GJOKË DABAJ: PSE PO BËRTASIN KAQ SHUMË?! ‘KOSOVA MULTIETNIKE!’

 (Durrës, 16 shkurt 21013) – Në këtë Ditë të Madhe për ne, të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, po ma vret veshin fort të bërtiturit mëngjez-drekë-darkë: “Kosova është shtet multietnik!” E dimë të gjithë që Kosova është një shtet multietnik. Madje, mendoj që sot në planetin Tokë, nuk ka as edhe një shtet (ose mund të gjendet rrallë ndonjë), që të mund të emërtohet monoetnik.
Por, kur e dimë që Kosova, si dhe shumë shtete të tjerë, është një shtet multietnik, përse po bërtasin kaq shumë për këtë cilësi krejt normale të Kosovës?!
Më vjen sikur, në një treg bagëtish, ku shiten lopë, dhen, dhi, derra, mushka, gomerë, deve, lepuj dhe kuaj, i zoti i një, ta zëmë, deleje, të bërtasë pa pushim: “Delja ime ka 4 këmbë! Delja ime ka 4 këmbë!” Të vijnë vërdallë blerësit nëpër pazar dhe, sapo t’i afrohen asaj deleje, të zënë e të bërtasin: “Kujdes! Kjo dele duhet të ketë 4 këmbë, jo 1 këmbë!” Dhe, pas tyre, të dëgjohet prapë zëri i të zotit: “Kjo dele i ka 4 këmbë!” …Hej dreq!
Duke dëgjuar në çdo fjalim e në çdo bisedë televizive këtë slogan kaq të panevojshëm, pyetja, që më vjen e më ngacmon pa pushim, është kjo: Këta politikanë, qofshin të huaj, qofshin vendës, a janë burokratë-papagaj, a janë për vete të ngathtë mendërisht dhe injorantë arsimisht, apo janë dinakë të ulët e meskinë, që mendojnë se mund t’u hedhin hi syve shtetasvet të një shteti të saposhpallur shtet i pavarur?!
Ta zëmë se SHBA-ja e ka zgjidhur tashmë problemin e të qenit shtet multietnik e madje edhe multiracor. I ka dhënë secilit të drejtën të përdorë gjuhën e vet, i ka dhënë secilit të dejtën të mbajë atë lëkurë që ia ka caktuar Perendia dhe i ka detyruar që të gjithë ta mësojnë edhe anglishten. Kaq.
Ta zëmë se edhe Franca e ka zgjidhur problemin e të qenit shtet multietnik, duke i detyruar që të gjithë shtetasit e vet të bëhen frankofonë, madje para se ta marrin pasaportën franceze. Mirë. Mund të pranohet. Secili shtet duhet ta ketë një gjuhë shtetërore. Por mund të ketë edhe 2 apo 3. S’është e thënë.
Suedia e ka zgjidhur këtë problem, zgjidhje nga më të mirat, duke ia njohur çdo pakice, sado e vogël qoftë ajo, psh pakicës finlandeze, të gjitha të drjetat.

Zvicra, multietnicitetin e vet e ka ndarë në 3 kantone, por me kusht që kantonet të shkojnë mirë njëri me tjetrin, në interes të krejt shtetit. Ndoshta kështu do të duhej të vepronte edhe B e H-ja (Dhe, me siguri, kështu do të ndodhte, nëse atje nuk do t’i përziente punët intoleranca primitive e boshnjakëvet pravosllavë.)
Mund të përmendnim kështu shumë raste dhe prapë pyetja të na mbetet po ajo: Përse po e lodhin kaq shumë Kosovën me këtë lloj torture: “Kosova është shtet multietnik!”?!
A ia thonë Sërbisë këtë frazë ditë për ditë?! “Shiko, Sërbi! Dëgjo këtu, Sërbi! Ti je shtet multietnik! Mos e harro këtë të vërtetë! Jepu shqiptarëvet stola rezervë në parlamentin tënd! Mos luaj rolin e budallait, o Sërbi! Jepu hungarezëvet stola rezervë në parlament! Jepu myslimanëvet të Sanxhakut stola rezervë në parlament! Jepu vllehëvet shtesë deputetësh dhe të drejtën për të folur vllahisht në parlamantin e Rep. Multietnike të Sërbisë! Jepu romëvet të dtrejtat për t’u përfaqësuar si etni më vete në parlamentin e shtetit që quhet Rep.e Sërbisë dhe që pretendon të jetë një shtet demokratik, i denjë për të hyrë në BE!”
A i janë vënë Sërbisë këta kushte ndonjëherë?! A janë detyruar T.Nikoliqi dhe I.Daçiqi të përsërisin në çdo dalje publike që Sërbia është një shtet multietnik?!
Zotërinj diplomatë, përgjegjës për keqvajtjen e punëvet në këtë gadishull! Mos e trajtoni Sërbinë sikur të jetë mushka më engjëllore, në këtë treg shumë delikat, ku fajin më të vogël e ka, pa dyshim, delja-Kosovë!
A ia thonë diplomatët e Botës këtë frazë, Greqia është multietnike, Rep. Së Greqisë, e cila është, edhe anëtere e BE-së, edhe anëtare e NATO-s, prej shumë kohësh?! A është Rep.e Greqisë shtet multietnik, apo nuk është? Ç’të drejta etnike kanë shqiptarët autoktonë në Rep.e Greqisë?! Ç’të drejta kanë realisht shqiptarët imigrantë në Rep.e Greqisë?! Po etniteti turk, ç’të drejta nacionale ka, realisht, dmth ç’tolerancë bashkështetase u bëhe turqvet në Rep.e Greqisë?! Sa turq kish dikur në Selanik e sa turq ka sot në Selanik?! Ç’ka bërë e ç’po bën sot Rep.e Greqisë me etnitetin sllavomaqedon? Sa sllavomaqedonë banojnë sot në atë pjesë të shtetit grek, që quhet Maqedoni Egjease?! A u ka dhënë shteti grek shkolla në gjuhën vllahe banorëvet të saj vllehë?!
Po dua të them: Përse po na i lodhin veshët ne shqiptarëve me sloganin e shtetevet multinacionalë, kur rreth nesh ende s’i keni zgjidhur si duhet këta probleme?!
Ne shqiptarët e kemi në traditën tonë shumëshekullore shkuarjen mirë me të gjithë etnitetet dhe me të gjitha racat njerëzore kudo që janë.
Shkoni dhe bëni statistika! Mos na tregoni përralla! Sa shqiptarë e dinë sërbishten e sa sërbë e dinë shqipen!? Bëni hulumtime dhe statistika: Sa shqiptarë e dinë dhe e flasin greqishten dhe sa grekë e dinë dhe e flasin shqipen!? Sa shqiptarë i dëgjojnë me ëndje këngët në gjuhën greke e sa grekë i dëgjojnë këngët në gjuhën shqipe?! Bëni statistika! Mos na predikoni slogane! Sa shqiptarë e dinë dhe e flasin gjuhën turke dhe sa turq e dinë dhe e flasin gjuhën shqipe?! Organizoni ekspedita e sondazhe në Ish-Rep.Jug.të Maqedonisë dhe nxirni përfundimin shkencor: Sa shqiptarë e zotërojnë dhe e flasin, pa kurrfarë urrejtjeje, sllavomaqedonishten dhe sa sllavomaqedonë e dinë dhe e flasin gjuhën shqipe?!
A mund ta bëjë këtë punë, serioze, shkencore dhe tepër të dobishme, politika ndërkombëtare, e cila realisht duhet të jetë e interesuar që të mos ketë trazira në këtë pjesë të botës?! Epo, bëjeni, nëse jeni në gjendje ta nxirni vetëveten nga skafandra e qenivet jashplanetare! Mos na i detyroni, këta 3, 4, 5 apo 15 qyqepolitikanësh, të përsërisin orë e çast: “Kosova është multietnike!” Alias: “Kjo dele i ka të 4-a këmbët!”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura