GJOKË DABAJ: SIKUR TË MË KISH RRAHUR GRUAJA …

(Durrës, 19. 12. 2012) – Para disa ditësh shkrova një PLATFORMË mbi një veprimtari KOMBËTARE. Ajo PLATFORMË duhej realizuar ME DOEMOS. Ose e atillë siç e kam hartuar unë, ose disi ndryshe. Por gjithsesi ME DOEMOS, sepse në të ardhshmen do të jetë TEPËR VONË.
E publikoi portali ynë mediatik “Pashtriku”. Ua dërgova edhe organevet të tjerë, por nuk di a e publikuan. Aty, te “Pashtriku”, a e lexuan a s’e lexuan 15 shqiptarë. Po edhe 150, sa pare bën? Nga gazetarët, s’më besohet të ketë pasur kohë kush, as t’ia hedhë shikimin.
Problemi është aq i rëndësishëm, sa, nëse do të kishte Kombi ynë një gazetari mirëfilli funksionale, në shërbim të vetëvetes, si tërësi, jo në shërbim të rrogavet personale, te unë duhej të kishin ardhur me ngut të paktën disa nga gazetarët tanë. Mirëpo, ata nuk erdhën, sepse, siç thashë, s’më besohet as ta ketë lexuar ndonjëri prej tyre, përveç, ndoshta, vetëm titullit. Por kjo, nëse kanë lexuar vetëm titullin, është më keq, se në titull shkruhej kështu: “NËSE KOSOVA DËSHIRON T’I DALË ZOT VETES”.

( Lexoni këtu: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1114 )

Tani, që nuk erdhi askush te unë, që nuk më telefonoi askush, që s’më çoi askush as edhe një SMS, për t’u sqaruar më tutje lidhur me problemin, unë po përfytyroj një situatë… nga ato që gazetaria jonë i ndjek me pasion.
Sikur të më kish rrahur bashkëshortja e unë të kisha uluritur, sikur ndonjëri nga komshinjtë e mi të kish lajmëruar cilindo nga televizionet tanë ose cilëndo nga gazetat tona, sikur pas asaj rrahjeje të më kishin shtruar në spital, me 4 brinjë të thyera dhe me 3 rruaza të shtyllës kurrizore të zhvendosura, sikur të merrej vesh, qoftë edhe pëshpëriturazi, se filanin, një katundar të çfarëdoshëm të Shijakut, e rrahu e shoqja në bashkëpunim me jaranin e vet (Fatkeqësisht, ime shoqe nuk ka ditur të ketë jaran tjetër, përveç meje.), a do të kishin vrapuar gazetarët për të marrë vesh si u bë kjo punë?!
S’ka nevojë për kurrfarë supozimi, sepse ne po shohim përditë e përnatë, sa naftë, sa bojë stilolapsash dhe bojë shtypshkronjash, sa letër, sa para dhe sa ENERGJI KOMBËTARE po harxhohet për të sqaruar publikun tonë deri në imtësi për të këtillë evente. S’ka dyshim që do të kishin vrapuar gazetarët, me gjithë pajisjet e tyre supermoderne, me mikrofonë, me kamera, me aparate për regjistrimin e zërit tim autentik. Do të kishin marrë leje ose edhe do të kishin hyrë pa leje deri në dhomën e reanimacionit, ku unë do të dergjesha në gjendje kome. Nuk do të linin gjë pa bërë, për ta marrë dhe për ta përcjellë nëpër botë lajmin se si e rrahu gruaja e vet katundarin, të cilit s’ia kish ditur emrin as fshati përtej lumit.
Gruaja ime do të ish bërë papritur shumë e famshme. Pyetjet që do të na bëheshin, do të ishin nga më të çuditshmet.
“A keni ndërmend të divorcoheni?
Nëse divorcoheni, kujt do t’i jepet kuzhina e banesës suaj, deri tash të përbashkët?”
Gruas time do t’i bëheshin pyetjet:
1. “I dashuri Juaj, a do të banojë tash e tutje në dhomën ku keni fjetur 25 vjet me ish-burrin Tuaj brinjëthyer?”
2. ”A bën pjesë, edhe kjo rrahje, në luftën që sot po bëjnë gratë, në shkallë globale, për të fituar të drejtat që u janë mohuar?!”
Ndërkohë, PLATFORMËN, në të cilën bëhet fjalë për një KOMB, të rrahur e të thyer brinjësh, për KOMBIN SHQIPTAR, të cilit po vazhdojnë t’ia thyejnë brinjët 1 nga 1, as 15 vetë nuk e lexuan dhe as edhe 1 gazetar s’e mori mundimin për ta amplifikuar zërin e asaj PLATFORME!
Lexoni tash, bashkëkombës të mi, PLATFORMËN E IVICËS. Lexojeni, se ajo na vjen përshtati ne shqiptarëvet! Ai është DAJAKU që ia heq reumën Kombit, i cili gazetarët i ka… më pak largpamës se katundarët!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura