Prishtinë, 15 gusht 2020:
“UÇK-ja lufton për çlirimin e Kosovës dhe për bashkim kombëtar”
Zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, qysh në fillim tha: “UÇK-ja është një lindje e natyrshme, e domosdoshme për ta mbrojtur nderin, dinjitetin kombëtar, për ta mbrojtur popullin e robëruar dhe atdheun e okupuar. UÇK-ja përbën tërësinë e forcave të armatosura të Kosovës e cila lufton për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ajo njeh për ideologji vetëm shqiptarizmin. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së është i mendimit që në këtë fazë pluralizmi politik është luks. Populli ynë ka nevojë për një forcë politike, ushtarake, që lufton për liri dhe bashkim. UÇK-ja është e gatshme për të luftuar deri në fitore të plotë. ShP u bënë thirrje të gjithë bashkëkombësve kudo që janë, të gjithë luftëtarëve të lirisë, të gjithë profesionistëve dhe specialistëve të artit ushtarak, që t’i përgjigjen zërit të atdheut. Do t’i pranonim bisedimet Prishtinë – Beograd vetëm pasi të jenë krijuar kushtet: 1. Pasi të largoheshin forcat e armikut nga trojet tona; 2. Pasi të sigurohej mbikëqyrja ndërkombëtare nga një faktor i jashtëm dhe me ndikim; dhe 3. Pasi të bëheshin përgatitje serioze për ato bisedime”.Jakup Krasniqi theksoi se “përshëndesim angazhimin e Shqipërisë dhe të institucioneve të saj ndaj çështjes së pazgjidhur shqiptare dhe do të dëshironim që ky angazhim të jetë gjithëpërfshirës. Nga ShBA-ja dhe vendet e demokracisë perëndimore kërkojmë të angazhohen seriozisht për vendosjen e lirisë dhe të paqes në trevën e Ballkanit. Ftojmë popullin shqiptar të qëndrojë në trojet e veta së bashku me luftëtarët e lirisë, së bashku me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbrojtje të atdheut, të lirisë, të nderit dhe të dinjitetit kombëtar dhe të jetë i sigurt se të bashkuar rreth UÇK-së, e cila diti dhe mundi që brenda një kohe të shkurtër të krijojë një territor të gjerë, të lirë dhe të dijë të mbrojë dhe të krijojë hapësira të reja të lira deri në çlirim të plotë”.Në pjesën e fundit të paraqitjes, zëdhënësi i UÇK-së theksoi: “Do të dëshiroja me këtë rast që të gjitha familjeve të dëshmorëve, në emrin tim dhe të ShP të UÇK-së, t’u shpreh ngushëllimet e sinqerta, posaçërisht familjeve të atyre dëshmorëve që ranë në ditët e para të luftës dhe që s’patëm mundësi, për shkaqe që dihen, t’u japim nderimet e merituara”.
Kleçkë, 14 qershor 1998: Paraqitja e parë publike e zëdhënësit të SHP të UêK-së, Jakup Krasniqi. Në prapavijë Ferat Shala – komandant Pëllumbi dhe Fatmir Limaj – komandant êeliku.
Dilemat se a do të transmetohet e plotë paraqitja e Jakup Krasniqit në RTSh
Edhe pse nuk isha pjesë e ekipit, redaksisë së Televizionit Shqiptar, ishte një sfidë e madhe, një sakrificë e madhe për mua, që tash të hyja në ato obligime bukur të mëdha, që ta garantoja transmetimin e paraqitjes së parë publike të një zëdhënësi të ushtrisë më të re çlirimtare në botë. Të them të drejtën, nuk isha i sigurt nëse do të transmetohej. Arsyet ishin të shumta, po të shumtat ishin që në ekzistonin mosmarrëveshje të mëdha në mes të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe Qeverisë në ekzil të Kosovës që e drejtonte Bujar Bukoshi, e cila e kontrollonte drejtpërdrejt programin satelitor të Televizionit Shqiptar. Unë u thashë se do ta kryej obligimin tim dhe xhirimin, të tërin, pa e shkurtuar fare, asnjë presje e asnjë pikë, do ta dërgoj në Tiranë, në TVSh. A e transmetojnë të tërin apo e shkurtojnë ndonjë, kjo nuk varet nga unë. Me rëndësi ishte se kjo punë shumë e rëndësishme ishte kryer dhe tani redaksia në Tiranë ishte para aktit të kryer. Atë natë mendoja se mund të më mbetet merak që nuk shihem unë në këtë xhirim historik, gjatë realizimit të intervistës me zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin. Meqë kisha një fotoaparat me vete, thashë po rrezikoj po e bëj së paku një fotografi me zëdhënësin Jakup Krasniqi. E luta Abazin dhe ai na e bëri një fotografi, të cilën e ka nxjerrë nga filmi kolegu im nga TVP-ja, regjisori Bashkim Mula. Ai kishte një lokal për fotografi te Qafa në Prishtinë që quhej “Top foto” dhe me shumë kujdes, me gjithë rreziqet e mëdha që ekzistonin, ma bëri këtë fotografi, pa vënë prapa fotos emrin e kompanisë së vet.
Në Shtabin e UÇK-së në Kleçkë dhe kthimi në Prishtinë
Pas intervistës, Jakupi, Kadriu e Ferati kanë shkuar në ShP të UÇK-së në Divjakë, kurse unë dhe Abazi atë natë kemi bujtur aty, në të njëjtën dhomë ku e realizuam xhirimin, pasi ishte bërë tepër vonë të ktheheshim në Prishtinë dhe ishte rrezik të udhëtonim natën. Në këtë dhomë kanë fjetur edhe Fatmir Limaj dhe Haxhi Shala. Jemi zgjuar herët, kemi ngrënë mëngjes dhe i kemi thënë Fatmirit të na sigurojë një makinë, që të na ofrojë deri te Magurja.Fatmir Limaj i ka dhënë detyrë të posaçme Nexhmi Krasniqit, i cili ishte bashkëpunëtor i afërt i Fatmirit, që të na përcjellë me makinë deri në Nekoc të Drenasit. Nexhin e njihja mirë, pasi kishte punuar shofer i autobusit nga Malisheva në Prishtinë. Bashkëpunonte me vëllanë tim, Isufin dhe më sillte informacione me shkrim nga Malisheva në Prishtinë, informacione nga Komuna e Malishevës edhe për mua si korrespondent i televizioneve dhe radiove në Amerikë dhe Evropë e Australi. Të njëjtat informacione i dërgoja edhe Enver Malokut, drejtues i Qendrës për Informim të Kosovës. Nexhi na dërgoi me makinë deri në Nekoc. Pastaj, nga Nekoci në Magurë na ka dërguar dikush nga civilët, nuk e di saktë kush ka qenë, por ka qenë njeri i sigurt, që ka bashkëpunuar me UÇK-në. Sa ishim në Kleçkë e kam pyetur Fatmirin kë e keni të besueshëm në Magurë? Ai më tha “në Magurë kërkoje Haxhi Ali Dullën, i cili e ka shtëpinë në hyrje të fshatit, në anën e djathtë, shtëpia e parë sapo të hysh në fshat prej Shalës. Ai është njeri serioz dhe i besueshëm. Ai ju dërgon në Prishtinë”. Kur arritëm te dyert e tij, doli një djalë i ri, 14-16 vjeç: “Urdhëroni! Çfarë po kërkoni?” E pyeta “a e ke babën në shtëpi?” Ai tha: “Baba është duke punuar diçka në bahçe. Çfarë po të duhet?” I thashë “kemi nevojë të na dërgojë deri në Prishtinë”. Menjëherë djaloshi tha: “Unë ju dërgoj”. “Jo, jo”, i thashë, sepse ishte djalë i ri dhe ishte rrezik shumë më i madh nëse binim në ndonjë kontroll të policisë. “Thirre plakun, të vijë ai”. Dhe, axha Ali erdhi. Na pyeti “kush jemi?” I treguam se “na ka dërguar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, konkretisht komandant Çeliku dhe të lutem, nëse ke mundësi të na përcjellësh me makinë deri në Prishtinë se kemi me e krye një punë shumë me rëndësi.” Na ka hipur në makinë, më duket ka qenë “Lada”, dhe na ka vozitur në drejtim të Prishtinës, rrugës kah aeroporti, Sllatina e Fushë-Kosova. Për fat nuk kemi hasur në kontrolle të policisë serbe dhe kemi mbërritur me sukses në Prishtinë. Kemi shkuar te Ekran dhe Ergyn Dobërçani, në shtëpinë e tyre në hyrje të lagjes Arbëria. Në prani të producentit ekzekutiv të TV të Prishtinës, Migjen Kelmendit, xhirimin me paraqitjen e parë publike të Jakup Krasniqit e kemi bartur komplet në kasetën Besta SP, pa e shkurtuar fare, të gatshme për transmetim në TVSh.
Si e dërguam videokasetën e deklaratës së Zëdhënësit të UÇK-së në Tiranë
Më 14 qershor 1998 e kam marrë kasetën nga Ekran Dobërçani dhe e kam shkuar te Agjencia “Meti Turs”, e cila, sikurse disa agjenci të tjera, transportonin udhëtarë në linjën Prishtinë – Tiranë dhe anasjelltas. E kërkova shefin e saj të cilin nuk e njihja. Kuptova se ishte Ahmet Kaçiu nga Lupçi i Poshtëm i Llapit. Hyra në zyrën e tij dhe i tregova se unë jam Nuhi Bytyçi, gazetar, dhe i thashë se e kam një kasetë me rëndësi, duke e lutur ta përcjellë deri në Tiranë për Televizionin Shqiptar. Ai më pyeti menjëherë “çfarë xhirime ka në kasetë?” Duke qenë i vetëdijshëm për situatën dhe rreziqet e mundshme, duke qenë shumë i sinqertë dhe korrekt, i tregova drejt. I thashë “në këtë kasetë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Kur e kam përmendë UÇK-në, në fytyrën e tij pashë emocione të veçanta, por njëkohësisht edhe frikë, që ishte e natyrshme në ato rrethana. I sqarova se “në të është e xhiruar Zëdhënësi i UÇK-së“, që ta dijë më mirë çka ka në të, çfarë rëndësie ka, që shoferët e tij ta fshehin më mirë kasetën dhe mos të zbulohet dhe merret nga policia serbe gjatë kontrollit në kufi. Unë i thash Ahmetit se “pasi që për këtë punë shumë me rëndësi unë me kolegët e mi kemi rrezikuar deri këtu, nëse rrezikon edhe ti me punëtorët e tu për ta dërguar deri në Tiranë, puna kryhet me sukses.” Më tha se “do të bëjnë gjithçka që është e mundur për ta dërguar kasetën me kohë“. Aty erdhi edhe shoferi që voziste autobusin për në Tiranë, Elmi Gashi nga Kishnica. Ahmeti një njeri i pjekur dhe i vendosur, pasi u mat mirë e mori kasetën dhe më tha “të lutem, dil më shpejtë nga zyra, që mos të vërehesh nga policia”, sepse si jam informuar më vonë nga Ahmeti dhe kolegët e tij, këtë dhe agjencitë tjera turistike që qarkullonin me autobusë nga Prishtina për Tiranë e anasjelltas shpesh i vizitonin ata të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror serb. Më thanë “mos ke dert, kasetën a dërgojmë te Asllani në TVSh.” I falënderova për këtë Ahmetin dhe Elmiun. Madje, Elmi Gashi më konfirmoi se “e njoh personalisht Asllanin, e kam edhe numrin e tij të telefonit dhe do ta kryej porosinë me kënaqësi.” Kështu fitova bindjen se kjo punë do të kryhet me sukses.Asllanin e kam marrë në telefon dhe i kam treguar se nesër në mëngjes vjen autobusi dhe shoferi ta sjellë një kasetë me përmbajtje tejet të rëndësishme. E kam lutur ta shikojë ta transmetojë në edicionin e lajmeve të Kosovës, por edhe në lajmet qendrore të TVSh-së. Për shkak se mund të përgjohej biseda nga sigurimi serb, s’e kam përmendur emrin e askujt. Dhe, të nesërmen në mëngjes, pas orës 07:00, ka mbërritur kaseta në Tiranë. Asllani e kishte shikuar xhirimin e paraqitjes së parë publike të zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit.
Kleçkë, 14 qershor 1998: Shtëpia e Sadik Hafir Shalës ku u bë inçizimi i paraqitjes së parë publike, i zëdhënësit të UêK-së, Jakup Krasniqi.
Jehona e paraqitjes së parë publike të zëdhënësit të UÇK-së
Paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-së është transmetuar në lajmet e orës 18:35 në TVSh, më 15 qershor 1998, në programin satelitor. Por, ishte shkurtuar në dy vende, aty ku përmendet LPK-ja si themeluese e UÇK-së dhe ku përmendet se Fondi “Vendlindja thërret” e ndihmon financimin e luftës së UÇK-së. Përmbajtjet e tjera janë transmetuar ashtu si janë xhiruar. Unë e ndjeva veten gazetar i shkathtë dhe profesionist për ta kryer me sukses misionin tim shumë të rëndësishëm për publikun. Ishte ky një sukses imi dhe i ekipit tim në rrethana lufte. Deklarata e parë publike e Jakup Krasniqit u publikua në të gjitha mediat botërore. E publikoi edhe revista “Zëri” si paraqitje ekskluzive, në marrëveshje me mua ia mundësova këtë Flurim Gashit, meqë ai më kishte ndihmuar të lidhem drejtpërdrejt me ShP të UÇK-së. Më 16. 6. 1998 këtë paraqitje të Jakupit nga TVSh-ja e kishin marrë edhe gazeta “Bujku” dhe “Koha ditore”, edhe media të tjera shqiptare dhe ndërkombëtare.Pa u transmetuar në Televizionin Shqiptar nuk ishte serioze që këtë paraqitje të rëndësishme t’ia jepnim dikujt tjetër. Mediat botërore e kishin marrë atë nga Televizioni Shqiptar. Aty nuk përmendej fare emri im, as i Abaz Zekës si autorë të kësaj ngjarje me rëndësi publike. Mosarsyet i kam sqaruar më herët. Është mbajtur në mënyrë shumë sekrete e gjithë ajo punë me shumë rreziqe për neve dhe familjet tona. Qëllimi im kryesor ishte që mos të reklamohem pa nevojë dhe mos të zbulohem nga policia serbe, por të punoj edhe më tepër në prezantimin sa më të denjë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si ushtri moderne, properëndimore, e cila kishte kapur armët për ta çliruar përfundimisht Kosovën nga Serbia. Po atë kohë i dëgjoja opinionet, komentet në Prishtinë, pyetjet se kush ka mundur ta bëjë intervistën me zëdhënësin e UÇK-së e komente të tjera. Unë krenohesha me punën që kisha bërë, por nuk ishte momenti të tregoja se unë e kam bërë intervistën. Kolegët dhe komshinjtë e mi flisnin me admirim për paraqitjen e parë të zëdhënësit të UÇK-së. Ky për mua ishte provim shumë i madh, shumë i rëndësishëm jo vetëm profesional, por edhe kombëtar.Pas transmetimit të kësaj interviste krijova kredibilitet të madh dhe m’u hap rruga për të vazhduar më tutje, për të kontribuar për informimin e tërë asaj që ndodhte në zonat e kontrolluara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Menjëherë kontaktova me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Fatmir Limën, Rexhep Selimin, Lahi Brahimajn, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Ramush Haradinajn, Sylejman Selimin, Sami Lushtakun, Sokol Bashotën, Bekim Berishën – Abejën, Bedri Shalën, Ramë Bujën, Adem Grabovcin, Bislim Zyrapin, Agim Çelajn, Rrahman Ramën, Ismet Jasharin-Kumanovën, Naim Malokun, Musa e Sahit Jasharin, Bashkim Jasharin, Shaban Shalën, Tahir Sinanin, Rrustem Mustafën-Remin, Emrush Xhemajlin, Faton Mehmetajn, Shukri Bujën, Haxhi Shalën, Salih Veselin, Jahir Demakun, Besim Malën, Ferid Berishën, Irfete Spahiun, Ilaz Kodrën, Shaban Dragajn, Kadri Kastratin, Gani Krasniqin, Isni Kilajn, Isa Kastratin, Shemsi Sylën, Smajl Latifin, Binak Gashin, Dervish Çadrakun dhe me komandantë e luftëtarë të tjerë trima, të gatshëm për sakrifikuar për lirinë e popullit tonë. Tash kisha fituar besim te të gjithë drejtuesit dhe ushtarët e UÇK-së. Kisha mbështetjen e jashtëzakonshme të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Drejtorisë për informim të xhiroja në zona të luftës, njëkohësisht kujdesesha ta ruaja etikën profesionale dhe të jem në shërbim të plotë të publikut.
(Fragmente nga “Libri i luftës” i autorit Nuhi Bytyçi, botuar në mars 2019)
– FUND –
_________________
NUHI BYTYêI: 22 VJET NGA PARAQITJA E PARË PUBLIKE E ZËDHËNËSIT TË UÇK-së, JAKUP KRASNIQI, DHE JEHONA PARA OPINIONIT NDËRKOMBËTAR (I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10401