Vlorë, 14 qershor 2020: (DISA MENDIME KRITIKE MBI LIBRIN “HISTORIA E QYTETËRIMIT SHQIPTAR”)
Nuk do të merrja guximin t’i shkruaja këto rradhë në rast se libri “Historia e Qytetërimit Shqiptar”, nuk do të mbante siglën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kuvendit të shkencëtarëve shqipfolës. Shqetësimi im qytetar është vetëm për paragrafët e parë të librit (2,4,5) ku flitet mbi origjinën e shqiptarëve dhe ilirëve, për pellazgët; dhe për këto dua të shpreh disa mendime. Per të qenë në akord me tekstin po ndjek renditjen e tij.
Nuk më duket fort i qëlluar mendimi i shprehur në tekst, se Akejtë, Trakët, Dorët dhe Ilirët kane ardhur duar duar, njeri pas tjetrit në gadishullin Ballkanik, dhe për më tepër me këtë renditje. Më duket pasaktësi shkencore që Akejtë identifikohen me të ashtuquajturit grekë, dhe që këta të fundit formuan etnosin Helen. Neqoftëse me grekë do te kuptojmë ata që në “Iliadë” konsiderohen si dhunuesit e Trojës, atëhere atje Omeri permend disa fise, Argejtë, Akejtë dhe Danajte (të cilët, për hir të së vërtetës, banonin në gadishullin e Akaias, që në kohë më të reja do të quhet Peloponez); ndërkohë që nga pikëpamja historike edhe këta nuk janë grekët e vërtetë. Ata jane GRAITË, te cilet romaket i quajten GRAECI, dhe qe ne fakt janë një fis pellazg që banonte në Dodonë dhe Thesali. Në vija të trasha, krijuesit e të vetëquajturit etnos helen, janë popullatat e mëdha të Jonianëve, Eolianëve, Danajve dhe Dorianëve; dhe nëqoftëse per dy të parët mendohet se janë autoktonë, për dy të fundit thuhet se janë ardhës; dhe për më tepër nga deti dhe nga toka, nga Jugu dhe nga Veriu. Gjithashtu, për hir të saktësisë shkencore, helenët asnjëherë dhe në të gjithë historinë e tyre, nuk kanë përbërë një etnos, ose kombësi (Më hollësisht këto tri çështje të paraqitura më lart trajtohen në librin e autorit disa vjet më vonë: “Epiri nga lashtësia deri në ditët e sotme”). Helenët historikisht, që nga lashtësia e këndej, kanë qënë një bashkësi diturore dhe kulturore (Të lidhur pazgjidhmërisht me një gjuhë, Greqishten e Vjetër) dhe kaq; dhe pas shekullit të XI, edhe një bashkësi fetare e krishterë. KISHA lindore arriti ta sendërtoje helenizmin në popullata dhe territore shtetformuese në shekullin e XIX me ndihmën e shteteve europiane, të cilat krijuan një shtet të krishterë, Greqinë.
Megjithëse (i detyruar nga renditja e librit) shprehjen e këtyre shqetësimeve e nisa nga një problem anësor (për të ashtuquajturit grekë dhe për të vetëquajturit helenë); pasi dua të flas për pellazgët, ose më saktë për të parët e racës tonë. Por me le një shije jo të mirë aludimi (siç thuhet në libër), se këta greko-helenë, akejtë dhe dorët qenkërkan ardhësit e parë në Ballkan dhe gjyshërit tanë Ilirët kanë ardhur pas tyre, aty nga fundi dhe zunë trojet që mbetën pa u zënë nga të parët (mendimi i autorit ka evoluar në kohë dhe këto kohë te fundit në gjyshërit e shqiptarëve, ai nuk vendos vetëm ilirët e jugut, por edhe epirotët, dardanët dhe paionët ose maqedonasit e lashtë).
Për mendimin tim popujt e lashtë të Ballkanit si: Grekët, Thesprotët, Minianët, Dardanët, Argasit, Tesalasit, Paionët, Frigët, Dakët, Getët, Minoanët, Mikenasit etj ishin autoktonë; flisnin një gjuhë, por me dialekte te ndryshme. Ardhacakët e lashtë të Ballkanit, nga Kaukazi, Skthithia (Albanët) dhe lindja apo verilindja e Europës kanë qënë të një race dhe të një gjuhe me vendasit. Mendoj se shkencërisht, ndryshimi i emrave të popullatave në lashtësi, nuk do të thotë automatikisht edhe ndryshimi i etnisë dhe racës së tyre; dhe për më tepër nuk do të thotë që një emërtim i ri, automatikisht e bën ardhëse këtë popullatë duke e mbivendosur mbi tjetrën (që është po ajo, por me emrin e vjetër).
Kjo ka ndodhur edhe me Ilirët. Ata ishin vendas (ky fakt në bazë të të dhënave shkencore gjen diskutim) dhe duke krijuar etnotipin e tyre, morën këtë emër per t’u dalluar nga sivllezërit e tyre të një race dhe të një gjuhe (si për shembull Trakët, Keltët, Galët), por me dialekte të ndryshme. Ilirët u shtrinë deri në Europën Qëndrore, jashtë territoreve të Ballkanit të sotëm, dhe nëqoftëse ata bënë levizje nga malet Karpate në malet Ballkan dhe anasjelltas; kjo nuk do të thotë aspak se ata ishin ardhës në territoret ku vendoseshin rishtaz. Kudo që të leviznin, ata leviznin si në shtëpinë e tyre. Nëqoftëse ne shqiptarët rrjedhim nga Ilirët e Jugut (ashtu si popujt gjermanikë nga nga Ilirët e Europës Qendrore dhe Saksët Skithianë), kjo vjen për aresyen e thjeshtë se Ilirët e tjere u sllavizuan (minimalisht në gjuhë). Në këtë kontekst, mendimi se Ilirët asimiluan popullatat ekzistuese në Ballkanin e Lashtë (Hemi) mendoj se është i pasaktë, për arësyen e thjeshtë se ata nuk mund të asimilonin vetveten; ose për të qënë më të saktë, një popullsi që kishte të njëjtën gjuhë, të njëjtën kulturë, të njëjtat tradita dhe zakone.
Ilirët janë gjyshërit e shqiptarëve, po kush janë stërgjyshërit e tyre? Mund të themi se janë Pellazgët. Por teksti na kufizon. Ai thotë se në veri Ilirët gjetën popullata të lashta të grupit Ballkano-Danubian, të cilat nuk identifikohen me pellazgët. Në jug (thotë teksti) ata u përzien me Pellazgët. Pra sipas tekstit Ilirët dhe Pellazgët ishin popuj të ndryshëm, të cilët dalloheshin nga njeri tjetri. Kjo del nga fjala “përzierje”, e cila nënkupton bashkimin dhe shkrirjen e dy gjërave të ndryshme nga njera tjetra. Për anallogji, kjo është njësoj si të thuash se ne shqiptarët jemi të ndryshëm nga ilirët, dhe ne jemi “përzier” me ilirët.
Shtrohet pyetja, kush janë pellazgët, ku shtriheshin ata, çfarë gjuhe flisnin?! A është emërtimi “Pellazg” i një natyre me emërtimin “Ilir”? Pra a është ai një mbiemër përcaktor i popullatave që ishin të një race, e të një gjuhe por me emra dhe dialekte të ndryshme? Pellazgët kanë banuar vetem në gadishullin Ballkanik, apo janë shtrire edhe në Azi të Vogël, Kaukaz, gadishulli Apenin, gadishulli Iberik, Azinë Perëndimore dhe Jugperëndimore, Afrikën Veriore dhe në të gjithë Europën Jugore dhe Jugperëndimore?! Apo “Pellazgët” ishin popujt në jug të gadishullit Ballkanik, të cilët e morën këtë emër nga ata që u vetëquajtën helenë, per t’u dalluar nga vendasit; apo pellazgët kështu e quanin veten e tyre edhe më parë?! Mbase prurjet e popullatave me preardhje semito-egjyptiane (Të cilat prunë me vete në gadishullin Ballkanik dhe ishujt e Egjeut kulturën, zakonet, traditat dhe gjuhën e tyre sëbashku me erën e ngrohtë të shkretëtirës), quajtën pellazge popullatat që gjetën në territoret ku u vendosën vetë, dhe ato që ishin kufitare me ta, pa u shtrirë më tej. Kjo është krejt pa rëndësi. Raca prej nga vijmë ne, gjithmonë ka qënë tolerante ndaj emrave që i kanë vendosur të tjerët, apo i ka vendosur vetë vetes. Ashtu si ka qënë tolerante ndaj mbulesave fetare. Ky indiferentizem shpërfilles lidhet me atë që kjo racë ka qënë e vetëdijshme, se atë asnjëherë nuk mund ta zhbënin emrat e ndryshëm; apo petkat fetare, të cilat i ka veshur dhe i ka çveshur sipas motit, acareve dhe zhegut të historisë në shekuj.
Fakti që të ashtuquajturit “Pellazgë” kanë banuar vetëm në jug të gadishullit Ballkanik dhe ishujt e Egjeut e të Mesdheut; apo janë shtrirë në të gjithë Europën, në Afrikën e Veriut, Në Kaukaz dhe Azinë Perëndimore dhe Jugperëndimore, nuk ndryshon asgjë. Ndoshta edhe këto popuj janë quajtur Pellazgë, por ky mbiemër ka humbur, ose është lënë në haresë; dhe nëqoftese ka mbetur vetëm për ata që banonin në jug të Ballkanit, kjo mund të jetë edhe për faktin se ndoshta vetëm për ata mund të jetë shkruar nga të lashtët (historianët helenë të antikitetit), dhe e shkruara mbetet. Popullatat të cilat kanë banuar në të gjitha këto territore (që u përmëndën më sipër), të cilat disa studiues i emërtojne “Proto Indo-Europiane”, kanë folur të njëjtën gjuhë, dhe duke rrjedhur nga e njëjta racë, kanë pasur edhe zakone, tradita dhe kulturë të përbashkët; dhe ajo që është më e rëndësishmja është se edhe i kanë këmbyer këto me njera-tjetrën pa asnjë lloj kompleksi. Kështu nëqoftëse Iberëve do t’u vendosnim mbiemrin ose cilësorin “Pellazg”, apo do t’i quanim thjesht Iberë, nuk ndryshon asgjë.
Një gjë është e rëndësishme dhe që duhet nënvizuar se Atlantidët, Albanët (bëhet fjalë për ata Kaukazianë dhe ishullorë britanikë), Keltët, Iberët, Ligurët, Sardët, Sikanët, Kalabrët, Umbrët, Tirrenët, Oskët, Latinët, Enetët, Venetët, Etruskët, Mesapët, Japigët, Dakët, Getët, Skithët, Baltët, Mizët, Paionët, Dardanët, Tesprotët, Argasit, Tesalasit, Jonianët, Arkadianët, Qipriotët, Minoianët, Mikenasit, Liqjanët, Frigjianët, Lelegët, Karianët, Hititët, Sumerianët, Asirianët, Kananitët (Fenikasit) dhe Hiksosit etj. Të gjithë këta kanë qënë popuj, të cilët deri më sot historia i mban për popuj të ndryshëm; në të vërtetë kanë rrjedhur nga e njëjta racë, kanë folur të njëjtën gjuhë por me dialekte të ndryshme, të cilat ndonjëherë janë dalluar dhe veçuar aq shumë, sa që janë dukur edhe si gjuhë të ndryshme. Për rrjedhojë kjo ka krijuar përshtypjen se kemi të bëjme me popuj të ndryshëm. Ashtu siç gjejmë sot mbetjet e kulturës materiale të këtyre popujve në territoret ku ata kanë banuar, të cilat për hir të së vërtetës kanë ngjajshmëri të dukshme; po ashtu gjënden sot mbetjet e gjuhës së tyre në të folmen e popujve (të cilët me të drejtë sot identifikohen si kombe të ndryshëm) që i banojnë sot këto territore.
Një çështje tjetër e rëndësishme, ku teksti përhap mjegull, mendoj se është edhe trajtimi që i bëhet kolonive helene në Iliri.
Ushtarë grekë. Në vend-roje
Që në fillim, nuk do të isha i mendimit që kolonitë helene janë krijuar në brigjet e Ilirisë (dhe jo të Shqiperisë, siç thuhet në tekst) nëpërmjet pushtimit. Lufta edhe mund të jetë përdorur në ndonjë rast, por e përgjithshmja është se këta të ashtuquajtur kolonistë helenë duhet të kenë ardhur pa luftë, ata janë pranuar miqësisht nga vendasit si “jabanxhinj”.
Këta kolonistë kanë qënë kryesisht tregtarë dhe zejtarë. Edhe nëqoftëse do të pranonim se një grusht kolonistësh i kanë pushtuar këto qytete ose territore; ata nuk do të mund t’i mbanin dot ato për një kohë të gjatë, sepse vendësit me ndihmën e vellezërve të tyre të prapatokës, do t’i kishin hedhur në det miqtë e paftuar. Si një argument më shumë në këtë drejtim, mund të sillet edhe fakti, se sunduesit e këtyre qyteteve ishin me prirje monarkike; ndërkohë që kolonët duke qënë se bënin pjesë ne shtresat e ulëta të shoqërisë (demosi: tregtarë dhe zejtarë), si dhe fakti që vinin nga qytete ku sundonte demokracia, automatikisht do të ishin me prirje demokratike. Mbi bazën e kësaj llogjike mbetet që sunduesit e këtyre qyteteve të ishin vendës dhe për Epidamnin kjo është e dokumentuar nga lufta që u zhvillua aty. Në këtë luftë Ilirët autoktonë aristokratë të qytetit, me ndihmën e vëllezërve të tyre Taulantë të prapatokës, rivendosën me dhunë të drejtat e tyre duke shtypur revoltën e kolonëve helenë dhe bashkëpunëtoreve të tyre nga shtresat popullore qytetare autoktone ilire (banuese në këtë qytet). Kjo vërteton më së miri atë që këto qytete janë drejtuar dhe sunduar dhe banuar nga vendësit Ilirë, ku kolonistët helenë kanë qënë minoritet dhe bënin pjesë në shtresat e dorës së dytë të shoqërisë së tyre. Edhe nëqoftëse do të flitet për shkrime të gjetura në greqisht, apo në latinisht në këto qytete; këto nuk përcaktojnë etninë e këtyre qyteteve; pasi këto ishin gjuhë ndërkombëtare (dhe për më tepër shkruheshin), dhe një qytet metropol dhe kozmopolit në atë kohë do të ishte i vdekur pa këto gjuhë. Kjo nuk ka përjashtuar faktin që në këto qytete ka pasur shkrime në Ilirisht, por me alfabet grek ose latin dhe ndoshta edhe me alfabetin ilir ose pellazg.
Nuk jam i mendimit se emrin EPIDAMN të qytetit e kanë vendosur kolonët helenë, siç thuhet në tekst. Ai është emri që i kane vendosur vendësit qytetit të tyre. Ndoshta ky qytet ishte sipër në kodër. Ndoshta nga zhvillimi që mori, tregtia, porti, ai polli ndën vete edhe birin e vet DYRRAHUN. Ndoshta, kjo pjesë e poshtëme u quajt nga vendësit DY-RRAH, sepse për çudi ai ndodhet midis dy rraheve (rrëzë kodrash, ku është edhe sot e kësaj dite edhe qyteti i sotëm i Durresit). “Rrah” në shqip quhet një vend në faqe, ose rrëzë kodrave, a malit i shpyllëzuar, ose përkarshi diellit.
Meqënëse Dyrrahu ishte qytet-port, kundrejt Epidamnit qe ishte qytet-kala, gjetja e gjurmëve të portit nga arkeologët në kohën e sotme do të sqarojë shumë gjëra. Ndërsa, po të bënim një përpjekje për të shpjeguar edhe emrin EPIDAMN me anë të shqipes, trashëgimtare e drejtëpërdrejtë e ilirishtes; atëhere do të zgjidhej edhe enigma e emrit të dyfishtë, që mbart ky qytet. “Ep” në shqip do të thotë jep, por përdoret edhe në kuptimin epmë, më jep mua. “Dhashë” ose “Dhashtë” në shqip përdoret në shumës të kohës së shkuar “Dhamë”, në toskërisht përdoret edhe “Dhamnë”; njësoj si fjalët “bëhet” dhe “bënet” që kanë të njëjtin kuptim. Atëhere një qytet në një pikë strategjike në detin Jon, siç ishte Epidamni në lashtësi; ku lidhej Lindja me Perëndimin (gjë që më vonë e vërtetoi edhe ndërtimi i rrugës Egnatia) detyrimisht do të ishte edhe një qëndër tregtie, ku merrej dhe jipej. EP(më) dhe I D(H)AMNE, ku germa “H” gjatë kohës mund të ketë humbur (ose ndoshta, më saktë, nuk përdorej, dhe “D” shqiptohej si “DH”, apo “damë” kishte kuptimin që “Dhamë”) dhe rezultati del EP-I-DAMNE.
Analog mund të jetë aresyetimi si për qytetin tjetër bregdetar dhe tregtar të Mesdheut, koloninë fenikase, Marsile (MARR + SILLE). Por për këto shpjegime fjalën e fundit duhet ta thonë gjuhëtaret.
Për mendimin tim, kemi të bëjme me një qytet por me emërtim të dyfishtë, dhe kjo lidhet me fazat e ndryshme të zhvillimit të tij; ku më i vjetër në moshë është Epidamni pasi lidhet me fazën e parë të tij, kur qyteti ishte në kodër; dhe më pas me shtimin e tij ai doli jashtë mureve dhe u zhvillua poshtë, rrëzë kodrave e pranë portit, dhe kjo pjesë e qytetit mori një emërtim te ri Dyrrah (pavarësisht legjendës se Dyrrahu ishte nipi i Epidamnit); duke zbehur dhe errësuar shkëlqimin e të parit. Pasojë e kësaj është edhe fakti, që emri i dytë Dyrrah mbeti më vonë edhe si emër qytetit. Ndoshta kjo mund të lidhet edhe me pushtuesit romakë.
Gjithashtu në tekst thuhet që edhe Bylysi dhe Amantia qënkërkan koloni greke bija! Kjo më duket një çudi e madhe. Të paktën deri më sot këtë gjë e dëgjojmë për herë të parë. Historikisht këto dy qytete kanë qënë edhe jashtë Lidhjes Molose, pra nuk kane bërë pjesë në atë që në lashtësi quhej Epir, dhe jo më të ishin koloni helene bija.
Me që po flitet për kolonitë, me këtë rast mund të bëhet edhe një paralele midis qyteteve ilire të ashtuquajtur koloni helene (vendndodhja e të cilave është në bregdet) dhe vetë qyteteve-shtete helene si Athina, Korinti, Sparta etj, të cilat çuditërisht janë të ngritura në buzë të detit, me perjashtim te Tebes, e cila thuhet se është koloni fenikase e themeluar nga Kadmi. Ndërkohë që qytete të tjera si Argosi ose Mikena (qytete përjetësisht pellazge) janë në brendësi dhe ato, për çudi, nuk kanë ngritur koloni. Këtu, me këtë rast, na lind një e drejtë që të shtrojmë pyetjen: A mos vallë edhe vetë qytetet-shtete të Greqisë së lashtë kanë qëne koloni të popujve të tjerë? Si shembull po ja fusim kot, të popujve të detit. Apo mos vallë kanë qënë koloni të Egjyptianëve dhe Semito-Fenikasve? Dhe të mos futemi më thellë, pasi të gjitha të ashtuquajturat koloni helene në Italinë e Jugut; para se të emërtoheshin koloni helene kanë qënë më parë koloni të popujve të detit, Hiksosve dhe Kananitëve (të ashtuquajtur fenikas nga helenët). Te tilla kanë qënë edhe Marsilja dhe Kartagjena. Dhe dëshiroj t’ju bëj me dije se Hiksosit dhe Kananitët e famshëm janë sivllezër të Pellazgëve.
BESNIK IMERI – (Botuar në Gazetën “Ballkan” më datë 03.02.2010, si dhe në gazetën “Dielli”)
P.S: Ky shkrim i autorit për një temë kaq të rëndësishme kuptohet, si një përpjekje e parë për t’u futur në zgafellat e lashtësisë, ka vende vende edhe ndonjë paqartësi si p.sh trajtimi i origjinës së shqiptarëve vetëm nga ilirët, ose i hipotezës mbi trajtimin e ilirëve si ardhacakë, apo autoktonë në Ballkan. Dhe e fundit trajtesa e qyteteve helene si koloni të popujve të tjerë. Për të gjitha këto, dhe momente të tjera në shkrim, mendimi i autorit ka evoluar në kohë duke u qartësuar. Kështu këto kohë të fundit në gjyshërit e shqiptarëve, ai nuk vendos vetëm ilirët e jugut, por edhe epirotët, dardanët dhe paionët ose maqedonasit e lashtë. Për kureshtarët ato trajtohen hollësisht në librin e autorit disa vjet më vonë: “Epiri nga lashtësia deri në ditët e sotme”