KËRKOJMË ZBARDHJEN E VRASJES BARBARISHT TË QERIM KELMENDIT

Në trevjetorin e vrasjes

Familja e Heroit të Kosovës Qerim Kelmendi kërkon zbardhjen e rastit 

Pashtriku, 27. 02. 2023

Sot, më 27 shkurt 2023, bëhen tri vite që nga dita kur barbarisht u vra Heroi i Kosovës, Qerim Kelmendi, në afërsi të shtëpisë së tij në fshatin Llabjan të Pejës.

Në këtë ditë të dhimbjes për familjen tonë, rikujtojmë opinionin e gjerë se deri më tani institucionet e Kosovës kanë dështuar që të zbardhin këtë rast.

Përkundër faktit se Prokuroria Speciale e Kosovës tash e tre vite ka në hetim rastin, deri në këtë ditë, nuk ka arritur të zbardh asnjë rrethanë të rastit, të arrestojë e as të ngreh aktakuzë ndaj ndonjë të dyshuari.

Në tre vjetorin e vrasjes së Qerim Kelmendit, Heroit të Kosovës, ne familjarët, miqtë dhe bashkëluftëtarët, jemi thellësisht të indinjuar me mënyrën se si institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës po neglizhojnë zbardhjen e vrasjes, përfshirë këtu:

–  Policinë e Kosovës,

– Hetuesinë e Pejës,

– Prokurorinë Themelore në Pejë dhe

– Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Fatkeqësisht deri më tani nuk ka asnjë lëvizje konkrete në drejtim të identifikimit të autorëve të vrasjes dhe vënies së tyre para drejtësisë.

Ne, familjarët e Qerim Kelmendit, kemi takuar disa herë prokurorin e rastit në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, z. Haki Gecaj, të cilit në të kaluarën i jemi drejtuar edhe përmes shkresave zyrtare me qëllim që të kuptojmë se deri në cilën fazë ka mbërritur hetimi, por fatkeqësisht, nuk kemi pranuar asnjëherë ndonjë informatë konkrete.

Duke parë këtë mungesë të seriozitetit në procesin e hetimit, ne i bëjmë thirrje u.d të kryeprokurorit të shtetit, z.Besim Kelmendi, që të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në kuadër të kompetencave të tij, për të zbardhjen e kësaj vrasjeje.

Njëherësh shprehim dëshpërim të thellë ndaj Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, që përmes mosushtrimit të të drejtave të tyre ligjore e kushtetuese nuk kanë kërkuar zbardhjen e vrasjes.

Më këtë rast kërkojmë nga ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu që me urgjencë të shfrytëzojë çdo mjet ligjor e kushtetues që ia garanton pozita që mban, në përshpejtimin e hetimit si dhe të këkojë llogaridhënie për dështimin e komplet zinxhirit hetues në këtë rast.

Çdo dështim për zbardhjen e vrasjes së Qerim Kelmendit, është dështim i institucioneve të drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës për të ofruar drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

Rikujtojmë institucionet e drejtësisë si dhe Qeverinë e Kosovës se Qerim Kelmendi, Hero i Kosovës, ishte njëri ndër ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtari i parë i plagosur i kësaj ushtrie gjatë kryerjes së aksioneve ndaj forcave okupuese të Serbisë në vitet e 90-ta.

Zbardhja e kësaj vrasje makabër duhet të shërbejë si pikënisje për zbardhjen e vrasjeve të të gjithë Ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk kursyen asgjë për çlirimin e atdheut të tyre, Kosovës.

Më 27 shkurt 2023

Familja Kelmendi, fshati Llabjan – Pejë

_________________________

ILIR SHAQIRI & MAN KELMENDI – SHPIRTMADHI YNË

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura