Tiranë, 27 prill 2019: Kanë kaluar 20 vjet nga mbarimi i Luftës të pasluftës Çlirimtare të Kosovës dhe nuk kemi dëgjuar që të jetë organizuar nga qeveritë e Kosovës por edhe të Shqipërisë ndonjë simpozium apo konferencë shkencore, për të evidentuar përvojën dhe mësimet që mund të nxirren nga ajo luftë, në të cilën mori pjesë i gjithë kombi shqiptar, përfshi edhe gjithë diasporën, si asnjë herë në historinë tonë kombëtare.
Madje do të jetë e pabesueshme për brezat e ardhshëm të kombit tonë kur do të mësojnë se disa vjet pas asaj lufte çlirimtare, të gjitha institucionet shtetërore në Kosovë të dala nga ajo luftë bënë të pamundurën për ngritjen e një Gjykate Ndërkombëtare të Posaçme kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që çliroi Kosovën! Qëllimi? Për ta cilësuar atë si luftë e padrejtë, luftë terroristësh dhe kriminelësh vetëm pse luftoi kundër pushtuesve të saj serbë! Dhe ajo që është edhe më e çuditshme, këtë nismë ndërkombëtare antishqiptare po e glorofikojnë të gjitha mediat në Kosovë, pëjashtur: Radio Kosova e Lirë e Agjensinë Kosovapress dhe disa portale si: pashtriku.org, mekuli.press e ndonjë tjetër!
Në fillim të vjeshtës së vitit 2018 gazetari i TV Dukagjini, Ermal Panduri erdhi në Durrës dhe, midis të ftuarve isha edhe unë për të dhënë një intervistë rreth luftimeve të zhvilluara nga ajo pjesë e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës që sulmoi nga territori i shtetit shqiptar. Midis të tjerave, në atë intervistë unë kam thënë:
“Të mburren ata që luftuan në Pashtrik, deri diku kanë të drejtë. Por të mburren ata në Koshare, nuk kanë të drejtë. Pse s’kanë të drejtë? Ata luftuan 63 ditë. Kishin furnizime të bollshme në të gjitha llojet e armëve e shërbimeve. Dhe të luftosh 63 ditë, e të mos hapësh dot korridorin…?! Ata luftuan. Luftuan me heroizëm. Nuk u turpëruan. Por detyrën nuk e kryen. Dhe mua më ka bërë përshtypje, ngaqë kam dëgjuar shpesh herë në mediat tuaja, në Prishtinë, ku thuhet se: beteja më e madhe, nderi më i madh është “Beteja e Koshares”. Dhe dikush thotë: Ja, shikoni, edhe Serbia i ka vënë një rruge në Beograd emërtimin “Beteja e Koshares”. Tashti, kush ka të drejtë të mburret? Ka të drejtë Serbia, sepse ne nuk e realizuam dot detyrën; ajo na bllokoi. Kështu që, ne s’kemi pse mburremi me një “betejë” që s’e fituam… Por, me sa shoh unë, ju në Kosovë jeni infektuar nga Serbia, festoni humbjet?!”
Ajo deklaratë, për mosrealizimin e detyrës nga forcat që morën pjesë në “Betejën e Koshare”, hodhi dritë mbi të vërtetën dhe dimensionet e asaj ”beteje” të pathëna deri atëhere, të para këto në këndin e një ushtarakut profesionist pjesmarrës në atë luftë. Kjo deklaratë ngacmoi jo vetëm sedrën e sëmurë të disa prej kuadrove kryesore të B.138, të cilët janë marrë me përgatitjen, organizimin dhe drejtimin e luftimeve të kësaj brigade në Koshare, si dhe ngjalli interesimin e shumë të tjerëve. Njëkohësisht, tek ata që e kishin glorifikuar atë në sensin ndryshe, shkaktoi revoltim. Në ato shkrime dhe intervista reaguese kundër deklaratës sime, janë hedhur ndaj meje shumë dyshime dhe epitete si: “ideologjik”, “enverist”, “I doktrinuar”, “I dyshimtë”, “I paturpshëm’, “ka arrdh në luftë për qëllimin e tij material”, “ka pas mision të caktuar, për të cilin ende nuk ka tregime të plota”, “duhet shkuar në Shqipëri e duhen parë dosjet e tij”, etj, etj.
Deri tashti, mosrealizimi i detyrës luftarake nga ana e forcave që luftuan në Koshare, është menduar se kjo më shumë ishte një rastësi sesa një gjë e paramenduar. Fillimisht edhe unë i këtij mendimi kam qenë, rastësi, duke u nisur nga mendimi se jo çdo betejë fitohet. Mirëpo, ka gati një dekadë që një klan i caktuar: ish-oficerë, politikanë, intelektualë e gazetarë në Kosovë po e festojnë në mënyrën më glorioze, duke e quajtur atë si beteja më e shquar e gjithë Luftës êlirimtare të Kosovës. Ky glorifikim ka filluar dukshëm në 10 vjetorin e saj. Qëllimi? Për t’i thënë gjithë popullit shqiptar, veçanërisht gjithë formacioneve të tjera të UÇK-së se, po të mos ishte zhvilluar ajo betejë, Kosova edhe sot do të ishte nën pushtim. Dhe për këtë qëllim, një farë Hysen Berisha na reciton një thënie të pathënë nga Uesli Klark, Komandanti i forcave të NATO-s që u angazhuan krahas UÇK-së për çlirimin e Kosovës. I vetmi rast që Uesli Klark e përmend luftën në Koshare, në libririn e tij “Të bësh luftë moderne”, është në f.372, ku saktësisht thotë: “Dhe, ne, kishim vëzhguarse si kishte hapur UÇK-ja një korridor të vogël, i cili nga verilindja e Shqipërisë çonte për në Kosovë, nëpërmjet fshatit Koshare. Lufta e vazhdueshme aty, shpesh i detyronte forcat serbe të dilnin në terren të hapur, ku kishim mundësi t’i sulmonim ato”. Dhe nuk flet më në të gjitha 511 faqet e atij libri. Por edhe Klarkun e paskeni mashtruar?! E keni bindur se e patët hapur korridorin?! Por Hyseni na tha në datën 16 prill 2019, në TV, se ju nuk e kishit për detyrë të hapnit korridorin, kush e paska gënjyer Klarkun?!
Por për atë që thotë Klarku: “shpesh i detyronte forcat serbe të dilnin në terren të hapur, ku kishim mundësi t’i sulmonim ato”, pikërishtë për këtë meritë, unë thashë në atë deklaratë: “Ata luftuan. Luftuan me heroizëm. Nuk u turpëruan.” Por kjo nuk do të thotë se Br.138 e realizoi detyrën kryesore: hapjen e korridorit për të furnizuar formacionet e UÇK-së me armë e municione si dhe me ushqime ato dhe 800.000 qytetarë që kishin ardhur në zonat e mbrojtura nga UÇK-ja, për të cilën kam për të shkruar në shkrimet e ardhshme.
Në kuadër të 20 vjetorit të “Betejës së Koshares” TV Dukagjini ka filluar prej javës së parë të muajit prill të organizoi një seri intervistash, për të përgënjeshtruar atë deklaratë që unë kam bërë për dështimin e forcave në Koshare në hapjen e korridorit të furnizmit. Duke qenë se pjestarë të komandës dhe shtabit të Br.138 të UÇK po bëjnë të pamundurën që atë mosrealizim detyre ta quajnë sukses duke përdorur edhe fyerje, natyrisht që edhe unë nuk do të rri duar kryq; po më detyrojnë që ta shoh me sy ushtarak edhe më kritik, duke shfrytëzuar gjithçka që dëgjoj në këto intervista, ku mësoj shumë gjera që nuk i kam ditur më herët. Për këtë ndihmë i jam shumë mirënjohës këtij TV Dukagjini.
Në qendër të kësaj analize ushtarake kuptohet që do të kem komandën dhe shtabin e Br.138, të cilët janë autorët e vendimeve plotësisht të pavarur dhe që me shembullin e tyre kanë drejtuar vartësit në ato 70 ditë lufte, 9 prill deri 19 qershor, sikundër na e qartësoi ish-një nga kuadrot drejtuese të atij shtabi, oficeri i përgatitur në shkollat ushtarake të ish-Jugosllavisë, Hysen Berisha si dhe komandanti i b4 Br.138, z. Pren Marashi. Për këtë saktësim u jam edhe më shumë mirënjohës. Hysen Berisha duhet ta dijë se, sa më lart të jesh në hierarkinë ushtarake aq më shumë përgjegjësi ke. Dhe mbi këtë bazë do të përpiqem të gjykoj veprimtarinë e komandës dhe shtabit të asaj brigade.
Sikundër e ceka më lartë, duke dashur të përgënjeshtrojnë deklaratën që unë kam bërë për mos realizimin e detyrës nga forcat që luftuan në Koshare, glorifikuesit e asaj humbjeje si me qenë fitore, kanë përdorur lloj-lloj epitetesh. Por duhet bërë e qartë se, fraza të tilla emocionale tregojnë shumë pak nga botkuptimi i kësaj kategorie ushtarakësh dhe intelektualësh në Kosovë, e cila mund të shpjegohet se duhet të kenë qenë të përkëdhelur nga regjimi titist dhe Serbia ngaqë i kanë humbur ato privilegje.
Këto emërtime të shumta ndaj meje dëshmojnë edhe për një bindje ekstreme anti-Shqipëri, midis një pjese jo të vogël të atyre ish-oficera karjere në ushtrinë jugosllave, por edhe mes të një pjese intelektualësh shqiptarë në Kosovë, të shkolluar dhe edukuar në shkolla të larta civile e ushtarake në ish republikat jugosllave, jashtë Kosove. E megjithatë, këto emërtime brezash nuk mund të themi se thonë gjithçka për personalitetin e tyre dhe aftësitë profesionale të tyre drejtuese dhe as për karakteristikat e shkollave dhe universiteteve civilë e ushtarakë të ish-Jugosllavisë ku ata kanë studjuar.
Por, që të jemi sa më konkretë, shkrimet dhe intervistat e tyre me përmbajtjen e një botkuptimi të tillë, e kanë venitur disi te populli i Republikës së Shqipërisë simpatinë e dikurshme të jashtëzakonshme ndaj kësaj inteligjence civile e ushtarake në Kosovë.
Si rrjedhojë, me dashje apo pa dashje, jam i detyruar të shprehem mbi të vërtetën se si dhe sa e kreu detyrën Komanda e Br.138, detyrë e vënë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Për këtë i falënderohem së tepërmi TV Dukagini, i cili, përmes një seri intervistash të njëpasnjëshme, kasten për të ashtuquajturën “Beteja e Koshares”, më ngacmoi për të nxjerrë mundësishtë sa më mirë në pah, rëndësinë e detyrës luftarake që iu dha Br.138, veçanërisht përgjegjësitë e komandës dhe shtabit të asaj brigade, pa lënë mënjanë edhe dobësitë e atij formacioni luftarak, por pa mohuar aspak lerat e atyre luftmeve 70 ditore. Njëkohësishtë, përmes këtyre intervistave të kohës së fundit, duke filluar prej 6 prill 2019 e në vijim, ky TV po më nxit të nxjerr në pah edhe qëllimin e fshehjes së atij mosrealizimi. Të gjitha këto mendoj se ndoshta qëllimisht janë lënë pas dore, që dikush edhe mund ta quaj filozofia e luftës së një kategorie të ngushtë ish-oficerash shqiptarë të ish Armatës Jugosllave.
Në shkrimet e mëpastajme mendoj të ndalem hollësishtë në zhvillimin e asaj “beteje”, duke i trajtuar ato çështje me të vetmin qëllim: për të nxjerrë mësime nga gabimet dhe mosrealizimet e shfaqura në luftimet gati 70 ditore në Koshare.
Njëkohësishtë, përmes këtyre shkrimeve do të përpiqem që te kjo pjesë e ish-ushtarakëve në Kosovë dhe të asaj inteligjence të saj që e anatemojnë UÇK-në të thelloj të kuptuarit më mirë prej tyre idetë e asaj “beteje”, e në vecanti të asaj lufte çlirimtare në përgjithësi, idealet e profesionizmit ushtarak të kuadrove që u angazhuan në formacionet e UÇK-së, por edhe kontributin e dhënë nga ne “enveristët” prej Shqipërie, “me dosje të dyshimta”, sikundër janë shprehur ish-oficeri i shkollave ushtarake jugosllave, Hysen Berisha, intelektuali Milazim Mara, por edhe të tjerë si në Prishtinë edhe në Tiranë, e që nuk janë të paktë.
Por për të vërtetuar “të qenët ideologjik të Dilaver Goxhaj” dhe që të mos lodhen Hysenët e Milazimët e Kosovës “për të parë dosjet e tij” duke ardhur deri në Tiranë po u tregoj shkurtimisht atyre ideologjizmin, ideologjizim të cilin do ta kishte zili çdo shqptar.
Akademia Ushtarake e Shtabit të Përgjitshëm në Republikën e Shqipërisë, e cila përgatiste oficera madhorë për komandim brigade e më lart, unë kam qenë dëgjues pas 13 vite diplomimi oficer, 1982-1984, e më pas, për një dekadë rresht, pedagog e shef katedre (departamenti) i një prej më të rëndësishmëve të saj, deri në mbylljen e saj. Ajo Akademi Ushtarake, prej themelimit të saj, më 10 Maj 1958 dhe derisa u mbyll në vitin 1993, ka bërë kujdes për dëgjuesit e saj të njihnin në detaje ushtrinë e ish-Jugosllavisë, llojet e forcave, përbërjen dhe armatimet e tyre, taktikat dhe strategjitë e saj, të cilën e konsideronim si një nga shtetet më armike të kombit shqiptar, veçanërisht Serbinë ku ti Hysen Berisha je shkolluar; por, njëkohësishtë, është punuar edhe për njohjen e historisë ushtarake të popullit shqiptar në ish-Jugosllavi, mentalitetin e kësaj popullsie dhe ndjenjat e saj ndaj shtetit amë, të cilat na ushqyen mua, dhe gjithë brezat që e kanë kryer atë akademi, me dashurinë e zjarrtë për kombin shqiptar.
Me këtë tregim të shkurtër për programin e Akademisë së SHP në Shqipëri desha t’i tregoj kategorisë së Hysen Berishës se, duke e njohur sa më mirë historinë e luftrave të kombit shqiptar, kuptohet që për Hysenët e Milazimët aq më shumë premisa kishim për t’u bërë të dyshimtë për kombin shqiptar. Ndërsa Hysenët dhe Milazimët që kanë mësuar vetëm historinë ushtarake të kombit serb, kuptohet që nuk ka se si të jenë enveristë. Kështu që u jap të drejtë të dyshojnë për ne si antishqiptarë.
Biles edhe kontigjentin për të dalë oficera, Enver Hoxha e përzgjidhte nga familjet që kishin luftuar denbabaden kundër pushtuesve serbë, grekë, italianë etj., gjë që edhe ju Hysenëve dhe Milazimëve të Kosovës nga ky kontigjent besoj se u ka përzgjedhur republika jugosllave ku bënte pjesë Kosova. Vetëm se ne, duke qenë “enveristë” ka shumë gjasa që të jemi të dyshimtë për kombin shqiptar, apo jo Milazim Mara e Hysen Berisha dhe kategoria e tyre.
Për ne që u angazhuam vullnetarisht në mesin e asaj lufte duke hyrë brenda në Kosovë, kanë më se të drejtë Hysenët e Milazimët e Kosovës të dyshojnë, pasi ndryshojmë nga ata që solli në Kosovë Azem Syla e Kadri Veseli pas lufte, ngaqë ata janë shumë më kombëtarë se ne, njësoj si Hysenët e Milazimët e Kosovës, prandaj dhe i ka pranuar Agim êeku dhe Gjykata e Prishtinës në komisionin për veteranët si dhe ndonjë prej tyre besoj se e kanë përzgjedhur dëshmitar edhe për në atë gjykatën “pro shqiptare” në Hagë. Se mos guxoni të hiqni dorë prej tyre, o Hysen Berisha dhe kategoria juaj.
Dhe, që ta mësoni mirë ju Hysenë e Milazimë glorifikues të “betejës” së Koshares, Akademia e SHP e Ushtrisë Shqiptare, për të na armatosur me ideologjinë kombëtare, ka organizuar dhe zhvilluar përherë stërvitje të të gjithë niveleve dhe llojeve të tyre: stërvitje shtabi, stërvitje komando-shtabi një e shumëshkallëshe, stërvitje me trupa nga të gjitha repartet dhe njësitë e të gjithë llojeve të armëve dhe shëbimeve, deri në grup divizionesh, ku, në idetë e dyanshme të të cilave armik kryesor ishte edhe ushtria jugosllave. Mos vallë për këtë gjë jemi të dyshimtë ne të shtetit amë? Vlen të theksohet se këto lloj stërvitjesh janë intensifikuar prej kur Shqipëria u shkëput nga kampi socialist, 1961, e deri në vitin 1992, kur pushteti në Shqipëri kaloi në duart e opozitës së djathtë shqiptare, motërza e LDK-së tuaj, me në krye kushëririn e Hysen Berishës, Sali Berisha. Dhe ajo parti e ajo qeveri i vuri vetes si detyrë të parë, shkatërrimin e Ushtrisë Shqiptare.
Ky mision, o Hysen Berisha, filloi me mbylljen qysh atë vit të shkollës së mesme ushtarake të vetme “Skenderbej”, dhe pas një viti u mbyll shkolla e lartë oficerave bashkë me Akademinë e SHP, komandant të së cilës emëruan një akademist të porsa diplomuar e që vinte nga komandant batalioni, duke i dhënë edhe gradën e gjeneralit. Dhe ai gjeneral punën e filloi me djegien e gjithë leteraturës ushtarake të përpunuar gjatë 35 viteve të asaj akademie nga stafi pedagogjik i saj, me qëllimin e “mirë”: brezat që do të vinë të habiten që në Shqipërinë socialiste shteti shqiptar nuk ka pas akademi ushtarake dhe, si rrjedhojë, nuk ka pas as ushtri për të mbrojtur atdheun dhe popullin! Kjo ishte faza e parë e shkatërrimit të ushtrisë bashkë me shkurtimet drastike të saj dhe çmobilizimin e gjithë kuadrit të aftë, duke u vënë etiketimin “enveristë”. Një nga ata “enveristët” isha dhe unë i ideologjizuari juaj.
Mësojeni dhe nguliteni mirë, se ajo Akademi Ushtarake ka qenë shembull e profesionalizmit ushtarak dhe e zotësisë, në krahasim me gjithë historinë e ekzistencës deri sot të shtetit shqiptar, por edhe të atyre profesionistëve që patën mbaruar shkollat ushtarake në vendet e tjera.
Faza e dytë e shkatërrimit të Ushrisë së Shqipërisë ndodhi në anatgonzmin kataklizmik të vitit 1997, e kryer nga simotra e LDK-së suaj, gjurmët e së cilës kanë mbetur deri në ditët e sotme e do të duken edhe në të ardhmen.
Ndërsa faze e tretë e eleminimit të saj filloi në vitin 1998 ku gjithçka që mbeti nga kataklizma e vitit 1997 u shit dhe u shkatërrua nga qeveritë dhe po vijon ende.
Përsa u përket marrëdhënieve direkte të kuadrit ushtarak të shtetit amë me ushtarakët shqiptarë të shkollave jugosllave, ato filluan nga ne të ideologjizuarit pas vitit 1992. Por veçanërisht në periudhën e shpërthimit dhe zhvillimit të luftës për çlirimin e Kosovës, 1997-1999.
Me këtë dua t’u them se këto marrëdhënie kanë një veçori të pashoqe, ngaqë nuk filluan me arsimimin reciprok të studentëve ushtarakë sikundër ndodh e ka ndodhur historikisht me çdo ushtri të botës, por direkt në fushën e betejës, duke u ideologjizuar me ideologji kombëtare. Një nga ata isha edhe unë që e pata atë fat. Aty u shkëmbyen përvojat taktike e strategjike ushtarake, shqiptar i Kosovës me shqiptar i Shqipërisë, direkt në fushën e betejës, një ëndërr shekullore. Dhe për këtë jam krenar që ia arrita asaj dite, prandaj kam vazhduar të flas e të shkruaj gjithnjë e më shumë për atë luftë heroike shqiptare e ata kolegë të lavdishëm që gjeta në Kosovë, pavarësishtë se ti Hysen Berishë i shkolluar në Serbi nuk të pëlqejnë.
Por për fatin e keq tonin, ky shkëmbim përvojash e bashkëveprim shqiptar-shqiptar, zhvilluar në fushën e luftës, është ende i panjohur për shkollat tona ushtarake në Shqipëri e Kosovë. Dhe kuptohet, se fajin kryesor e ka shteti i Shqipërisë, i cili gjatë asaj lufte bëri të pamundurën të pengonte edhe ne vullnetarët “enveristë” e të “ideologjizuar”, si puna ime, me ideologjinë kombëtare, që të mos ingranoheshim në radhët e UÇK brenda në Kosovë! Arsyen mund ta marrim me mend, pavarësisht se ende është e panjohur për mua; ndërkohë që të gjithë shtetet e tjera anëtare të NATO-s, po dhe jo anëtare të saj, prej kur filloi lufta në Kosovë ngritën pranë akademive të tyre ushtarake ekipe profesionistësh ushtarakë për ta ndjekur nga afër atë luftë dhe për të nxjerrë mësime të reja për artin e luftës.
(VIJON)
Tiranë, më 21 prill 2019
________________________
Debat Plus me Ermal Pandurin – E VËRTETA PËR KOSHAREN – 16.04.2019
https://www.facebook.com/telegraficom/videos/850797711938882/UzpfSTEwMDAxMDI0NTg0OTg5Nzo4NjUyNzI2MjM4MjQyNTg/