Prishtinë, dhjetor 2012 – Kur dhunimi shndërrohet në dashuri, pa alkimi) – Jemi popull që çdo zhvillim politik a personal përpiqemi ta shesim si ngjarje historike. Qoftë edhe një dështim të zakonshëm. Sigurisht, për t’u paraqitur më bindës para atyre që duam t’ua shesim paçavurat tona personale dhe politike si të arritura të përjetshme. Të amshueshme. E tillë ka qenë dhe duket se po mbetet historia jonë të cilën nuk e kemi shkruar vet por na e kanë shkruar dhe rishkruar të tjerët. Madje edhe robëruesit apo dhunuesit tanë. Tash, kur i kemi dy shtete shqiptare e që vërtet nuk na duhen fare kur është më se normale të jetë vetëm një shtet shqiptar për të cilin jam angazhuar gjithmonë dhe do të angazhohem edhe në të ardhmën duket se edhe historia e ndanë fatin e dy shteteve.
Në Shqipëri është një histori ndërsa në Kosovën e Ahtisarit një histori tjetër. Kuptohet, me bartës të ndarë të proceseve historike dhe personalitete që po e vulosin historinë më të re. E shkruar sipas intereseve dhe “fakteve” të atyre që janë në pushtet dhe nga të cilët edhe fillon historia e re. Histori të vjetër nuk kemi dhe as që na duhet ndryshe nuk do të ishim “young Europeans“. Paramendojeni Hashim Thaçin, Ismet Beqirin, Arben Gashin, Burim Ramadanin, Glauk Konjufcën, Petrit Selimin apo Enver Hoxhajn si “old Europeans“! Thjesht, e paimagjinueshme! Po të ishte ndryshe dhe po të kishim mundësi ta shkruajmë vërtetë një histori objektive kombëtare pa ndërhyrje politike nuk do të vinim në situatë që Doktori i Tropojës që doli nga shinjelli i Enver Hoxhës të bëhet aq demokrat dhe aq djathtist (duke bërë përpjekje titanike për mohimin e së kaluarës së tij staliniste apo majtizmit bizantin) që të rehabilitojë figurat kontraverse që dëmtuan shumë çështjen kombëtare dhe shtetërore duke e shpallur personalitet me merita të mëdha për kombin dhe shtetin një cub që pasi e dhunoi shtetin e shpalli veten mbret pa pasur as një fije të vetme lidhjeje me mbretërinë! Madje, mbreti cub vrau Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin dhe shumë personalitete tjera për të cilët kemi menduar se kanë punuar për kombin dhe shtetin shqiptar. Tash, cilës histori duhet t’i besojmë ?! Asaj të Sali Berishës apo fakteve të deritashme! A mund të merret si fakt historik që në emër të luftës kundër majtizmit apo opozitës majtiste përkatësisht Edi Ramës të rehabilitohen ata që e dëmtuan kombin dhe shtetin duke mbajtur pushtetin me xhandarë të Serbisë dhe bellogardistë të Rusisë dhe duke paguar rrogat për xhandarët e cub-mbretit nga buxheti i Nikolla Pashiqit! Që e lanë kombin dhe shtetin në kohët kur ai duhej të mbrohej dhe ia mbathën, me shpurën dhe pasurinë e plaçkitur për Egjipt dhe Afrikë të Jugut! Mendja e shëndoshë thotë se nuk mund të jenë kombëtarë edhe mbreti cub Ahmet Zogu dhe Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri dhe patriotët e tjerë të vrarë nga mbreti cub. Dhe nuk mund të vlerësohen njëjtë! Qoftë edhe nga Sali Berisha që pretendon që në moshën e gjyshërisë së shtyrë të bëhet Baba i të gjithë shqiptarëve. Aq më parë që kjo përpjekje e Sali Berishës është çështje marketingu për përfitim politik. Ndryshe nëse e ka përnjëmend të gjithë shqiptarët botërisht do ta përkrahin dhe rreshtohen pas tij!
Në Kosovë është paraqitur një rishkrues i historisë duke kërkuar ndryshimin apo riformulimin e teksteve të historisë. Në emër të mënjanimit të gjuhës së urrejtjes. Ai është z.Davutogllu, ministri i jashtëm turk që i dorëzoi një ferman Ramë Bujës që ky rishikim të bëhet me urgjencë! Pa humbur kohë! Rama e mori shumë seriozisht këtë “kërkesë“ dhe duket se në librat e historisë okupimi 500 vjeçar otoman i Kosovës do të paraqitet si bashkëjetesë miqësore midis dy popujve me probleme të vogla të kohëpaskohshme që nuk kanë ndikuar në prishjen e miqësisë! Nuk është normale të veprohet ndryshe kur turqve ua kemi shitur – falur pasurinë tokësore, nëntokësore dhe ajrore të Kosovës dhe kur fëmijët tanë i rrisim me ninullat për sulltaneshen Hyreme dhe sulltanët e tjerë të ish perandorisë! Ramë Buja nuk e thotë ate që duhet t’i thuhet Davutogllut se historinë e shqiptarëve e shkruajnë shqiptarët sikur që historinë e turqve e shkruajnë turqit. Apo historianët botërorë që mbështeten në fakte dhe jo në përpjekje për ringjallje të perandorisë së dështuar për rikthim përmes gllabërimit ekonomik, kontaminimit kulturor apo mohimit të fakteve. Nëse mbështetemi në doktrinën e Davutogllut atëherë me serbë duhet të jemi edhe më miq se me turqit sepse, nëse turqit na kanë mbajtur në robëri 500 vjet, serbët na kanë mbajtur 130 vjet! T’i thuhet se nuk mund ta ndërtojmë ardhmërinë duke e mohuar të kaluarën dhe se miqësia e sotit dhe ajo e së ardhmës nuk mund të kushtëzohet duke mohuar robërinë e së kaluarës! E vërteta është hallall!
Dy A me yje dhe tre B nën hije
Në historinë më të re të Kosovës dhe shqiptarisë në përgjithësi janë dy yje që nuk janë shuar dhe nuk do të shuhen kurrë! Adem Demaçi dhe Adem Jashari! I pari si Komandant Legjendar Shpirtëror, Politik dhe Kombëtar në luftë për liri dhe shtet të shqiptarëve dhe si shembull sakrifice për të gjithë popujt e robëruar që e gjakojnë lirinë ndërsa i dyti si Komandant Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u sakrifikua fizikisht për t’u shndërruar në shpirt gjithshqiptar e që nënkupton pavdekësinë e tij apo amshimin e përjetshëm! Me të dy Ademat mburremi kur na bie adrenalina kombëtare dhe kur kemi deficit patriotik. O Hashim Thaçi ta di për nderë që ma mësove shprehjen deficit patriotik dhe tash po e përdori dhe keqpërdori majtas dhe djathtas! Si të kalojë kjo mungesë menjëherë i harrojmë! Adem Demaçi dhe Adem Jashari janë kryefjala e rezistencës kombëtare për liri dhe pavarësi të shqiptarëve dhe pa ta liria dhe pavarësia mbeten shprehje pa përmbajtje dhe pa kuptim! Por edhe në këtë rast ”historianët“ davutogllu të vendit po bëjnë përpjekje ta rishkruajnë historinë. Duke bërë përpjekje t’i shfrytëzojnë vetëm kur kanë nevojë apo edhe t’i margjinalizojnë politikisht dhe kombëtarisht gjithashtu kur kanë nevojë! Adem Demaçin shumë herë e kanë shpallur të krisur, që nuk i prenë sakica në një vend, i shitur te Serbia, Hashimi apo te Brahimi. Për këtë arsye nuk e paskanë vrarë serbët gjatë qëndrimit në Kosovë kur zhvillohej një luftë deri në asgjësim të shqiptarëve. Për këtë arsye e paskan lënë të hap Zyrën e UÇK-së në gojën e armikut në Prishtinë duke mos e penguar! Pastaj, horrat thonë se Adem Demaçi nuk ka qenë në burg 28 vjet të plota por në pushime nën përkujdesjen e UDB-së. E mallkuan që nuk e pranonte Rambujenë dhe për këtë e pushkatuan publikisht shkrimtarë, politikanë, horrat e gazetarisë dhe ata që ”ikën” si “disident” për të fituar Çmimin nobel në emër të demokracisë! Adem Jasharin, këta që i kthyen prapanicën Serbisë e akuzonin si simbol të tiranisë. Jo vetëm në Prekaz, kryeqytetin e Pavarësisë së Kosovës ku jetonte, vepronte dhe bëri një sakrificë biblike por edhe në qytetet tjera të Kosovës ku minjtë e “demokracisë” gërryenin dhe përqeshnin sakrificën e këtyre figurave reale të shndërruara në mitike! Tash, ku kanë mbetur dy Ademat me yje?! I pari Adem Demaçi, jeton në Prishtinë thuaja në margjinë. A ju kujtohet nëse edhe në datat apo ditët me rëndësi historike i është dhënë mundësia që nga foltorja e Kuvendit të Kosovës si tempull i demokracisë popullore t’i drejtohet miletit, në emër të shtetit?! Jo, sepse aty janë rezervuar vendet për tre B nën hije, dy prej të cilëve më parë kanë qenë edhe hafije! Apo lexojini librat e historisë në Shqipëri dhe Kosovë dhe e gjeni tekstin për Demaçin në dy rreshta të shkruara nga historianët pleshta! Prishtina po ndërton sheshe të bukura. Po sheshin nuk e zbukuron as graniti, mermeri dhe ndërtimet e tjera por vepra e atyre që e krijuan historinë, o koka të mjera! Prishtinës i mungon Adem Jashari, Komandanti Legjendar i cili e bëri historinë më të re të shqiptarisë duke u shndërruar në udhërrëfim të lirisë! Lëreni historinë që na e shkruan Titoja, Ali Shukriu, Sinani , Fadili dhe x kopili dhe kthehuni asaj të vërtetës e cila do të ligjerohej në Sheshin Adem Jashari në Prishtinë nga Komandanti Shpirtëror i shqiptarëve Adem Demaçi me të gjithë ata që me djersë, mundime, sakrifica dhe gjak vërtet e shkruan historinë!
Prishtinë, 28 dhjetor 2012
=========================================
BEHXHET SH.SHALA: PLATFORMA E SERBISË DHE KUVENDI I HAJKOBILLËS!
Kush në fakt u dorëzua
Politikanët tanë kanë një mendim fenomenal për veten e tyre. Thuaja se vetëm ata janë në këtë botë dhe se të gjitha enciklopeditë e botës mbajnë autorsinë e tyre. Krenohen me diplomat e tyre dhe titujt shkencorë që, ose i kanë blerë me para, ose i kanë fituar sipas literaturës së “nobelistit“ Al Kapone apo Pablo Eskobar e mbase edhe me fuqinë politike kur kemi parasysh injorancën, servilitetin dhe elasticitetit të shtyllës kurrizore (për ata që e kanë) të një pjese, mos ta themë shumicës së inteligjencës së korruptuar dhe kompromituar kosovare! Çfarë inteligjence kemi, politikanët janë të mrekullueshëm! E sidomos Akademinë e Shkencës dhe të Arteve! Që aq shumë ka kontribuar për lirinë e Kosovës dhe tash, në këtë fazë aq të rëndësishme nëpër të cilën po kal(ër)on Kosova po kontribuojnë në forcimin e shtetndërtimit të saj. Duke hartuar plane veprimi, strategji dhe platforma. Ama origjinale! Prodhime vendore e jo sikur Serbia që e ka , thënë troç kopijuar platformën e Katalonisë e cila po kërkon pavarësi nga Spanja e Hulio Iglesiasit ! Ne nuk kopijojmë prandaj nuk bëjmë platforma. Në deklaratat e atyre që kanë negociuar teknikisht dhe politikisht me Serbinë është theksuar një triumfalizëm i skajshëm.në stilin :” e mundëm Serbinë, ia futëm Stefanoviqit, e deklasuam Daçiqin, do ta shkatërrojmë Nikoliqin, politikisht e pensionuam Tadiqin , ia humbëm faren në Nju Jork Ujk (OKB) Jeremiqit, do t’i mbyllim gojën me bajgë Vuqiqit etj.etj. Besoni lexues të nderuar se ndjeja keqardhje për atë që ia bënin Serbisë dhe politikanëve të saj këta burra dhe burrnesha kosovarë-e! Mendoja me vete se si qenka e mundur që ne, bijtë dhe bijat e së Lumnueshmës Nëna Tereze të bëhemi aq të pashpirtë dhe aq mizorë! Të bëhemi aq shkatërrues të paqes dhe kompromitues të humanizmit në kohën kur Nëna e Kalkutës ishte laureuar me Çmimin Nobel për Paqe dhe Humanizëm! Kjo është dëshmia më bindëse se: ”prej beteri del Skenderi e prej Skenderi del beteri!” Negociuesit tanë, të të gjitha gjinive dhe të të gjitha përcaktimeve tërë kohën janë vetlavdëruar prandaj kemi fjetur dathë, me këmbë të lara dhe duar të palara! Shqiptarët kanë pasur dy nobelist: Nënën e Kalkutës dhe Babain e Viagrës! Dhe këtu del se kanë bërë llogari të gabuar. Janë mbështetur kryesisht në doktrinën e Nënës së Kalkutës ndonëse kanë pasur më shumë nevojë për Ferid Muratin, Babain e Viagrës! Të forcohen më shumë. Të bëhen me çoke! Për zëvendësim kanë kërkuar çoke në Vashington dhe Bruksel! Te ata që me këto rekuizite e kanë furnizuar Serbinë tërë kohën! Politikanët tanë, me shpurën përcjellëse për bartjen e valixheve, garderobës, qeseve me gjësende të blera në Gucci, Armani, Versace dhe Prada duke kundërmuar me Shanel no.55 (no.5 është tejkaluar për këta tanët moti) kanë shkërdhyer pamëshirshëm paratë e shtetit më të pasur në Ballkan, Evropë dhe më gjerë duke fjetur në hotelet luksoze dhe duke udhëtuar me klasë biznesi! Tamam si u takon politikanëve biznesmenë!
Serbia e bëri publike platformën e Katalonisë për Kosovën veriore dhe aty ku jeton edhe një serb i vetëm. Dikush mund edhe të bëjë hajgare me këtë por mos harroni se Katalonia me këtë platformë do të shpall referendum për pavarësi nga Spanja në vitin 2014. Kosova veriore me metastazat në pjesët tjera të saj mund të shpall referendum për pavarësi dhe shkëputje nga Kosova duke iu bashkuar Serbisë më vonë! Kur të qetësohen gjakrat!
Mashtrimet optike dhe ngulitjet praktike
Bashkësia ndërkombëtare ka përdorur standarde të dyfishta me Kosovën dhe qytetarët e saj. E ka perkëdhelur Serbinë duke i bërë lëshime të vazhdueshme dhe duke flirtuar me te në shtrat me pupla. Neve na ka futur në shtrat të Prokrustit duke na mashtruar tërë kohën. Serbisë Marrëveshjen për Stabilizim Asociim neve Raportin e Progresit! Serbisë liberalizimin e vizave neve rradhët e gjata para ambasadave për viza. Jemi i vetmi popull në Evropë që kurdiset në ora tre të mëngjesit para ambasadave të huaja si dikur shqiptarët në Shqipërinë e Enverit që kurdiseshin në ora tre të mëngjesit për të blerë një litër qumshët dhe dy kokrra vezë! Serbisë bisedimet për anëtar të BE-së, Kosovës bisedimet për anëtar të Koza Nostras! Serbisë lirim nga doganat dhe taksat për mallin që hynë në Kosovë ndërsa neve na doganohen edhe pordhët që i bëjmë për të cilat paguajmë edhe TVSH ose tatimin në vlerë të shtuar! Serbët nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar ndërsa neve na rrinë KEK (turk bismilah) me dara në duar dhe plus dy punëtorë të sigurimit me tre policë të përbashkuar dhe nuk dimë nëse duan ta këpusin rrymën apo atë senin! Serbia ndanë pasaporta për serbë, shqiptarë të Kosovës, “serbë“ të Fierit dhe Tiranës, Greqia ndanë pasaporta greke për çdo shqiptar të Shqipërisë, kinez të Greqisë, vorioepirot të Libisë ndërsa tërë bota ngrihet në këmbë kur Shqipëria thotë se do të lëshojë pasaporta për ata që janë shqiptarë ndërkohë që më së shumti pasaporta në Shqipëri kanë marrë ata që dikur deklaroheshin si jugosllav ndërsa tani, duke mohuar kombin shqiptar e kanë sajuar një “komb” kosovar! Vazhdimisht po mashtrohemi! Edhe tash e kemi mbytur Serbinë sepse nuk po ua pranojmë platformën. Serbia platformën të cilën nëse jo 100% BE do ta përkrah pjesën më të madhe të saj! Po nëse nga platforma e propozuar e Serbisë realizohen vetëm 10%, atëherë Kosova do të shndërrohet në Kurdistan! Dhe ky ka qenë qëllimi i Serbisë ! Sepse Serbia në këtë fazë të proceseve ka qenë shteti i fundit që ka pasur interes ta ndaj pjesën veriore të okupuar të Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare ka garantuar se kufijtë e jashtëm të Kosovës nuk do të ndryshojnë ndonëse aktualisht kontrollohen nga serbët dhe Serbia! Tanët gjithashtu kanë përsëritur psalmet e BE për mosndryshimin e kufinjve të jashtëm. Prej ndryshimit të kufijve të jashtëm më së shumti do të përfitonin shqiptarët ndërsa humbësit më të mëdhenj do të ishin serbët! Shqiptarët përfundimisht do të zgjidhnin çështjen kombëtare . Kështu, pas një kohe , nëse do të jenë gjallë Halil Matoshi dhe Nexhmedin Spahiu do të formohet një lëmsh leshi me shqiptarë dhe kosovarë! Dy shtete lesh-ko! Edhe tash Serbia po e ofron platformën e Katalonisë për Kosovën veriore ndërsa këta kursantët tanë politik po e ofrojnë Kushtetutën e Kosovës dhe Pakon e “presidentit“ Ahtisari! Në kohën kur Serbia Kosovën e ka pjesë përbërse të Kushtetutës së saj, Kushtetuta e Kosovës e ka Pakon e Ahtisarit në zemër të saj! Pashë Zotin dhe nëse edhe vetëm 10% jeni bijë dhe bija të Nënës së Kalkutës mos na mbroni më me pakon e Ahtisarit në bisedime me Serbinë! Se, do të na ndihmoni, do të na ndihmoni si Bajram Rexhepi atë plakën në Reçak! Edhe ashtu Pakoja e Ahtisarit na i ka luajtur njëqind mijë nëna. Besoj se mjafton me kaq. Ahtisari ka qenë i huaj. Ai nuk ka punuar për pavarësinë e Kosovës por për para dhe Çmimin Nobel! I ka fituar të dyjat andaj mos e përmendni më! Në fund të fundit , gjendja në veri të Kosovës dhe krijimi i një populli supermen serb në Kosovë është bërë nga Ahtisari ndërsa Platforma serbe është rezultat i ngjizjes në bazë të interesit material, politik, strategjik të padronëve të Ahtisarit me Serbinë dhe aleatët e saj!
Përfundimisht veriu i Kosovës është ndryshe dhe do të jetë edhe më ndryshe në të ardhmën. Pavarësisht retorikës së sforcuar të politikanëve tanë se nuk do të lejohet me asnjë çmim kjo! E sidomos të Blerim Shalës që njihet si njeri i pakompromis kur është në pyetje mbrojtja e interesit kombëtar dhe shtetit të … Kosovës! Ani pse paguhet mirë për këtë sakrificë! Hallall i ka! Ndërkombëtarët ia kanë vënë çmimin Kosovës duke ia ulur shumë vlerën. Madje edhe po e falin! Po ia falin Serbisë një pjesë të saj sikur që i kanë falur që nga viti 1999! Ndërkombëtarët e kanë krijuar veriun dhe e kanë mirëmbajtur në ndërkohë që disa OJQ, përfitues të granteve milionëshe deklaronin se veriu u krijua si rezultat i dhunës së shqiptarëve ndaj serbëve! Tash, të njëjtit kanë radikalizuar qëndrimet duke akuzuar qeverinë me dy kryeministra si UÇK qeveri që po e lejon autonominë apo statusin special për Veriun! Janë ngatërruar leshrat krejt!
Pavarësisht se qysh para tre vjetëve kam shkruar se si do të zhvillohen ngjarjet nuk më vjen aspak mirë nëse parashikimi im do të dali i saktë! Po, megjithatë duket se do të ndodhë kjo. Po duket një dritë në fund të tunelit. Kuvendi i Hajkobillës apo Hani i Jakupit siç do ta quanin shakaxhinjtë e Leshkoqiqit! Ky Kuvend është vija e fundit e mbrojtjes së atdheut! Vija e vdekjes. E cila nuk do të kalohet: ”për pa mbetë Kosova n’çika“! E Ismet Beqiri dhe Skender Hyseni, çika po ju duken a?
Prishtinë, 21 dhjetor 2012