GJOKË DABAJ: 4 KOINCIDENCA TË HABITSHME TE “LISISTRATA” E ARISTOFANIT

(Durrës, 19. 02. 2013) – Janë 4 personazhe kryesorë: Vetë LISISTRATA, kryeprotagonistja, KALONIQI, gruaja e parë që Lisistrata takon, duke pritur t’i mblidhen gratë e tjera, MIRINA, gruaja që u prin gravet athinjote, të thirrura prej Lisistratës, dhe LABITOJA, përfaqësuesja e gravet të Spartës. Emri i LISISTRATËS na ngjan me kompozitën e mundshme të shqipes së sotme: LËSHOSHTRATA. Dmth gruaja që LËSHON SHTRATIN, që ikën nga të fjeturit me burrin, që nuk pranon të flejë me burrin në shenjë proteste. E gjithë kjo përputhet plotësisht me rolin që luan Lisistrata në komedi.
Te emri KALONIQI na duket sikur është folja e sotme e shqipes ME KALUE në vetën e tretë njëjës të kohës së tashme dëftore: KALON. Dhe vërtet, ajo KALON andej si rastësisht.
Emri MIRINA na duket sikur lidhet me ndajemrin e sotëm shqip: I MIRË, E MIRË. Ajo vërtet është njëra prej grave TË MIRA të Athinës, që i përgjigjet thirrjes së Lisistratës për të protestuar kundër burravet të vet.
Emri LABITO,-JA na ngjan me emërtimin e sotëm të gravet të Labërisë. Pra: LAB/E,-JA. Ajo vjen nga Sparta dhe dihet, apo thuhet, që banorët e atëhershëm të Spartës kishin zbritur atje pikërisht nga veriu, siç kanë shkuar atje, shumë më vonë, edhe arvanitët.
Por, mendimi i parë, pas një të këtillë përqasjeje, është, që këtu s’kemi asgjë tjetër, përveç disa koincidencave tingëllore fare të rastit.

Folja ME LËSHUE, në frëngjisht bën LAISSER (edhe LÂCHER). Shihet që kanë të njëjtën prejardhje me formën tonë të shqipes. G.Majeri thotë se folja shqipe LËSHOJ vjen nga latinishtja LASSARE ose nga italishtja LASCIARE. (Me sa duket, në studimet për gjuhën shqipe, nuk është mbajtur thuajse asnjëherë parasysh fakti që, jo pellazgo-ilirishtja, por edhe vetëm ilirishtja, është më e vjetër se latinishtja.)
Emri SHTRAT lidhet doemos me latinishten STRATUM, që ka kuptimin e TË SHTRIRIT. G.Majeri thotë që kjo fjalë vjen pikërisht nga latinishtja: STRATUM. (Prapë, as këtu nuk merret parasysh ekzistenca paralatine e gjuhës ilire.)
Foljen ME KALUE nuk e shpjegojnë as G.Majeri, as E.Çabej. Por ne shtrojmë dyshimin: Zgjedhimi i foljevet në ato kohë, a mund të ishte njëlloj si sot: Unë KALOJ (KALONJ), ti KALON, ai KALON? A është e mundur të ketë ekzistuar, ndër ata popuj që ne i quajmë pellazgë, edhe atëherë folja ME KALUE, në këtë formë siç e kemi sot?!
Ndajemrin I MIRË G.Majeri e afron me sllavishtet MIL, i dashur. Ndërrimin e L-së me R-në e shpjegon si te BILË (për BIJË) dhe BIR. Por kjo etimologji është mjaft e dyshimtë. E.Çabej nuk e prek fare fjalën MIRË. Ne përsëri kemi dyshimin: A mund të ketë pasur po këtë formë kjo fjalë edhe në shekujt para Erës së Re? Siç kemi thënë dhe për ndajfoljen AFËR, te emri i perëndeshës AFËRDITË: A është e mundur që ndajfolja AFËR të mos ketë pësuar asnjë ndryshim fonetik që nga ajo kohë?
Te emri LABITO,-JA, do të mund të pajtoheshim me një ndërtim LAB plus -IT, si ARVAN (ARBAN) plus -IT: ARVANIT. Por emërtimi LAB a ka ekzistuar edhe atëherë?!
Këto janë pikëpyetje të mëdha. Megjithkëtë, ka edhe një arsyetim tjetër. Komedia “Lisistrata” është shfaqur në vitin 411 para Erës së Re. Dmth, është shfaqur këtu e 2424 vjet më parë. Ku ta dimë në ç’gjuhë të tjera janë folur në Athinë në atë kohë, përveç greqishtes, në të cilën është shkruar kjo komedi?! “Lisistrata” është komedi. Personazhet e komedivet dihet që i sajon vetë autori, në përshtatje me temën, në mënyrën sa më komike. Edhe në zhanret e tjerë personazhet janë të stisur, por te komedia emravet të tyre zakonisht u jepen edhe forma të kuptueshme nga shikuesit.
Në vazhdim të këtij gjykimi, ne mund të shtrojmë edhe pyetjen: Mos vallë Aristofani, duke ditur gjuhën e demosit, gjuhën e popullit, ka pasur për qëllim pikërisht që emrat e personazhevet të tij të jenë tërheqës për spektatorët, duke i lidhur ata emra edhe me funksionet që kryenin?! LISISTRATA, gruaja që braktisi shtratin, KALONIQI, gruaja që kalon rastësisht andej, kalimtarja, MIRINA, gruaja e mirë, dhe LABIKOJA, gruaja labe, ashtu siç, ndoshta, i njihte popullata e Athinës gratë e Spartës.
Mirëpo, duke hapur këtë kapitull, ne edhe këtë herë do të ndodheshim para një kërkese vërtet shumë serioze, e cila ka kohë që është shtruar para shkencavet të ballkanologjisë: KËTO SHKENCA, tashmë jo të shkëputura, por të lidhura njëra me tjetrën, DUHEN RISHIKUAR QË NGA FILLIMI.
Ka ardhur koha që çështjet të shqyrtohen një nga një, si ky rast që sapo e cekëm, dhe të kihen parasysh sidomos lidhjet ndërdisiplinore: Mitologjia, krijimtaria artistike, dokumentet historikë, gjuhësia, arkeologjia, antropologjia etj etj, por të përdoret edhe gjykimi i shëndoshë shkencor. Vetëm kështu do të mund t’u afrohen dituritë botërore të vërtetavet mbi njërin prej burimeve më të rëndësishëm të kulturës gjithnjerëzore, i cili dikur, jo kot, quhej GADISHULLI I ILIRISË.

……………………………………………….

……………………………………………….

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura