MIMOZA DAKO: KRIZA NË LAPSH TË ZVICRËS!

Zyrih, 27 Korrik 2019: Lidhja e arsimtarëve dhe e prindërve shqiptare në Zyrih, flak në rrugë mësuesen e gjuhës shqipe!
“Ju bej thirrje te gjithe prinderve, mesueseve dhe te gjithe atyre shqiptareve, qe e duan kombin e atdheun, qe te mos rrine indiferente, por te angazhohen dhe ta luftojme te keqen, sebashku ! Perndryshe, mesimi plotesues ne gjuhen shqipe, ne Zyrih e Zvicer eshte ne gjendje te mjerueshme, e udhehequr nga disa individe, qe po mbajne peng te ardhmen e mesimit shqip!” – Mimoza Dako

***
Unë quhem Mimoza Dako (Bejkollari). Që prej vitit 1992, menjëherë pasi mbarova studimet në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Tiranës, emigrova familjarisht në Greqi, ku qëndrova rreth 20 vjet. Sot e tri vite jam në një emigrim të dytë, në Zvicër. Prej mëse dy vitesh punoj si mësuese e gjuhës shqipe, në kuadër të LAPSH-it të kantonit të Zyrihut.

Selanik, 7 Mars 2001: Mimoza Dako dhe Dashmir Zaçe

Arsyeja, që po ju drejtohem me këtë letër është sepse më datën 13 Korrik 2019 mora një njoftim nga kryesia e LAPSH-it për Kantonin e Zyrihut! Në të thuhet se për vitin e ri shkollor 2019/2020 nuk mund të angazhohem si mësuese e gjuhës shqipe! Pa asnjë sqarim apo argumentim!
Ju drejtohem me këtë letër, jo thjesht për çështjen time personale, por për të hedhur dritë mbi një fenomen shqetësues e të rrezikshëm për të ardhmen e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë…
Mësimi plotësues i gjuhës shqipe, fatmirësisht, sot po bëhet gjithnjë e më shumë prezent kudo ku ka shqiptarë dhe, në një formë ose në një tjetër, tregon përpjekje të jashtëzakonshme, si nga dy qeveritë shqiptare, ashtu dhe nga mësuesit dhe intelektualët shqiptarë kudo nëpër botë, për të luftuar asimilimin e brezave të rinj! Ky problem po merr përmasa serioze si nga padija, ashtu dhe nga keqdashja e disa individëve dhe besoj se është detyra e të gjithë neve, që të përpiqemi për të mos ndodhur!
Të vërtetat e hidhura, që duhen thënë!
Me keqardhje, e pohoj se mbas një pune heroike të mësuesve të parë qysh në fillimet e veprimtarisë së tyre prej gati 30 vitesh, LAPSH-i po degradon çdo ditë e më shumë në sytë e mi dhe jo vetëm!
Është për të ardhur keq, kur qëllimi kryesor i formimit të kësaj Lidhjeje, në të cilën bëjnë pjesë mësues dhe prindër shqiptarë, ajo nuk po përpiqet të dalë nga gjendja apatike ku është zhytur.
Është për të ardhur keq kur sheh se prindërit dhe fëmijët, të cilët janë mekanizmi kryesor i ekzistencës, si dhe burimi kryesor financiar i Lidhjes, anashkalohen, injorohen dhe keqpërdoren në emër të LAPSH-it dhe të gjuhës shqipe!
Është për të ardhur keq, kur krerët e kësaj Lidhjeje, i luftojnë me çdo mënyrë, hapur apo mbas shpine mësuesit e përkushtuar, të cilët guxojnë e «rebelohen» ndaj parregullsive, madje edhe atëhere kur vetë prindërit shprehin pakënaqësi, ata ndëshkohen me mbylljen e klasës!
Është për të ardhur keq, kur nga bisedat me kolegë, mësues që kanë qenë më parë në radhët e LAPSH-it janë larguar vet, të pakënaqur dhe të zhgënjyer! Ata u lodhën, u nëpërkëmbën, u tradhëtuan dhe në fund u larguan!
Por kush është përgjegjës për këtë?
Përse prindërit hezitojnë, ose në rastin më të keq nuk duan të sjellin fëmijët në shkollën shqipe?
Çfarë bëjnë krerët e LAPSH-IT? A merren parasysh ankesat e prindërve?
Të paktën për periudhën trivjeçare që unë jam antare, e them me përgjegjësi të plotë se në çdo mbledhje të tyre që kanë bërë apo zgjedhje për kryesi të re në kantonin e Zyrihut, apo kuvende zgjedhore në nivel Zvicre, ka pasur shkelje të rënda. Nëse sipas rregullores në zgjedhje kantonale delegatët, që kanë të drejtë vote duhet të kenë të paktën 100 nxënës, kjo nuk është zbatuar. Ka pasur denoncime për këto parregullsi, pasi në votime janë ngritur duart (votimi bëhet i hapur) nga mësues që nuk kanë as një numër minimal nxënësish! Zgjedhje qesharake për një kryesi, që sot e mot është përgjegjëse për gjithë aktivitetin e LAPSH-it!
Është për të ardhur keq, kur sheh se këta krerë me në krye Nexhat Malokun, arrijnë deri aty sa që gjuhën shqipe dhe mësimdhënien e saj në Zvicër ta bëjnë monopol të tyre dhe në rastet kur prindërit kanë pakënaqësi, mendimi i tyre nuk merret në konsideratë, megjithëse janë pjesë kryesore e Lidhjes.
Duke iu përmbajtur përgjegjësisë sime morale dhe profesionale, do të doja të ndaja shqetësimet e mia me të gjithë ju, kolegë e prindër, që më njihni ose jo, që ndoshta keni dëgjuar, por nuk keni reaguar me shqiptarët kudo që janë.

Mimoza Dako: në Zvicër – Dietlikon…

Sipas statistikave, këtu në Zvicer, ka rreth 40 000 fëmijë shqiptarë të arsimit parauniversitar, që rrezikojnë asimilimin. Falë prindërve, kryesisht nga Kosova e Maqedonia e Veriut fëmijët, së paku e flasin gjuhën shqipe në shtëpi sipas dialektit përkatës. Fëmijët shqiptarë, të cilët kanë ardhur kohët e fundit nga Greqia e Italia pothuajse nuk e flasin gjuhën shqipe në pjesën dërmuese të tyre, përvec atyre rasteve ku prindërit kanë insistuar t’a ruajnë edhe në vendet ku kanë emigruar më parë.
Duke qenë se i njoh dy realitete: si në Greqi ashtu dhe në Zvicër, mund të them se prindërit nga Kosova e Maqedonia e Veriut e kanë më të fortë ruajtjen e gjuhës shqipe brenda familjes, gjë që ka të bëjë sipas mendimit tim jo vetëm me mungesën e racizmit në këtë vend, përsa i përket përdorimit të gjuhës amtare, por aq më tepër se këtu në Zvicër, vetë shteti zviceran inkurajon së tepërmi mësimin e gjuhës amtare për të gjitha kombësitë e huaja dhe vë në dispozicion pa hezitim klasat dhe të gjithë bazën materiale për zhvillimin normal e dinjitoz të mësimit të gjuhës amtare.
Në këto kushte, pa dyshim duhej të kishte një pjesëmarrje tepër të madhe të fëmijëve në shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, gjë që fatkeqësisht nuk ndodh, përveç rasteve të pakta ku mësues të përkushtuar konkurojnë me numrin e nxënësve sa dyfishi i numrit të përgjithshëm në të gjithë Kantonin e Zyrihut (Kantoni i Argaut).
Gati për 30 vite me radhë LAPSH-i është shoqata e vetme e njohur nga shteti zviceran si përgjegjës për mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Deri vonë, në Statutin e tij, bashkëpunimi ishte i lidhur ngushtë me MASHT të Republikës së Kosovës. Së fundmi aty shkruhet që ky bashkëpunim është dhe me MIN e Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Por kjo ekziston vetëm në letra për kreret e LAPSH-it, pasi ata nuk e duan bashkëpunimin me to. Dëftesat që u jepen fëmijëve që përfundojnë ciklin e mësimit të gjuhës shqipe kanë logo vetëm Republikën e Kosovës!
Sapo shkela në tokën zvicerane, dëshira ime e parë ishte të bëhesha antare e kësaj armate mësuesish dhe konkretisht në Kantonin e Zyrihut ku unë banoj. Pasi erdha në kontakt me kryetarin Naser Ulaj dhe kordinatorin Nexhat Maloku dhe, pasi kaloi pothuajse një vit, m’u ofruan dy klasa me nga 4-5 nxënës në Dietlikon dhe Brüttisellen. Që në fillim vura re se nga kolegët e mi në Zyrih, nuk bëhej asnjë diskutim konkret për mbarëvajtjen e mësimit, asnjë bashkëpunim apo diskutim rreth zhvillimit të orëve mësimore, asnjë bisedë për plane 3-mujore apo 6-mujore, gjë që ua kam kërkuar që në fillim të vitit shkollor 2017/2018. Asnjë aktivitet përsa i përket sensibilizimit të prindërve, përvec se mbledhje për organizimin e festave dhe shqetësimi për sponsor! Fëmijët lodhen e raskapiten në dekorimin e këtyre festave, me të njëjtin lloj programi e me të njëjtin stil organizimi, ku në fund të ditës, fletët e lavderimit iu jepen mësuesve….
Vërejtjet dhe propozimet e mia hynin në vesh të shurdhër dhe pa rezultat. E vetmja gjë që arrita, ishte armiqësia e tyre ndaj meje!
Dëshira e madhe për mësimdhënie dhe përkrahja e disa prindërve më bëri që të rritja numrin e nxënësve në klasat që kisha marrë në dorëzim, konkretisht nga 4 në 24 brenda një kohe të shkurtër duke organizuar takime me prindërit dhe duke i informuar për rolin e rëndësishëm të gjuhës amtare.
Por, si gjithmonë krerët e LAPSH-it, më shihnin si «dele të zezë» mes tyre, madje dhe e shprehën hapur se «ua kisha prishur qetësinë»!! Propozimet dhe idetë e mia nuk iu duheshin dhe, më pak kritikat kur këta «pronarë të firmës» LAPSH, mbyllën dyert e shkollës se Afoltern am Albis, pasi prindërit nuk e pranuan mësuesin e dërguar, prej kryesisë.
Pa u zgjatur, mua duhet të më «hiqnin qafe»! Megjithëse kontrata me ta u bë në gusht të vitit 2017 për vitin shkollor 2017/2018, shumë shpejt erdhi letra që sipas rregullores unë nuk mund të vazhdoja punën me nxënësit, sepse nuk posedoja dëshminë e njohjes së gjuhës gjermane, nivelin B1.
Peticionet nga prindërit dhe publikimet në medja e rrjete sociale bënë që të shtyhej afati i kontratës dhe për disa muaj për vitin e ri shkollor 2018/2019. Duke u fshehur pas rregullores, të cilën e zbatonin vetëm atëhere kur donin ata, kujtuan se do t’i lija të qetë, që papritur ua kisha prishur.
Por. nuk ndodhi e shumëpritura prej tyre, sepse unë arrita ta marr dëshminë, megjithëse nën një presion psikologjik të paparë! Nuk doja të demoralizoja prindërit, që prisnin prej meje, por më tepër nuk doja të largohesha nga ata fëmijë, të cilët përjetuan të njëjtën dramë me prindërit e tyre !
Megjithëse, këto kanë ndodhur para një viti, pikërisht si në këtë kohë, ende e kam përpara syve atë gjyq, i cili m’u bë në fund të qershorit të vitit të kaluar, kur prindërit nëshkruan peticion për moslargimin tim nga puna! Hera e parë në historinë e LAPSH-it, ku prindërit protestuan me forcë duke nënshkruar një peticion. Dhe a e dini si u interpretua kjo gjë nga një anëtar i kryesisë? «Që kur prindërit qenkan bërë kaq kompakt”?! thanë ata me ironi! Ja pra, sesi vlerësohen prindërit nga këta drëjtues! Sa turp e sa mjerim, për udhëheqësit!
Por, siç thotë populli: «Ujët fle e hasmi nuk fle»!
Kur, çdo gjë u duk se u normalizua dhe drejtoria arsimore e kantonit të Zyrihut më konfirmoi se i plotësoja të gjitha kriteret për të vazhduar mësimdhënien, më datën 13 Korrik 2019 dhe, vetëm një ditë pasi përfundoi viti shkollor, më vjen me postë rekomande një «ferman» nga LAPSH-i:
Pa asnjë shpjegim, që unë në vitin e ardhshëm shkollor 2019/2020, nuk mund të angazhohem! Që sipas letrës së firmosur nga sekretarja e LAPSH-it, për kantonin e Zyrihut, nga znj. Aferdita Veliu! Një vendim i tillë, u ndërmor mesa duket në dy mbledhjet e fundit, që unë nuk isha, që në fakt ata ishin mbledhur në një ngjarje « për të pame » dhe, jo për mbledhje siç lajmëronin zakonisht, por aty bënë dhe mbledhjen, siç më tha një prej anëtarëve të kryesisë!
Ata nuk japin shpjegim për largimin nga puna, megjithëse ua kërkova me shkrim, por unë e di arsyen ! Jua bëj dhe juve me dije, megjithëse e kuptoj se po ju lodh me historitë e mia, por këtë e bëj jo pa shkas.
Në muajin Prill të këtij viti, organizova përsëri tri takime me prindër, në tri shkolla dhe njëra prej tyre u bë në Glattbrugg, në zonën ku unë banoj. Μe kërkesën e prindërve dhe timen, drejtori i shkollës, pranoi pa hezitim hapjen e një klase të re, pasi ekziston një e tillë, ku jep mësim kryetari i LAPSH-it, për kantonin e Zyrihut, Naser Ulaj. Që të hapej klasa e re, duhej një kërkesë zyrtare nga LAPSH-i dhe, çdo gjë funksiononte normalisht. Por LAPSH-i, nuk e bëri këtë kërkesë! Prindërit dhe fëmijët, presin që nga muaji prill!
Që, sipas kordinatorit Nexhat Maloku, ka «do rregulla» e duhet mbledhur komisioni aprovues etj etj! Përralla! Naser Ulaj, kërkon që ta plotësojë numrin e nxënësve të klasave të tij e, pastaj të më lejojë mua të hap një klasë të re se kështu thotë rregullorja (pohimi i tij)!! Prindërit nuk pranojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre tek ai, sepse nuk duan t’i largojnë nga shkolla e tyre. Keshtu, përsëri fëmijët mbeten peng dhe gjuha shqipe po ashtu peng!
Kryesia e LAPSH-it i mori masat që të më largojë mua, më parë dhe më pas, kush e di si mendon të veprojë!
Deri në ditën e fundit fëmijët, të cilët i njoh ashtu si dhe prindërit më pyesnin se kur do të fillojmë albanisch (shqip)? A mund të më thoni se çfarë përgjigje t’u jap atyre kur të kthehen nga pushimet? T’u them se disa pseudopatriotë nuk duan ta hapin, sepse ata e kanë monopolin e tyre? Do ta kuptojnë ata, vallë?
E pra, kjo është arsyeja që më ndaluan punën me nxënësit, që ta vazhdoj vitin e ardhshëm shkollor, t’u mësoj gjuhën amtare fëmijëve shqiptarë! Këtë e kanë bërë vetëm armiqtë e këtij kombi! Atyre nuk iu intereson hapja e klasave të reja në gjuhën shqipe! Përkundrazi!Ata nuk duan mësues «rebelë» e të pabindur. Ata duan njerëz të dëgjueshëm e servilë që të marrin projekte, të bëjnë eskursione e seminare formale dhe kaq! Le t’i marrin projektet e eskursionet sëbashku me seminaret, por fëmijëve t’u hapin dyert e shkollave, në gjuhën shqipe e të mos i pengojnë, sepse del dikush, që ua bën stop!
Pra, në asnjë moment nuk do të ndalem, derisa e drejta të dalë në sipërfaqe dhe fëmijëve që u kam premtuar t’u mësoj shqip do ta bëj! Por turpin që këta individë po na lënë, në sy të vendasëve si do ta shlyejnë? Çfarë opinioni do të ketë LAPSH-i në vazhdim, përveçse negativ? Dhe kjo bën, që shumë prindër të tjerë të largohen akoma më shumë nga shkolla shqipe, këtu në Zyrih e gjetiu!
Ju bëj thirrje të gjithë prindërve, mësuesëve dhe të gjithë atyre shqiptarëve, që e duan kombin e atdheun, që të mos rrinë më duarkryq, por të angazhohen dhe ta luftojmë të keqen, sëbashku! Përndryshe, mësimi plotësues në gjuhën shqipe, në Zyrih e Zvicër është në gjendje të mjerueshme, e udhëhequr nga disa sharlatanë e intrigantë! Pra, reagoni secili sipas pozitës që keni, sepse gjendja është serioze dhe pasojat janë të paparashikueshme!
Jam krenare për çka kam kontribuar në përhapjen e gjuhës shqipe që në vitet e emigracionit në Greqi dhe, këtë e them me modesti por dhe me krenari. Me nismën time dhe mbështetjen e familjes sime si dhe të disa mësuesve shqiptarë, arrita të hap mësonjetoren e parë shqipe për herë të parë në të gjithë Greqinë, më 7 Mars 2001 në Selanik ! Madje për këtë jam vlerësuar nga shteti shqiptar në Samitin e 2-të Diasporës (Mars 2019) sëbashku me shumë kolegë të tjerë që vazhdojnë në Greqi, misionin e çmuar – mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Zyrih.
Krejt në fund të kësaj letre, dua të shpreh dhe një herë apelin për ndihmë, nga të gjithë ju dhe mbi të gjitha uroj dhe shpresoj, që fenomene të tilla të evitohen nga trupi i shëndoshë i gjithë asaj armate heroike që po mban gjallë me sakrifica të shumta gjuhën e të parëve tanë kudo nëpër botë!
Le të punojmë të gjithë sëbashku, prindër e mësues, që fëmijët tanë t’i bëjmë të vetëdijshëm dhe krenarë për identitetin, kulturën dhe gjuhën e tyre! Nuk mjafton t’i kryqëzojmë duart e ta bëjmë shqiponjën! Por t’i përvishemi punës humane e kombëtare dhe, ta përhapim me dinjitet mësimin plotësues në gjuhën shqipe, kudo në Zvicër.

__________________________
SHTOJCË E PASHTRIKUT
Mësuesja Mimoza Dako (Bejkollari) ka lindur më 9.11.1969, në Pogradec. Studimet e larta i ka përfunduar në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës, e diplomuar si “Mësuese e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe për shkollat e mesme”. Pranë Fakultetit Pedagogjik të Universitetit “ARISTOTELI”, Selanik (Greqi), ka kryer studimet pasuniversitare master.
Roli i saj veprues, si mësuese e gjuhës shqipe prej disa vitesh në Greqi, bëri të njihet si veprimtare e dalluar e hapjes së pikave shkollore në këtë shtet, ndërsa gjatë dy–tre viteve të fundit jeton dhe ushtron aktivitetin e saj në Zvicër. Aktualisht punon si mësuese në pikat shkollore të Kantonit të Zyrihut në Dietlikon dhe Brüttisellen.
Spikat si ideatore dhe themeluese e shkollës së parë shqipe në të gjithë Greqinë (7 Mars 2001, Selanik, Greqi) dhe si mësuese vullnetare e gjuhës shqipe që prej hapjes së kurseve të gjuhës shqipe falas nga shoqata “Shqiptarët e Selanikut”.
Është vlerësuar në Samitin e 2-të të Diasporës si “Ambasador i Kombit” nga Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko dhe nga Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama.
Gjithashtu është vlerësuar në Samitin e 2-të të Diasporës shqiptare me titullin “Për merita të veçanta civile” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta “për arritjet e larta akademike, shoqërore dhe kulturore në Zvicër, për mbështetjen e vazhdueshme dhe mbrojtjen e interesave të bashkësisë shqiptare në Diasporë”, Tiranë.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bern të Zvicrës, nëpërmjet ambasadorit të saj z. Ilir Gjoni, e ka vlerësuar “Për kontributin e çmuar në promovimin e vlerave të kombit shqiptar në botë”.
Angazhimi i saj në edukimin e brezit të ri, mësimin e gjuhës amtare dhe ruajtjen e kulturës dhe traditës shqiptare është shembulli më i mirë i aktivitetit dhe angazhimit kombëtar në mërgim. / http://qbd.gov.al/mimoza-dako

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura