HAMAMI I PRIZRENIT DHE NDËRTESA E VJETËR “BELEDIJE” NË PRIZREN!

HAMAMI I PRIZRENIT DHE NDËRTESA E VJETËR “BELEDIJE” NË PRIZREN!

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku – 17 Korrik 2021

Prizreni shtrihet në jugperëndim të Kosovës dhe si komunë ka një sipërfaqe prej 640 km2 (rreth 5.94 % teritorit të Kosovës). Ka 76 vendbanime me 178.112 banorë, ndërkaq vetëm Prizreni numron rreth 120.000 banorë. Komuna e Prizrenit kufizohet me Komunat: e Gjakovës, Rahovecit,Therandës, Shtërpces, Sharrit, me Shqipërinë dhe Iliridën (në Maqedoni).

Qyteti i Prizrenit ka trashëguar një numër të madh objektesh kulturo – historike dhe jo rastësisht quhet Qytet Muze. Në mesin e monumenteve historike është edhe Hamami i Prizrenit.

HAMAMI I PRIZRENIT (SHEK.XVI)

Hamami i Prizrenit është njëri ndër tre hamamet më të mëdhenj të ndërtuar në periudhën e sundimit osman:

– Hamami i parë është ndërtuar në Shkup në vitin1484, nga Daut Pasha,

– Hamami i dytë në Sarajavë në vitin 1555, nga Gazi Husref Beu dhe

– Hamami i tretë në Prizren u ndërtua në vitin 1563 – 74, nga Gazi Mehmet Pasha – Sanxhakbej i Shkodrës (më1573-74).

Hamami i Gazi Mehmed Pashës gjendet në qendër të qytetit pranë Xhamisë së Kukli-Mehmed Beut dhe Xhamisë së Emin Pashës. Gjatë shekujve është restauruar disa herë. Në portën kryesore është vendosur pllaka me mbishkrim (1833) e cila tregon datën e restaurimit të hamamit nga ana e vëllezërve Mahmud dhe Emin Pashë Rrotulli, djemt e Emin Pashës. Në këtë pllakë mermeri 40×35 cm sakëtsisht shkruan: “Këtë hajrat – monument e restauroi mytesarrif Mahmut Pasha me vëllaun e tij Emin Pashën, djemt e Tahir Pashës” Viti 1249/H.1833″

Hamami gjendet në kuadër të ansamblit arkitektonik të themeluar nga Gazi Mehmet Pasha, bashkë me Xhaminë e Bajraklisë, shkollën e mesme (medresa), shkollën fillore (mejtepi), bibliotekën dhe mauzoleumin (tyrbën).

Ndërtimet e mureve janë bërë nga guri i gdhendur dhe tjegulla të formatit të madh, me një renditje të drejtë. Muret kanë një trashësi rreth 90 cm, të suvatuara nga ana e brendshme.

Pullazi i objektit ka dy kupola të ndërtuara mbi tambure, në pjesën e ftohtë (pritja) dhe nëntë kupola të vogla që janë mbi pjesën e ngrohtë të Hamamit. Pjesa e garderobës dhe kaldatores është e mbuluar me qemerë. Mbulesa është me tjegulla në pjesën e ftohtë, ndërsa me pllaka të plumbit në pjesët tjera. Përveç renditjes ritmike monumentale, duket që kupolat e vogla janë harmonizuar mirë me dy kupolat e mëdha, ndërsa këto dy kupola bëjnë ndarjen e hamamit në dy pjesë, në atë të meshkujve dhe të femrave.

Pjesa e hamamit për meshkuj është pak më e madhe se pjesa tjetër për femra.

Hamami ka të gjitha hapësirat e nevojshme. Përbëhet prej pjesës hyrëse, pjesës së garderobës, pjesës qendrore ku bëhej larja, djersitja, dëfrimi si dhe pjesës së kaldatores që gjendet në pjesën jugore të objektit.

Sesioni i larjes kishte paisje të ujit të ngrohtë dhe të ftohtë, ndërkaq të gjitha sesionet nxeheshin me instalime  speciale përfundi dyshemesë.

Në mes të hamamit gjendej shadërvani (fontana), ndërsa rreth shadërvanit gjendeshin ulëset prej gurit.

Deri në vitet 1964 Hamami ka qenë i rrethuar me lokale afariste, pastaj nis rrënimi i tyre dhe bëhet restaurimi – konservimi. Edhe në vitet 70 të shek. XX në hamam bëhen disa renovime të vogla, ndërsa gjatë viteve të ardhshme lihet në mëshirë të kohës. Prej vitit 2000 pjesa e ftohtë e Hamamit shfrytëzohet si galeri për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, artistike dhe edukative.

Hamami i Prizrenit është njëri nga objektet monumentale – me rëndësi historike, arkitektonike dhe ambientale.

NDËRTESA E VJETËR “BELEDIJE” NË PRIZREN!

Prizreni si qytet Muze ka shumë artefakte historike dhe objekte të vjetra karakteristike. Një objekt i tillë është dhe ndërtesa “Beledije”. Fjala “Beledije” në gjuhën turke do të thotë komunë!

Kjo ndërtesë gjendet në lagjen Tabakhane, në kufirin perëndimor të Zonës Historike të Prizrenit, buzë bregut verior të Lumbardhit (sot në mes të shkollës “Remzi Ademaj” dhe Kuvendit Komunal të Prizrenit) Është ndërtuar në fillim të shekullit XIX, dhe ka shërbyer si Komunë për administratën e kohës në Prizren.

Në prapavijë të fotografisë së vjetër shihet Xhamia e Mustafë Pashës, e ndërtuar në vitin 1562 nga Mustafë pasha. Sot nuk ekziston asnjë gjurmë e xhamisë, sepse në vitin 1950 pasi u rrënua minarja nga një stuhi e fortë ere, në vitin 1952 pushteti e rrënoi edhe xhaminë së bashku me oborrin e saj të madh me varreza. Në këtë vend ndërkohë u ndërtua tregu i gjelbër. Pastaj në vitet e ’80-ta u ndërtua godina e Bankës, në të cilin pas luftës u vendos selia e UNMIK-ut, ndërsa tani punon Administrata e Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Ndërtesa “Beldije” ka planimetri drejtkëndëshe dhe është e ndërtuar në kat. Karakterizohet me fasadë, dekorime të plastikës murale dhe me elemente të stilit Barok. Fasada ballore, mbi derën hyrëse e ka ballkonin e rrethuar me gardh të hekurt. Enterieri karakterizohet me elemente të drugdhendjes, në shtyllat e punuara, parmakët e shkallëve dhe tavanet. Në dhomën kryesore të katit, tavani është i punuar me drugdhendje dhe i zbukuruar me piktura murale. Në anën veriore të ndërtesës gjatë shekullit XIX rridhte përroi dhe pranë tij ishte ndërtuar kroi i gurit “Beledije” (shikoni foton e vjetër).

Me rastin e ndërtimit të aksit rrugor (që sot quhet rruga Remzi Ademaj) kroi i gurit është bartur në sheshin e Dëshmorëve. Në vitet 2010/2011, bëhet restaurimi i tërësishëm i objektit dhe aty hapet Qendra e parë Regjionale për Trashëgimi Kulturore në Ballkan. Në këtë ndërtesë gjithashtu gjendet edhe Zyra Turistike e Informimit për qytetin e Prizrenit.

Ndërtesa e Beledies si e tillë ka vlerë historike dhe arkitekturore!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura