(Prishtinë, 25. 01. 2013) – Opinioni në Kosovë me plotë arsye ndjehej i shqetësuar ditëve të kaluara sepse shenjat ishin se mund të ketë zhvillime apokaliptike. Largimi i Agim Çekut nga kreu i një subjekti me shumë ndikim siç është PSDK ishte vetëm paralajmërim i një katastrofe të radhës për skenën politike kosovare e cila vërtetë edhe ndodhi; shkëputja e një koalicioni atomik siç ishte ai midis AKR-së dhe PSDK-së. Si qershizë mbi tortën e kontaminuar politike ishte kërcënimi i AKR-së se do të shkëpusin koalicionin me PDK nëse pordhët e ftohta të disa zyrtarëve të AKR-së të cilët, pa pasur as më të voglën konsideratë për ajrin e stërndotur në Kosovë (jo vetëm të atij politik) kontribuan në vazhdimin e ndotjes së tij. Duket se ky ishte efekti i vetëm i këtij “shpërthimi bërthamor pas pasulit të ngrënë për drekë” të zyrtarëve të këtij subjekti politik që e bëri “lëmë thiu” skenën politike në Kosovë!
Thuhet se Hashim Thaçit i kanë dërguar edhe një letër ku e paralajmërojnë se nëse pordhët e tyre të ftohta nuk pranohen si parfum Chanel No 5: ”nuk do ta kenë problem të kalojnë edhe në opozitë”. Kjo është pordhë super e ftohtë! Hashim Thaçi këtë kërcënim e mori shumë seriozisht prandaj me urgjencë e ftoi kreun vendimmarrës të PDK-së (Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Hajredin Kuçi, Behgjet Pacolli, Mimoza Kusari – Lila dhe Ibrahim Makolli) në një darkë pune ku do të vendosej për fermanin e dërguar nga nëndega e saj e 17-të e quajtur AKR për vazhdimin e koalicionit apo shkëputje të tij. Për shkëputje jo sepse divorci eventual i partnerëve të dashuruar “marrëzisht“ dhe “sinqerisht” do të ishte shkelje dhe përdhosje e një betimi dhe besimi të përjetshëm në të gjitha fushate e jetës, nga ai sentimental me dashuri bukolike deri te realizimi i projekteve makropolitike ekonomike! Për mirëqenien e qytetarëve të Kosovastanit dhe Turkmenstanit! Thuhet se dita e mirë shihet në mëngjes dhe kjo nuk nënkupton nëse mëngjesi është me diell apo me shi por mëngjesi i mirë është rezultat i darkës së mirë e sidomos si e keni bërë gjumin! Aspak nuk dyshoj se “ të uriturit e Nënës Tereze e kanë pasur darkën jo më të varfër se Darka e Lamës e cila mbahet mend se rreth një sofre mblidheshin kryesisht ata që nuk ngopen kurrë! Në fakt ishin disa sofra por “ të uriturit “ ndaheshin sipas fuqisë politike apo ndikimit politik. “Gazdallarët“ e politikës ndërkombëtare dhe vartësit e tyre vendorë uleshin në sofrën e madhe ndërsa fëmijët e vegjël apo llaskucët shpërndaheshin në sofrat tjera. Menyja nuk ishte e njëjtë për të gjithë. Mbase u kujtohen fytyrat e veshura me një buzëqeshje artificiale, me gojën e mbushur jashtë kapaciteteve pranuese e që për rezultat kishin sytë e dalur duq siç thotë populli! Unë këtë darkë nuk di nëse do ta quaj Darka e Lamës apo Darka e Fundit (e Fshehtë) e Krishtit. Pas rezultateve eventuale do përcaktohesha se cila darkë në të vërtetë ishte. Nëse kjo darkë përfundon eventualisht vetëm me një gogësim apo barkqitje atëherë lirisht mund të flasim për Darkën e Lamës. Në këtë darkë më duket se nuk ka pasur ndërkombëtarë por menyja ka qenë e pregatitur në kuzhinë ndërkombëtare. Meny me porosi – Ala Carte! Nëse si rezultat i kësaj darke do të kemi netë pa gjumë , sakrifikim politik apo vënie në kryq atëherë lirisht mund të themi se kemi të bëjmë me Darkën e Fshehtë apo Darkën e Fundit. Edhe Krishti pas kësaj darke u gozhdua në kryq! Jo për shkaqe të besimit dhe bindjeve fetare por për shkak se ishte kundër taksave dhe tatimeve të larta e që nëkupton se gozhdimi i tij ishte për mosbindje politike! Darka në këtë përbërje të PDK-së nuk e besoj se do të përsëritet më! Dikush sigurisht se do të gozhdohet në të ardhmën jo shumë të largët! Dikush do të vazhdojë të bëjë punën që e bënë më së miri e ai është lirimi i gazrave joekologjikë në të cilin do të ngulfaten vet. Është me rëndësi se punët janë të ndara prandaj edhe rezultatet nuk do të mungojnë! Krejt çka lexoni më lart lexues të nderuar mund të përmblidhet në një paragraf të vetëm e ai është se: ”AKR nuk do të tërhiqet nga PDK edhe me çmimin që t’i merren të gjitha ministritë dhe postet tjera. Mjafton që Hashim Thaçi t’ua japë një bexh, distinkt apo leje të kenë qasje të lirë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës”. Ose, nëse Thaçi ua jepë një goditje në pjesën më të butë dhe më të madhe të trupit!
Peshku i artë dhe presidentja Jahjaga
Nëse presidentja Jahjaga nuk do të mbahet mend për asgjë atëherë së paku do të mbahet mend se rreth vetes i ka mbledhur kokat më të mençura të Kosovës apo këshilltarët e saj. Ata po bëjnë punë të mençura. E këshilluan që të shkojë edhe te Ahmet Zogu edhe te Hasan Prishtina. Për te Nikolla Pashiqi e kanë lënë më vonë! E këshilluan që Krishtlindjet janë festë fetare e besimtarëve ortodokës ndërsa pashkët ortodokse janë festë e të krishterëve. E Këshilluan që Him Gova është Zot ndërsa Zoti është sekretar i tij! E këshilluan që mbiemri i vërtetë i Luigj Gurakuqit është Karakuqi. Po e këshillojnë se si duhet të lexojë dhe si duhet të vishet. Me një fjalë po e rifreskojnë vizuelisht dhe shpirtërisht. Presidentja u bindet sepse janë njerëz të besueshëm të cilët janë dëshmuar se janë të dobishëm për të gjitha sistemet dhe të gjitha kohërat! Presidentja pa ta mund të jetë vetëm njeri! Flitet se këshilltarët e presidentes e kanë këshilluar presidenten se duhet të shkohet në peshkim te një lumë i caktuar sepse aty qenka peshku i artë dhe se këta si të gjithëdijshëm që janë do ta mësojnë si ta zënë në grep peshkun e artë pas së cilës presidentja do të kërkonte që ky peshk t’i plotësonte tri dëshira. Kundër rregullave të prokurimit blenë rekuizitet për peshkim, nga një kostum firmato, i caktuan mëditjet dhe nisën punën! Hop, hop , hop dhe peshku ra në grep. Peshku i zënë në grep në përpjekje ta fitojë lirinë kërkoi nga presidentja tri kërkesa. Presidentja , si e pasherrë që është tha se kërkesa e saj e parë është mirëqenia e popullit të Kosovës ndërkohë që këshilltari numër 1 i thoshte: ”lëre këtë por kërko takim me Tomisllav Nikoliqin. Dhe presidentja tha se kërkesa e parë është takimi me Tomisllav Nikoliqin. Thuaje kërkesën e dytë tha peshku. Kërkesa ime e dytë është mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës. Këshilltari nr 2 i pëshpëriti: ”thuaj se dëshira e dytë është takimi me Nikoliq Tomisllavin“. Dhe presidentja si e pasherrë që është e dëgjoi këshilltarin. Vazhdoni me kërkesën e tretë tha peshku. Kërkesa ime e tretë është që të integrohemi në BE, NATO dhe të kemi miqësi të përhershme me SHBA. Këshilltari i tretë i pëshpëriti:” mos e prano se i bënë reklamë Hashim Thaçit po thuaj se kërkon që të të besojnë se Këshilli Kombëtar Kundër Korrupcionit po bënë punë të madhe e pastaj dua të takohem me Tomisllav Nikoliqin t’i tregojë edhe atij këtë përrallë”! Presidentja e përsëriti kërkesën e tretë të këshilltarit të tretë pas së cilës peshku e pati vetëm një kërkesë të lirohet për 10 sekonda me besë të Zotit se nuk do ta shpërdorë besimin e dhënë dhe se do të kthehet përsëri. Dhe vërtetë pasi presidentja jonë e pasherrë ia dha besimin peshku u kthye pas 10 sekondave me një enë për pregatitjen e peshkut dhe pajisjet tjera. Presidentja e mori peshkun e artë në duar dhe pasi e pa së afërmi e puthi në kokë dhe me shumë kujdes e lëshoi në ujë. Do të thoni si mund të ndodhë kjo pa plotësimin e tri dëshirave nga peshku i artë. Presidentja, në kërkesën për përmbushjen e kurreshtjes së këshilltarëve u përgjigj se pamja e jashtme luan shumë rëndësi për të siguruar mbijetesën politike dhe jo vetëm politike. Pastaj , peshku i artë i kishte mustaqet sikur zoti Dell, gojën e baroneshës Ashton, sytë si zoti Marnjak ndërsa në shpinë kishte një tatu me mbishkrim: ”i rritur në hurdhën e Kërstimir Pantiq , Severna Mitrovica, Srbija“. E tash të dashur këshilltarë të mi! Kush do të kishte guxim ta fërgonte dhe ta hante këtë peshk në Kosovë?! Po i lëmë këto punë se së shpejti do të takohemi me Tomisllav Nikoliqin!
Liberalizimi i vizave dhe 1 prilli
Vazhdimisht po na zgjasin vesht me liberalizimin e vizave. E kam fjalët për ata të Brukselit. Tash kam filluat t’u besoj më shumë se Shtefan Fyelli tha se bisedimet do të fillojnë në pranverë kur edhe priten përparimet. Mbase 1 prilli do të jetë data e vërtetë kur do të fitojmë diçka! Pastaj nga ne po kërkohet të heqim dorë nga praktikat e mira që na i kanë mësuar pikërisht ndërkombëtarët siç janë: korrupcioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, gjyqësori i varur nga politika, trafikimi me narkotikë dhe qenie njerëzore etj. Mendoj se refuzimi për liberalizimin e vizave dhe integrimi në BE nuk është i natyrës ekonomike, sociale, luftimin e dukurive negative apo politike por ekskluzivisht i natyrës linguistike. Sepse, me turqishten e Hashimit, shqipen e Jahjagës dhe serbishten e Haradinajt e kemi vështirë të integrohemi në BE!