GJENERALI NEBOJSHA PAVKOVIQ URDHËROI ASGJËSIMIN E DOSJEVE USHTARAKE TË LUFTËS NË KOSOVË (DOK.ARKIVORE)
Pashtriku, 15 shtator 2021
Deklarata e zv/kryeministrit Besnik Bislimi se janë pajtuar me Serbinë për hapjen e arkivave shtetërore, përfshirë edhe ato të UÇK-së, nxiti reagime të ashpra në Kosovë. Shumica e reagimeve kishin të bënin me faktin që UÇK nuk ka arkiva pasi që ka zhvilluar luftë çlirimtare.
RTK, më konkretisht emisioni hulumtues UDHËVE i datës 16.10.2020, pat zbardhur dokumente top sekrete të Ushtrisë Jugosllave dhe urdhërin e shefit të kësaj ushtrie Nebojsha Pavkoviqit për asgjësimin dhe zhdukjen e dosjeve të luftës të periudhës 1998-1999 në Kosovë.
Çuditërisht asnjë nga institucionet e Republikës së Kosovës, as ato politike e as ato të sigurisë e as të drejtësisë, por as shoqëria civile nuk e patën thënë as edhe një fjalë të vetme rreth kësaj çështjeje. Ndërsa asgjësimi dhe zhdukja e të gjitha dosjeve për të humbur të gjitha gjurmët e krimeve të kryera në Kosovë nga shteti serb sipas ekseprtëve të drejtës penale ndërkombëtare paraqet krim ndërkombëtarë. Në vazhdim do të publikojmë edhe njëherë të gjithë artikullin e postuar vitin e kaluar rreth kësaj çështje.
Ishte viti 2001 kur shteti serb ndodhej para një presioni të madh ndërkombëtar. Tribunali i Hagës kërkonte nga Serbia që t’i dorëzonte kriminelët e luftës në krye me Millosheviqin, si dhe t’i hapte hartat e varrezave masive nga lufta e Kosovës. Duhet të ketë qenë arrestimi dhe dorëzimi i Sllobodan Millosheviqit në Hagë, arsyeja që edhe brenda Ushtrisë Jugosllave të niste një aksion për zhdukjen e të dhënave për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Një dokument i Ushtrisë Jugosllave që mban datën 18.10.2001 i klasifikuar si “vojna tajna”(sekret ushtarak), zbulon një fakt tronditës. Bëhet fjalë për një urdhër të shefit të atëhershëm të “gjeneralshtabit” gjeneralkolonel Nebojsha Pavkoviq, i cili urdhëronte vartësit e tij që t’i asgjësonin të gjitha të dhënat arkivore (në origjinal) të komandës ushtarake të Korpusit të Prishtinës për periudhën nga: 01.01.1998 deri më 26.06.1999. Pavkoviqi po ashtu urdhëronte që, pasi të asgjësoheshin të gjitha dosjet origjinale, në vendin e tyre të vendoseshin të tjera dosje, në mënyrë që mos të vërehej se në arkiv mungonin dosje të caktuara.
Në dokumentin e cilësuar si rreptësisht konfidencial me numër 1737-3, sekret ushtarak i cili është urdhër-vendim i gjeneralit të shtabit të Ushtrisë Jugosllave Nebojsha Pavkoviq thuhet:
Fotodokument 1: Urdhëresa e Nebojsha Pavkoviqit dërguar vartësve të tij për asgjësimin e të dhënave arkivore të luftës së Kosovës, datë: 18.10.2001, Beograd)
Për këtë “mision” Pavkoviqi e kishte ngarkuar referentin tij ushtarak, Goran Jeftoviq, duke e instruktuar atë se me cilat dosje saktësisht duhej të merrej. Urdhri kishte edhe një afat kohor për t’u realizuar – deri më 01.11.2001 – ditë kur i ngarkuari Jeftoviq duhej të raportonte për realizimin e tij.
Pra, siç shihet edhe në dokument dosjet me numrat si: 007, 0010, 1333, 015.022.028, 24,28,028,031, e kështu me radhë sipas renditjes tabelare, mungojnë në arkivin e Ushtrisë Jugosllave dhe kopjet e të njëjtave, me gjasë, ose janë asgjësuar ose ruhen diku për nevojat që veç shteti serb i di.
Fotodokument 2: Lista me renditje tabelare e dosjeve të cilat urdhëroheshin të asgjësoheshin ose të largoheshin nga arkivi i Ushtrisë Jugosllave)
Marrë me shkurtime nga RTK.