Pashtriku, 16 prill 2021:
2. Ndërtimet pellazgjike në Iliri
a) Fortifikimet pellazgjike tek Parauejtë.
Një rrugëkalim tjetër, që sigurohet me disa kala është ai që niset nga Apollonia dhe mbrrin në stenat e Aos-it, dhe njësoj si rrugëkalimi i mësipërm, vazhdon drejt Maqedonisë dhe Epirit. Në këtë pellg, përfshihen fortifikimet e disa qyteteve si, Margëlliçi, Gurëzeza, Bylisi, Nikaia, Dimali, Rabija, Kalivaçi dhe Belishova. Por duhet thënë se, këto fortifikime nuk janë ngritur të gjitha vetëm për të siguruar kalimin në të dyja këto drejtime rrugësh të rëndësishme.
Disa prej tyre si Nikaia, Bylisi, Rabija etj, duke qënë edhe qytete të rëndësishme të një territori me zhvillim dhe lulëzim të madh ekonomik, janë ngritur në rradhë të parë për mbrojtjen e banorëve të këtij territori, por ajo që është më e rëndësishmja, këto qytete janë ngritur edhe si shprehje e një zhvillimi të vrullshëm ekonomiko-shoqëror, dhe për pasojë, dhe si shprehje e një qytetërimi dhe civilizimi të lartë. Provë e sigurtë për këtë janë teatrot që janë ndërtuar në Nikaie dhe Bylis. Madje teatri i Bylisit, me rreth 9.000 vende, është më i madh se teatri i Apolonisë,me rreth 8.000 vende, ndërkohë që Apolonia ka njohur qytetërimin helen, dhe për nga madhësia, prej 130 ha, është shumë më e madhe se Bylisi, që zë rreth 30 ha. Por ja që bylinët vendas janë më të civilizuar dhe më të kulturuar se apoloniatët, ku një pjesë e të parëve të tyre janë të ardhur nga Korinti dhe Korkyra.
Arkeologjia shqiptare e përfaqësuar nga Hasan Ceka, Selim Islami, Frano Prendi, Skënder Anamali, Burhan Dautaj, Aleksandra Mano, Neritan Ceka, Gjerak Karaiskaj, Namik Bodinaku, Myzafer Korkuti, Skënder Muça, etj, dallon një brez kulturor të ndërmjetëm midis Ilirisë dhe Epirit, të cilin e shikon në Nikaie, Amantia, Bylis, Olimpe, Rabije, Dimal, Gurëzëzë etj, ku teknika e ndërtimit të qendrave të banuara të fortifikuara; paraqitet më afër asaj të Epirit, se sa Ilirisë.
Kështu, Neritan Ceka në studimin e vet të vitit 1990, “Fortifikimet antike të bashkësisë Byline” publikuar tek “Iliria”, është i mendimit se, Nikaia dhe Rabija janë fortifikime të hershme dhe janë ngritur në të njëjtën kohë. Rabija, thotë ai, që vendasit e quajnë “Gradishtë” (qytet), në muret e saj ka gurë të përmasave 2.80 m X 1.40 m, dhe se ajo është ndërtuar me të njëjtën teknikë me Nikaien dhe Amantien, duke e ngritur murin drejt e mbi shkëmb. Këto, shprehet ai, janë ndërtime të periudhës së parë të krijimit të qytetit. Pra në origjinë të tij. Nisur nga këto, unë do të thosha se, mure dhe gurë të tillë kanë vetëm kalatë pellazge.
Gjerak Karaiskaj, “5000 vjet Fortifikime në Shqipëri”, Bot.”8 NËNTORI”-1981, f. 10
Gjerak Karaiskaj-5000 vjet Fortifikime në Shqipëri,Bot.”8 Nëntori”-1980, f.30
Koço Zheku, “Mbi tipologjinë e vendbanimeve të fortifikuara paraurbane ilire në territorin e Shqipërisë”, “Iliria” – 1977
Gjerak Karaiskaj, “5000 vjet Fortifikime në Shqipëri”, Bot.”8 NËNTORI”-1981, f. 20
Trakte muresh të Bylist antik.
Gurëzeza-Cakran-Mallakastër.
Ndërsa Gurëzeza, rreth 23 ha, vazhdon Ceka, është ndërtuar me të njëjtën teknikë ndërtimi që karakterizon një rradhë qëndrash të Ilirisë së Jugut dhe Epirit si, Olympe, Foinike, Butroti, Çuka e Ajtojit, Kasopeja…Gurëzeza është ndërtuar në një kohë më Foiniken. Prashniker, pjesën e sipërme të kalasë, rreth 0.7 ha, e quajti akropol dhe si një ndërtim protoqytetar. Nga planimetria, Gurëzeza shpreh tipologjinë e qyteteve të hershëm si Foinike, Kasope, Amantie, Çuka e Ajtoji, Butroti dhe Rizoni. Më tej, autori nxjerr përfundimin se, ekziston një lidhje kulturore midis qëndrave të Ilirisë Jugore dhe Epirit në fushën e arkitekturës.
Në lidhje me Kalivaçin, N.Ceka, është i mendimit se ai është një fortifikim i hershëm tipik i periudhës së bronzit të vonë, ku një pjesë e murit në anën jugore është ngritur drekt mbi shkëmb, njësoj si Nikaia, Amantia dhe Rabia. Për sa i përket Belishovës, Mashkjezës dhe Margëlliçit, ai mendon se ato janë ndërtime protoqytetare.
Rrugëkalime të rëndësishme në antikitet kanë qënë ato të luginës së Vjosës, në pjesën e sipërme të saj, Drinosit, Osumit dhe Devollit, Shkumbinit dhe asaj të Drinit, duke përfshirë këtu të dy Drinat, ato të Cemit, lumenjve dhe qafave në territorin që ka marrë prej shqiptarëve Mali i Zi, të cilat lidhin bregdetin me brendësinë e Ballkanit, etj. Kuptohet që në të gjitha këto lugina, pllaja, që kanë qënë zona të zhvilluara ekonomike, përfshirë dhe grykat e qafat lidhëse, siç kanë vërtetuar arkeologët, kanë ekzistuar pellgje të rëndësishme të zhvillimit urban qysh nga paleoliti.
Në të gjitha rrugë kalimet prehistorike, shtigjet, grykat, qafat e maleve dhe të kodrave, luginat e lumenjve, ka pasur edhe rrugë. Historigrafia jonë flet për rrugë të ndërtuara nga romakët, duke anashkaluar dhe lënë në hije faktin që, Iliria e Jugut, Dardania, Paionia, Maqedonia dhe Epiri kanë pasur rrugë para se të vinin pushtuesit romakë. Kjo vërtetohet me faktin që inkursionet e para luftarake në Epir dhe Iliri romakët i bënë duke kaluar nëpër rrugët që kishin ngritur vendasit.
Kur sulmuan Ilirinë e Teutës në fund të shek.III p.e.s ata kaluan nga Apollonia për në Dyrrah nëpër një rrugë ekzistuese. Babai i arkeologjisë shqiptare, i nderuari Hasan Ceka, i ka zbuluar vetë trakte të veçanta të kësaj rrugë. Arkeologët Aleksandra Mano dhe Neritan Ceka tregojnë se rruga Egnatia u ngrit mbi trasenë dhe gjurmët e një rruge të vjetër ilire. Rrugëkalimi i Drinit ka pasur një rrugë që nga prehistoria, që lidhte Labeatët dhe Dokleatët me Dardaninë. Romakët thjesht i rindërtuan këto rrugë, ashtu siç rindërtuan shumë kala ilire, si Lisi, etj, për qëllimet e tyre luftarake. Legjionet romake, që do të pushtonin Ballkanin dhe gjithë Lindjen e Afërt dhe të Mesme, kishin nëvojë për rrugë më të sigurta dhe më të gjëra për të kaluar qerret me nozullime, por edhe me plaçkën e grabitur pas pushtimeve.
I marrim me rradhë ato që nuk i kemi përmendur deri tani, fortifikimet në rrjedhën e sipërme të Aosit; kalaja e Leklit dhe ajo e Këlcyrës në Grykën e Këlcyrës, kalatë prehistorike në Drinos, ajo e Dedejanit në Përmet, etj. Arkeologu Namik Bodinaku në lidhje me kalanë e Leklit dhe atë të Këlcyrës mendon se ato janë kala ilire pararomake; ndërsa për atë të Dedejanit thotë: “…vendbanimi i fortifikuar prehistorik i Dedejanit…përfshin afërsisht një sipërfaqe prej 1 ha është i qarkuar me mure, trashësia e të cilave shkon nga 1.60 m deri në 2.60 m, në ndonjë rast deri në 3 m…Në trakte të veçanta, muret ruajnë lartësinë deri në 2 m…brenda tyre gjënden me shumicë fragmente qeramike. Në përgjithësi mbizotëron qeramika me fakturë të trashë, ngjyrë kafe me tone të çelur të kuqëremtë, por nuk mungon edhe ajo me parete të holla. Format dhe ornamentet plastike në formë shiriti të gropëzuar me anë të gishtit, pa përmendur teknikën e ndërtimit të mureve, e inkuadrojnë këtë vendbanim të fortifikuar në vargun e qëndrave të fortifikuara të fundit të epokës së bronzit apo të periudhës së hershme të hekurit…Nga pikëpamja kronologjike, …mbështur dhe në teknikën e ndërtimit të mureve…studiusit i vendosin këto vendbanime, si të tipit Gajtan…dhe për pasojë i kanë quajtur këto vendbanime protohistorike apo protourbane…” (23)
Kalaja e Këlcyrës (Klisura antike).
Kalaja e Leklit.
Për fortifikimet prehistorike flet edhe Gjerak Karaiskaj në veprën e vet “5000 vjet fortifikime në Shqipëri”, ku ai i vendos këto ndërtime në periudhën e vonë të bronzit (1500-1200 p.e.s) dhe në periudhën e hershme të hekurit (1200-800 p.e.s). Si të tillë ai përmend fillimisht vendbanimin e fortifikuar të Dedejanit (Përmet): “Muret rrethuese përfshijnë një sipërfaqe prej rreth 1 ha…ku janë dalluar gjurmë banesash me mure guri. Muret mbrojtëse kanë një gjërësi prej 1.80 – 3 m dhe janë ndërtuar me gurë të papunuar…(nga sondazhet e kryera gjatë vitit 1978 në këtë vendbanim prej N.Bodinakut, muri rrethues u datua në periudhën e vonë të bronzit (1500-1200 p.e.s). (24)
b) Fortifikimet pellazgjike tek Dasaretët.
Pellgu i Korçës, përfshirë dhe luginën e Devollit, Ersekën, etj, ka një dëndësi fortifikimesh prehistorike të shek.XI-IX si, kalaja e Trajanit, Trenit, Gjonomadhi, Bellovoda, Ventroku, kalaja e Bilishtit; dhe pas tyre në kohë shek. IX-VIII p.e.s renditen: Gradishta e Shuecit, kalaja e Hollmit në Ersekë, Ponçara, Mborja, etj. Fortifikimet e mësipërme të ndërtuara në shek.XI-IX p.e.s, për mendimin tim, janë fortifikime pellazgjike.
Arkeologët e shquar shqiptarë dallojnë një brez të dytë kulturor të ndërmjetëm midis Ilirisë dhe Epirit; më të gjërë se sa i pari, por me të njëjtat tipare, i cili pak a shumë i përgjigjet pjesës më në veri të Epirit, dhe në të njëjtën kohë, pjesës jugore të Ilirisë, Shkumbin e poshtë (por që vazhdon edhe më tej në trevat e Paionëve), e cila është edhe pjesa më veriore e Toskërisë; e përfaqësuar nga Podgorie, Bellovodë, Gjonomadh, Shuec, Mbolan, Pelion, Dimali etj, të cilat u përkasin fiseve ilire të Dasaretëve, Enkelejasve, Parthinëve etj. Madje mjaft ndërtime të kësaj zone të dytë, fortifikimet me ledhe dheu, si “Gradishta e Shuecit” të klasifikuara si ndërtime prehistorike (Neolit-Bronx) Gjerak Karaiskaj i klasifikon për nga stili dhe tipologjia, si pjesa fundore jugore e Ilirisë, pasi ndërtime të tilla janë të shtrira deri në Europën Qëndrore, madje deri në Britani. “…Gradishta e Shuecit, ashtu si dhe fortifikimi i Ventrokut, shënojnë kufirin më jugor të tipave që përfaqësojnë; shembuj të ngjashëm nuk gjejmë në Greqi, ndërsa fortifikime si ato të Gradishtës së Shuecit, kanë një përhapje të gjerë edhe përtej territoreve veriore të Ilirisë, deri në Angli…” (25)
Koço Zheku lidhur me vendbanimet prehistorike në pellgun e Korçës, pohon: “Gj.Karaiskaj dhe P.Lera, duke u marrë me studimin e vendbanimeve të fortifikuara të periudhës së parë të hekurit në pellgun e Korçës, dalluan dy mënyra fortifikimi: me ledhe, të përfaqësuara nga Gradishtae Shuecit dhe me mure guri siç janë kalaja e Ventrokut, ajo e Trenit, kalaja e Bilishtit, e Kakaçit, e Gradishtës së Gjonomadhit, kalaja e Bellovodës, dhe ajo e Trajanit.” (26)
Lidhur me kalanë e Trajanit Gjerak Karaiskaj na thotë: “Muret kanë një trashësi prej 3.20-3.50 m dhe janë ndërtuar me gurë të papunuar, gjatësia e të cilëve në faqet anësore shkon nga 0.60 deri në 1.20 m. Kalaja e Trajanit është një nga vendbanimet e fortifikuara prehistorike, më të mëdha në territorin e Ilirisë. Ai përfshin brenda mureve, që kanë një gjatësi të përgjithshme prej 3 km një sipërfaqe prej 22 ha.” (27)
Trakt muri pellazgjik – Kalaja e Trajanit.
Trakt muri pellazgjik. Tren – Korçë. Foto F.Prendi – K.Zheku.
________________
Referencat:
23 Namik Bodinaku, “Të dhëna arkeologjike nga rrethi i Përmetit”, “Iliria” – 1977
24 Gjerak Karaiskaj, “5000 vjet Fortifikime në Shqipëri”, Bot.”8 NËNTORI”-1981, f. 10
25 Gjerak Karaiskaj-5000 vjet Fortifikime në Shqipëri,Bot.”8 Nëntori”-1980, f.30
26 Koço Zheku, “Mbi tipologjinë e vendbanimeve të fortifikuara paraurbane ilire në territorin e Shqipërisë”, “Iliria” – 1977
27 Gjerak Karaiskaj, “5000 vjet Fortifikime në Shqipëri”, Bot.”8 NËNTORI”-1981, f. 20
– VIJON –
______________________________
BESNIK IMERI: NDËRTIMET PELLAZGJIKE, DËSHMITARËT E HESHTUR TË ORIGJINËS TONË TË MOHUAR (II)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=11092