TESTAMENTI I MIRËSISË
(baladë rapsodike për gruan shqiptare në shekuj)
Nga Albert HABAZAJ
Që kur dielli ësht’ parë,
Shqiptarka s’ka bërë pazar.
Nderi, familja, qëndresa,
Kup’ e art’ frymë me shpresa,
Me famë Teuta ilire,
Dha e mori dritë me yje.
Shkëlqeu shpata, kama, huta,
Vajzat shqipe janë Teuta.
Bija, nëna, gjyshe – dada,
Lirikë mbushur balada.
Zonjë e Vlorës dhe Kaninës,
Dhemb krenari e Rugjinës.
Gulçon Shushica, Shkumbini:
“O male të lartë, qysh flini?!”
Çermenika, Mokra, Shpati,
Djepe ku u përkund fati.
Rrudhur e plakur Sopoti,
Mori bekim Kastrioti.
Donika, princesh’ e bukur,
Besnike, shqiponj’ e flutur.
Lindën viset arbërore
Dhe Angjelinën shenjtore.
Gjergj Golemi Araniti
Perandorinë e tronditi.
Mbretëreshë e malevè,
Nor’ e Kelmendit mbi rè.
Trëndelinë për lirinë
Admiralja Bubulinë.
Dora d’Istria në Evropë
Qe, kur thonë, me pesë shokë!
Yll i bukur i kulturës,
Elena – ballë furtunës.
Shota dhe Tring’ e Malësisë
Dy lule të trimërisë.
Moj Maro Konda me forë,
Plumb – në buzë me dy taborë.
Shpirti rebel s’jep haraçe,
Shkrep rrufe Miro Tërbaçe.
“Përpara, o burra, djema!”
Prin në luftë Sado Koshena.
Dhe fisnikja Maro Mokra
I tha vëllait ç’ësh’ motra.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu,
Shenjtore me frymë njeriu.
Nënë e Botës, Shën Tereza
Tha: “Për botën yje ndeza”…
Musine e ëndrrave,
Moj Lulja e dhembjeve.
Zonja Çurret, Margaritat
Ndriçojnë dhe kur fiken dritat…
Nermin Vlora engjëllore
Për Kombin Ambasadore.
10 Shqiponjat e Tërbaçit
Me këngë e valle kaçi.
Këto gratë e Shqipërisë,
Testamenti Mirësisë.