Albin dhe Vjosa, kujdes! Mbani premtimet!

Albin dhe Vjosa, kujdes! Mbani premtimet!

Nga Skënder Kapiti, Durrës – 13 Korrik 2021

Albin dhe Vjosa, së pari mbani premtimet që keni bërë para kombit, sepse koha vigjëlon, kujton, nuk harron, vlerëson dhe ndëshkon. Mosmbajtja e fjalës dhe e premtimeve është mosmirënjohje dhe tradhti ndaj atyre që ua besuan pushtetin dhe qeverisjen, dhe prandaj duke qenë e tillë nuk mund t’i shpëtojë ndëshkimit sidomos në demokraci. Së dyti mos i harroni dhe mos neglizhoni as pa dashje por as djallëzisht   ata të cilët ju kanë mbështetur për të ardhur ju në pushtet.

Mos veproni si pushtetarët paraardhës që harruan, manipuluan dhe spekulluan me besimin dhe me mbështetjen që morën prej të tjerëve.

Mos spekulloni as ju me besimin dhe me shpresën që ka populli te Ju.

Mos spekuloni me vullnetin e popullit, as me retorika e as  me vlerat kombëtare e demokratike ashtu sikurse neglizhuan dhe spekuluan rëndë paraardhësit tuaj me vlerat, me sakrificat e luftën e dëshmoreve, herojve e veteranëve.

Mos u vetëmashtroni se gjithçka fillon me Ju.

Mos e deformoni vullnetin e popullit dhe mos e injoroni punën dhe mbështetjen që u kanë dhënë intelektualët e ndershëm, patriotë, të sinqertë e të mirëfilltë në betejën kundër korrupsionit,vjedhjeve, tradhtive dhe poshtësive të ishpushtetit e të politikës.

Mos u besoni shumë atyre servilëve dhe interesaxhinjve të cilët si realitet dhe si të vërteta ua servirin vetëm ato që dëshironi Ju.

Mos e konsideroni dhe mos e shikoni dhuntinë, aftësinë  dhe talentin e të tjerëve si kërcënim por i merrni në konsideratë dhe i afroni ata.

Kujdes nga nepsi, uni dhe egoizmi që injektojnë urrejtjen, fanatizmin dhe frikën nga inferioriteti, të cilat janë tipare të autokratëve dhe të mosmirënjohësve.

Kujdes, se mosmirënjohja, prej saj burojnë tradhtia dhe të gjitha poshtërsitë, dhe prej saj errësohet ndërgjegjja. Por ama mos harroni se mosmirënjohja ju izolon dhe ajo pastaj nxit jo vetëm “braktisjen” hakmarrëse.        

Mos harroni në asnjë moment  respektin dhe mirënjohjen që duhet treguar  ndaj mikut dhe aleatit të madh,të pazëvendësueshëm dhe jetik të shqiptarëve, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mos merrni pranë vetes injorante, puthadorë e servilë se prej tyre e pëson dhe dështon, por edhe që në rastin më të parë sapo ndryshojnë rrethanat nuk e kanë për asgjë që t’ju tradhtojnë e të ndërrojnë padronë.

Këto janë pak gjëra që po ua sygjeroj mediatikisht, në pamundësi për t’ua thënë qoftë edhe prezent dhe drejtpërdrejt.

Një fjalë e urtë kineze thotë se sa më lart që të kërkosh të ngjitesh, aq më shumë vritesh e dëmtohesh kur bie nga atje. Dhe kështu e ka pësuar gjithmonë pushteti egoist dhe autokrat, autokratët e diktatorët, hajnat dhe të korruptuarit si p.sh. edhe ishët e ishpushtetit  në Kosovë me 14 Shkurt 2021.

Këto merrni si këshilla dhe kritika pozitive dhe paralajmëruese, dhe mos i merrni  si kritika negativiste që nuk u pëlqejnë delirantëve të madhështisë, nihilistëve, arrogantëve, egoistëve dhe autokratëve.

Mos harroni se në demokraci pushteti është në vështrim dhe nën hetim  gjithmonë nga mencurimi popullor  dhe nga vigjilenca demokratike që janë te pagabueshme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura