KONCERTI INAUGURUES, PRISHTINË MË 31 TETOR 2021

KONCERTI INAUGURUES, PRISHTINË MË 31 TETOR 2021

Nga Prof. Elife Podovrica Jashari, Prishtinë 02. 11. 2021

-O my God…! Mbeta e shokuar në momentin kur zbrita nga makina, dhe vërejta se aty rrotull s’kishte frymë njeru. Domethënë, kisha shkuar te salla e gabuar, dhe  më kishin mbetur edhe 10 min, para se të fillonte mbrëmja inauguruese..Falë dy semaforëve që pata fatin të ishin në dritën jeshile, unë duke vrapuar  arrita deri në hyrje të sallës. Aty më priste një kontrollë e rreptë identifikimi. E parapërgatitur për këtë gjë,  menjëherë nxora letrën e identifikimit si dhe dkm që i kisha të dy vakcinat.Nejse….hyra në sallë me ndihmën e një komshiut i cili u gjind në momentin kur dy policët po kërkonin emrin tim në listën e të ftuarëve. Iu falenderova komshiut shumë herë për respektin që tregoi dhe hyra në sallën e mbushur përplotë njerëz.Kisha emocione të shumëfishta.Sonte po inagurohej themelimi i Operës së Kosovës.O zot! Kjo ishte ëndërra që më kishte mbështjellur nën flatrat e saj për tërë këto vite.

Dhe si çdoherë në kësi rastesh, shëtitja nëpër vitet e shkuara, bëhet e pranishme në çdo cep të memories.Mundohesha me buzëqeshje që u dhuroja njërëzve  me të cilët përshëndetesha , t’i trembja kujtimet e mia dhe të shijoja mbrëmjen madhështore që më çfaqej para meje , me skenën tërë lule, me orkestrin e madhë, me solistët që si yje të zjarrta shkëlqenin në sfondin  artistik , me sharm e delikatesë të ëmbël artistike.

Por, jo!Mua më rrëmbente çdo gjë sonte në krahët e së kaluarës.E si të largohesha! Aria e parë që u interpretua në mbrëmje ishte”Regnava nel silencio”e kompozitorit italian G.Donizetti..Kjo arie ishte edhe aria ime e parë në koncertin tim promovues të pas luftës dhe rikthimit tim në Kosovë,pas një dekade të tërë jete e veprimtarie jashtë saj.Derisa po këndonte solistja me zërin dhe timbrin e saj të këndshëm e të mveshur kujdesshëm me një teknikë vokale të përpunuar për shumë vite,ashtu siç e do arti i të kënduarit klasik, dhe tek po e shihnin dhe e dëgjonin njerëzit tërë admirim, mu kujtua patjetër salla e zbrazët  me vetëm pesë njerëz në publikë .E gjora unë, nuk e kisha menduar se edhe në ato kushte mjerimi të pasluftës , ku gjithëçka i vinte ende era shkrumb e hi, për t,u mbushur salla me njerëz duhej të siguroje ftesa për secilin.Nuk më kishte informuar askush se pllakati i vënë në disa institucione ku funkciononte jeta kulturore, nuk mjaftonte për të ardhur njerëzit në mbrëmjen koncertale.

…dhe të këndoje në sallat e zbrazëta pa njerëz, në sallat e ftohta pa nxemje dhe pa rrymë, nën dritën e qirinjëve, ishte bërë trend i kohës për shumë vite.Por, nuk ndaleshim.As nëpër shkolla ku edukonim gjeneratat e para artistike të pasluftës, e ku shumicën e kohës mësimin e bënim në gjysëmterr.

Kthehesha prapa, dhe mundohesha që zërin e Adelina Palojës ta shijoja vetëm tash. Por jo! Finesat e saja kolorature të bëra me shumë mjeshtëri artisike , më kthenin prapa, në momentin kur kishte ardhur të më luste që të punoja me të , sepse kishte vendosur që në fakultet do të konkuronte në drejtimin e Cantos.Adelina ishte një gocë shumë punëtore, e zellshme,që e donte me shpirt këndimin klasik!Adelina e dal dhe e shpëtuar nga rrënojat e luftës, ishte një vajzë me moshë të njomë,por  që donte të këndonte serenata e Schubertit gjerman, ariet klasike të Mozartit, këngët e bukura shqiptare. Donte t,i mësonte bukur,që të bëhej e zonja t,i promovonte ato me shumë krenari nëpër botë.Dhe e arriti këtë gjë!Ajo sot,është një soliste performuese nëpër shumë skena europiane, si në Paris, Milano,Londër e kudo që i jipet mundësia për të shpalosur vokalin e saj magjik.

I gëzohem me shpirt çdo finese në zërin e secilës soliste sonte, sepse jam pjesë vibruese e qenies së tyre, duke i kuptuar shumë mirë drithërimat e skenës, përgatitjet shumëorëshe  e shumëditëshe për të arritur kulmin e realizimit artistik të veprës së përzgjedhur, e cila duhet të bëhet me mjeshtrinë më të madhe në kësi raste, kur i ke vetëm disa minuta në hapësirë,  për të dëshmuar  pjekurinë dhe elegancën tënde artistike.Është një punë që ngërthen në vete shumë përkushtim, vullnet,dashuri  dhe respekt të pafund ndaj çdo note të shkruar në pentagram.E shumë durim nga ata që i ke rrotull vetes tënde,sidomos në ditët afruese me mbrëmjen koncertale.Kështu ka bërë edhe solistja tjetër e mbrëmjes Zana Abazi Ramadani me arien e saj të bukur”Je veux vivre”të kompozitorit Charles Gounod nga opera e tij “Romeo et Juliette”.

Derisa Arta me “Madam Batterfly”të Puccinit, po shpërthente vrullshëm me vokalin e saj, për të sjellë në skenë  imazhin e duhur të gruas që po e detyronin të braktiste fëmiun e saj, mua filluan të më rridhnin lotët. Qaja për “Madam Batterfly”,dhe fatin e saj tragjik si nënë,e cila nën tingujt e fuqishëm të rzërit të Artës, u soll me shumë  ndjeshmëri dhe emocion. Ajo gjatë tërë kësaj periudhe sa duhej të përgatiste arien e saj të përzgjedhur dhe të përpunuar teknikisht nga mentori i saj në Berlin, e kishte” ndalë” kohën dhe koha  duhej të rridhte vetëm përmes notave që ajo duhej t,i vinte në vendin e tyre.Sepse,solisti duhet ta përpunojë rolin në detajet më të imëta të teknikës vokale, duhet ta zbërthejë karakterin e saj përmbajtësor, duke u  identifikuar mirë  me rolin që këndon . Duhet të kuptojë dhe të jet i aftë në dikcionin korrekt të çdo rrokjeje të fjalës poetike, që kompozitori ka përdorur.E për këtë gjë, duhet shumë orë studimore e praktikuese. Duhet të dish gjuhën  dhe të njohësh mirë kulturën e popullit që kompozitori i veprës i takon.Andaj,arti i të kënduarit klasik,është tejet specifik dhe ky komunitet  njërëzish , që kanë vendosur të jenë bartës të tij,  janë  tejet të veçantë , prandaj duan përkujdesje të shumfishtë!-Nga ata që i edukojnë dhe i motivojnë t,a rrahin këtë rrugë sa të vështirë, poaq të bukur , nga institucionet shtetërore  në kuptimin e sallave adekuate , të pajisura me akustikën e nevojshme dhe ambientin e ngrohët artistik.Nga rrethi familjar në të cilën ata presin mbështetje e mirëkuptim të skajshëm .

-Skena është   sakrificë-ishin fjalët e znj.Inva Mula,të cilën mbrëmë kishim nderin t’a kishim në mesin tonë .

Krejt në hyrje të mbrëmjes, orkestra ekzekutoi  uvertyrën  e operës “Goca e Kaqanikut” e shkruar para 50 vitesh nga kompozitori Rauf Dhomi.Më shkonin mornica nëpër trup, nga gëzimi që kompozitori i operës së parë kosovare, po e përjetonte këtë gjë në mbrëmjen inaguruese për themelimin e Operës Së Kosovës.Uvertyra u dirigjua nga dirigjenti i ri e me perspektivë ,Edon Ramadani.

E si mos të kthehesha prap në valsin e viteve.Ishin vitet ’90, kur unë isha duke interpretuar në një trio me dy koleget e mia,fragmente nga opera “Goca e Kaqanikut”, në hapësirat e RTP-së së atëhershme, kur policia sërbe e armatosur gjer në dhëmbë, pat hy at ditë kah ora 10 e paraditës dhe na pat hudhë në rrugë me grykën e automatikëve super modern , për të ia ndalë hovin çdo poreje në jetën shqiptare të atyre viteve për një dekadë të tërë.

Më dukej si një ëndërr  dhe e përjetoja si një relikt kohërash në vajtje-ardhjet e tyre ,derisa vëreja fytyrën e Presidentës së vendit,Kryeministrit dhe shumë mysafirëve tjerë të nderuar, të cilët me admirim dëgjonin tingujtë e veshur me motive të bukura  shqiptare muzikën e uvertyrës në fjalë.

Skena e mbrëmëshme u stolisë edhe me “toreadorët” e operës “Carmen” të Zh.BIze, nën vallëzimin tejet simpatik të trupës së baletit, të cilët veshur me uniformat kuq e zi,i  dhanë një bukuri skenës , e cila herë dridhej nga hapat e tyre vallëzues,e herë nga zëri i solistëve me pjekuri dhe përvojë  artistike edhe jashtë vendit, siç ishte shumë e dashura tashmë për audiencën kosovare,Flaka Goranci,e cila me “Habanerën”  e op.”Carmen”, shpalosi tërë at sharm vokali prej mezzosopranoje të ëmbël e tejet profesionale. Për të vazhduar pastaj, me performancën e shkëlqyer të Armando Likajt, i cili është çdoherë i gatshëm që skenën shqiptare të Prishtinës, ta zbukurojë me këndimin e tij prej solisti operistik, tradita e së cilës në Shqipëri tashmë shënon 70 vjetorin e saj,që nga viti kur Prenk Jakova i çmuar, kompozoi operën e parë shqiptare “Mrika”.Natyrishtë, që vullneti i intelektualëve dhe artistëve të të gjitha trojeve shqiptare, nuk ka munguar në asnjë moment,sikur edhe prezenca dhe performanca e shkqlyer e Armandos, edhe përpilimi i programit artistik  që në mbrëmjen inauguruese  të themelimit të Operës së Kosovës, të ketë pjesë të shkëputura nga opera e parë shqiptare”Mrika”.Me mjeshtëri dhe dashuri ndaj motiveve të bukura shqiptare, në skenë u soll dueti i interpretuar shkëlqyeshëm nga Liridon Sadriu dhe Kaltrina Miftari.

Dhe krejt në fund, gjersa po interpretohej kori i hebrenjëve “Va pensiero”, unë prap e gjeta veten tek përgatisja nxënësit e mij, për të dal në skenë dhe për të kënduar po të njëjtën pjesë , në vitet e para të pasluftës!Atëherë kur sallat mbusheshin jo me Kryeministrin e vendit dhe eskortën e tij, por me kryeadministratorë që përkujdeseshin për ndërtimin e shtetit më të ri në botë.Dhe kori i hebrenjëve nuk çfaqej në një mbrëmje operistike, por për të nderuar jetën dhe sakrificën e një djaloshi të ri-Dëshmorit të kombit Zahir Pajaziti.Krejt çka më mbetet e pashlyer në imazhet e atyre prezantimeve është fenomeni i çudisë. Çudia në ato ditë të acarta të pasluftës në Kosovë, ishte e dy anëshme.Çuditeshin ndërkombëtarët që në Kosovën e djegur paska edhe profile të tilla, që Dëshmorin e tyre po e nderuakan me “Va pensiero”nga op.”Nabucco” e G.Verdit. Ndërsa çudia e palës tjetër, ( e njerëzve tanë), të cilët absolutisht  nuk e dinin se çfarë na ishte kjo gjë,dhe pse duhej të këndohej në italisht me rastin e nderimit të figurës së Zahir Pajazitit.

Nga tërë ky rrëmbim kujtimesh, dhe nga tërë ai vrullë emocionesh që përjetoja mbrëmë, e gjeta veten në fund, duke duartrokitur me pasion gjersa po interpretohej pjesa e fundit e mbrëmjes operistike,”Libiamo ne lieti calici”nga op.”La Traviata” e Verdit. Me shumë nostalgji po i flisja në vesh , koleges sime Besa Berberit ’A e sheh moj zemër! Kur u formua opera, ne të dyjat në stolat e saj duke duartrokitur”.Më shikoi me një shiqim të largët mallëngjyes e shumë domethënës.Besa, e cila kishte kryer studimet e cantos me shumë sukses në Zagreb, kishte kënduar në Londër,dhe menjëherë pas luftës,sikur edhe unë,dhe gjithë artistët tjerë ,ishte kthyer në vendlindjen e saj, për të dhënë kontributin dhe për të mbrrijtur dhe shijuar një mbrëmje si kjo e sotmja.

_Nuk është pak ,a? Ma ktheu ajo tërë buzëqeshje dhe mall që i shihej në sytë e saj ngjyrash jeshile.

Ngadal  erdhi edhe fundi i kësaj mbrëmjeje  ku  zakonisht bëhen foto të shumta me solistët, shprehen urime të përzemërta nga të gjithë.

Mbrëmë të emocionuar u ndanë edhe Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti,Presidentja e vendit,znj.Vjosa Osmani,e cila me modesti , përzemërsishtë uronte çdo solist dhe çdo pjesmarrës të mbrëmjes artistike.

E ne të gjithë të egzaltuar flisnim,uronim e përqafonim njëri-tjetrin ! Ishte themeluar Opera e Kosovës.URIME koleg, urime gjithë artistëve , urime Shtetit të Kosovës, i cili me formimin e saj, do të ketë një yll më shumë në imazhin e saj në Botë! Urime gjithë profesorëve të mij të dashur të cilët kanë rritur dhe motivuar dëshirën për të kultivuar artin e së bukurës! Urime të përjetshme edhe profesorëve tanë të çmuar si i ndjeri Engjëll Berisha, i cili tërë jetën e tij ishte munduar që të priste një mbrëmje të tillë inauguruese, gjithnjë duke qenë i vetdijshëm si intelektual atdhetar e vigjilient,se vlera e një kombi dhe një shteti , vlenë shumë më tepër kur ka institucionin e   shtëpisë operistike, si institucioni më i çmuar kulturor i një vendi.

Urime edhe Burbuqe Berishës, e cila fatkeqësisht dy ditë para realizimit të kësaj mbrëmjeje, ndërroi jetë papritmas, në krye të detyrës së saj në organizimin e këtij eventi të madhë.

Të shpresojmë  se çfaqjet operistike do të zënë fillin e tyre, duke angazhuar edhe  solistët tanë të cilët këtë mbrëmje nuk mundën të ishin, në mënyrë që skena operistike të begatohet edhe me vokalin e tyre.

Konstatohet se Opera është hapësira më sublime, ku një popull vë në pah traditën, vlerat dhe identitetin e tij kombëtar!

Andaj: Urime Kosovë !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura