Winterthur, 26 shkurt 2021: Në 85-vjetorin e lindjes së Adem Demaçit
Kombit Shqiptar, veçanarishtë populli shqiptar i mbetur padrejtësisht nën sundimin Jugosllav që shekulli XX i solli një engjëll mbrojtës të çështjes shqiptare, kurse për shtetin serbe do të jetë një Satanai. Diçka tepër e rrallë. Nga vitet e 50-ta jeta e Bacës ishte sikurse jeta e popullit shqiptar që ishte një histori përpjekjesh dhe luftërash për liri dhe bashkim.
Si veprimtar i çështjes kombëtare, në vitin 1963, ai u bë nismëtar i përpjekjes së parë për bashkim kombëtar duke themeluar Lëvizjen Revulucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH). Më këtë qëndrim, ai u përplas jo vetëm me regjimin e Rankoviçit, por edhe me elitën e komunistëve shqiptarë në Jugosllavi. Si njeri me ideale të larta, ai asnjëherë nuk ju tremb ballafaqimeve, i vetëm e shpeshëherë edhe kundër të gjithëve, gjithmonë në shërbim të drejtësisë e të vërtetës.
Ne ishim me fat e krenar që në gjirin tonë lindi dhe u rrit një njeri si Bacë Adem Demaçi, tek i cili bashkëjetonin përsonaliteti dinjitar, karakteri i papërkulur dhe i sinqertë, kthjelltësia politike, shpirti human dhe dashuria e pastër për Atdheun. Ah, sikur ne shqiptarët të kishim jo një, por dhjetëra e më shumë shqiptar si Ai.
Për shqiptarët në Jugosllavis Prishtina ishte qendra (pika) e gravitacionit shqiptar; qendra univerzitare, kulturore, qendra ku formësohej dhe kristalizohej identiteti shqiptar, qendra e nacinalizmit shqiptar. Për këtë kristalizim të identitetit shqiptar frymëzimi vinte nga Shteti Shqiptar, si shtet i gjithë shqiptarëve në botë, dhe nga simboli i rezistencës shqiptare edhe pse i mbyllur në burg të rëndë, idet e tija nuk mund të mbylleshin as në grila burgjesh, as në qeli të errëta, as të kufizoheshin nga masat e dhunshme policore e gjyqësore. Të frymëzuar nga vepra e Bacë Ademit, në nëntor 1968 e gjithë Kosova u ngrit në këmbë për të kërkuar vetëvendosjen kombëtare e lirimin e menjëhershëm të Tij. Fryma e Tij politike u bë forcë shtesë duke i dhënë zemër shqiptarëve në valën e demonstratave të viteve ’80-ta, por dhe shpirt për luftën çlirimtare të Kosovës. Pra, figuara e Bacë Ademit u shtri e u shkri në përmasat e Atdheut, edhe jashtë Kosovës, në Evropë dhe Botë.
Tanimë, pa dyshim se Adem Demaçi paraqet njërën nga figurat më emblematike në historinë më të re të kombit shqiptar në tërësi, dhe të Kosovës në veçanti. Parulla, «Poshtë tradhëtarët!» «Rroft Adem Demaçi!» ishte brohoritur për dekada me radhë në mbar trojet shqiptare dhe mbar globin.
Që në moshën e re, në vitin 1968 për mua dhe shumë të rinjë Adem Demaçi ishte simbol i lirisë, ndërsa Enver Hoxha ishte Shqipëria, atdheu ynë i dashur. Shqipëria dhe Adem Demaçi, ishin inspirim dhe dashuria për lirinë. Ky identifikim i Bacë Ademit dhe i Shqipërisë në krye me Enver Hoxhën, ishte shumë i përhapur te ne në Kosovë. Pas LDB-re ishte ky emocion në njerën anë për Shqipërinë dhe, në anën tjetër ishte emocioni për titizmin, dhe vëllazrim-bashkimin në Jugosllavi. E deshëm shqipërinë, mandje e deshëm shumë sepse e kishim Nënë. Nëna duhej edhe kur është e shëmtuar, e varfur apo e smuar. Ne që ishim të coptuar e të robëruar padrejtësisht në Jugosllavi e kishim Shqipërin të vetmen dhe të pa zëvendsushme si përkrahëse dhe mbrojtëse në institucionët ndërkombëtare, në Evropë dhe në Botë; pra, Shqipëria ishte frymëzim dhe inkurajim për qëndresën shqiptare në Kosovë dhe për mbrojtjën e lirive e të drejtave njerëzore e kombëtare të tyre dhe Bacë Ademi ishte një inspirim i fuqishëm për popullin shqiptarë në Kosovë për të vazhduar rrezistencën kundër Serbisë.
Ne me të drejtë dhe vertet krenoheshim me shtetin Shqiptar, serbosllavët dhe shqiptarët titist dhe grekët frikësoheshin prej shtetit të Shqipërisë dhe për këtë nuk hoqën dorë asnjëhrë për ta destabilizuar dhe copëtuar Shqipërinë.Në fundë, gjatë luftës në Kosovë u pa dhe u vërtetuar roli dhe rëndësia e Shqipërisë për çlirimin e Kosovës.
Rifillimi i mardhënjeve mes Kosovës e Shqipërisë, në vitin 1968 në mes të institucioneve arsimore, kulturore e shkencore të Shqipërisë me institucionet respektive të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi zgjati deri në vitin 1981. Kjo periudhë ishte një lulëzim i jetës kulturore dhe arsimore në Kosovë. Ky bashkëpunim bëri të mundur ardhjen e shumë pedagogëve nga Universiteti i Tiranës, për t’i ndihmuar Universitetit të Prishtinës. Kuadrot nga Shqipëria me nivel të lartë të përgatitjes profesionale e prej pedagogu, me punën dhe përkushtimin e tyre duke qenë gjithmonë modest e të kujdeshsëm, fituan zemrat e të gjithë studentëve shqiptar në Kosovë. Admironin menqurin dhe përgatitjen e tyre shumica e studentëve. Ata, RTSH dhe Radiot Shqiptare, veçmas Radio Kukësi ndikuan shumë në formimin tonë kombëtar dhe në personalitetin tonë. E ndinim këtë për çdo ditë si të ri që ishim me plotë ideale e pasione për atdhe e për jetë. Të rinjtë e idealizonin Shqipërinë deri në pafundësi, e cila ishte bërë motiv jo vetëm i jetës sonë, por edhe relizim i idealeve tona kombëtare.
Parimi i ventëvendosjes
Parimi i vetëvendosjes si një parim dhe koncept politikë dhe si një e drejtë shfaqet fuqishëm me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Në aspektin praktikë vetëvendosja është përdorur si mjet legjitimues për përpjekjet e entniteteve të ndryshme për arritjen e lirisë dhe pavarësisë. Shumica e konflikteve të përgjakshme gjithandej botës kanë ndodhur si pasojë e mohimit të vetëvendosjes dhe si pasojë e angazhimit për materializimin e saj, sikurse që ka ndodhur edhe tek ne shqiptarët. Pra, Lëvizja Popullore e Kosovës që nga themelimi dhe grupet tjera ilegale, parimin e vetëvendosjes kishim si koncept politikë në përpjekje për arritjen e lirisë dhe pavarësisë.
Në këto kushte dhe rrethana, Adem Demaçi dhe shokët e Tij kishin nevojë për përkrahjen e gjithanshme të shtresës së intelektualëve, përkrahje kjo që për fat të keq mungoi nga intelektualët, por, jo edhe nga populli. Mbështetja e dhënë nga populli, veçanarisht nga rinia do të bënte që A.D. me shokët e idealit të vënë në jetë programin e Lëvizjes, në të cilin shtroheshin dy objektiva themelore: çlirimi i Kosovës nga Serbia gjenocidiale dhe bashkimi me trungun e vetë, pra me Shqipërinë.
Lëvizja Popullore e Kosovës ishte Organizatë politiko-ushtarake që në kushtet e represionit e ndjekjes së pashembullt, ia kishte dalë të ruante kohezionin e ilegales dhe, në dekadën e fundit të shek. XX, të krijojë bërthamën e UÇK-së. Në kohën e lindjes (1989) së pluralizimit politik, disa anëtar të LPK-së që zgjodhën rrugën e rrezistencës aktive, pra, rrugën e lavdisë në bashkpunim me shtetin Shqiptar, duke bartur mbi supe aktivitetet kryesore të rezistencës sonë kombëtare duke i dhënë peshë dinamikës së politikës në Kosovë, që më pastaj të formojë UÇK-në për të realizuar luftën çlirimtare në aleancë me NATO-n.
Adem Demaçi dhe LPK-së ishin të bindur se çlirimi i vendit nuk mund të arrihet sikurse nuk është arritur në asnjë vend tjetër, pa vepruar vetë populli, jo me formë paqësore e nënshtruese, por me ato aktive e çlirimtare.
Andaj duke i futur në zbatim mjetet demokratike të luftës, të organizimit të popullit në mënyrë profesionale, deri edhe ushtarake, pasi që kjo është forma e vetme e organizimit që i përgjigjet gjendjes dhe e çliron vendin, që e bënë popullin shqiptar faktor kryesor brenda dhe jashtë.
Në këtë rrugë të udhtimit të LPK-së, Adem Demaçi, pavarësisht thirrjes në fillim të pluralizmit politikë që, të gjithë shqiptarët duhet t’i bashkohen LDK-së, «Lëvizjes gjithëpopullore», Ai, nuk ka insistuar asnjëherë që LPK-ja të ndërpresë aktivitetin dhe të shuhet fare… Përkundrazi, ka qenë afër nesh! Këtë e dëshmojnë takimet dhe diskutimet me orë të tëra që kemi pas me te – për një përgatitje edhe të karakterit ushtarak. LPK-ja në Kosovë, në Këshilla të rretheve kishte filluar me përgatitje teorike dhe praktike ushtarke…
Meqë tërë jetën ia kishte dedikuar përpjekjeve për liri, drejtësi dhe barazi, në dhjetor të vitit 1991 Baca Adem u nderua nga Parlamenti Evropian në Strasburg me Çmimin «Sakharov». Ai, në PE tha se në Kosovë nuk ka lirime nga burgu, sepse vetë Kosova është shëndrruar në një burg të madh. Dhe pas takimeve dhe bisedave me nivelet më të larta diplomatike në Evropë në fillim të viteve ’90-ta, vazhdoi punën në menyrë të devotshme në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ) duke mos heshtur dhe duke mos u ndalur kurrë. Vazhdoi aktivitetin duke qenë në krye të protestave e grevave të urisë, dhe në këtë mënyrë u bë pjesë e zëshme e jetës politike të Kosovës dhe brenda sistemit paralel me Partinë Parlamentare të Kosovës.
Përveç takimeve me anëtarë të LPK-së në Kosovë, Ai, në fillim të vitit 1992 (Janar/shkurt), i shoqëruar nga atdhetari i madh Ahmet Haxhiu takohet me Kryesinë e LPK-së, Dega jashtë vendit për të diskutuar në imtësi çështjen e rezistencës aktive. Për këtë flasin stenogramet dhe inçizimet e takimeve (E.Xhemajli). Ai merr pjesë në shënimin e 10-të vjetorit të themelimit të LPK-së, në demonstratën e organizuar para selisë së OKB-së, (ku mbahej sesioni i 48-të për të drejtat e njeriut) nga ana e LPK-së dhe subjekteve tjera politike shqiptare në Gjenevë.
Rroli i Bacës Adem në vazhdimin e rezistencës aktive të LPK-së deri në themelimin e UÇK-së ishte jashtëzakonisht i madh. Do të konsulltohet në vazhdimësi përmes atdhetarit të shquar Ahmet Haxhiu sikurse janë konsulltuar edhe shumë intelektualë atdhetarë dhe ushtarak shqiptar, qoftë të Shqipërisë apo të Kosovës. Për këto takime dhe konsulta e analiza politike e ushtarake janë me qindra faqe shenime dhe inçizime në arkivin e LPK-së. Ato nuk janë publikuar, për t’mos u rrezikur intelektualët dhe ushtarakët atdhetarë…
LPK-ja, vazhdimisht ka bashkpunuar dhe bashkrenduar aktivitetet me institucionet shqiptare në Shqipëri, pavarësisht se kush ishte në pushtet, PD apo PS, ashtu sikurse dhe me shumë ushtarak eminent të Shqipërisë. Kishte përgatitur së bashku me ta edhe plane e projekte për organizim dhe trajnim të djemve dhe vajzave atdhetare. Përveç dy grupeve të Qeverisë së Bujar Bukoshit, grupit të Adem Jasharit dhe Zahir Pajazitit në marrëveshje me Ramiz Alinë, LPK-ja kishte investuar edhe për përgatitje tjera, si në aspektin ushtark dhe ate politikë.
Në zbatim të vendimeve të Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme, mbajtur në Prishtinë (më 26/27 korrik 1993), me propozimin e Kryesisë së LPK-së d-j.v. në mbledhjen e datës 4 dhjetor 1993, në Zvicër themelohet fondi i veçantë i LPK-së, pra, Fondi «Vendlindja Thërret». (Mbledhja e Katërt e Përgjithshme që u mbajt në Prishtinë në korrik 1993 aprovoi rezulutën, sipas së cilës lufta e armatosur duhej të ishte prioritet i veprimeve të Lëvizjes Popullore të Kosovës).
Më 17 nëntor 1994, në Zvicër, pas një diskutimi të përimtuar, Kryesia e LPK-së, Dega jashtë vendit, duke pasur parasysh vendimet e Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme në Prishtinë, edhe propozimet e Këshillave të Rretheve Popullore të LPK-së (që ishin në të njejtën kohë edhe anëtarë të grupeve të armatosur) në Kosovë, grupimeve ushtarake në teren, mori vendim që organizimi i ri ushtarak të quhet «USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS».
Duke qenë i informuar Bacë Ademi për të gjitha aktivietet e LPK-së, në dhjetor të vitit 1995 derisa LDK-ja po vegjentonte, Ai pati deklaruar hapur se nuk do të jem vetëm simbol i rezistencës, por edhe energjia e saj.
Baca Adem, përveç njoftimeve që i ka pasur nga individ të LPK-së, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së dhe të Kryesisë së saj, përmes grupit të ngarkuar prej tre anëtarve:
– Azem Syla, anëtar i KP të LPK-së dhe anëtar i Kryesisë,
– Sejdi Gega e Shaban Muja, të dytë anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së dhe anëtarë të Kryesisë së Nëndegës së LPK-së në Zvicër, me datë 17 dhe 18 shkurt 1996, në Gjenevë në banesën e veprimtarit të palodhshëm Basri Misini, zyrtarisht do të njoftohet për ekzistencën e UÇK-së në Kosovë.
Gjenevë, 17/18 shkurt 1986 : Takimi i Adem Demaçit me anëtarët e LPK-së : Azem Syla, Sejdi Gega dhe Shaban Muja, në banesën e veprimtarit të Lëvizjes, Basri Misini.
Njoftohet më detajisht, për aksionet e kryera nga grupet e armatosura të UÇK-së, pra nga djemt e Kosovës. Baca, në këtë takim, premtoi se, duke i përkrahur gjithmonë vlerat konkrete atdhetare, rezistencën më aktive të shqiptarëve, do t’i përkrahë edhe më shumë ato, përkundër thumbave të politikës pasive, të ndërkombëtarëve, por edhe shënjestrimit nga politika e Beogradit. Me këtë përkrahje do t’i motivojë moralisht dhe politikisht forcat aktive, pra, ushtarët e UÇK-së. Adem Demaçi, në këtë takim, grupin e ngarkuar nga Kryesia e LPK-së d.j.v., do ta njoftojë për iniciativën e dështuar të Mbledhjes së Parlamentit të Kosovës. Ky takim deri në përfundim të luftës, sikurse edhe takimet tjera zyrtare të LPK-së me Bacën Adem nuk janë publikuar asnjëherë…
I bindur se pa gjak, regjimi serb nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga pushtimi i Kosovës, Demaçi, më 12 gusht 1998, merr përsipër udhëheqjen politike të UÇK-së dhe të përfitonte mundësinë për krijimin e Asamblesë së Kosovës. Pas kësaj, Adem Demaçi, në mes të Prishtinës, meqë ishte i vlerësuar me çmimin prestigjioz evropian Sakharov i dha emër ndërkombëtarisht UÇK-së. Ai, ishte fytyra e gjallë politike e padrejtësive serbe ndaj shqiptarëve.
Adem Demaçi nuk u pajtua me “Projektin e Rambujesë” sepse ai ofronte vetëm një autonomi tepër të cunguar për shqiptarët. Gjatë bombardimeve të forcave të NATO-s mbi Serbinë dhe mbi caqet ushtarake në Kosovë, Adem Demaçi refuzoi të fshihej ose të arratisej nga Kosova.
Pas luftës ai u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre e qytetarëve tjerë.
Adem Demaçi ishte dhe mbetet Baca Adem, i gjithkohshëm në historinë e popullit shqiptar: i gjithkohshëm me Emrin e tij, me Veprën e tij, me Lavdinë e tij. Në jetën njerëzore unë nuk njoh asnjë njeri më humanist se Bacë Adem Demaçi. Tiparët e karaketerit të Tij, përpjekjet për lirinë e Kosovës për gjatë gjithë jetës e bëjnë Emblem të Luftës dhe Deputet Moral të përjetshëm. Ai, ndryshe nga shumë të tjerë, ka mandat të përjetshëm. Ai do të mbetet një lider shpirtëror më shumë se çdo përfaqësues partiak e shtetëror.
Shqipëria kishte rëndësinë dhe rolin jetik për Kosovën dhe ky rol u tregua edhe gjatë përgatitjes dhe gjatë luftës së Kosovës në vitit 1998/1999, ku Shqipëria pavarësisht se ishte vetë në krizë politike e sociale, mundësoi dhe priti rreth 800 mijë shqiptarë të Kosovës të dëbuar nga regjimi kriminal dhe genocidist serb, si dhe nëpërmjet Shqipërisë u bë furnizimi e fuqizimi i UÇK-së dhe u bë e mundur që edhe nga diaspora të vinin me mijëra vullnetarë të UÇK-së që shkonin në luftë për çlirimin e Kosovës.
Roli jetik i Shqipërisë nuk mund të zavendsohet nga asnjë shtet tjetër në Ballkan. Adem Demaçi dhe roli i Tij nuk mund të zavendsohej nga askush tjetër, sepse jeta dhe vepra e Tij ishin unike, sikurse dhe roli i Adem Jasharit ishin të papërsëritshëm. Sepse historia nuk do t’i jap një mundësi të tillë që e pati dhe e shfrytëzoi deri në vetëflijim, Adem Jashari, në përleshjet që nga 5 marsi deri më 7 mars, forcat ushtarako-policore serbe masakruan mbi 50 anëtarë të familjes Jashari dhe mysafirët e tyre, në mesin e të cilëve edhe gra dhe fëmijë. Pas rënjes, Adem Jashari dhe familja Rifat Jasharit, u bënë simboli i luftës së Kosovës dhe pavarësisë së vendit.
Adem Demaçi u nda nga jeta më 26 korrik të vitit 2018 në moshën 82-vjeçare. Ai ia dedikoi jetën përpjekjeve për Liri, Drejtësi dhe Barazi. Pa dyshim ishte Simboli i rezistencës dhe arkitekt i Pavarësisë së Kosovës që nga vitit 1958.
Ai, ndryshe nga shumë të tjerë, ka mandat të përjetshëm.
Ai, do të mbetet një lider shpirtëror më shumë se çdo përfaqësues partiak e shtetëror, i gjithkohshëm me Emrin e tij, me Veprën e tij, me Lavdinë e tij.
Si lum Ai e si lum Ne!
Winterthur, 26 shkurt 2021
_________________
DOKUMENTAR – ADEM DEMAÇI 1936 – 2018
https://www.youtube.com/watch?v=jesUg6HvHQA