DEMONSTRATAT E `81-shit DHE NDËRKOMBËTARIZIMI I ÇËSHTJES SË KOSOVËS!
Nga Lulzim Nika, Prishtinë 2 Prill 2022
Po bëhen katër dekada nga dita kur filloi kthimi i shpresës për liri të Kosovës me sakrificën e pamohueshme të profesorëve dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës që organizuan Demonstratat e vitit 1981. Protestat studentore të vitit 1981, janë vijimësi e protestave të vitit 1968.
Falë idealistëve që besonin në lirinë e Kosovës, u bë organizimi i Pranverës shqiptare të vitit 1981. Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Fazli Graiçevci, nën terrorin e Rankoviqit, filluan organizimin e shqiptarëve drejtë lirisë.
Brezi i Kadri Zekës, Jusuf Gërvallës, Fehmi Lladrovcit, Gani Sylës, Hydajet Hysenit e shumë të tjerëve, do të bëhet fronti i pathyeshëm që mbi supet e tij do të merrte përgjegjësinë historike për ndërtimin e shtetit të dytë shqiptar, të Kosovës që sot falë atij përkushtimi, ne e gëzojmë. Ky brez bëri sakrificën titanike për lirinë e Kosovës.
Ashtu si në të gjitha qytetet shqiptare nën pushtimin jugosllav, edhe Drenasi falë burrave dhe grave më të guximshëm, organizoi demonstratat e vitit 1981, duke gjakosur kryepolicin e instaluar të pushtetit në ballë. Kjo goditje ishte goditje edhe për regjimin okupator e kriminal jugosllav të kohës që torturonte me qindra e mijëra të rinj shqiptarë, vetëm pse kërkonin liri.
Lëvizja studentore në Kosovë, vazhdoi rezistencën e saj pareshtur bashkë me kërkesat e tyre të cilat gjithnjë mohoheshin nga pushtuesi serb.
Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, demonstratat masive të pranverës së vitit ’81 (mars-prill), konsiderohen si ngjarjet kryesore në Jugosllavi, pas vdekjes së Titos.
Fillimisht, revoltat studentore në mjediset universitare, ato brenda një kohe të shkurtër u përshkallëzuan në protesta gjithëpopullore anekënd Kosovës. Ngjarjet e pranverës së vitit 1981, sollën në sipërfaqe problemet e pa kapërcyeshme në Jugosllavi – për shumë kë ato përbënin edhe prologun e shkatërrimit të eksperimentit socialist që më kot u mundua t’i tejkalonte antagonizmat etnik.
Me ardhjen në krye të shtetit amerikan të presidentit amerikan Ronald Regan, ishte vendosur një politikë më agresive ndajë “lindjes” dhe sistemit politik socialist dhe ideologjisë komuniste. Në politikën e jashtme të ShBA-së, të gjitha trazirat politike, sociale e klasore në “botën e lindjes” ishin në funksion të politikës amerikane që ishte e vendosur në shkatërrimin e sistemit politik të lindjes.
Të gjitha zhvillimet dhe lëvizjet që binin ndesh me sistemin politik të kampit “të lindjes” ishin në favor dhe gjenin përkrahje të ShBA-së për të dëshmuar se duhet ndërruar sistemi politik i lindjes që binte ndesh me respektimin e të drejtave të njeriut dhe rrezikonte paqen dhe sigurinë globale.
Në kuadër të kësaj klime dhe perspektive, duhet parë edhe demonstratat e studentëve të vitit 1981 që ishin të organizuara nga grupet nacionaliste shqiptare që kishin “ideologji majtiste” me qëllim të ngritjes së statusit politik të Kosovës në Federatën jugosllave.
Këtu, në vijim, do të paraqesim se si shkruhej për gjendjen e Kosovës nëpër mediumet më të mëdha botërore, si “Uashington Post”, “New York Times”, “The economist”, “Financial Times”, apo agjencitë “Associated Press”, BBC, Reuters, Xinhua e në shumë mediume të tjera.
Ashtu sikur në vitin 1981, gjatë dhe pas demonstratave, imazhi i Kosovës nëpër botë kishte filluar të shpalosej realisht, pothuajse i plotë dhe i drejtë dhe se si menjëherë (brenda më pak një viti), propaganda serbe kishte arritur ta shtrembëronte këtë paraqitje të Kosovës, duke e kthyer në favor të vetin.
Situata e rrotulluar nga propaganda serbe, nëpër mediumet botërore serbët paraqiteshin si viktimat më të mëdha të “nacionalistëve shqiptarë” dhe të “fundamentalistëve islamikë”.
“Washington Post”, më 3 prill 1981 publikon artikullin me titull “Jugosllavia ndërmerr hapa emergjentë përballë trazirave etnike”, artikull që i kushtohet protestave të studentëve në Kosovë. Megjithatë, korrespondenti i WP, artikullin e kishte shkruar nga Beogradi dhe prononcimet i kishte marrë nga zyrtarët jugosllavë. Aty thuhet se ishin rreth 10 mijë protestues, studentë dhe minatorë që, sipas autoriteteve, disa ishin edhe të armatosur dhe kishin shtënë në drejtim të policisë. Artikulli po ashtu citon edhe deklaratën publike të kryetarit të Kosovës, Xhavit Nimani, i cili akuzon protestuesit se janë të manipuluar nga forca të huaja që duan ta prishin Jugosllavinë.
Ndërkaq, gazeta e njohur “The Economist”, më 11 prill 1981, boton artikullin me titull “Jugosllavia – shtëpia ku u rritën shqetësimet”, ku i bën një skanim detaj gjendjes në Kosovë bazuar në të dhënat zyrtare, të Jugosllavisë së atëhershme si dhe në disa burime të pakonfirmuara. Në këtë artikull disa herë theksohet se në Kosovë shumica e popullsisë është shqiptare, dhe ajo është provinca më e prapambetur në aspektin ekonomik. Valuta vendase po pësonte rënie të ndjeshme dhe parashikoheshin probleme serioze për tërë vendin.
Pak më vonë, më 19 prill 1981, e përditshmja “The New York Times”, boton një artikull me parashikim apokaliptik për Jugosllavinë: “Një stuhi kaloi, por të tjerat janë duke u grumbulluar në Jugosllavi”. “Bashkim vëllazërimit” të Titos duket se i ka ardhur fundi, shkruante qysh në fillim, autori i këtij artikulli.
Pastaj, ndër të tjera thotë se në Jugosllavi, e cila përbëhet nga shumë etni, është një pabarazi e stërmadhe mes etnive e sidomos më të vuajturit janë shqiptarët e Kosovës.
Në pjesën e fundit të artikullit shtjellohet gjerë e gjatë historia e Kosovës që nga Kongresi i Berlinit, vuajtjet dhe vrasjet e shqiptarëve nga serbët, pushtimet, protestat dhe çdo gjë që kishin bërë serbët mbi shqiptarët.
“Financial Times”, më 5 shkurt 1982, boton artikullin “Policia dështon ta thyejë rezistencën në Kosovë”. Ky artikull pohon se si policia ka arritur t’i shkatërrojë 33 grupe nacionaliste kriminale të shqiptarëve, te të cilët ka gjetur armë dhe shumë mjete propaganduese. Edhe përkundër këtyre aksioneve thuhet se situata është shumë serioze.
Këtej e tutje, organet mediale botërore që u përmenden, si “Financial Times”, “New York Times”, “The Economist”, BBC, Reuters dhe të tjera, nga fundi i vitit 1981 e deri në fillim të viteve 1990, shumë herë janë marrë me Kosovën. Ato i janë kthyer e rikthyer temës së
Kosovës, por pothuajse në të gjitha këto mediume vërehet një ndikim i madh i propagandës serbe.
Nga fundviti 1981 deri në fillim të viteve ‘90, mediat botërore përcillnin artikuj e reportazhe të gjata se si minoritetet, e sidomos minoriteti serb, po e lëshonte Kosovën, si pasojë e presionit, shantazheve, dhunës dhe vrasjeve nga shqiptarët e Kosovës, të cilët paraqiteshin si kanceri i shoqërisë dhe shtetit jugosllav.
Kjo klimë u ndryshua dhe u bë e favorshme për Kosovën dhe shqiptarët, falë doktrinës së trasuar nga presidenti Regan, por në veçanti pas vizitave të para në vitet ’90 të kongresmenëve, senatorëve e zyrtarëve tjerë amerikanë, të cilët u njohën me të drejtat, liritë dhe kauzat e shqiptarëve në Kosovë.
Kjo qasje pozitive dhe kthesë ndaj Kosovës e mediave botërore, shihet qartë ishte duke vijuar me besnikëri doktrinën e presidentit Regan me promovimin e vlerave demokratike.
Kosova po hynte në fokus duke u bërë hapësirë dhe zonë e fuqishme e ndikimit amerikan. Pas çlirimit të vendit, kjo zonë u bë zonë e sigurt për të gjithë qytetarët, zonë e paqes, mirëkuptimit dhe vlerave më demokratike në rajonin e Evropës lindore dhe në veçanti duke qenë shembull i të drejtave të njeriut në Ballkan e më gjerë.