RAJMONDA MALEҪKA: HASI DHE KALENDARI I NGJARJEVE (MARS – QERSHOR 1999)

Tiranë, 20 prill 2017: Ndoshta një mijë vjet më parë, 100 vjet, 5 vjet, Ballkanit kumtet ia ka sjellë moti i keq. Gjithmonë është thurrur një mot i keq. Gati i gjithë eposi antik këtë pamje ka. Që kur filloi e mbaroi lufta e Trojës, mot i keq. Thuhet nga Homeri, se atë e kanë kërkuar dhe Perënditë. Agamemnoni, prijësi i grekëve, solli një lum’vdekjesh tragjike për fajësinë e madhe që bëri. Dhe ai nuk donte, por e detyruan të flijonte të bijën për të sjellë erërat, për të sjellë “mot të keq” në një farë mënyre.
Pra, ka qenë një kusht për të filluar luftërat. Kështu dhe me shqiptarët. Epi ynë verior ka shumë pasazhe të tilla, 500 vjet me turqit po kjo klimë. Dhe gjithë kronikat e kohës, lidhur me luftërat, duket se moti i keq ka qenë i pranishëm. A donin shqiptarët të bënin luftë me motin e keq, apo këtë e donin shqiptarët. Vështirë të thuhet për njërën apo për tjetrën. Po kaq vështirë të diktosh kush e deshi më shumë motin e keq. Po ai, moti, aleat i kujt qe? Megjithatë ai ekzistonte. Kishte një prani të vazhdueshme.
Kështu dimrat e Ballkanit kanë qenë ndër më të vështirët. Erërat e stepeve të Veriut me borën dhe shiun e ftohtë brisk, duket se sillnin dhe taborret e ushtrive të huaja, të cilat duket se synonin detin dhe klimat më të ngrohta, në muajt, kur stepa të përpinte. Thonin që dhe ushtarët donin që në stinë e dimrave të shtegtonin. Petku i rëndë i luftës dhe i dimrit ishte një bezdi e madhe, dhe një lodhje e madhe. Gadishulli i vjetër i kishte të gjitha stinët. Aq më mirë bregdeti. Riti i vjetër i luftrave ishte pjesë e kalendarit, të cilat më shumë se kushdo enjihnin shqiptarët. Ishte si puna e baticës dhe zbaticës. Batica dhe zbatica me fate të hidhura dhe të dhimbëshme për shqiptarët.
Nëpër motin e keq rend gjithë historia si një lajmëtar për të çuar lajmin atje ku duhet. Jeta jo rrallë është ndriçuar nga një qiri a një kandil gati i shuar. Një mot i keq si dëshmia e tij e si dëshmitar i jetës së tij. Megjithatë gadishulli e ka mbajtur këtë mot. I është sjellë atij siç ka dashur ai. Ndryshe nga të gjithë perënditë, që gadishulli krijoi, ai nuk krijoi një perëndi të quajtur mbase “mot-mira” apo “kundër-mot i keq”. Me të duket se sa ka qenë pa ndonjë inventar të caktuar në njësinë e tij, ashtu siç ai dhe është njohur mirë nga njerëzit dhe perënditë. Dhe hyjnitë i janë sjellë atij ashtu si dhe njerëzit.
Në të vërtetë ato janë pjeë e kohës në rrethanat e saja më të nevojshme. Ato janë pjesë e atij zhvillimi, pjesë e ngjarjeve, pjesë e të vërtetës për të cilat ka patur dhe ka gjithmonë një maksimum energjish intelektuale dhe energjish të tjera.
Hasjanët janë pjesë e zhvillimeve andej dhe këtej, të cilat më së shumti do të quheshin historike, sepse ato janë dhe do të mbeten kaq të rëndësishme në rrjedhën e vështirë dhe të ngarkuar me konflikt dhe keq-kuptim për shqiptarët dhe çështjen tonë aq të njohur. Hasjanët kanë ç’ti sjellin të vërtetës, që sapo e kemi jetuar dhe po e jetojmë, të cilën e kemi lënë pas si kohë, por jo si ngjarje, një ngjarje që ishte në ardhjen e vet për shumë e shumë kohë. Ishte një e ardhme që ishte nisur drejt nesh shqiptarëve që nga gati 100 vjet më parë. Ka qenë një ngjarje që i ngjan rrjedhës së ujit, e cila duhet kohë dhe mund për të ardhur.
* * *
Ky kapitull është statistikë dhimbjesh, të rënësh, të suspenduarish, njerëz që ju është prerë lumturia e moshës në mesin e vet apo në kohën më të mirë për ta jetuar, ka shifra dramash dhe tragjedish njerëzore. Është një kapitull i dhimbshëm, në të cilin jetët njerëzore janë shndërruar në shifra dhe në numra, duart, sytë, këmbët tashmë më nuk kryejnë punët më të dobishme për të mbajtur jetën, por numërohen.
Nuk është krim kjo mënyrë e të thënit të asaj që ka ngjarë, por është dhimbje. Në një libër si ky, i cili është ndërtuar mbi dy binarë të fortë të luftës dhe të qëndresës njerëzore, që e mbajtën dhe e përballuan këtë luftë, dhimbja dhe kujtesa e dhimbshme duket se ja ul intensitetin qendërsisë së librit. Por ky libër nuk do të ishte i plotë dhe pa këtë. Atij do t’i mungonte ndërgjegjja e luftës. Të rënët, ato që dhanë dikush një gjë dhe dikush një tjetër, është ndërgjegjja e pastër e luftës. Ky fakt nuk ka kundërshti dhe as ekuivokë tjetër.
Hasi ka në thelbin e vet historik një dramë të dhimbshme dhe të dhunshme njëherësh. Askund më shumë se sa në Has thika ndarëse e etnisë nuk veproi dhe nuk ra më ashpër se sa këtu. Një trup i ndarë në dysh, një trup ku pjesët i duheshin njëra-tjetrës, një trup ku mungesa e njërës gjymtonte dhe bënte të pa-aftë tjetrën. Realisht 50 vjet ka qenë kështu dhe që kanë mbledhur kaq shumë histori, kaq shumë ngjarje, kaq shumë episode dhe mençuri njëherësh për ta përballuar ndarjen. Popujt që dinë ta “jetojnë” dhimbjen e përballojnë atë. Në dy-Hase-(t) kjo llojë përballese duket, sa në të gjithë raportin që njerëzit e njërës anë dhe njerëzit e anës tjetër kanë të njëjtin përjetim, të njëjtin angazhim dhe të njëjtin koncept për lirinë dhe për luftën.
Nuk ka mundësi më të mirë dhe më reale se një rast i tillë, për ta kuptuar dramën, vuajtjen, mbijetesën, sakrificën, gjenezën, etninë, formimin etnik dhe atë historik, në prerjet e të cilëve janë të gjithë ato cilësi që në këtë libër janë shpalosur në vertikalitetin dhe horizontalitetin e tij.
Hasi e përballoi ndarjen e vet, ashtu siç disa bimë të mrekullueshme, dhe organizma të gjalla madje, që shtohen dhe ruajnë cilësinë e vet nga “copat” e veta. Kjo tregonte se Hasi kishte një kod të hershëm dhe të vendosur drejt në qenësinë e tij, prandaj ai jetoi gjatë dhe vegjetoi në llojin e vet gjatë gjithë kohës ku pjesët e tij ishin krejt egërsisht të ndara dhe të pamundura t’i përcillnin”energji” njëra-tjetrës.
25.03.1999 – Ka qenë një ditë me lajme të dhimbshme. Njoftohet se në fshatin Goden, të komunës së Gjakovës, në afërsi të kufirit me Shqipërinë, janë ekzekutuar 20 banorë. Kjo është një strategji e njohur e serbëve gjatë gjithë sundimit të tyre në Kosovë.
01.04.1999 – Shtohet kohë pas kohe numri i të dëbuarve nga Kosova, të cilët detyrohen të lënë shtëpitë e tyre si rrezultat i represionit dhe terrorit që po ushtrojnë militarët dhe forcat kriminale serbe. Vetëm në 24 orët e fundit, në rrethin e Hasit kane hyrë mbi 11.000 të ardhur.
03.04.1999 – Shfaqen shenjat e një largimi të dhunshëm të shqiptarëve nga Kosova. Deri tani në rrethin e Hasit, kanë mbërritur mbi 35.000 të shpërngulur me dhunë dhe forcë nga serbët.
04.04.1999 – Veriu i Shqipërisë duhet të përballojë numrin e paparashikur të të larguarve nga tokat shqiptare. Bëhet e ditur se në rrethin e Hasit, nga pika e Qafë Prushit, pritet të mbërrijnë rreth 30.000 të ardhur nga Kosova.
09.04.1999 – Rrezik i një katastrofe humanitare nëse Hasi, Kukësi dhe rrethet e tjera të Veriut nuk do të jenë në gadishmëri për t’i pritur të dëbuarit. Sot në Kukës e në Has ndodhen aktualisht 130.000 vetë që presin të evakuohen. Vetëm në Krumë të Hasit vazhdojnë të qëndrojnë 56.700 të ardhur nga Kosova.
12.04.1999 – Lufta ka marrë përmasa të mëdha. Pa asnjë llojë hezitimi dhe thirrje të faktorit ndërkombëtarë vazhdon agresioni ushtarak serb kundër Veriut të Shqipërisë. Nga bombardimet serbe është goditur edhe rrethi i Hasit.
14.04.1999 – Serbia kërkon të përshijë dhe Shqipërinë në luftë. Sot dy predha mortajash u hodhën nga forcat serbe 400 metra brenda territorit shqiptar, në afërsi të fshatit kufitar në Vlahën.
15.04.1999 – Vazhdojnë incidentet e ushtrisë serbe në veriun e Shqipërisë, kryesisht në fshatrat kufitare. Bëhet e ditur se një grup ushtarësh serbë, rreth orës 08.00, kanë hapur zjarr në drejtim të fshatit Dobrunë në rrethin e Hasit, pranë kufirit Shqipëri-Kosovë.
Katër predha kanë rënë në afërsi të fshatit Myç-Has, afër 8 km nga qyteti i Kukësit
21.04.1999 – Forca të shumta serbe të mbështetura me artileri të rëndë, dje rreth orës 10.30, kanë sulmuar territorin shqiptar në Has, në një vijë disa kilometrash. Luftimet kanë vazhduar mbi tetë orë dhe nga ora 18.00 forcat serbe janë tërhequr.
23.04.1999 – Serbët po përpiqen të hapin një front lufte me Shqipërinë. Kanë vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme provokimet e armatosura të ushtarëve serbë në kufirin shqiptar. Posta kufitare në Dobrunë të Hasit, është qëlluar me armë automatike dhe është plagosur një nënoficer dhe një banor i këtij fshati.
24.04.1999 – Fshati Dobrunë i Hasit vazhdon të jetë një pikë e nxehtë konflikti. Serbët po vazhdojnë të fortifikojnë gjithë vijën e kufirit. Duket se ka një qëllim të qartë serb për të provokuar Shqipërinë dhe ushtrinë shqiptare, e cila ka ruajtur qetësinë për të mos rënë pre e provokimeve.
25.04.1999 – Në Has ka shumë të ardhur nga Kosova. Po jepen shenjat e para të një krize të rëndë. Është sensibilizuar komuniteti ndërkombëtarë. Mbi 21.000, të ardhurit në Has vazhdojnë të jenë në gjendje të vështirë.
27.04.1999 – Vijojnë provokimet serbe. Po dje, një grup ushtarësh serbë, rreth orës 22.00, hynë në thellësi të kufirit shqiptar, me synim minimin e tij në zonën e Qaf-Prush. Ka pasur për 6 orë shkëmbim zjarri në një vijë prej tre km, ku forcat serbe kanë përdorur edhe armë të rënda si topa dhe mortaja.
29.04.1999 – Serbët po aplikojnë metodat e një lufte të rëndë dhe shkatërrimtare. Ata po venë në përdorim armët e rënda dhe shkatërruese, bombardimet dhe granat’hedhësat. Serbët goditën me shtatë predha fshatin Vlahën, 6 km larg nga qyteti i Krumës në Has. Me tetë predha artilerie u godit edhe fshati Cahan në Has.
Artileria serbe prej 20 ditësh vazhdon të bombardojë zonat e banuara të rretheve Tropojë, Has dhe Kukës. Bombardime të tilla kanë shkaktuar dhe minimin e këtyre zonave, çfarë ka bërë që të shpërngulen nga shtëpitë e tyre në një vijë prej 10 km të gjatë afër 15.000, vetë nga këto rrethe.
Vazhdojnë shkëmbime zjarri mes forcave serbe dhe forcave kufitare shqiptare përgjatë kufirit nga Kamenica e Tropojës deri në Dobrunë të Hasit.
30.04.1999 – Forcat serbe kanë shtuar fluksin e bombardimeve në të gjithë vijën kufitare. Dje forcat serbe kanë bombarduar fshatra të Tropojës dhe të Hasit deri në 6 km në thellësi të territorit shqiptar. Është dëmtuar rëndë fshati Tropojë e Vjetër. Ushtria serbe ka vazhduar minimin e kufirit në anën shqiptare në fshatin Zherkë të rrethit të Tropojës.
01.05.1999 – Vazhdojnë incidentet e rënda serbe me Shqipërinë. Tek Qafa e Arushës, në Has, një grup komandosh serbe prej 20 vetësh ka djegur pikën kufitare shqiptare.
02.05.1999 – Vazhduan granatimet serbe mbi fshatrat kufitare Letaj dhe Dobrunë të Hasit. Nga granatimet e artilerisë së rënda janë djegur dhe shkatërruar dhjetëra shtëpi. Njoftohet se janë granatuar edhe fshatrat Golaj e Zaharishtë, që gjenden disa kilometra brenda kufirit shqiptar.
Gjatë bombardimeve forcat serbe kanë minuar disa hektarë tokë rreth fshatrave të brezit kufitar të këtij rrethi. Nga granatimet është vrarë një person dhe janë plagosur dy të tjerë.
Në mbrëmje mbi fshatrat Vlahën dhe Letaj të Hasit janë hedhur raketa ndriçuese. Po ashtu janë granatuar fshatrat Mariq dhe Pogaj të këtij rrethi.
03.05.1999 – Rreth 2 hektarë tokë janë minuar nga forcat serbe në fshatrat kufitare Golaj dhe Zaharishtë në rrethin e Hasit. U bombardua nga artileria serbe përforcuesi i Televizionit shtetëror shqiptar në rrethin e Hasit, sinjali i të cilit kapej edhe në Kosovë.
Forcat serbe shkatërruan postat kufitare në Qaf-Prush, Glloboçicë, Krushevë dhe Dobrunë, ndërkohë që shtatë predha ranë afër lagjes Muhadër-Vlahën-Has.
04.05.1999 – Nga granatimet serbe u vra një i ri nga fshati Letaj i rrethit të Hasit.
05.05.1999 – Edhe sot kanë vazhduar granatimet e ushtrisë serbe, si pasojë e tyre është shkatërruar plotësisht pika doganore në Qaf-Prush dhe dy posta kufitare po në këtë rreth.
06.05.1999 – Ka tri ditë që forcat serbe po bombardojnë pa ndërprerje fshatin Letaj, në rrethin e Hasit.
10.05.1999 – Forcat serbe hodhën mbi 10 granata mbi fshatin Perollaj të Hasit, dhjetë kilometra larg kufirit. Disa ushtarë serb kanë hyrë në thellësi të territorit shqiptar. Granatime serbe ka pasur edhe në drejtim të fshatit Pogaj.
11.05.1999 – Në zonën e Hasit, tri pika të vrojtimit në kufirin shqiptar, siç janë ajo e Majës së Potgurit, Maja e Zezë dhe Maja e Krajlicës, kontrollohen nga forcat serbe. Pika e Potgurit, deri në brezin e butë, është minuar nga serbët.
13.05.1999 – Nga kjo pikë kufitare, për rreth një muaj e gjysëm kanë hyrë rreth 340.000 vetë, kurse nga pika kufitare e Qaf-Prushit në rrethin e Hasit kanë hyrë mbi 60.000 vetë.
15.05.1999 – Fshati Golaj, 3 km në thellësi të territorit shqiptar, është goditur nga një numër predhash të artilerisë serbe.
16.05.1999 – Artileria serbe ka bombarduar fshatin Dobrunë të Hasit dhe një numër i madh ushtarësh serbë kanë hyrë deri në 600 m në thellësi të tokës shqiptare.
17.05.1999 – Forcat serbe bombarduan me artileri të rëndë në drejtim të fshatit Letaj në zonën e Hasit. Disa predha artilerie kanë rënë edhe afër përsëritësit televiziv të Radio Televizionit Shqiptar. Forcat serbe granatuan fshatrat Letaj, Dobrunë dhe Pogaj në rrethin e Hasit.
Nga sulmet serbe në fshatin Letaj u shkatërruan plotësisht dy shtëpi, ndërsa në Dobrunë u dëmtuan tri shtëpi.
18.05.1999 – Kanë vazhduar bombardimet serbe në drejtim të fshatit Vlahën, në Has. Në këtë zonë ka pasur mbi dy orë shkëmbime zjarri me forcat serbe, që tentuan të futen në thellësi të territorit shqiptar.
21.05.1999 – Fshati Dobrunë në rrethin e Hasit është qëlluar përsëri nga forcat ushtarake serbe. Shumë gjurmë plumbash janë parë nëpër shtëpitë e fshatit, që po mbrohet nga banorët e tij.
Ushtarët serbë po detyrojnë civilët shqiptarë të mbajtur peng për të hapur llogore në vijën kufitare. Po hapen të tilla në Qaf-Prush dhe në një kodër në fshatin Letaj të Hasit, që mbahet i pushtuar nga serbët që prej 10 ditësh.
24.05.1999 – Kanë rifilluar bombardimet serbe në zonën e Hasit. Ku gjashtë predha kanë rënë në fshatin Vlahën dhe si pasojë, janë dëmtuar edhe dy shtëpi.
25.05.1999 – Në fshatin Cahan të Hasit nga predhat serbe kanë gjetur vdekjen një burrë së bashku me vajzën e tij. Në orët e vona të natës janë bombarduar edhe fshatrat Letaj e Pogaj të po këtij rrethi.
26.05.1999 – Predha të artilerisë serbe kanë rënë në thellësi të territorit shqiptar, në Qaf- Prush, në Has. Ndërkohë, të shtëna me armë ka pasur edhe në Dobrunë të Hasit.
27.05.1999 – Bombardimet e artilerisë serbe kanë shkatërruar disa shtëpi të lagjes Mariq, në fshatin Pogaj të Hasit. Artileria serbe ka qëlluar edhe mbi fshatin Kishaj të po këtij rrethi.
Bombardimet serbe kanë prekur fshatin Vlahën, në Has dhe në këtë zonë njoftohet se është gjuajtur edhe me predha të tipit “kasetë”, që realizojnë minimin e territorit ku bien. Një minim i tillë është kryer edhe në fshatin Bardhoc, të Kukësit ku artileria serbe ka gjuajtur që nga mali i Koretnikut.
Si pasojë e bombardimeve serbe, është plagosur një polic shqiptar në Dobrunë të Hasit si dhe është shkatërruar plotësisht posta kufitare e këtij fshati.
28.05.1999 – Bombardimet me artileri dhe mitralimet nga forcat serbe vazhdojnë të dëgjohen në drejtim të fshatit Pogaj, në Has, ku kanë rënë edhe 15 predha mortajash mbi këtë fshat.
Dhjetëra predha artilerie kanë rënë edhe mbi fshatin Dobrunë, të Hasit. Nga granatimet janë dëmtuar 8 shtëpi të këtij fshati
30.05.1999 – Në mesnatë ushtarët serbë kanë qëlluar me pushkë snajper dhe breshëri mitralozi në drejtim të fshatit Pogaj të rrethit të Hasit.
Artileria serbe ka granatuar edhe fshatin Cahan të Hasit, rreth 1 km larg kufirit shtetëror, ndërkohë që bëhen dy ditë që po granatohet edhe zona e Gorozhupit në këtë rreth.
Dy avionë serbë kanë fluturuar mbi fshatrat Pogaj, Kishaj dhe Domaj të Hasit dhe më pas janë larguar matanë kufirit.
31.06.1999 – Gjatë pasdites kanë rënë 30 predha artilerie mbi fshatin Cahan të Hasit, ku është njoftuar edhe për një të plagosur tjetër 35-vjeçar. Bombardimet serbe janë drejtuar edhe mbi Vlahën të Hasit.
Dy predha të artilerisë serbe kanë rënë natën në qytetin e Krumës të rrethit të Hasit, 150 m larg spitalit civil. Njoftohet se është plagosur një 23-vjeçar.
01.06.1999 – Granatimet serbe kanë vazhduar mbi fshatin Pogaj. Është dëmtuar ujësjellësi dhe janë shkatërruar 8 shtëpi në lagjen Mariq.
Gjatë mbrëmjes kanë rënë gjashtë predha edhe në qytetin e Krumës të rrethit të Hasit, ndërsa fshati Vlahën ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale nga predhat e shumta serbe.
02.06.1999 – 35 predha të artilerisë serbe goditën fshatin Cahan në rrethin e Hasit. Pjesa më e madhe e shtëpive të fshatit u shkatërruan. Një sipërfaqe e konsiderueshme e tij është goditur edhe me predha të tipit “kasetë”, që minojnë zonën ku bien.
04.06.1999 – Artileria serbe ka bombarduar në orët e para të mëngjesit fshatrat Letaj dhe Dobrunë të rrethit të Hasit. Në shënjestër të predhave ka qenë edhe përforcuesi i Televizionit Shqiptar.
Nga bombardimet serbe që kanë vazhduar në të gjithë brezin kufitar të rrethit të Hasit, gjatë ditës së sotme, janë plagosur tre shtetas shqiptarë ndërsa ka vdekur në spital prej plagëve një 18-vjeçare nga fshati Golaj.
Në mesditë është granatuar me predha tymuese për më shumë se 30 minuta fshati Kishaj i Hasit.
05.06.1999 – Ka arritur në 6000 numri i banorëve, që kanë braktisur shtëpitë dhe jetojnë në male, tunele dhe bunkerë, për shkak të bombardimeve. Ata kërkojnë nga pushteti lokal ushqime, veshmbathje dhe armë për të mbrojtur kufirin shqiptar.
Nga bombardimet serbe janë shkatërruar një pjesë e madhe e fshatrave buzë kufirit. Në fshatin Vlahën kanë rënë 8 predha, kurse në fshatin Kishaj kanë rënë 34 predha duke dëmtuar tre shtëpi dhe bagëti. Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar edhe në fshatrat Cahan e Dobrunë të Hasit.
06.06.1999 – Artileria serbe ka bombarduar pandërprerë territorin e Pashtrikut, Kishaj, lagjen Mariq të Pogaj si dhe fshatrat Golaj, Vlahën, Helshan, Perollaj, Dobrunë, Peraj të Hasit. Vetëm në fshatin Kishaj kanë rënë mbi 30 predha serbe.
07.06.1999 – predha të shumta të artilerisë serbe ranë në fshatin Pogaj të Hasit dhe shkatërruan disa shtëpi.
Në qytetin e Krumës, në rrethin e Hasit, predhat serbe që ranë shumë pranë shtëpive dhe spitalit të qytetit plagosën tre civilë.
Si pasojë e granatimeve të përditshme serbe po largohet edhe një pjesë e madhe e popullatës në komunën e Golaj të këtij rrethi.
08.06.1999 – artileria serbe ka goditur në drejtim pikës kufitare të Qaf-Prushit në Has, ku ranë 4 predha dhe njoftohet se është plagosur një ushtar shqiptar.
Në fshatin Letaj dhe Zgjeç të Hasit ranë 65 predha artilerie, kurse në qytetin e Krumës së Hasit kanë rënë 5 predha, që kanë dëmtuar edhe një kabinë elektrike.
Nga situata e rëndë e krijuar nga bombardimet serbe në Has janë shpërngulur, gjatë ditës së djeshme 700 të ardhur nga Kosova. Gjatë orëve të pasdites së djeshme, në fshatin Pogaj të Hasit kanë rënë 10 predha të artilerisë serbe, duke shkatërruar edhe disa shtëpi të tjera.
09.06.1999 – Nga predhat e artilerisë serbe është rrafshuar më shumë se gjysma e shtëpiave në fshatin Pogaj të Hasit.
Si çdo ditë edhe sot 5 predha serbe të kalibrit të madh kanë goditur fshatin Letaj të Hasit, 1.5 km larg kufirit.
Vazhdon largimi dhe vetëlargimi i popullsisë shqiptare nga zona e Hasit. Llogaritet se numri i të zhvendosurve në thellësi të vendit përbën rreth 60% të banorëve të këtij rrethi.
Bëhet e ditur se, për herë të katërt forcat serbe tentojnë të hyjnë fizikisht në thellësi të territorit shqiptar, por ata janë zmbrapsur nga forcat ushtarake të kufirit shqiptar.
Kanë rënë 36 predha artilerie në fshatrat Kishaj dhe Pogaj të Hasit duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. 10 predha kanë rënë edhe në fshatrat Letaj, Dobrunë dhe në lagjen Xhebexhije
Gjithë pasditen e është granatuar edhe fshati Vlahën, ndërsa sot në mëngjes predha artilerie të kalibrit të rëndë kanë rënë në lagjen Xhebexhie.
Në një lagje të qytetit të Krumës së Hasit, kanë rënë 4 predha, duke shkaktuar për herë të dytë ndërprerjen e energjisë elektrike.
Deri tani nga granatimet e pandërprera serbe janë shkatërruar plotësisht 7 fshatra të këtij rrethi.
10.06.1999 – Kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme bombardimet serbe mbi fshatrat kufitare të Hasit. Për më shumë se 30 minuta është bombarduar me mortaja fshati Vlahën.
Ndërkohë, predhat e artilerisë së rëndë serbe ranë edhe mbi fshatrat Letaj, Dobrunë, Qaf-Prush dhe Pogaj të këtij rrethi.
15.06.1999 – Burime policore bëjnë të ditur se në mesnatë ka pasur të shtëna automatikësh në drejtim të fshatrave Letaj dhe Vlahën të Hasit.
16.06.1999 – katër të plagosur nga minat edhe në kufirin e Shqipërisë. Një nga të plagosurit ishte nga fshati Letaj i Hasit.
17.06.1999 – burime nga Hasi njoftojnë se gjatë 24 orëve të fundit, si pasojë e shpërthimit të minave ka patur 6 të plagosur, nga të cilët 4 janë të ardhur nga Kosova dhe dy të tjerë janë nga fshati Dobrunë e Letaj. Njëri nga të plagosurit e djeshëm nga fshati Letaj, vdiq në spitalin e Krumës.
Largimi i trupave serbe nga zona kufitare e Hasit ka lënë pas me dhjetëra kilometra të vijës kufitare të mbjellë me mina vdekjeprurëse.
26.06.1999 – Çminimi i plotë i brezit kufitar në zonën veri-lindore të Shqipërisë do të kryhet brenda tre muajve. Gjatë periudhës tremujore, kur artileria serbe bombardonte vijën kufitare, mendohet të jenë hedhur 6000 deri në 8000 predha. Mund të jetë 2000 hektarë zona e minuar brenda kufirit shqiptar.
Rrethi verior i Hasit me gjatësi kufitare 25.6 km është zona më e rrezikshme si pasojë e minave. Nga ushtria serbe janë minuar 120 ha të këtij rrethi. (…)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura