SAFARI I SARAJEVЁS …

Safari i Sarajevës: Faktet dhe provat mbi përfshirjen e shtetit serb dhe Aleksandar Vuçiqit

Nga Adnan Qaka, Pejë – më 3 shtator 2026

Portali “Slobodna Bosna” publikoi emrat e snajperistëve që qëllonin mbi sarajevasit. Pas më shumë se 30 vitesh, portali Slobodna Bosna paralajmëroi publikimin e listës së personave që Shërbimi i Sigurisë Shtetërore i Republikës së Bosnjë dhe Hercegovinës i kishte evidentuar në dokumentet operative të vitit 1994 për aktivitete të ndryshme.    

Sipas këtij mediumi, bëhet fjalë për dokumente të shënuara si “TEJET SEKRETE”, të cilat lidhen me persona të dyshuar për veprimtari snajperiste gjatë rrethimit të Sarajevës. Pretendimet për “Safarin e Sarajevës”. Slobodna Bosna rikujton pretendimet e Ezio Gavazzenit, gazetarit italian dhe autorit të librave për të ashtuquajturin “Safari i Sarajevës”, sipas të cilave gjatë agresionit ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës një numër i madh shtetasish të huaj merrnin pjesë në këtë fenomen. Sipas pretendimeve të tij, të paktën 500 persona nga vende të tjera paguanin shuma të mëdha parash për të marrë pjesë në këto aktivitete, ndërsa mes tyre thuhet se kishte rreth 230 shtetas italianë. Gavazzeni pretendon se çmimi për pjesëmarrje në të ashtuquajturin “safari” arrinte deri në 200 mijë euro, ose sa vlera e një banese në atë kohë. Pretendime tronditëse për “trofetë”. Në tekst përmenden edhe pretendime veçanërisht shqetësuese, sipas të cilave disa pjesëmarrës dyshohet se merrnin gëzhojat e plumbave si “trofe”. Sipas këtyre pretendimeve: një vijë e gdhendur nënkuptonte një fëmijë të vrarë, dy vija një grua të vrarë dhe tri vija një burrë të vrarë. Këto informacione prej vitesh kanë ngjallur interesim të madh publik, ndërsa pjesë të ndryshme të kësaj historie vazhdojnë të jenë objekt debatesh dhe hetimesh. Lista iu dorëzua Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës. Slobodna Bosna njofton se në ditët në vijim do të publikojë emrat e personave nga lista e SDB-së së Bosnjës dhe Hercegovinës. Ata theksojnë se jo të gjithë individët në listë kanë qenë drejtpërdrejt snajperistë, por pretendojnë se shumë prej tyre i njohin identitetet e personave që morën pjesë në vrasjen e qytetarëve të Sarajevës gjatë rrethimit. Për këtë arsye, portali  siç thuhet në tekst  listën e plotë ia ka dorëzuar Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës për procedura të mëtejshme dhe zhvillimin e veprimeve hetimore. Rrethimi i Sarajevës la mijëra viktima. Gjatë rrethimit pothuajse katërvjeçar të Sarajevës, mijëra qytetarë humbën jetën nga granatimet dhe sulmet snajperiste. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, në disa aktgjykime, ka përcaktuar përgjegjësi për fushatën e veprimeve snajperiste dhe terrorizimin e popullsisë civile të Sarajevës. Historia e “Safariut të Sarajevës” edhe sot shkakton emocione të forta dhe mbetet një nga temat më të errëta të lidhura me luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë. Dihet se snajperistët përdornin municione të ndaluara nga konventat ndërkombëtare. Komanda e Korpusit të Sarajevës dhe Romanisë (KSR), dhe e Ushtrisë së të ashtuquajturës Republika Srpska, krijesës gjenocidale (URS), organizoi trajnime të veçanta për snajperistët, të cilat zhvilloheshin kryesisht në kazermat e Jahorinës dhe Romanisë. Në një dokument të titulluar “Urdhri për ndarjen dhe dërgimin e instruktorëve të snajperistëve në stërvitje në kazermën e Jahorinës”, datuar më 19 janar 1995, shihet se Dragomir Millosheviq lëshoi urdhra për stërvitjen e snajperistëve.

Më shumë dokumente të KSR dhe URS-së dëshmojnë për mbajtjen e kurseve dhe trajnimeve të snajperistëve. Në një nga dokumentet e nënshkruara nga Millosheviqi theksohet se trajnimi i instruktorëve të snajperistëve do të zhvillohej më 23 janar 1995 në zonën e kazermës Jahorina dhe do të zgjaste tetë ditë. Në këtë dokument, kapiteni Zoran Terziq, togeri Vllajko Bozhiq dhe major Stevan Velloviq janë renditur si personat përgjegjës për organizimin dhe zbatimin e kursit “Mbrojtja Kombëtare”, duke u përcaktuar përkatësisht si komandant i kursit dhe instruktorë trajnues. Ka një numër dokumentesh përkatëse nga të cilat shihet se sa ishte kërkesa për pushkë snajperi dhe municione. Gazetari hulumtues kroat Dragoje Margetiq i ka paraqitur Zyrës së Prokurorisë Publike të Milanos padinë kundër kryetarit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të cilin ofron dëshmi të shumta, nga të cilat mund të vërtetohet se ka qenë snajperist i njësisë ushtarake të Sheshelit, të cilët me snajperë kanë kryer vrasjen e civilëve kalimtarë në rrugët dhe sheshet e Sarajevës. Gazetari hulumtues kroat i ka radhitur argumentet nga të cilat ka bazë dyshimi se Vuçiqi, si qytetar i një shteti tjetër (i Serbisë), ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve në Sarajevë, si pjesëtar-vullnetar i njësisë së Sheshelit. Dhe kështu, gazetari kroat radhit argumentet që ia ka paraqitur Prokurorisë së Milanos: 1) Kryetari aktual i Republikës së Serbisë, në mënyrë të pakontestueshme ka qenë vullnetar ilegal i luftës në Sarajevë, Bosnjë-Hercegovinë, gjatë viteve 1992-1993. Nuk është kontestuese se Vuçiqi ka qenë vullnetar në luftën nga një shtet i jashtëm (nga Serbia), pjesëtar i njësisë kriminale të vullnetarëve, e cila ishte njësi nën komandën e Partisë Radikale Serbe nga Serbia. Konkretisht, Vuçiqi ka qenë pjesëtar i njësisë ushtarake nën komandën e vojvodës Sllavko Aleksiq. 2) Njësia vullnetare ushtarake e Sllavko Aleksiqit gjatë viteve 1992-1993 ishte e stacionuar në pozitën luftarake në Sarajevë, konkretisht në “Varrezat e Qifutëve” të Sarajevës, ku kryetari aktual i Serbisë ka qëndruar disa muaj gjatë viteve 1992-1993, si vullnetar lufte i një shteti tjetër. 3) Pjesëmarrjen e kryetarit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, si vullnetar në luftën e Sarajevës, si dhe faktin se Vuçiqi ishte pjesëtar i njësisë së Aleksiqit dhe se si vullnetar ishte i stacionuar në “Varrezat e Qifutëve” të Sarajevës, këtë e ka vërtetuar në dëshminë e tij në Tribunalin e Hagës edhe shefi dhe mentori i tij politik i viteve 1990-ta dhe aleati i sotëm – Vojislav Sheshel. 4) Lokacioni i “Varrezave Qifute” në Sarajevë ka qenë pozicioni në të cilin ka qenë Aleksandar Vuçiqi si vullnetar gjatë vitit 1992-1993.

Ai pozicion, si një ofertë e tmerrshme “turistike-Safari”, për gjueti në njerëz, u jep (me pagesë) edhe qytetarëve të pasur nga Italia dhe shtetet e tjera, dhe ishte i njohur si pozicioni më ekskluziv, më i shtrenjtë dhe më i tmerrshëm i gjuetisë në boshnjakët e Sarajevës, veçmas si “safari” për vrasjen e fëmijëve në përqafimet e nënave. Këtë po e theksoj, sepse përputhet me dëshmitë e disa dëshmitarëve të cilët kanë dëshmuar se njerëzit e sigurimit të shtetit kanë qenë ndërmjetësues për organizimin e “safarit” në luftën e Sarajevës. 5) Në programin “Dobro jutro Srbijo”, gazetari Dushan Mariq ka dëshmuar se Aleksandar Vuçiqi ka qenë vullnetar në Sarajevë dhe si vullnetar i luftës ka qenë i sistemuar mu në pozicionin e “Varrezave Qifute” të Sarajevës. Gazetari Margetiq, në padinë e tij, ka theksuar se Vuçiqi, në një intervistë dhënë gazetës beogradase “Duga” (dt. 6 gusht 1994), vetë ka pohuar se “Kur ka filluar lufta në Bosnje, unë kam shkuar në Sarajevën serbe dhe jam lajmëruar si vullnetar dhe një kohë kam qenë në ‘Varrezat Qifute’.” (Shih librin e studiuesit gjenial Adil Fetahu, Vetëm e Vërteta i Qëndron Kohës (Publicistikë), botuar nga LENA, Prishtinë, 2026, f. 387-390.) 1) Aleksandar Vuçiq ka qenë rezervist i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror (DB) të Serbisë; për këtë e dëshmojnë edhe dokumentet. 2) Si rezervist i DB-së së Serbisë, ai ishte caktuar si vullnetar në njësinë e Slavko Aleksiqit, në Varrezat e Qifutëve gjatë rrethimit të Sarajevës; 3) Ai ishte përgjegjës për detyrat që lidhen me organizimin e të ashtuquajturve “safari snajperësh” gjatë rrethimit të Sarajevës; 4) Ai ishte përgjegjës për shoqërimin e të huajve që vinin për të marrë pjesë në gjuetinë me snajper ndaj civilëve boshnjakë, grave, fëmijëve dhe grave shtatzëna gjatë rrethimit të Sarajevës; 5) Aleksandar Vuçiq ka marrë pjesë aktivisht në këto “safari njerëzore”, pra në gjuetinë me snajper ndaj boshnjakëve gjatë rrethimit të Sarajevës; 6) Aleksandar Vuçiq merrej edhe me arkëtimin e pagesave për shërbimet logjistike që paguanin të huajt pjesëmarrës në këto aktivitete, ndërsa këto pagesa i përfitonte Komanda e njësisë së Aleksiqit. Se Aleksandar Vuçiq është i përfshirë në Safarin e Sarajevës e vërteton vetë fakti i “vdekjes së mistershme” të Sllavko Aleksiqit, i cili do të ishte dëshmitar kyç i kësaj ngjarjeje. “Vdekja” e tij ndodhi një muaj pasi një prokuror italian nisi hetimin e provave, ku dyshohet se snajperistët nga Italia dhe vendet e tjera udhëtuan në kryeqytetin boshnjak për të vrarë civilë boshnjakë gjatë rrethimit pothuajse katërvjeçar të Sarajevës.

Gazetari investigues kroat, Dragoje Margetiq, ka thënë se Aleksiq ishte në gjendje të mirë shëndetësore në nëntor 2025, por papritmas ka vdekur. Margetiq ka treguar se Aleksiq ishte dërguar në spitalin ushtarak të Beogradit nga shërbimi sekret serb dhe më pas trupi i tij u kthye në Bosnjë për t’u shpallur i vdekur atje. Avokati serb Stojkoviq kishte deklaruar se është e arsyeshme të hetohet nëse vdekja e Aleksiqit ka lidhje me hetimin dhe nëse ka pasur helmim. Ai i kishte bërë thirrje prokurorëve të kryejnë autopsi. Formacionet e armatosura të Republikës Federale të Jugosllavisë (JUPJ dhe UJ), njësitë ushtarake të Korpusit të Sarajevës dhe Romanisë (KSR) dhe korpuset e tjera të Ushtrisë së të ashtuquajturës Republika Srpska (URS), së bashku me shumë vullnetarë vendas, mercenarë dhe luftëtarë të huaj, u vendosën në pjesët e pushtuara të Sarajevës dhe ndërmorën sulme kundër qytetit me qëllim pushtimin, ndarjen dhe shkatërrimin e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës si shtet dhe me qëllim të shkatërrimit të boshnjakëve si të tillë.

Objektivi kryesor ishte marrja nën kontroll e Sarajevës, synim të cilin ata u përpoqën ta arrijnë përmes sulmeve të vazhdueshme, granatimeve intensive dhe fushatave të snajperizmit. Shërbimet boshnjake për këtë gjueti e mësuan në fund të vitit 1993. Tërë kjo ka ndodhur në dimrin 1993/94. “Ata thanë: kemi zbuluar që ky safari fillon nga Trieste. E kemi ndërprerë dhe kjo lloj gjuetie nuk do të kryhet më.” Në dokumentet e Nedžad Ugljenit, ish-zëvendësdrejtorit të Shërbimit të Sigurisë Shtetërore të Bosnjës-Hercegovinës, i cili u vra në vitin 1996, ka informacione si për çetnikët e Slavko Aleksiqit, që mbanin nën kontroll Varrezat e Qifutëve dhe zonën Novo Sarajevo (Sarajeva e Re), ashtu edhe për kompanitë e sigurisë dhe financuesit, si dhe mbi ekspeditat në “Safarin e Sarajevës”. Në ato dokumente dëshmohet struktura organizative, logjistika, personat e përfshirë në “Safarin e Sarajevës” dhe lidhjet me Sigurinë e Shtetit të Serbisë. (Shih: Ezio Gavazzeni, Snajperët e fundjavës – Investigim mbi gjuetinë e njerëzve në Sarajevë, Botime Artini, Prishtinë, 2026, f. 162-164.)

Gazetari kroat Domagoj Margetiq ka publikuar dokumente të cilat, sipas tij, janë pjesë e dokumentacionit të brendshëm dhe sekret të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Bosnjë-Hercegovinës që lidhen me rolin e Aleksandar Vuçiqit në Rrethimin e Sarajevës. Në qendër të materialit është një dokument i datës 17 shkurt 1995, i lidhur me përpunimin operacional të koduar “Lovac”, apo “Gjuetari”. Dokumenti i atribuohet Nedžad Ugljenit, atëherë Zëvendësdrejtor i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Bosnjë-Hercegovinës. Sipas përmbajtjes së dokumentit të publikuar nga Margetiq, Ugljeni e identifikon Aleksandar Vuçiqin, i cili në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe në Beograd, si personin që koordinonte ardhjen e shtetasve të huaj në pozicionet e snajperëve nga ku, sipas dokumentit, qëllohej ndaj civilëve në Sarajevë.

Në dokument thuhet se, pas bisedave me disa persona lidhur me ardhjen e “gjuetarëve të huaj” për të qëlluar njerëz nga pozicionet e snajperëve në Grbavicë dhe Varrezat Qifute, kontaktet operative kishin siguruar informacione që Shërbimi i konsideronte të besueshme. “Personi që koordinon aktivitetet e sjelljes së gjuetarëve të huaj në Grbavicë dhe që i shoqëron ata në pozicionet nga të cilat qëllohet mbi civilët në Sarajevë është sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe në Beograd, Aleksandar Vuçiq”, thuhet në dokumentin e publikuar. Në material thuhet gjithashtu se Vuçiq kalonte kufirin dhe lëvizte në territorin nën kontrollin e forcave serbe të Bosnjë-Hercegovinës. Sipas dokumentit, në pikat e kontrollit ai identifikohej me një legjitimacion të rezervistit të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë. Sipas dokumentit, ky legjitimacion ishte lëshuar nga Frenki Simatoviq, atëherë zëvendësdrejtor i DB-së së Serbisë. Aty theksohet se aktivitetet e Vuçiqit në lidhje me ardhjen e “gjuetarëve të huaj” në Grbavicë dhe në Varrezat Qifute kishin vazhduar edhe pasi ai ishte kthyer në Beograd dhe ishte zgjedhur sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe. Në atë periudhë, sipas dokumentit, ai ishte edhe deputet në Kuvendin e Serbisë.

 Në periudhën midis prillit 1992 dhe nëntorit 1995, një grup udhëheqësish politikë dhe ushtarakë serbë mori pjesë në një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, e cila përfshinte edhe një fushatë snajperësh. Njësitë e snajperëve brenda Korpusit të Sarajevës dhe Romanisë (KSR), si dhe snajperët individualë, ishin nën kontrollin e Komandës së KSR-së dhe, përfundimisht, të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së të ashtuquajturës Republika Srpska, e cila është krijesë gjenocidale (URS). Serbia është fajtore për krimin e gjenocidit ndaj boshnjakëve në shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Stanisllav Galiq dhe Dragomir Millosheviq u dënuan nga ICTY për drejtimin e një fushate granatimi dhe snajperësh me qëllim përhapjen e terrorit ndaj qytetarëve të Sarajevës. Dhe në fund dua të theksoj se gjatë gjithë luftës së Bosnjës dhe Hercegovinës për mbrojtjen e saj, ranë dëshmorë 186 shqiptarë.

——————

Aleanca Greko-serbe në krimin e gjenocidit serb në Bosnje dhe Hercegovinë

Nga Adnan Qaka, Pejë – më 2 shtator 2026          

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura