MASAKRA E VITIT 1913 NË PËRBREG TË LUMËS
Nga Sulejman Dida, Pashtriku 28 mars 2022
Mbas disfatës që pësuen ushtritë serbe në Lumë në vjeshtën e vitit 1912, Luma u përball me sulme barbare të njëpasnjëshme. Qeveria e Serbisë në bashkëpunim me rusët, bullgarët dhe malazezët u përpoq me vu në zbatim, ashtu si edhe më herët, programin e shfarosjes se rracës shqiptare.
Sipas burimeve të shkrueme si dhe gojdhanave, në katundin Përbreg u ekzekutuen 375 persona, ndërsa sipas raportit zyrtar të Fuqive të Mëdha të asaj kohe, në këtë fshat u ekzekutuen më shumë se 400 njerëz: burra, gra dhe fëmijë e ku dhjetra familje u shuajtën plotësisht. Por duke përfitue nga terreni dhe kushte të tjera një pjesë e familjeve mbijetuen. Le të tregojmë se si ka ndodhë duke u mbështet në burimet shumë të kursyeme të historisë si dhe në dëshmitë e pasardhësve nga të mbijetuemit.
Si ka ndodhë
Masakra ndodhi në tetor të vitit 1913, afërsisht një vit nga lufta e Lumës. Katundi në atë kohë kishte 112 shtëpi e duke pasë parasysh strukturën e atëhershme të familjes mendohet se fshati ka pasë rreth 1.000 banorë. Theksojmë se ashtu si shumë katunde të krahinës së Lumës, Përbregu ndodhej nën pushtim, ushtria serbe kishte gazermat e veta në Kodrën e Pecës nga ku kontrollonte Kullën e Lumës si pikë strategjike. Genocidi mbi popullsinë e këtij fshati si dhe në zona të tjera u krye në befasi. Ushtria serbe erdhi nga Qafa e Zbinecit e në lagjen Hallaç i sipërm, që ishte nji nga drejtimet e sulmit mbi Lumë. Kishin kalue ma parë nëpër Zapod dhe Bele por ende nuk është e qartë përse nuk pati sinjale se ushtritë serbe po ia mësyjnë Lumës, në rastin konkret Përbregut, sepse banorët ruajnë në kujtesë faktin që pleqësia e katundit i druhej një sulmi në befasi. Ata mbrojnë idenë se i është dërgu një letër pleqsisë së Zapodit ku i kërkohej, na dërgoni fjalë nëse ia mësyjnë ushtritë serbe pasi ne do të luftojmë nga 7 e në 70. Katundi u gjet në befasi, i pa organizuem, ashtu si krejt Luma. Një repart shfarosës me rreth 1.200 ushtarë, ndonsëse shifra e saktë nuk dihet, rrethoi lagjet e i ekzekutoi për disa orë. Atë ditë pleqsia e katundit, e përmes saj çdo familje ka qenë e porositun që asnjë person të mos dalë nga shtëpia.
Viktimat e para u shënuen në lagjen Hallaç i sipërm ku gjysma e lagjes janë të fisit Kovaçi. Beram Limani dhe Riza Musë Avdyli, jo bashkë por veç e veç janë kacafytë me serbët duke vra disa prej tyne. Dëshmitë tregojnë se Beramin e vrasin në shpat, dhe asht viktima e parë, kurse Musën e therrin me bajonetë duke u kacafytë. Serbët aty masakrojnë familjen e Beramit, gruen dhe 5 fëmijë bashkë me rreth 50 persona të tjerë të lidhun dorëpërdore me shoka e me tela. Në atë fis ban nji qëndresë heroike Baftije Hallaçi, nji nuse e re, bijë e Bashës nga Shtiqni (motër e Brah Osmanit), ajo vret me sopatë dy ushtarë serbë, më pas plagoset në krye e në kambë dhe rrëzohet mbi grumbullin e trupave të masakruem por mbijeton. Në atë plojë ka mbijetu edhe Berdan Kovaçi, djal i ri, i plasogun në kambë por kishte humbë plot 23 njerëz të familjes së vet dhe të vllazënve. Ai ma vonë ka tregue se të mbetunit gjallë që rënkonin vriteshin përsdyti me pushkë ose shpoheshin me bajonetë, nuk bzajta duke lanë me kuptue se kisha vdekë, ka pohue ai. Në Hallaç te Zabeli i Branesë u vranë edhe katër djem të katundit Gjegjën, tre ishin misafirë ndërsa nji po kulloste bagëtitë. Në lagjen Hallaç një grup prej 7-8 fëmijësh të vegjël bashkë me to edhe dy gra, nanat a tyne siç duket, të trembun prej gjakut shkojnë e futen në një mullar bari me u fshehë, ushtarët serbë i shohin dhe i venë flakën mullarit duke i djegë fëmijët të gjallë. Edhe sot bërtasin në kupë të qiellit ato fëmijë.
Në Përbregun e sipërm ushtria serbe mbledh të gjithë njerëzit që gjen nëpër shpia, i merr të lidhun dorëpërdore dhe i pushkaton te muri i xhamisë, një ngrehinë e cila në vitet 70 u kthye në furrë buke. Mendohet se aty janë masakru rreth 140 persona, kanë shpëtu vetëm barinjtë që kanë qenë në mal duke kullotë bagëtitë dhe ndonjë person që kishte qëllu mik diku jashtë katundit. Dëshmitë i kanë lanë mbas ngjarjes Ali Seda dhe Shaip Halili, të dy në atë kohë rreth moshës 17 vjeç. Ata kanë dëgju klithmën e tmerrshme të grave e fëmijëve që masakroheshin, ndërsa kanë pa me sytë e tyne ekzekutimin e Liman Beramit nga Hallaçi te vendi që thirret Nërthane. Alia e Shaipi kanë dëshmue se Hajdar Brah Matmuja shkepet nga rrjeshti e niset drejt në Përbregun e poshtëm duke thirrë, ikni se shkuem dam, por serbët e arrijnë dhe e vrasin në afërsi të kroit të Zhgjuzës ku edhe sot e ka vorrin përbri rrugës që të çon në Prizren. Nana e Shaip Halilit, Mane, siç ka tregue ma vonë vetë ajo, e lidhun me shokë në rrjesht me u pushkatu, i thotë një ushtari serb, a ban shpirt me pare? Ai pranon dhe e shkëputë nga rrjeshti me shkue e me i gjetë paret te shpia. Kjo merr me vete edhe nanën e Hashim Mahmutit me Hashimin e vogël në gji, i thotë asht nuse e djalit tem. Te shpia, kanë pa duke u djegë në plemë Bajram Sulën rreth 70 vjeç. Ushtari serb merr disa florinj prej Manes e largohet duke i porositë gratë që të qëndrojnë në shtëpi. Mbas largimit të ushtarit, zbret nga brendësia e oxhakut të një shtëpie të papërfundueme ku ishte fshehë Izet Emërllahu 25 vjeç. Pak para mbramjes serbët kthehen dhe i djegin shtëpitë që kishin mbetë pa u djegë po dy gratë me fëmijën e vogël fshehen në mal, po ashtu edhe Izeti. Burrat e katundit janë detyrue me e hapë me duert e tyne gropën ku i kanë lshue bashkë me gratë e fëmijët që i kanë ekzekutue. Halil Lul Matmuja, baba i Shaipit u gjet dy javë mbas vrasjes, u gjet me krye të premë, i biri e kishte njoftë prej veshjeve dhe disa sendeve që ka pasë ne xhepin e koporanes. Nga shpia e Halilit u masakruen 11 persona. Nga shtëpia e Sedë Ali Matmujës u masakruen 15 persona, shpëtoi vetëm Aliu që ndodhej me bagëti, nga shpia e Hysen Osmanit 6 persona e kështu me radhë. Shumë familje u shujtën plotësisht. Dëshmohet së oficerët serbë morën me vete nga Përbregu, të bijën e Beram Sulës (Matmuje) i cili u dogj i gjallë në plemë dhe një nuse të re te Beram Dani, (barku i Vesel Ahmetit, gjithashtu Matmuje).
Në Përbregun e poshtëm masakra vijon njëkohësisht në disa lagje. Një bateri ekzekutorësh vret 9 persona në familjen e Halil dhe Ramë Hajredinit te Didet, ndër ta Ramën Hajredinin që shkëponte dhe gruen e tij me barrë ndërsa i biri Mustafa 15 vjeç u ikën prej duersh dhe shpëton. Një bateri tjetër e ushrisë serbe kryen masakrën te familjet Hallaçi dhe Kovaçi në afërsi të Prroit të Kaniçit. Në shtëpinë e Vesel Ademit ekzekutojnë 7 persona, ka mbetë gjallë Veseli 13 vjeç që ndodhej me bagëti bashkë me Rasim Sejdinë e Dideve. Veselit i kanë marrë tufën e dhive në mal, e siç ka tregue ai do vite ma vonë, serbët i ua çajshin barkun bagëtive ashtu të gjalla dhe ua shkulnin mushknitë dhe të brenshmet e tjera e i merrnin n’krah me i pjekë në zjarr. Te kjo shpi vranë tre djemt e Mahmutit, përkatësisht Dautin, Baftjarin dhe Ismailin e po ashtu dy fëmijë të Ismailit, Shahën dhe Selmanin etj. Një grue e mbijetueme e fshehun në arën me misër ka tregue mbas masakrës se Shahja iu lut në gjunj oficerit serb ta linte të gjallë vëllain e vogël Selmanin që ishte pak ma shumë se një vjeç. Por ushtaraku serb me sadizëm e ngre fëmijën me dorën e majtë, ia ngulë bajonetën në fyt dhe e var në nji hu të gardhit, po aty qëllon me pushkë Shahën por ajo e plagueme asht fshehë mbas nji koshi drithi, ku një patrullë tjetër kalon përbreg të kanalit e ka dëgjue duke rënku dhe e ka vra me pushkë nga afër. Familjarët duhet të jenë përpjekë me ikë prej rrethimit, mbasi trupat e tyne janë gjetë tri ditë ma vonë të shpërndamë disa te dera e shpisë, ndonji në derën e oborrit, e disa në kanalin e ujit. Po aty kanë masakru edhe familjet e Halit Liman Kovaçit, Rasim Skënder Kovaçit, të Imer Sali Hallaçit etj. Njikohësisht janë masakrue burrat, gratë dhe fëmijët te shpia e Sejdi Rrahmanit, të fisit Dida. Vesel Ademi dhe Rasim Sejdia që mbijetuen, kanë pa me sytë e tyne masakrimin. Dhjetra persona të lidhun krahpërkrah me shoka dhe tela i kanë vu në rrjesht të ulun përtokë. Kur kanë ba me i pushkatu janë urdhnue me u çue në kambë dhe një skuadër ka gjujt në to nga afër. Aty përmes britmash të tmerrit një djal i ri nga Mujet e Shtiqnit me emnin Zenel, misafir kishte qëllue, ka ikë e ka shpëtue gjallë me nja dy plagë pushke në kambë e në krye. Ikja e këtij ka shërbye si alarm për një numër familjesh në drejtimin e Kodrës së Pecës të cilat në të vërtetë, kanë dalë prej shpiave e janë fshehë në mal ose në arat e misrit dhe kanë shpëtue.
Një barbarizëm të padëgjuem kanë realizu edhe në lagjen Shënelaz te Didet. Duke i kapë brenda në shpi serbët shujtën gati plotësisht disa familje si atë të Sali Demir Didës dhe Sulë Demir Didës me gjithsej 13 persona. Vranë që të gjithë burrat, gratë dhe fëmijët. Gruaja e Salihit, bijë te fisi Guri në Bicaj, ka pasë në gji një djal të vogël Merxhanin, tregojnë se para se me u vra nga shkiet ajo ka çitë në grasht të lopëve lirekun me fëmijën e vogël. Mbas tri ditësh vjen vllai i vet nga Mahalla e Gurit dhe gjen motrën me krye të premë e të varun në hy të gardhit, po ashtu nipat dhe mbesat, dhandrrin dhe persona të tjerë të premë, ndër ta një grue me barkun e çamë përmidisi e me kryet po ashtu të premë. Ai dëgjon rënkimin e fëmjës, të nipit që ishte ende gjallë aty në grasht dhe e merr me vete. Mbasi i jep me pi diku në Shtiqën te nji grue, foshnja shpëton. Ai e rriti dhe e bani djalë në shpirt dhe jetoi me të në Prizren. Nga Merxhan Salihi sot janë dy djem, Salajdini dhe Muharremi me familjet si dhe dy vajza me familjet e tyne. Nga Didet në Shënelaz kanë shtëpue Miftar dhe Sefi Rexhepi, i pari thonë se i dha një oficeri nja dy qypa me mjaltë ndërsa tjetri ishte largu ma herët prej katundi. Nga familjet e shujtme plotësisht asht shumë e vështirë të identifikohen emnat e viktimave, mbasi nuk lanë pasardhës që ta përcjellin atë që kishte ndodhë mbi ta.
Mënyrat e ekzekutimit
Dëshmitë e vetë serbëve ekzekutorë, dëshmitë e të mbijetuarve si dhe disa burime mediatike të asaj kohe tregojnë se serbët përdorën mënyrat më sadiste për mbytjen e njerëzve në Përbreg. Burrat e qëlluan me pushkë ose i therrën me bajonetë e ua prenë kryet, disa i varën nëpër pemë; gratë i therrën me bajonetë, grave me barrë ua çanë barkun me thikë e foshnjat i coptuen përtokë, shumë grave ua prenë kryet e i vendosën në hunj të gardhit; fëmijët i shpuan me bajonetë e i ngritën në piskamë, shumë fëmijëve ua prenë fytin e i ngulën në hunj gardhi, disa fëmijë i kanë mbështjellë me cergat e odave e i kanë shpue me bajonetë, në disa shpia fëmijët e vegjël i kanë mbështjellë me kashtë e ua kanë vu flakën, një numër banorësh i shtynë në hendek të plagosun e i mbuluen me dhè pa u dalë shpirti.
Ja disa dëshmi nga banorët që i mbijetuen masakrimit, sipas shënimeve të Dr.prof. Shefqet Hoxhës në librin “Barbaritë serbe në Lumë dhe në rrethinë 1912-1913”:
Serbia duni në katund prej Pikllime nji ushtri të madhe e na preu 375 burra, pleq, plaka, të rinj e të reja e cullë të vegjël. Burrat vetë e kanë gërmue hendekun e mbrapa serbi i ka pushkatue në breg. Cullët i ka qepë nëpër cerga e i ka shpue me bajoneta. Për çudi, një cucë e vogël kishte shpëtue; nuk e kishin kapë plumbat. Mbasi u rrit, u martue me Bajram Ramadan Zaskocin prej Mamzi. Serbia na mori 2000 dhen, 3000 dhi, 300 lopë. (Sul Agush Rustemi, vjeç 90, Perbreg, mars 1950).
Ishëm carrok. Disa ushtarë serbë më muerën mue bashkë me disa cullë të tjerë dhe na grumbulluen në fund të lagjes. U ndëgjue nji za në gjuhën serbe dhe mbrapa krisi pushka. Unë që ishem në fund e pash veten në midis të grumbullit, nën trupat e të tjerëve, gjaku i ngrohtë i shokëve të mi më dha me kuptue se ç’kishte ndodhë… (Berdan Kovaci, 79 vje, 1978).
I mbaj mend mirë mizoritë e ushtrisë serbe. I grumbulluen bashkëfshatarët e mi të lagjeve Hallaç e Kovaç sipër shtëpisë së Ramadan Zenelit, burrat me nji anë e gratë në anën tjetër. Fëmijëve të vegjël u ngulnin bajonetat e i fugjnin të çamë e të copëtuem. Disa katundarë i mbuluen në nji gropë për së gjalli. (Mehmet Hallaçi).
Çfarë thotë historia për masakrimin e Përbregut
Në dhjetor të vitit 1913 autori austriak Leo Freundlich në shkrimin me titull “Albania’s Golgotha” thotë se në Lumë ndodhi një genocid i përmasave të mëdha. Të gjitha tmerret e historisë që njeh njerzimi mbeten prapa në krahasim me sjelljet mizore të trupave serbe të Jankoviçit në Lumë, thotë ai. Në të njëjtin tekst ai shënon se në territorin e Lumës, tridhjetë e dy komunitetet u dogjën dhe kushdo që u kap aty u vra.
Kryepeshkopi i Shkupit imzot Lazër Mjeda, në letrën dërgue princit Austro-Hungarez ne Prizren me datën 4 dhjetor 1915 shënon se gjenerali Jankoviç, i informuar që lumjanët nuk do të lejonin trupat serbe të kalonin nëpër territorin e tyre, ve në zbatim programin e shuarjes së këtij komuniteti, të vriten të gjithë, të shuhen si fise. Fëmijët i shkulnin nga zemrat e nanave të tyne, i mbështillnin me kashtë dhe i digjnin të gjallë. Ushtarët serbë kanë shpërthye me bajonetë barqet e grave shtatzana e më pas kanë pre me thikë foshnjat. Është e paimagjinueshme, por është e vërtetë. Nga fshati Përbreg me 112 familje, vetëm 4 të rritun kanë mbetë gjallë, thotë Mjeda. Në të vërtetë Përbregu ishte i vetmi fshat në Lumë ku u shkretuen familje të tana që nga foshnja e deri te plaku.
Burimet sllave për invazionin serb në Shqipni nuk janë gjithmonë realiste, për ma tepër në shumë raste janë denigruese për shqiptarët. Edhe përshkrimi i Kosta Novakoviçit në shkrimin e gjatë “Katër muaj në Shqipërinë e mesme” të botuem në janar dhe shkurt të vitit 1914 në revistën BORBA në Beograd paraqet një tablo e cila përveçse viktima, u jep shqiptarëve pozitë fyese. Por për rastin e marshimit drejt detit ai na jep këtë fakt: për 10 ushtarë serbë të vramë, ushtarët tanë vranë dhjetë burra shqiptarë, ua prenë kryet e ua vendosën në varr te kambët e serbëve sepse skllavi duhet varroset te këmbët e zotnisë, shkruen Novakoviçi. I thirrëm me pru bukë e i vramë, ka dëshmu një ushtar serb në ditarin e Novakovicit.
Asnjë libër historie nuk i kushton vëmendjen e duhur genocidit të vitit 1913 në Përbreg, gati që të gjithë i shkojnë përkitas duke theksu se në Përbreg u masakruen 375 njerëz e në ndonjë rast duke u mjaftu me shënimet e një ushtari serb i cili ka shpreh habinë e vet se si njeriu mundet me realizu barbarizma të tillë siç u realizuen në Përbreg, e ku thotë se Luma nuk ekziston ma. Botimet e historisë zyrtare e kanë injoru sakrificën e Lumës duke mos e përmendë e duke mos i dhanë vendin që i takon në pavarësinë e Shqipnisë. As botimet e Tiranës e as botimet e Prishtinës nuk shkruejnë për Lumën. Ndër të tjera librat që pretendojnë me qenë libra historie nuk reshtin duke drejtue gishtin kah Evropa sepse sipas tyne Evropa na qenka armike e jona, kur në të vërtetë armiku i jonë janë sllavët e përkatësisht serbët. Vite më parë ka shkelë në Përbreg edhe historiani Zekeria Cana i cili ka mbajt me atë rast shënimet e veta dhe ku përmend një shifër prej më shumë se 300 vetë të masakruem sipas gojdhënës. Përpjekja e parë për të sjellë dëshmi nga pasardhësit e të mbijetuarve asht ba nga mësuesi Xhafer Kovaçi i cili në librin Monografi për Tërthoren i kushton një vend të caktuem edhe masakrës së Përbregut, madje ai shënon edhe 88 emna të viktimave të asaj masakre, listë të cilës duhet me i shtu disa emna kryefamiljarësh si dhe të qindra grave e fëmijëve të vegjël që u masakruen në mënyrën ma të egër. Shtojmë se me subjekt të kësaj masakre B.Z.Cengu ka shkru ne vitet 2000 prozën letrare “Elez Alai i Lumës” ndërsa nuk kanë mungue rapsoditë për atë ngjarje apo vjershat nga autorë të ndryshëm. Gjithashtu, ditët e fundit Dr.prof. Shefqet Hoxha ka nxjerrë në dritë librin e tij me titull “Barbaritë serbe në Lumë dhe në rrethinë 1912-1913”, T.2013, ku ndriçon në mënyrë shkencore atë periudhë, përfshi edhe masakrën e Përbregut. Gjatë regjimit komunist genocidi mbi Lumë, ashtu si edhe lufta e 1912-tës janë mbulue nga lëmyshku i miqësisë fatale që ndërtuen qeveritë komuniste, përkatësisht Boegradi e Tirana në dam të kombit shqiptar.
Vorret masive
Në Lagjen Hallaç banorët thonë se ndodhen dy gropa ku janë mbulue me dhjetra njerëz që u masakruen nga shkiet. Te Lisat e Lekës asht gropa ku u varrosën në nji vend 4 të rinjtë e fshatit Gjegjën të cilët ishin gjetë disa ditë mbas ekzekutimit. Në Hordhaç asht vorri i përbashkët me trupat e Pleqve të katundit, përkatësisht të Mustaf Idrizit dhe 4 të tjerëve të masakruem, ata ishin gjetë një javë mbas ekzekutimit. Në Përbregun e sipërm, në afërsi të ish xhamisë së katundit ndodhet varri masiv, ndoshta më i madhi i asaj masakre. Në vitet 70, gjatë gërmimeve për ujsjellësin e katundit punëtorët kanë zbulue gropën ku prehen trupat e banorëve të masakruem: fëmijë, gra e burra të veshun siç kanë qenë në momentin e ekzekutimit. Në lagjen Shënelaz të Përbregut të poshtën, (te Luma, siç e kanë thirrë), ndodhet vorri masiv në Kodrën e Shënelazit. Aty për shumë dekada ka ba hije një man i bardhë. Të parët u kanë thanë pasardhësve se aty prehen eshtrat e dy palë krushqve të vramë mesveti n’kohë të vjetra, por kjo gojdhanë mbetet me u vërtetue, mbasi ka shumë gjasa që pleqtë ta kenë përdorë këtë shpjegim si eufemizmë me qellimin mos me friksue fëmijët. Në afërsi të prroit të Kaniçit ka qenë gjithashtu një vorr masiv, varr i cili në vitet 90 u rrëmbye nga ujët e prroit duke i bartë një pjesë të eshtrave deri në liqen, në atë kohë njerëzit kanë parë kafka fëmijësh që pluskonin në ujë.
Ne sot duhet të punojmë për gjetjen e eshtrave të secilit prej të masakruarve, në vorret masive dhe në gropat ku janë mbulue me dhè teketek, ti identifikojmë e tu japim një prehje më të dinjitetëshme. Nga ana tjetër ti tregojmë botës se kush janë në të vërtetë serbët dhe çfarë barbarizmash kanë realizu mbi popullin shqiptar.
Kjo masakër sigurisht që nuk na ban krenarë, ne desh u zhdukëm si rracë, por nëse ne e harrojmë atë bëhemi të ligj, e për ma tepër nëse harrojmë, rrezikojmë të bahemi pre e një genocidi tjetër.
____
Literaturë:
1. Hoxha Sh., Barbaritë serbe në Lumë dhe në rrethinë 1912-1913, T.2013
2. Cana Z., Shpalime Historike, Prishtinë 1982
3. Cana Z., Ditari i Robërisë I, P.2000
4. Shala Xh., Mardhëniet shqiptaro-serbe 1912-1918, Prishtinë 1990
5. Braha Sh., Beteja e Drinit kundër agresionit serb, Prizren 2000
6. Braha Sh., Genocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare, Tiranë 1992
7. Kovaci Xh., Tërthorja monografi, Kukës 2006
8. Duraku I., Për dëshmorët e harruar… Gaz.55, 16.11.2012
9. Onuzi S., Mundja e serbëve në Lumë, Gaz.55, 14.11.2012
10. Berisha Sh., Krijimi i hartave të reja në Ballkan, forumishqiptar.com, 25.08.2008
11. Bilali E., Shkrime Historike I, Lezhë 2002
***
Dëshmi gojore:
1. Nazif Shaip Matmuja, 77 vjeç, nipi i Halil Lul Matmujës
2. Adem Vesel Hallaçi, 65 vjeç, i biri i Vesel Ademit i mbijetuar në masakrën e vitit 1913
3. Daut Liman Hallaçi, 60, vjeç
4. Medi Rrahman Dida, 80 vjeç
5. Xhemali Isen Dida, 80 vjeç
6. Adem Isen Matmuja, 63 vjeç.
Sulejman Dida, Kukës, tetor 2013
Hi, afger reading this remarkable article i amm too delighted to share my familiarity here
with colleagues. https://bandurart.mystrikingly.com/