TRYEZË SHKENCORE: “NDERIM PËR SHKRIMTARIN E SHQUAR PETRO MARKO” NË VLORË

Në 110 vjetorin e lindjes

TRYEZË SHKENCORE: “NDERIM PËR SHKRIMTARIN E SHQUAR PETRO MARKO” NË VLORË

Nga MSc. Albert HABAZAJ*

Në këtë 110 vjetor të lindjes së kalorësit rebel të lirisë, emri i Petro Markos na vjen si Perëndi tokësore e furtunës universale për dritë. Pena mjeshtërore e shkrimtarit të shquar dhe publicistit të mirënjohur shqiptar Petro Marko e ka merituar qyshkur një studim të thelluar dhe një bibliografi të denjë, sepse përbën një jetë letrare të pasur, mbi 60 vjeçare, me një krijimtari tepër interesante, me ngjyra të gjalla e të ndezura, si rrallëkush tjetër në letrat shqipe të shekullit XX. Shumë i thonë Hemingueji shqiptar. Për mua, është lartësisht dinjitoze, edhe për identitetin tonë, t’i themi siç ka qenë, është e do të mbetet: Petro Marko i Dhërmiut! Sepse atje, në Dhërmi, buzë detit Jon lindi, atje dhe prehet përjetësisht, sepse “Guri i rëndë – në vend të vetë”, përsëriste shpesh në gjalljen fizike fjalën e urtë të popullit, të cilën e bëri realitet dhe na e lë ne, të pasmëve amanet.

Petro Marko mbetet i pambarimtë si shkrimtar dhe si jetë dhe nuk mund të themi që ai erdhi e iku si meteor. Me plot mendimin, themi që ai u lind si një kalorës i lirisë së fjalës, mendimit e veprimit të lirë për mirësinë njerëzore, duke respektuar në shkallën sipërore dinjitetin e njeriut e virtytet më të larta humane. Kushdo që lexon opusin letrar të Petro Markos, si dhe duke shfletuar me kujdes bibliografinë e tij, çdo studiues i veprës petromarkoiste konsolidon mendimin se ai është simbol i vërtetë e i drejtpërdrejtë i shkrimtarit  të spikatur e kryengritës  ndaj padrejtësive, ngado që ato vijnë, nga do që erërat fryjnë. Bindemi se ai që u lind në furtunë (1913), u rrit në furtunë, i përkiste, sikurse  Ernest Heminguej (1899-1961), Pablo Neruda (1904-1973), Ana Zegers (Anna Seghers, 1900-1983), Aleksei Tolstoi (1882-1945), Andre Malro (André Malraux, 1901-1976) dhe Ludvig Ren (Ludëig Renn,1889-1979), humanizmit  universal e dashurisë së kthjellët njerëzore; edhe pse, kur iku në fluturimin qiellor të përjetshëm, planetin përsëri e la në furtunë (1991).

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë – UV , Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, Biblioteka Shkencore e Universitetit në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë organizuan tryezën shkencore: “Nderim për shkrimtarin e shquar Petro Marko“.

Veprimtaria u zhvillua në mjediset e Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të hënën e datës 20 nëntor 2023, ora 10:00, me rastin e 110 vjetori të lindjes së shkrimtarit të shquar Petro Marko (lindi në Dhërmi, më 25 nëntor 1913, ndërroi jetë në Tiranë, më 27 dhjetor 1991, prehet, sipas amanetit të tij në vendlindje)

Morën pjesë studentë, pedagogë, studiues, shkrimtarë dhe artistë të qytetit.

Moderator: Albert Habazaj

Në panel:

– Prof. as. dr. Monika Hasani , përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë;

– MSc Albert Habazaj, përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”;

– Dr. Edlira Duro Cerkezi , pedagoge e Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë;

– Shkrimtari Eqerem Canaj , sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë.

Veprimtaria u zhvillua sipas këtij programi me kumtesa, përshëndetje dhe recitime të vjershave të autorit ose kushtuar atij:

1. Fjala e hapjes nga prof.as.dr. Monika Hasani;

2. Prof. dr. Bardhosh Gaçe: “Petro Marko” dhe Letërsia bashkëkohore shqipe”;

3. Eqerem Canaj: “Petro Marko, sfidanti i kohërave. Romani “Rebeli” akt ringjalljeje”;

4. Dr. Edlira Çerkezi: “Petro Marko, avangardisti që kapërceu epokën”;

5. Dr. Asime Feraj , specialiste e Qendrës së SAB: “Shkrimtari me ndjesi të brishta”;

6. Dr. Ermir Xhindi , pedagog në Departamentin e GJSHL: Etika e pa humanizmit në një version të studimeve kulturore. Rasti i Petro Markos”;

7. MSc. Albert Habazaj: “Petro Marko – kalorës rebel i lirisë. Këndvështrim nga bibliografia e pasur e Petro Markos, si një vlerë për studiuesit e letërsisë bashkëkohore shqipe”;

8. Laureta Petoshati, shkrimtare, përkthyese: Refleksione dhe poezi (recitim);

9. Bruna Aliaj, piktore, studente e Masterit Shkencor në Departamentin e GJSHL: “Petro Marko në tekstet shkollore”;

10. Blerta Mema, studente e Departamentit të GJSHL, reciton poezinë:”Apologji” të Petro Markos;

11. Eraldo Hatija: studiues letërsie (ish- student i Departamentit të GJSHL: “Përsiatjet universale në letërsinë e Petro Markos”;

12. Luto Memokondaj, ekonomist, fabulist, studiues: Një takim i pashlyeshëm për Petro Markon”.

Mësuesja e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe redaktore e njohur në qytet, Lejla Gorishti u shpreh: “Shkrimtar i rrallë për Shqipërinë, me një narracion unik e gurgullues, që kish aq shumë të rrëfente e aq njerëz të prekte, me një prozë së cilës nuk i shter ritmi energjik e lirshmëria e narracionit, si të kthente në letërsi natyrën e vet të pabindur dhe shikimin e lirë si Joni të Petro Markos. Marko është një talent letrar në letërsinë shqiptare, jo vetëm për tematikën e larmishme që trajton në krijimtarinë e tij letrare, por edhe në stilin e tij të personalizuar, gjuhën komunikuese me lexuesin. Proza e tij ishte një prozë bashkëkohore, moderne, ajo ndërtonte një metaforë komunikuese me kohën kur u shkrua edhe më vonë”.

Mësuesi dhe shkrimtari Remzi Gjika veçoi: “Petro Marko – Prometheu i Letërsisë Shqipe, është ndriçues në të gjitha kohërat, patriot 24 KARAT, di t’u flasë edhe atje ku prehet, bashkëlindësve, të mos gënjehen nga karamelet e hidhura të fqinjëve të kalit të Trojës.

Veprimtaria zgjati pak, por u duk s’e përfundoi shpejt, edhe pse për fjalët e shpirtit për Petro Markon buronin mirësisht të pambarimta. Nuk ishim në një përurim libri, por në takim serioz, një kuvendim kulturor për Malin e Letrave Shqipe – Petro Markon e Dhërmiut. Donin të flisnin shumë personalitete të tjerë të Universitetit apo nga Bota e Letërsisë dhe Artit në Vlorë, prandaj me dëlirësi shpreh mirënjohjen e thellë ndaj pedagogeve të gjuhës shqipe dhe letërsisë, dr. Alta Azizi-Haluci, dr. Edlira Dhima, ndaj shkrimtarëve Çlirim Hoxha, Alma Sinan Feruni, Lulëzime Malaj, Lela Qejvani, Nuredin Veshaj, Asqeri Llanaj dhe ndaj miqve të tjerë pjesëmarrës të devotshëm për mirëkuptimin e dobishëm reciprok, se dhuhet të ndahemi që të takohemi prapë, prandaj urimi im është: MIRUPAFSHIM NË VEPRIMTARI TË TJERA!

*) autori i këtij informacioni është përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë;

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura