Prishtinë, 17 tetor 2020: Në disa paraqitje të mëhershme, pikërisht në portalin, pashtriku.org, kemi paralajmëruar, kemi konstatuar se, Serbia, kurrë një herë më parë në këtë njëzetë vite të çlirimit nuk ka qenë më e pranishme, më brenda në Kosovë. Kjo, jo vetëm se, erdhi momenti që, në pikë dite, në mes të Prizrenit shqiptar, serbët të ardhur si pelegrinë, të ngritin flamurin serb dhe të brohorasin, “Kosova është Serbi”, jo vetëm se, e mbajnë të okupuar Veriun e Kosovës, si Krimenë, tani më ruse, jo vetëm se, Manastiri i Deçanit u paraqit kushte ultimatume komunës së Deçanit, jo vetëm se, pëshpëritet për krijimin e autonomisë kulturore të Gorës ( 19 fshatra të Komunës së Dragashit ku, në 19 fshatra jetojnë goranët e serbizuar ), por, ata tani kanë mbërritur ta heqin flamurin tonë kombëtar, po ashtu në mes të ditës në Kosharën tonë historike, në tempullin e krenarisë së luftës dhe epopesë së UK-së!
Heshtja tinëzare e BE-së
Ata u kamufluan si shtetas, qytetarë amerikanë, dhe Ambasada amerikane hesht! Mbahen, debate, ndërkohë që, asnjë debat për këtë përdhosje, jo vetëm të flamurit tonë kombëtar, por për përdhosjen e lirisë sonë, të sovranitetit të shtetit të Kosovës. Serbia po e dëshmon përditë, fuqinë e saj, kur të donë, hynë dhe del nga Kosova, e BE-ja hesht, madje, na kërcënon se, për këtë e atë arsye nuk keni liberalizim… Madje, priftërinjtë serbë, arritën që , me udhëzimet e Beogradit, të veshur me rroba civile, t’i mashtrojnë disa banorë shqiptarë, të cilët, edhe ju shërbyen t’i bartnin me makina… Pastaj, shkuan tek Kulla, sikur nuk ju mjaftonte ai veprim barbar, e hodhën në tokë dhe e shkelën. E bën inçizimin, e dërguan në Beograd, me një triumfalizëm barbar serb, në një prej gazetave antishqiptare, “Veçerni Novosti”, e cila e publikoi lajmin dhe, e tërë Serbia u mahnit, u ngazëllua! Gjithsesi, shteti serb, qytetarët serbë, Qeveria serbe, ata që e kanë planifikuar dhe realizuar atë veprim shovinist, kanë të drejtë të ngazëllehen, ta krijojnë përshtypjen se, Kosova nuk është e paprekshme, se, Kosova, është lënë në vetmi, dhe, në shenjë dëshpërimi, ne të gjallët themi, shyqyr që, të rënët, martirët, heronjtë edhe të luftës së UÇK-së nuk mund ta dinë se çfarë po ndodh, me Atdheun, tokën, për lirinë e të cilës ranë dëshmor, pikërisht në luftën titanike kundër hordhive pushtuese serbe.
Prizren, 4 tetor 2020: Pelegrinët serb brohorasin “Kosova është Serbi”!
Më kë të bisedoj, negocioj Kosova? E përsërisim? Ishte dashur që, sidomos me këtë rast, pra, të përdhosjes së Flamurit tonë Kombëtar të bëhej demarsh diplomatik tek Beogradi zyrtar, deri në Brukseslin zyrtar dhe në OKB! Ishte dashur që, Qeveria, kjo që është, me apo pa identitet, e gjunjëzuar apo jo, të deklarohej tek Bruksesli zyrtar se, ndërpritet çdo negociatë, bisedim, komunikim me zyrtarët serbë, me Qeverinë e Beogradit! Kjo, sepse, veprimi shovinist i priftërinjve serbë, është më tepër se, veprim provokues i nacionalistëve serbë, është rrezikim i hapur dhe i drejtpërdrejt i integritetit territorial dhe i sigurisë së shtetit të Kosovës. Ky veprim shovinist dëshmon se Serbia, me heshtjen e BE-së, madje edhe me përkrahjen e saj, po e amniston politikën shoviniste, vrastare të Qeverive të mëparshme serbe dhe po e trimëron Serbinë për ta atakuar, në çdo formë shtetin, pavarësinë e Kosovës. Po të mos ishte, ndoshta, administrata e Trumpit, fitohet përshtypja se Serbia, tani më me forcën e saj ushtarake do të ndërhynte në Veriun e Kosovës dhe do ta pushtonte, sikur, më 2014 ka bërë Rusia me Krimenë!
Kuvendi të nxjerrë Rezolutë për ndërprerjen e negociatave
Nga ana tjetër, dhe, sikur të mos mjaftonte heshtja kolaboracioniste e BE-së me Serbinë, zyrtari i saj i lartë, me emrin sllav, Mirosllav Lajçak, në të kthyer për Bruksel, e lëshoi ultimatumin:” Nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacionin, Kosova e ka marrë përsipër zotimin, e ka nënshkruar”. A nuk është ky si nkronizim i politikave të Serbisë me BE-në, që, përmes ultimatumit, kërcënimit me Asociacionin, ta gjunjëzojnë përfundimisht udhëheqjen politike, qeveritare të Kosovës. Është një veprim dinak i diplomacisë së Serbisë dhe i BE-së, karshi Kosovës, e cila nga ana tjetër po përballet me shpatën e Demokliut, Gjykatën Speciale!? Është kërcënim i hapur dhe i drejtpërdrejt i Mirosllav Lajçakut, i cili, hapur mbanë anën e Serbisë, anën e popullit sllav dhe për shtetin nga vjen Lajçaku, anën e Serbisë mike! A nuk e di, Lajçak se, krijimi i Asociacionit për komunat serbe është një lloj Republika Serbe, një lloj autonomie, me ingerenca ekzekutive, që do ta ketë edhe Kuvendin serb të Asociacionit dhe i cili direkt do ta kundërshtoj Kushtetutën dhe Kuvendin e Kosovës!? A nuk e di ai, se, askund, në rajon nuk ka formë të këtillë të organizimit të sistemit juridik, dy palësh!? Çfarëdo Asociacioni i komunave serbe, është legjitimim i një ndarje “e butë ose me konflikt” e mëvonshme e Veriut të Kosovës?
Prandaj, Lajçak dhe BE, pikërisht në kohën kur, ish udhëheqjes politike të UÇK-së, tani udhëheqës politik, shtetëror të Kosovës, u kërcënohen me Gjykatën Speciale. Gjykata Speciale, është rezultat i strategjisë, mirë të përpunuar, të Serbisë, Rusisë dhe të BE-së, me qëllimin kryesor, të krijojnë kushte për ndarjen e Kosovës dhe, largimin e SHBA-ve nga kjo zonë me interes e gjeopolitikës moderne.
Kuvendi i Kosovës, në përbërjen e të cilit janë pozita dhe opozita, do të duhej që, urgjentisht ta thërrasin mbledhjen e jashtëzakonshme dhe të debatojnë me fakte, lidhur me agresionin më të ri diplomatik dhe, jo vetëm diplomatik të Serbisë ndaj integritetit territorial dhe sigurisë e rendit shoqëror në Kosovë. Të marrin vendime, të nxjerrin udhëzime, përfundime dhe të nxjerrin një Rezolutë, për ndërprerjen e çfarëdo kontakti, e bisedimeve, negociatave, dialogun ndërshtetëror me Serbinë e fashizmit modern ndaj shtetit tonë, ndaj qytetarëve tanë! Rezoluta, e mbështetur nga pozita dhe opozita do të duhej që, tu dërgohej ambasadave të huaja në Prishtinë, BE-së dhe SHBA-ve!