ZËRI I SHUAR I LAHUTARËVE NË KRAJË DHE ANA E MALIT

Zëri i shuar i lahutarëve në Kraja dhe Ana e Malit

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin – nëntor 2022

Në të gjitha trevat shqiptare  shtëpia pa lahutë , shtëpia ku s’këndoheshin këngë kreshnikësh , konsiderohej si “ shtëpi e lanun” . Një shtëpi  që e ka lahutën nuk bën me e varë kudo, thuhet ndër shqiptarë . Ajo sipas traditës varet vetëm  mbi oxhak, ndërsa mbi lahutën  nuk varet asgjë tjetër.  Lahuta bashkë me pushkën kanë qenë binom në ballin e murit. Sipas dokumenteve përkatëse lahuta ka një histori të saj. Studiuesit dhe historianët  mendojnë se gjurmët më të vjetra të lahutës janë  të ndryshme. Disa prej tyre mendojnë se  fillimet gjenden  që në kohët më të lashta. Të tjerët  e lidhin me shekullin 8-të  dhe  9-të  e më pas, ndoshta  në këtë  të fundit sipas studiuesve siç është etnomuzikologu i madh, i ndjeri Ramadan Sokoli,  kemi dëshmi  më të hershme  që vijnë  nga burimet e literaturës persiane. Historiografia shqiptare  e vendos lahutën  në të njëjtën kohë  me kontaktin e  parë të mirëfilltë  mes botës arabe dhe asaj evropiane, por, siç shprehen studiuesit, ka edhe një variant tjetër që lahutën e vendos  në këto troje.

Historianët tanë, etnologët kanë shkruar e dokumentuar se lahuta ( lavda)  tashmë është vegël muzikore popullore e shqiptarëve, respektivisht e përdorur në zonën veriore të Shqipërisë (Malësi të Madhe), në zonat e thella të Nikajve e të Mërturit , Rozhajë,   Plavë  e Guci, Shkup, Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, në Sanxhakun e Pazarit të Ri, në zonat e Malësisë së Gjakovës e të Rugovës, në Rrafshin e Dukagjinit, Komunën e Medvegjës, Komunën e Bojnikut, Komunën e Bujanocit etj.

Edhe në krahinën e Krajës dhe të Anës së Malit, sipas dëshmive  të  tregimtarëve  popullorë e të studiuesve, tradicionalisht janë kënduar  e dëgjuar nga  rapsodë të Eposit të Kreshnikëve, me nderim të veçantë jo vetëm ndër kuvendet e gjera popullore, ndër dasma e festa të tjera apo pranë oxhaqeve të  shtëpive  të tyre, netëve të gjata të dimrit, por edhe para fillimit të një beteje, madje edhe në zjarrminë e luftës, sikurse edhe në festivale të ndryshme brenda dhe jashtë Malit të Zi. Lahuta, simboli i lashtësisë së kombit dhe vegla më e vjetër kordofone me një tel, vazhdon ende jetën në shumë familje shqiptare, ku nuk ka më lahutarë. Këto  instrumente që kalojnë  në shkallën e vjetërsisë së veglave më të moçme,   mund të vërehen të   varura në murin e  shumë shtëpive  shqiptare brenda trojeve të veta etnike dhe në diasporë, të cilat i hijeshojnë ato me zbukurimet dhe simbolet e tyre – figurat mitike ilire të  gjarprit, kokës së dhisë me dy brirë që aludon në epokën e Skënderbeut, por edhe më heret në epokën e Piros, ose me zbukurimet  me shqiponjë, me portretin e Gjergj Kastriotit, dhe me portrete  të figurave të shquara të Rilindjes, të UÇK-së  dhe të Adem Jasharit. Kjo dëshmon se burrat e trevave shqiptare e kanë pasur lahutën  ushqim shpirti.  Me lahutë i është kënduar heronjve dhe ngjarjeve të lavdishme të shqiptarëve ndër shekuj.

Kjo pasuri kombëtare e shqiptarëve, e cila ka lënë gjurmë të forta në historinë e  Shqipërisë së  Veriut,  në Krajë dhe në Anë të Malit  po zvogëlohet ( humbet)  çdo  vit e më shumë. Sot  është shuar zëri i lahutës  në këto treva  shqiptare  nga rapsodë vendas. Asnjë shoqëri kulturore-artistike në Anë të Malit nuk ka asnjë lahutarë, por detyrohen të “ huazojnë” lahutarë nga treva tjera shqiptare me rastin e pjesëmarrjes së tyre në festivale folklorike   jashtë shtetit.

Hulumtuesi i njohur  Prof.Dr, Zymer Neziri në librin e tij studimor “ Eposi i Kreshnikëve në Ballkan”, botuar nga Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2021, shkruan se në Krajë ka evidentuar 4 lahutarë pas vitit 2012 dhe 3 lahutarë para vitit 1912.

“ Lahutarë të Krajës pas vitit 2012 kanë qenë Nasuf Mujë Bogdani 1916-2012, katundi Ftjan,Krajë, Tivar, Imer Veli Gjeçbritaj, 1929, katundi Arbnesh, Krajë, Tivar, Gjokë Zef Llukiqi, 19490-2013, katundi Brisku Nalt, Krajë, Tivar  dhe Ali Qemal Kovaçi, katudni Arbnesh, Krajë, Tivar.

Lahutarët  e Krajës pas viti 2012 kanë qenë: Maci i Çekut Margjonojn, 1862-1953, katundi Kullomzë, Ulqin, Stjepa’j Gjoks Nils Nilonj, 1901 -1976, katundi Kullomzë, Ulqin dhe Luan Nurja Bardhi,  katundi Kështenjë, Krajë, Tivar.

Lahutarë të Ulqinit  (shënimi im- Anës së Malit)  pas vitit 2012 janë dy: Prek Shkreli, katundi Amull, Ulqin,  tash jeton në SHBA dhe Vasel Shkreli, katundi Amull, Ulqin , tash jeton në  SHBA“,  shkruan studiuesi  Neziri. 

Nga  hulumtimet e mia në terren, në Krajë dhe Anë të Malit, kam  evidentuar edhe  lahutarë të tjerë, tashmë të ndjerë. Ndërkaq në qytetin e Ulqinit nuk kemi njoftime apo të dhëna gojore apo shkencore se   ulqinakët e  kanë përdorur ndonjëherë lahutën  si trashëgimi  të babës, gjyshit, stërgjyshit… 

Tregimtari  Vebi Gjoni, nga fshati Selitë -Anë e Malit më  njoftoi  se babai i tij , Xhemal Gjoni, 1931-2002, ishte  lahutar.  “Këngët më të preferuara të tij kanë qenë  “ Hasan Aga” dhe “ Po bisedojnë dy plaka t’veja” .  Xhemali   përveçse ka kënduar  në ahengje familjare e raste të tjera ka marrë pjesë edhe në festivale prestigjioze të folklorit që  janë mbajtur në Kosovë dhe Shqipëri. Ai herën e fundit ka marrë pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar, i cili u zhvillua në Kalanë e  Beratit-Shqipëri , më 20 shtator të vitit 1995.

Tregimtari Zef Kovaçi me prejardhje nga Shestani  pohon se edhe axha i tij Kolë Luci Kovaçeviq, 1912-2014,  i binte dhe i këndonte bukur lahutës. “ Kola kishte një zë të mrekullueshëm si pushka, prandaj të gjithë e dëgjonim me vëmendje e kënaqësi të madhe”,  shprehet tregimtari Kovaçi.

Zvogëlimi çdo vjet e më shumë i lahutarëve shqiptarë duhet të na shqetësojë. Është dëshpëruese e dhëna e publikuar në media se vetëm 20 lahutarë  kanë mbetur në trojet shqiptare. Kjo  shuarje  e kësaj traditë  shekullore  jo që është për të ardhur keq, por kjo mendojmë është katastrofë, për të mos thënë tragjedi.

Fundi i rapsodëve mendojmë se  ka ardhur për shkak se  nuk ka më heronj dhe lahutarët kanë filluar t’i këndojnë njëri-tjetrit!? Me shpikjet e reja teknologjike, në kohën e internetit, rapsodët  janë  “arratisur” si kreshnikët, për të mbetur bij të sojit të mirë, prej fisit të mirë  dhe të papërsëritshëm të kohëve të hershme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura