Schaffhausen/Prishtinë, 17. 02. 2013 – (Shënim përvjetorësh: 17 shkurt 1982 – 17 shkurt 2008) – Faktikisht dihet se nuk ka pasur as bile edhe përpjekje të vetme konkrete nga të gjitha grupimet në kuadër të lëvizjes së bashkuar më 17 shkurtit 1982, gjegjësisht më 15 maj 1982, që me apo pa zë, të kenë kontestuar, apo për të shpall atë të pavlefshëm dhe për të bërë një bashkim të ri, me vendime, program kërkesash e kushte të tjera. Ka pasur përpjekje brenda vendit, por ato vetëm se kanë provuar për të kontestuar personat e caktuar, siç janë shprehur atëkohë disa nga “krerët” që kanë bërë Bashkimin, por jo Bashkimin si të tillë apo edhe kërkesat politike të LRSSHJ-së.
Pra ky shkrim paraqet një plotësim në mozaikun e tërësishëm të kësaj periudhe historike dhe pse jo edhe të çmuar e të lavdishme të lëvizjes politike shqiptare të këtyre mbi 30 vjetëve.
Mohuesit e bashkimit të 17 shkurtit 1982 vetëm pse vet nuk ishin personalisht pjesëmarrës të këtij bashkimi, nga ana e disa protagonistëve të kohës, të cilët kanë shkruar edhe Libra e Biografi me atakime, intriga e shpifje kundër bashkëveprimtarëve apo kundër palëve e pjesëve të Lëvizjes, me të cilët janë bashkuar pa asnjë kusht të vetëm. E tërë kjo në shërbim të shtrembërimit të fakteve historike, duke provuar për të mohuar ngjarjet objektive të faktuara me dokumente me dëshmi të patjetërsueshme dhe me pjesëmarrës ende të gjallë të këtij bashkimi.
Çka ngjall edhe më shumë habi dhe keqardhje, është fakti se, personalitete të caktuara me emër dhe nam, të manipuluar e mashtruar nga të parët, nëpër recensimet e tyre në librat dhe botimet tjera të eksponentëve të caktuar kanë pranuar me apo padije, në mungesë edhe të informatave – të marrin përsipër përhapjen e të pavërtetës në lidhje me dallimet, mospajtimet, kundërshtimet, por edhe luftës për dominim politik në kudër të lëvizjes sonë. Kjo “betejë” e brendshme herë-herë ka qenë edhe e pamëshirshme dhe duke mos zgjedhur mënyra dhe metoda për të nënshtruar apo eliminuar palët tjera, dhe jo rrallë është zhvilluar duke u shërbyer me denigrime, intriga e shpifje nga më të ndryshmet. Qasja karshi të kaluarës nuk guxon të vazhdoj të jetë as injoruese e destruktive e aq më pak shkatërruese. Kjo si duket kultivon edhe më tej peizazhin tonë politik dhe ndoshta është edhe arsyeja që ka kontribuar të zbehet vlerësimi i drejtë, trajtimi shkencor dhe përkujtimi meritor i këtij përvjetori.
* * *
Ky shkrim nuk trajton apo nuk injoron përpjekjet tjera për përafrim dhe përpjekjet për bashkim të pajetësuara të grupeve e organizatave ilegale të kohës, por kufizohet tek kjo datë historike e bashkimit objektiv dhe faktik “ideor” në kërkesën për Republikë, për të cilin bashkim, përpos dokumenteve të bashkimit, ende jetojnë 7 persona pjesëmarrës në bisedimet dhe bashkimin e 17.2.1982 në LRSSHJ (mes përfaqësuesve të LNÇKVSHJ(1) dhe PKMLSHJ(2), respektivisht të kurorëzuar më 15.5.1982 (ku i bashkëngjitet edhe OMLK(3), në të cilën paraprakisht ishte bashkuar FKP(4) në LRSSHJ.
* * *
Bisedimet për Bashkim kanë filluar në fund të Nëntorit 1981, me dërgimin e Thirrjeve për PKMLSHJ për bashkim në drejtim të Jusuf Gërvallës, për LNÇKVSHJ dhe Kadri Zekës, për OMLK, nëpërmjet të Sabri Novosellës që në atë kohë gjendej në Adapazar të Turqisë. Thirrjet për Bisedime nga ana e PKMLSHJ-së i nënshkruan anëtarët e Komisionit të PKMLSHJ për Bashkim në përbërje të Abdullah Prapashtica, Faton Topalli dhe timin (O. Osmani).
Këto thirrje iu dorëzuan Sabri Novosellës me kërkesë që ato tua përcjellë Jusuf Gërvallës nga LNÇKVSHJ dhe Kadri Zekës nga OMLK.
Në bazë të Bisedimeve që pasuan një muaj pas atentatit kundër vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës në Gjermani – bashkimi u arrit me 17 Shkurt 1982 në Ankara, ku ishte vendqëndrimi i përkohshëm i anëtarëve të Komisionit të PKMLSHJ-së për bashkim.
Gjatë atyre bisedimeve me 17 Shkurt 1982 me propozimin e “Halimit” (pseudonim imi i atëhershëm) bashkimi u emërtua “Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi” dhe që më vonë ju ndryshua edhe emri në LPRK/LPK! Këtij bashkimi të 17 Shkurt 1982 në LRSSHJ i bashkohet përfundimisht edhe OMLK me 15 Maj 1982.
Xhafer Durmishi, Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica.
* * *
Publikimi i tij është i pashmangshëm pasi që nga eksponentë të caktuar me peshë dhe emër në kuadër të Lëvizjes sonë, në vazhdimësi, në raste të prononcimeve janë përpjekur për të mohuar apo denigruar këtë bashkim, edhe përkundër faktit se kanë qenë bartës të funksioneve, në bazë të cilave kanë arritur përfitime personale, prestigj dhe bile së fundi edhe hise në “pushtet” falë po këtij Bashkimi.
***
DËSHMI E BASHKIMIT NË LRSSHJ
Para se të trajtojmë aspektet që pamundësuan edhe bashkimin organik të pjesëve përbërëse në Lëvizjen politike atdhetare (LRSSHJ), në vijim po botojmë dokumentin(5) e këtij Bashkimi:
D O K U M E N T
Nga mbledhja e përbashkët në nivel të përfaqësuesve të KQ të LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ
Në kryeqytetin e Turqisë, në Ankara, më 17 shkurt 1982 rreth orën 21.00 filluan bisedimet për bashkimin e organizatave motra, LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ.
Organizatën e LNÇKVSHJ e përfaqësojnë Sabri Novosella (Mërgimi) dhe Xhafer Durmishi (Shpendi).
Organizatën e PKMLSHJ e përfaqësojnë Abdullah Prapashtica (Kushtrimi) dhe Osman Osmani (Halimi). Në këtë mbledhje merr pjesë edhe anëtari i KQ të PKMLSHJ Faton Topalli (Qemali) si përfaqësues i këtyre bisedimeve.
Pas bisedime në periudhë kohore gati tre muaj u arritën vendimet vijuese:
Përfaqësuesi i PKMLSHJ Osman Osmani (Halimi) doli me propozim që: dy organizatat të bashkohen në ”LËVIZJEN PËR REPUBLIKËN SOCIALISTE SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI” (LRSSHJ).
LRSSHJ të ketë një platformë, program e statut të vetëm, një KD, një organ (revistë, gazetë) qendrore.
LRSSHJ do të formoj organizatat e veta të brendshme; të gjitha organizatat që i kanë Republikat tjera në Jugosllavi.
Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Xhafer Durmishi (Shpendi) deklaroi:
– Pajtohem që organizata në fjalë (LRSSHJ) të ekzistoj si e tillë deri në momentin kur të realizohet kërkesa për formimin e Republikës.
Përfaqësuesi i PKMLSHJ Abdullah Prapashtica (Kushtrimi) deklaroi:
– Pajtohem me propozimin e dhënë për bashkimin e organizatave tona dhe për mënyrën e organizimit të cilën e parasheh ky propozim. Gjithashtu jam i mendimit që organizata në fjalë (LRSSHJ) të ekzistoj deri te arritja e kërkesës së klasës punëtore dhe popullit shqiptar në Jugosllavi, për konstituimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi.
Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Sabri Novosella (Mërgimi) deklaroi:,
– Duke pasur parasysh që propozimi i bërë nga Osman Osmani (Halimi) dhe i përkrahur nga Xhafer Durmishi (Shpendi) e Abdullah Prapashtica (Kushtrimi), kam bindjen se i plotëson kërkesat e forcave patriotike revolucionare dhe të popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi; pajtohem plotësisht me këtë propozim dhe shtoj; që të dy komitetet e organizatave të mëparshme të përbëjnë komitetin e LRSSHJ kurse udhëheqësia e Komitetit të zgjidhet në një mbledhje të ardhshme.
Të formohet një komision nga anëtarët e këtij komiteti për përpilimin e programit dhe statutit të LRSSHJ.
Pasi që deri në momentet e fundit të jetës së tij që ra nga plumbat e shovinistëve serbomëdhenj e redaktoi dhe udhëhoqi me plot sukses e edhe pasi tashti do të punohet me atë teknikë të përsosur të Jusuf Gërvallës, propozoi që organi i LRSSHJ të mbaj emrin ”Zëri i Kosovës”.
V E N D I M
I mbledhjes së përbashkët të përfaqësuesve të dy organizatave motra patriotike revolucionare LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ
1. Organizata e formuar nga dy organizatat e mëparshme LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ të quhet Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ).
2. Organizatat e brendshme do të organizohen sipas shembullit të republikave tjera të Federatës Jugosllave.
3. Më vonë të formohet komisioni nga anëtarët e KD për përpilimin e tezave të programit dhe statutit të LRSSHJ.
4. Në KD të hyjnë anëtarët e dy KQ të mëparshme në përbërje të plotë.
5. Udhëheqja e KD të zgjidhet në mbledhjen e ardhshme KD.
6. Organi i LRSSHJ të jetë ”Zëri i Kosovës” pasi ky emër shpreh zërin e Kosovës, kurse organi i Rinisë të quhet ”Republika”.
Ankara, më 17 shkurt 1982
Qemajli (Faton Topalli)
Shpendi (Xhafer Durmishi)
Halimi (Osman Osmani)
Kushtrimi (Abdullah Prapashtica)
Mërgimi (Sabri Novosella)
Drejtuesit e PKMLSHJ’së: Osman Osmani, Abdullah Prapashtica dhe Faton Topalli
* * *
Ka qenë qëndrim këmbëngulës i PKMLSHJ-së, edhe pas 17 shkurtit 1982, se procesi i bashkimit nuk mund të konsiderohet i përfunduar para se të bashkohet edhe OMKL-ja në LRSSHJ… Në ato bisedime në mes të përfaqësuesve të LNÇKVSHJ-së dhe PKMLSHJ-së, ishte edhe konstatimi që fliste mbi themelimin Komitetit Drejtues të LRSSHJ-së, nga tre anëtarë nga secila organizatë që do ta përbënin LRSSHJ-në. Në përfundim të bisedimeve, pranë Sabri Novosellës dhe Xhafer Durmishit, anëtarë tjetër i Komitetit Drejtues së LRSSHJ-së nga radhët e LNÇKVSHJ-së ishte edhe Nuhi Sylejmani. Nga ana e PKMLSHJ-së ishin Abdullah Prapashtica, Osman Osmani dhe Faton Topalli. Ndërsa në takimin e 15 majit 1982, kur bashkohet edhe OMLK-ja në kuadër të LRSSHJ-së, pos Xhafer Shatrit ka qenë edhe veprimtari i respektuar, Hasan Mala. (Marrë nga libri i veprimtarit Selatin Novosella kushtuar personalitetit të Lëvizjes kombëtare Metush Krasniqit, Botuar nga SH.B.P.SH, Prishtinë 2011, faqe 198).
Më 14 maj 1982: Në Biel Bienne, në banesën dhe në prezencën e Hasan Malës, si përfaqësues i OMLK-së Xhafer Shatri, takohen me mua (O. Osmani) dhe Xhafer Durmishin. Në bisedat formale të paradites së 15 majit 1982, OMLK u bashkua pa kushte në LRSSHJ.
Përfaqësuesi i OMLK’së – Xhafer Shatri
* * *
Qysh para bashkimit edh të OMLK-së, menjëherë pas Bashkimit të LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ, Organizata e re LRSSHJ, shpërndau një Komunikatë, të cilën gjithashtu po e botojmë më poshtë.
Komunikata(6) e LRSHJ e shpërndarë në Atdhe në mes të muajve shkurt-prill
Në Kosovë dhe viset tjera shqiptare nën Jugosllavi u shpërnda kjo komunikatë e kohës, që për lexuesit e gjeneratës së sotme krijon një ndjenjë jo edhe aq të këndshme, apo si tha me zhgënjim një mik imi i ri pasi që e kishte lexuar atë në rrjetin social të “Facebook”-ut, po citoj: ”…nuk e dita a të qajë apo të qeshi”.
Në vijim po botojmë pjesën që ka të bëjë me Komunikatën e kohës, nga shkrim i Qerim Litës, publikuar në gazetën „Koha“ të Shkupit në versionin online, më 15/01/2012 13:10:00
“Me 17 janar të këtij viti (2012, O. O.), mbushën plot 30 vjet që kur shërbimi sekret jugosllav (UDB) me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vetë (shqiptarë), kreu atentatin ndaj atdhetarit dhe veprimtarit të dalluar të kauzës kombëtare shqiptare Jusuf Gërvalla, në të cilin krahas tij, u vra edhe vëllai i tij, Bardhosh Gërvalla si dhe bashkëveprimtari më i ngushtë, Kadri Zekën. Me ketë rast e shohim të arsyeshme t’i paraqesim disa të dhëna burimore, që dalin nga shërbimi sekret i ish RSFJ, e që bëjnë fjalë për aktivitetin e tij politik e organizativ si brenda viseve shqiptare të ish Jugosllavisë, ashtu dhe në botën e jashtme, gjatë periudhës 1969- 1982.
…Duhet të vëmë në dukje faktin se vrasja e tre drejtuesve të Lëvizjes, ndodhi pikërisht në kohën kur duhej të fillonin negociatat e disa organizatave si LNÇKVSHJ, PKMLSHJ dhe të disa grupeve më të vogla me orientim të majtë, për krijimin e një organizata të vetme…
…Mirëpo, lajmi për vrasjen e tre atdhetarëve shqiptarë, edhe pse u pranua me një dhimbje të paparë nga bashkatdhetarët tanë, nuk i prolongoi negociatat e parapara të organizatave të përmendura më sipër. Mbështetur në Komunikatën e përbashkët të LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ, të lëshuar me 19 shkurt të vitit 1982, shohim se të njëjtat ishin mbajtur midis datës 17- 19 shkurt 1982 (vendi nuk përcaktohet) në të cilat siç kuptojmë nga ajo, krahas marrëveshjes për bashkim, ishin sjellë edhe disa vendime tjera. Në vazhdim të njëjtën po e paraqesim në tërësi: “Përfaqësuesit e LNÇKVSH dhe PKMLSHJ me 17 shkurt (1982-Q.L.) u takuan dhe kanë zhvilluar negociata për bashkimin e këtyre dy organizatave në një organizatë të vetme. Meqenëse është arritur marrëveshja, përkatësisht, bashkimi i këtyre dy organizatave në një të vetme, me një shkallë të lartë të unitetit, përveç të tjerave janë sjell këto vendime:
1. Organizata e re do të thirret “LËVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI” (LRSHJ).
2. Organi qendror i LRSHJ do të jetë “ZËRI I KOSOVËS”.
3. LRSHJ do të luftojë duke i shfrytëzuar të gjitha mjetet demokratike e revolucionare, për krijimin e REPUBLIKËS SOCIALISTE SHQIPTARE në përbërje të Federatës jugosllave.
4. Do të luftojë për përforcimin e RSFJ si njësi federale.
5. Si përfaqësuesja e vetme e kombit shqiptar në Jugosllavi, LRSHJ do të luftojë për vëllazërim bashkim të vërtetë me mbarë kombet vëllezër të RSFJ.
6. Të përshëndetet qëndrimi i PPSH dhe i Qeverisë së RPS të Shqipërisë në lidhje me kërkesat e klasës punëtore dhe të kombit shqiptar në Jugosllavi për konstituimin e Republikës së vetë në kuadër të Federatës jugosllave, që dëshmon interesimin e saj për këtë pjesë të popullit dhe për politikën parimore në lidhje me RSFJ, politikë e cila rreptësisht e respekton parimin e mos cenimit të sovranitetit dhe tërësisë territoriale, mos përzierje në punë të brendshme, respektimin reciprok, barazi të plotë në marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ruajtja e fqinjësisë së mirë, gjithnjë duke e shprehur gatishmërinë e plotë për mbrojtjen e interesit të pjesës së kombit në kuadër të ligjeve dhe normave ndërkombëtare.
7. LRSHJ do të luftojë kundër shovinizmit serbomadh, i cili ka depërtuar në LKJ dhe ua mohon shqiptarëve të drejtën ligjore të krijojnë republikë të veten në kuadër të RSFJ.
8. a) Përderisa nuk realizohet e drejta ligjore e pranimit të statusit REPUBLIKË për viset shqiptare dhe për kombin shqiptar në kuadër të RSFJ, b) Përderisa nuk lirohen të gjithë të burgosurit politik dhe përderisa nuk u lejohet kthimi në atdhe i të gjithë atyre, të cilët kanë luftuar për REPUBLIKË SOCIALISTE SHQIPTARE në kuadër të federatës jugosllave, LRSHJ nuk do të shuhet.
9. T’ju dërgohet ftesë të gjitha grupeve ekzistuese, të cilat luftojnë për REPUBLIKË SOCIALISTE SHQIPTARE në kuadër të RSFJ, që të bashkohen me LRSHJ. Nëpërmjet kësaj Komunikate ju drejtohemi mbarë kombeve të Jugosllavisë që ta mbështesin kërkesën e kombit shqiptar për krijimin e REPUBLIKËS SË VET në përbërje të Federatës, kërkesë e cila tërësisht është e drejtë dhe ligjore, por e mohuar me dhjetëra vite dhe e cila edhe sot po mohohet.
REPUBLIKA SOCIALISTE SHQIPTARE NË PËRBËRJE TË FEDERATËS JUGOSLLAVE do të krijoj stabilizim të brendshëm politik dhe do ta përforcojë politikën e jashtme. Ajo do t’i përmbysë tendencat e hegjemonizmit dhe separatizmit nga cila do anë që vjen, përfshi edhe tendencat e Shqiptarëve”.“
Kjo Komunikatë e kohës së para 30 viteve, si të tillë, për lexuesit e rinj të gjeneratave post ’81-she mund të ngjall një ndjenjë jo edhe aq të këndshme, që shprehet më së miri me një fali të një miku tim të moshës së re pa publikimit të kësaj komunikate në faqet e rrjeti social “Facebook” me zhgënjim shkruan si në vijim. Po citoj: “… pasi e lexova këtë komunikatë nuk di se a duhet të qeshi, apo të qaj?!”.
Armiku vlerësonte LRSSHJ-në si lëvizjen më të rrezikshme!
Qerim Lita, në shkrimin me titullin ORGANIZATAT POLITIKE SHQIPTARE NË DIASPORË GJATË VITEVE 1982-1983, të botuar në të përditshmen informative të shqiptarëve të Maqedonisë, Koha – të datës 10 nëntor 2011, thirrur në të dhënat e nxjerra nga arkiva shtetërore e Maqedonisë, ndër të tjera shkruan:
“…Duhet të vëmë në dukje faktin se për autoritetet komuniste të Beogradit, ndër forcat më të fuqishme dhe më të rrezikshme, që sipas tyre mund ta “destabilizoj situatën e brendshme të Jugosllavisë”, ishte “LRSHJ”, e cila siç thuhet edhe në analizën e sipërpërmendur: “nëpërmjet platformës së saj për krijimin e Republikës së Kosovës në Jugosllavi”, ka arritur të fus në planë të dytë: “kërkesat e emigracionit ballist, zogist” dhe se “për momentin paraqitet si fuqia më e rrezikshme e irredentëve…”
* * *
Sllobodan Millosheviqi – në gjyqin e Hagës
* * *
I paraparë edhe organizimi ushtarak për realizimin e synimeve të LRSSHJ
Pjese nga Stenogrami i seancës së hapur të procesit gjyqësor kundër S. Millosheviqit në Gjykatën e Hagës për krime të Luftës në ish-Jugosllavi (nëntor 2002 – janar 2003), gjatë shqyrtimi dhe ballafaqimi me dëshmitarin Candic, drejtues i lartë shërbimit kundër-informativ të ushtrisë jugosllave. (pjesëtar në grupin qendror kundër’informativ – KOG) të komandës së flotës dhe mbrojtjes luftarake ajrore të Armatës jugosllave)
“… I akuzuari Milloshevic – Pyetje: A ju është e njohur nga ajo kohë organizata ilegale separatiste shqiptare e cila është quajtur “Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në RSFJ?
Dëshmitari Candic – Përgjigje: Më është e njohur edhe mirë bile, shkurt LRSSHJ-a dhe kam lexuar edhe platformën dhe gjithë dokumentet që ata kanë përpunuar. Bile edhe kam marrë pjesë në disa aksione operative për sqarimin e rasteve të tilla.
I akuzuari Milloshevic – Pyetje: A ju është e njohur se nga ajo kohë tetë anëtarë të komitetit të tyre qendror kanë vepruar nga jashtë vendit?
Dëshmitari Candic – Përgjigje: Nuk di se sa ishin nga jashtë vendit, unë jam bazuar më shumë në ata pjesëtarë që kanë vepruar në armatën popullore të Jugosllavisë dhe më është njohur se ishin mjaftë nga Zagrebi, Sarajeva, Lubjana, andaj mund të flas vetëm për këto pjesë. Ndërsa në kuadër të aksionit operativtë ndërlidhur me këtë pjesë, kanë marrë pjesë edhe shërbimet e sigurimit shtetëror edhe të Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Kroacisë dhe Sllovenisë, ashtu që të dhënat për civilët, gjegjësisht për ata që kanë vepruar nga jashtë vendit në të vërtetë nuk di, në të vërtetë nuk më janë të njohur.
I akuzuari Milloshevic – Pyetje: Mirë, por a ju është fare e njohur mbi komitetin ushtarak, të përdori shkurtesën LRSSHJ, të kësaj Lëvizjeje për republikë socialiste shqiptare? A keni ndonjë njohuri mbi komitetin ushtarak?
Dëshmitari Candic – Përgjigje: Bëhej fjalë mbi këtë, mirëpo jo për ndonjë komitet ushtarak, por në kuptimin e organizimit ushtarak, i cili do të jetësonte qëllimet për ketë republikë socialist shqiptare në Jugosllavi…”
“… I akuzuari Milloshevic – Pyetje: A është e saktë se shërbimi juaj në vitin ’84 ka zbuluar organizimin ushtarak të emigracionit shqiptar në botë me qendrat në vend?
Dëshmitari Candic – Përgjigje: Po, në qershor të vitit ’84 është zbuluar bashkimi i të gjitha organizatave ilegale në Kosovë, (bashkim – v. i.) i cili është realizuar më 17 shkurt 1982 dhe emërtimi i kësaj organizate të bashkuar ka qenë Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, apo shkurtimisht LRSSHJ…” (Lexoni këtu: http://www.milosevic-trial.org/trial/2003-02-17S.htm)
17 shkurt 1982 – 17 shkurt 2008
Tani rishtas edhe gazeta famëkeqe, e përditshmja serbe “Politika” në botime e saj online të datës 10 shkurtit 2013 me rastin e 5 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, gazetari i saj M. Lazanski ndër të tjera shkruan: “…Pra, Kosova do të shpall pavarësinë të dielën më 17 shkurt 2008. Në datën kur në vitin e largët 1982 nga katër organizatat ilegale shqiptare… u themelua LRSSHJ, gjegjësisht Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi…” (Lexoni këtu: http://www.politika.rs/rubrike/uvodnik/Vodja-mrtav-ideje-zive.lt.html)
Rrugëtim i suksesshëm i Lëvizjes çlirimtare shqiptare
Kryesisht janë kushtet dhe rrethanat historike në të cilën vepronin grupet e organizatat para bashkimit dhe domosdoshmëria e bashkimit të tyre, si kërkesë imperativë e kohës, posaçërisht pas unitetit të treguar popullor në Kosovë dhe viset tjera shqiptare të artikuluar me kërkesën demonstruese për republikën shqiptare, që i paraprinë këtij rrugëtimi.
Lëvizja fillimisht paraqiste një bashkim realisht vetëm “ideor”, i cili vazhdoi të zhvilloi veprimtarin e saj fillimisht në dy e më pas në tri fraksione (grupe interesi politik) – që përcillej me konflikte për dominim politik -, e që në fazat fillestare koordinoheshin fare pak mes veti. E tërë kjo nuk është karakteristikë vetëm e lëvizjes sonë për liri kombëtare, mirëqenie e barazi shoqërore, por vështirësitë e tilla kanë përcjellë të gjitha lëvizjet politike e kombëtare, posaçërisht ato çlirimtare, duke pasur parasysh rrethanat dhe kontekstin historik si dhe raportin e forcave në të cilat veprojnë lëvizjet çlirimtare. Nuk duhet përjashtuar me ketë rast edhe pengesat kryesore të shkaktuara nga infiltrimet dhe atakimet tjera nga ana e armikut.
Megjithatë, mund të konstatojmë se ne kemi kaluar më mirë se lëvizjet e ngjashme, p.sh. se sa ajo kurde, tamile, baske, irlandeze, etj., sipas mendimit tim pasi ne kishim një shtet amë, i cili në mënyra të ndryshme jepte kontributin e vet të natyrshëm dhe të pamohueshëm.
Ky bashkim kaloi disa faza konsolidimi të caktuar, duke pas edhe transformime emërtimi LRSSHJ /LPRK/ LPK, përputhur me rrethanat zhvillimore dinamike. Me gjithë vështirësitë e njohura dhe të panjohura, kjo Lëvizje atdhetare shqiptare arriti të zhvilloi edhe luftën çlirimtare të drejtuar nga mekanizmi i saj UÇK-ja, luftë kjo që u realizua me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008, identiteti i së cilës mbetet të konsolidohet edhe në kuptimin kombëtar ashtu edhe shoqëror, bashkë me të gjithë mekanizmat e duhur që shtetin e bëjnë shtet.
_____________________
Referencat:
1. LNÇKVSHJ – Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi
2. PKMLSHJ – Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi
3. OMLK – Organizata e Marksistë – Leninistëve të Kosovës
4. FKP – Fronti I Kuç Popullor
5. Ky dokument me po këtë përmbajtje u publikua në internet vite më parë nga Xhefer Durmishi
6. Shkrim nga Qerim Lita, publikuar në gazetën „Koha“ të Shkupit në versionin online, më 15/01/2012 13:10:00