GJOKË DABAJ: SI U NDJEVA I TURPËRUAR PARA HOXHË HASAN TAHSINIT!

Durrës, 24. 03. 2014 – Në sallën e Akademisë së Shkencavet të Republikës së Shqipërisë mbahet një akademi solemne kushtuar Prof.Dr.Hasan Tahsinit, me rastin e botimit të 3 vëllimevet të parë të veprës së plotë të tij. Referuesit lexonin referatet e tyre, unë shikoja portretin e madh të Hoxhë Hasan Tahsinit, çamit të madh të nderuar dhe mendja më bridhte jashtë referatevet, jashtë asaj salle dhe madje jashtë shtetevet të Shqipërisë së sotme. Mendja më bridhte nëpër Botë, nga janë shkapërderdhur shqiptarët. Ç’bëhet me ta?! Ç’bëj unë për ta?! Ç’bëjnë për ta të 2 kryeministrat tanë?! Ç’bëjnë për fëmijët e atyre shqiptarëve 2 ministrat tanë të arsimit?! Pastaj u ktheva sërish te unë: Ç’bëra unë në gati 80 vjet të jetës sime për të plotësuar, për të çuar më tutje, atë punë që kishte nisur ky që tash më shikonte nga portreti?!
I rrëshqita sytë nëpër fytyrën nën çallmë të filozofit të madh rilindës dhe e ndjeva veten mundimisht të turpëruatr para tij. Ai, në kohën e vet, nuk e kishte Atdheun të çliruar. Shqiptarët nuk e kishin shtetin e vet, në kohën kur jetonin dhe vepronin: Hoxhë Hasan Tahsini dhe bashkëkombësit e tij, Jeronim De Rada, Naum Veqilharxhi, Konstantin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Jani Vretoja, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Naim Frashëri. S’e kishin shtetin e vet, megjithatë, punuan për t’i përparuar gjuhën dhe arsimin shqip. Formuluan alfabete, shtypën abetare. Shtypën libra kahmos jashtë Shqipërisë dhe i sollën këtu, me shpenzime nga xhepi i vet, me rrëzikim pune dhe, madje, edhe me rrëzikim jete.

(Lexoni: http://sq.wikipedia.org/wiki/Hasan_Tahsini)

 Më shkoi mendja te një abetare e jona, gjoja bashkëkohore, gjoja e përbashkët për të gjithë shqiptarët, por, në të cilën nuk përmendet emri i Shqipërisë asnjëherë, në asnjë vend, me përjashtim atje ku shënohen të dhënat për botuesit. Më shkoi mendja te ata fëmijë të sotëm shqiptarë, të cilët, sot, 127 vjet pas hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë, nuk e kanë mundësinë që të mësojnë lexim e shkrim në gjuhën shqipe. Madje nuk kanë mundësi as ta shohin me sy, as atë të mjerë abetare, ku, për turpin e krejt Kombit tonë, nuk përmendet fare emri i përveçëm Shqipëri.
Ç’kam bërë unë, që ata fëmijë të Kombit tim, shpërndarë anembanë Globit, të mund të mësojnë lexim e shkrim në gjuhën e vet? U përpoqa të shëtis me mendje nëpër vendet ku jetojnë ata fëmijë dhe të gjej përafërsisht: Sa të tillë fëmijë shqiptarë, në proces deshqiptarizimi, dmth në proces kalbëzimi kulturor, ka sot në Botë? Fëmijë që s’e kanë fatin as t’ua mësojë dikush alfabetin e gjuhës shqipe. Më doli që, diku rreth 60% e fëmijëvet shqiptarë, që vijnë në jetë, NUK e mësojnë KURRË albabetin e Kombit të vet.
Po mësues shqiptarë, që as vetë nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë shqip, le më t’ua mësojnë nxënësvet të vet gjuhën shqipe, sa ka sot nëpër botë?! Vetëkuptohet që nuk kam statistika, por me hamendje llogarita: Mësues shqiptarë nuk dinë lexim e shkrim shqip dhe që as në të folur nuk e përdorin shqipen, pëveç ndonjë rasti në rrethe të ngushtë, ka rreth 40%.
Pashë sallën rreth vetes. M’u duk se aty shumica ishin të profesionit tim: Pedagogë, mësimdhënës të shkallëvet të ndryshme. A thua po i shkonte ndonjërit mendja te një e këtillë KATASROFË e Kombit të Hoxhë Hasan Tahsinit, çamit tonë të madh?!
S’e di. Ndoshta. Por unë tashmë, me sa duket, pata filluar të lëviz buzët si një i marrë: Përse nuk mblidhemi, ne pasardhësit e Hoxhë Hasanit, ne që e lexojmë dhe e shkruajmë gjuhën shqipe, dhe t’u bëjmë, të paktën 1 herë në vit, në Ditën e 7 Marsit, nga një letër mësuesvet shqiptarë: në Janinë, në Follorinë, në Konicë, në Kostur, në Filat, në Paramithi, në Pargë, në Artë, në Prevezë, pastaj në Hidër, në Athinë në Selanik. Që këndej, të hidhemi matanë, në dheun e Hektorit, në Turqinë e sotme, dhe t’ua nisim nga një letër të gjithë mësuesvet shqiptarë të atjeshëm, me kërkesën vëllazërore, që ta mësojnë, së pari për vete, gjuhën e të parëvet të vet dhe, pasi ta kenë mësuar vetë, t’ua mësojnë këtë gjuhë edhe fëmijëvet shqiptarë, atyre që ndoshta i kanë klasë ose në lagjet apo fshatrat ku jetojnë. T’ua shkruajmë nga një letër vitin që vjen e pastaj ta përsërisim të shkruarit e të këtilla letrave vit për vit!
Të lidhemi, së pari ndër veti, me anë rrjetesh socialë, të mblidhemi në Tiranë, në Prishtinë e gjetkë, dhe t’ua shkruajmë një të tillë letër bashkëkombësvet tanë mësues, në shtetet ku shqipja nuk u mësohet fëmijëvet shqiptarë. T’u bëjmë thirrje, jo për luftë, por për Kulturë kombëtare!
Do të mund të nismonim edhe ndonjë lëvizje gjithshqiptare, për të gjurmuar dhe për të bërë statistika: Sa mësues shqiptarë ka në Botë, që nuk dinë të lexojnë e shkruajnë shqip? Të lidhemi me ta, të bëhemi miq e shokë dhe t’ua mbushim mendjen që edhe shqipja është një gjuhë me vlera, si edhe ajo e shtetit ku ata jetojnë. Hoxhë Hasan Tahsini e ka respektuar dhe përdorur gjuhën turke. Ka përdorur edhe gjuhën frënge. Ka qenë rektori i universitetit të parë turk, por e ka dashur dhe ka punuar edhe për gjuhën shqipe. T’i hyjmë punës e të bëjmë statistika: Sa mësues shqiptarë punojnë në Filat e nuk u mësojnë fëmijët të atyshëm lexim e shkrim në gjuhën shqipe? Sa fëmijë ka në Filat, të cilëvet nuk u mësohet gjuha e Kombit të tyre? Sa fëmijë shqiptarë lindin sot në Botë e nuk mësojnë kurrë as të lexojnë, as të shkruajnë shqip? A janë vërtet 60%? Nëse ka sot në Botë gjithsej 3 milionë fëmijë shqiptarë, a vërtet 1 million e 800 mijë nuk e mësojnë kurrë leximin dhe shkrimin shqip? 1 milion e 800 mijë fëmijë shqiptarë nuk mësojnë të lexojnë e të shkruajnë gjuhën e gjyshevet dhe gjyshërvet të tyre?! Tmerr e lemeri! Tragjedi, mu në kohën kur liria e përdorimit të gjuhëvet kombëtare mbrohet me ligje ndërkombëtarë!
Në këtë çast më preku te supi miku im Namik Selmani. Unë gati u tremba. S’e kisha vënë re që Namiku ish ulur 1 apo 2 karrike më tutje. U përmenda. Më shkuan të rrënqethura. Në foltore pashë profesorin e moçëm, Ali Aliun. Ai po e glorifikonte Hasan Tahsinin me një zë të ulët.
Pashë prapë Namikun. A thua vërtet, kaq të vegjël jemi, unë nga Shestani i Dom Gjon Buzukut e Namik Selmani nga Ninati i Hoxhë Hasan Tahsinit, sa të mos mund as t’u afrohemi, as Dom Gjonit, as Hoxhë Hasanit?!

*********************************

HOXHË HASAN TAHSINI – [1812-1881]

Hoxhë Hasan – Tahsin Efendiu lindi në vitin 1812, nga katundi Ninat, rrethi i Filatit të Konispolit, në Çamëri.
Hoxha, para emrit Hasan, nuk është emër, por është një titull i lartë, shumë i nderuar i kohës, që do të thotë: Dijetar mbi dijetarët, ose në gjuhë të sotme: Akademik.
Kurse mbiemri Tahsin, pas emrit Hasan, nuk është mbiemër, por është një cilësi dalluese, shquese, vlerësuese, që i ishte dhënë qysh kur ishte student në Stamboll, sepse ishte më i dalluari, më i shquari, më i vlerësuari…
Ishte njohës për bukuri në astronomi, filozofi, teologji, matematikë, fizikë, histori, gjeografi, bujqësi, letërsi…
Ishte pioneri i parë i Shkollës Psikologjike…
Për të gjitha këto aftësi ka dëshmi…
Sipas burimeve osmane, Hoxha Hasan Tahsini ishte njeriu më i ditur i kohës në Stamboll, jo vetëm në shkencat natyrore, por edhe në ato letrare, filologjike, filozofike, teologjike…
Hoxha Hasan Tahsini ka shkruar, botuar, më se 20 libra shkencore, astronomike, psikologjike, pedagogjike…
Shteti shqiptar i ka dhënë titullin “Mësues i Popullit” në vitin 1961.
Hoxhë Hasan Tahsini, ky dijetar dhe atdhetar i flaktë për veprimtarinë e tij në të mirë të idealit kombëtar, bën që të vlerësohet edhe pas 200 vjetësh të lindjes dhe 130 vjetësh të vdekjes. Është shquar për ato krijime kushtuar psikologjisë, astronomisë, përgjithësisht shkencave ekzakte. “Po të mos ndërtojmë një alfabet për një gjuhë, i sigurt, i saktë dhe i mbrojtur nga ndikimet politike, shkronjat në të do të duken të huaja…dhe kështu nuk do të jetë e mundur të përfitojmë atë që dëshirojmë që të jetë për këtë shekull i përshtatshëm“.
Për Hoxhë Hasan Tahsinin nuk ka rëndësi madhësia e shkronjave, por vlera dhe rëndësia që ka për gjuhën shqipe.
Dhe për këtë, në shkrimin e botuar në “Basiret”, theksonte:
“Sado që janë të vogla si këmbët e milingonës, shkronjat janë arma më e fuqishme e përparimit dhe e diturisë, prandaj t’i pranosh ato pa treguar kujdes të veçantë, është më e dëmshme se sa të zgjedhësh një armë dhe pa e provuar, të luftosh me të. Bile, – shtonte ai, – një armë jo e mirë sjell humbjen e një beteje, kurse një alfabet i gabuar shkatërron lumturinë e popullit”.
“Do të kërkoj dituri, atë që e bëri njeriun njeri” – HOXHA HASAN TAHSINI
Sipas Sami Frashërit, Hoxha Hasan Tahsini:
”Jetën e tij e kaloi midis librave të shumtë dhe instrumenteve shkencore, duke studiuar dhe dhënë mësim”.
________________________
Literatur e shfrytëzuar:
– Gazeta e përditshme, “Shqip”, 2009 – Shqipëri.
– Monografia “Profesor Hasan Tahsini”, në tri vëllime (Tiranë, 2009) e autorit Laurant Bicaj. (Nga: Bujamin Salija)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura