, këtu po flasim për një vend konkret, deri diku për një territor të vogël dhe të caktuar, ku do të stacionohej kjo ushtri në Dibër të Poshtme të sotme, duke pasur parasysh që kjo zonë ka një shtrirje jug-veri, prej mbi 20 kilometrash. Kjo e vërtetë, që kjo ushtri nuk do të qëndronte në anën e Rahovnikut të Dibrës së Poshtme të sotme (territoret nga Dibra e Madhe në Peshkopi), është e thjeshtë për ta kuptuar:
– Nëse Dibra e Poshtme e sotme do të rrezikohej që të sulmohej, prej Sinamit (i cili ishte në fushë të Pollogut), nga ana e Rahovnikut (Dibrës së Madhe të sotme), atëherë Sinami duhej të lëvizte nga aty ku ishte (Pollog) për gjatë rrugës Gostivar – gjithë grykën e Radikës (lugina e Rekës, apo gryka e Radikës, është e njëjta gjë), nga fshati Duf (në verilindje të Rekës së Epërme) deri në Kosovrast (jugperëndim të Rekës së Poshtme) – Rahovnik (Dibër e Madhe e sotme), rrugë e pa kalueshme për ushtrinë. Nuk më rezulton që ta ketë bërë një ushtri turke këtë rrugë, gjatë epokës skënderbegiane. Nëse Sinami, do kishte ndonjë mundësi që të bënte këtë rrugë duke i hyrë Dibrës së Poshtme nga jugu në drejtim të veriut, atëherë Kastrioti nuk kishte përse të shqetësohej, për të çuar një të tretën e ushtrisë në Dibër të Poshtme të sotme, sepse, sapo ai të informohej mbi nisjen e lëvizjes së Sinamit (Pollog – Rahovnik), nga kampi ku ai ishte afër Oronikut, mund të shkonte në Rahovnik, për t’i dalë atij përpara, në më pak se gjysmën e kohës që do t’i duhej Sinamit për të mbërritur aty.
– Gjithashtu është e padiskutueshme që Sinami nuk do të tentonte Dibrën e Poshtme, duke kaluar nga Pollogu, drejtim jugut, për të ardhur në perëndim të Kërçovës dhe për të marrë pastaj rrugën Kërçovë – Grykë e Radikës (që populli edhe sot e quan Rruga e Arbrit).
Nga sa më sipër arrijmë në përfundimin që Dibra e Poshtme nuk rrezikohej nga ana jugore.
– Gjithashtu, Sinami nuk rrezikonte Dibrën e Poshtme nga ana e veriut (nga ana e Kosovës), duke lëvizur nga Prizreni në drejtim të Kukësit dhe më tej duke lëvizur drejt Dibrës. Kjo mundësi lëvizje e ushtrisë osmane, donte dyfishin e kohës së anës së jugut.
Këto dy rrugë, ndjekin luginën e Drinit (apo pjesët e ulëta anash saj). Ndërsa e gjithë ana lindore e Dibrës së Poshtme, është e mbrojtur nga mali i Korabit.
A mund të shkohet nga fusha e Pollogut në Dibër të Poshtme duke kaluar malin e Korabit?
Nga diskutimi me banorë vendas të zonës së Dibrës së Poshtme (të sotme), atje kanë qenë historikisht dhe vazhdojnë të jenë edhe sot, katër vendkalime të malit të Korabit (shtigje kalimi, që në fakt janë dhe pragu i kalimit të kufirit shtetëror Shqipëri – Maqedoni) për të shkuar nga Dibra e Poshtme në fushë të Pollogut (si dhe anasjelltas).
1 – Rruga (vendkalimi) në lindje të Peshkopisë, rrugë që për rreikun që paraqet, nuk e ka përdorur asnjë ushtri armike.
2 – Rruga (vendkalimi) në lindje të Shumbatit, i cili quhet në gjuhën e fshatarëve Laku i gjipqeve. Praktikisht, kjo rrugë është e pakalueshme për ushtrinë. Nuk më rezulton ta ketë përdorur asnjë ushtri.
3 – Rruga (vendkalimi) në jug të Korabit. Në Google Maps, gjendet: Qafa e Korabit). Njihet si Porta e Vogël e Korabit (e njohur anglisht: Little Korab Gate; Maqedonisht: Mala Korabska Vrata – 2465 metra mbi nivelin e detit). Kjo rrugë është shumë e vështirë. Nuk më rezulton që të jetë shfrytëzuar ndonjëherë nga ushtria e Skënderbeut, apo ushtritë osmane.
4 – Rruga (vendkalimi) në veri të Korabit, Porta e Madhe e Korabit (e njohur anglisht: Big Korab Gate; Maqedonisht: Golema Korabska Vrata – 2062 metra mbi nivelin e detit). Barleti e quan Kryeportë e mbretërisë sonë” (Barleti, f. 351). Nga fshati Radomirë i Lumës, skaji më verior Dibrës së Poshtme të sotme, mund të lëvizet me këmbë, si dhe me kafshë të ngarkuara, duke lënë në të djathtë majën e malit të Korabit, në drejtim të Fushës së Korabit, skaji më lindor i së cilës të shpie te Porta e Madhe e Korabit. Populli, fushën e Korabit e ndan në dy minitoponime, në Rrafshi i Vogël dhe Rrafshi i Madh. Rrafshi i Vogël është pjesa e parë e fushës së Korabit, duke shkuar nga Radomira në drejtim të Portës së Madhe të Korabit. Ndërsa Rrafshi i Madh, shtrihet më në lindje, është më i madh si sipërfaqe dhe shtrihet deri në Porta e Madhe e Korabit. Pasi kalohet në Porta e Madhe e Korabit (që është dhe kufiri shtetëror Shqipëri – Maqedoni dhe që është më e lehtë për lëvizje dhe më të volitshme si rrugë kalimi, në krahasim me tre rrugët (vendkalimet) që përmendëm, pastaj, futemi në territoret maqedonase dhe në të majtë (duke lëvizur drejt verilindjes), zbritet në Tetovë, ndërsa, drejt lindjes, në Gostivar. Kjo rrugë (nga Porta e Madhe e Korabit deri në Pollog), mund të përshkohet, nga kalorësit, për më pak se 4 orë.
Nga sa parashtruam, arrijmë në përfundimin që Sinami kërcënonte Dibrën e Poshtme nga fusha e Pollogut ku ishte i stacionuar, në drejtim të Portës së Madhe të Korabit. Kjo rrugë kalon nga Pollogu, drejtim perëndimit, nëpër sheshe e livadhe. Nëpër këtë rrugë zona e Lumës ka kaluar gjithmonë për të bërë pazar në Tetovë dhe Gostivar. Në territoret nga Porta e Madhe e Korabit deri në Pollog, shtrihen kullotat dhe fushat e pafundme. Gjithashtu nga këto fusha e livadhe, kanë kaluar shpesh grabitësit e bagëtive nga zona e Lumës në malet në perëndim të Pollogut, në Tetovë dhe Gostivar.
Fusha e Korabit (rrafshi i Madh) i plotëson kushtet për këtë betejë. Gjatësia e kësaj fushe, duke e marrë me gjithë zgjatjet, ku terreni ka dhe thyerje, si dhe pjesën e Portës, kalon dy deri tre kilometra, ndërsa gjerësia, e cila dhe kjo ka thyerjet e veta të terrenit, shkon deri një kilometër. Porta është rreth 200 metra e gjerë dhe anash është shkëmb.
Këtu, kemi ardhur te përgjigja e pyetjes që kemi parashtruar që në fillim të librit tonë.
Nga udhëtoi Ali Pasha dhe ku u bë beteja?
Ali Pasha në verën e vitit 1444, ka lëvizur nga Shkupi, nëpër Mokër, në luginën e Pollogut, në malet e Pollogut, në fushë të Korabit. Pikërisht, sapo ka hyrë në territoret e Epirit, duke kaluar në të vetmen hyrje të volitshme, ka hyrë në Fushën e Korabit (Rrafshi i Madh i Korabit), në pikën më verilindore të Dirës së Poshtme, pothuajse në kufi Dibër e Poshtme – Maqedoni ku dhe e priste Skënderbeu, vendi ku është bërë dhe beteja. Me këtë, u kemi dhënë përgjigje disa pyetjeve tona të shtruara disa herë. Zhvillimin e betejës e përshkruan hollësishëm Barleti, në të gjitha aspektet.
Shënim. Me këto përfundime, kam rënë ndesh me “Historia e popullit shqiptar”, botim i Akademisë së Shkencave (vëllimi I, faqe 397 &), për:
– Dibrën e Poshtme (të kohës së Skënderbeut), e cila shtrihej në ato territore ku shtrihet dhe sot (Akademia e Shkencave mendon që ajo shtrihej në luginën e Pollogut, “përgjatë rrjedhës së epërme të lumit Vardar…”).
– Luginën e Pollogut, e cila nuk ka qenë pjesë e territoreve të Skënderbeut (Akademia e Shkencave mendon që Pollogu ishte pjesë e territoreve të Skënderbeut dhe quhej Dibër e Poshtme).
– Mokrën (e Barletit), e cila sot quhet Suva Gora “Mali i Thatë” (Akademia e Shkencave mendon që Mokra ishte “Mali Jakupice”). Mali Jakupica shtrihet në jug të Shkupit.
Për emërtimet e shekullit XV që nuk ekzistojnë sot, jepen në kllapa emërtimet e sotme.
Në këtë hartë, të punuar, kemi shënuar Dibrën e Poshtme, Dibrën e Epërme, Mokrën (Suva Gora), Rekën, Rahovnikun (Dibrën e Madhe), Luginën Valchale (Lugina e Bulqizës), Oronikun (Orovnikun), Sfetigradin (Demir Hisarin). Lëvizja e Ali Pashës, Shkup – Pollog – Fushë e Korabit, jepet me vizë të zezë. Fusha e Korabit, vendi ku u bë beteja. Viza e kuqe nga maja e malit Korab, në jug të Gostivarit, duke vazhduar nëpër lumin Vardar, e pastaj nëpër luginën e lumit Treska, më në jug kalon në lindje të Sfetigradit dhe duke përfunduar në veri të Ohrit, tregon kufirin lindor të territoreve të Skënderbeut, territore që sot janë në Maqedoni.

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura