(Pashtriku.org, 28. 02. 2013) – Abdi Toptani u lind më 1864, në Tiranë. Kreu shkollën fillore në mejtepin e qytetit, ndërsa të mesmen e ka kryer në gjimnazin e Stambollit. Ka qenë kushëri i parë me Esad pashë Toptanin, por i ndarë me të, për divergjenca politike, kështu që, dera e madhe e Toptanasve u nda pothuaj në dy pjesë, njëra me Esad Pashën e tjetra me Abdinë, Refikun e Muratin. Abdi Toptani ka qenë i përfshirë në lëvizjen patriotike që në fillimet e saj. Në Stamboll pati lidhje me Sami Frashërin e Shahin Kolonjën, me të cilët vijoi korrespondencën edhe pas kthimit në Tiranë.
Kur vala e trazirave politike kishte filluar qysh në fund të shek. XIX, nën drejtimin e Murat dhe Refik Toptanit, që në vitet e para të shekullit të ri do të arrinte kulmin nën udhëheqjen e atdhetarit të shquar Abdi Toptani, i cili ka qenë kryetar i Komitetit të Rezistencës, i formuar në Valias, në dhjetor 1901. Në këtë lëvizje ishin edhe përfaqësues të Durrësit, Imzot Nikollë Kaçorri dhe Mustafë Ali Beshiri.
Në vitin 1905, ka qenë në Korçë dhe u bashkua me mikun e tij Orhan bej Pojani, në kryengritjen kundër pushtimit osman. Së bashku me vëllanë, Muratin, punuan për përhapjen e arsimit shqip dhe mësimin e shkrimit e këndimit të saj me alfabetin latin, të kongresit të Manastirit.
Organizoi forcat kryengritëse kundër osmanëve në Shëngjergj dhe Shupal, në korrik 1912, ndërsa më 6 korrik mundën të bastisin depon e Shijakut, nga ku u pajisen me armë e municione, ndërsa më 8 korrik 1912 arritën të marrin në dorë Krujën. Ibrahim Dalliu, për veprimtarinë atdhetare dhe luftarake të Abdi beut në ato vite, në librin “Patriotizma në Tiranë”, ka shkruar: “Një çetë e madhe nën kryesinë e Abdi Toptanit e çqetësoi vendin dhe i tronditi turqit për së tepërmi”.
Në verën e vitit 1912, u ndihmua nga Ali Shahini (delegat i Shijakut në shpalljen e pavarësisë), Hasan e Ymer Deliallisi, Qazim Domi e të tjerë, për të kompletuar çetën me luftëtarë, në kryengritjen antiosmane, prej nga shkoi në gusht në Lezhë, Mirditë, Krujë e deri në Shkup. Revista “Hylli i Dritës”, për këto akte të Abdi Toptanit, ka shkruar: “Por dihet mirëfilli se vetëm emri i Abdi beut mund ta bënte në qarqet e prefekturës së Durrësit e ngjeti atë bujë qi lypet rasa për efektet e saja politike e mund të çonte peshë sa më shumë burra” .
Abdi bej Toptani (1864-1942)
* * *
Kur kryengritësit e Shkupit, të udhëhequr nga krerët e revoltës së Kosovës, të prirë nga Hasan Prishtina e Bajram Curri, Abdi beu ka shkuar në Shkup, së bashku me Riza Danin, Mano beg Lezha (Mlika) dhe Mustafa Asim Kruja, me 100 luftëtarë . Disa studiues kanë shkruar se Abdi beu së bashku me Marka Gjonin kanë qenë në Shkup, në gusht 1912, për të zhvilluar bisedime me Hasan Prishtinën, por realisht dhe për hir të së vërtetës dokumentet e kohës përmendin emrat e sipërcituar.
Në vjeshtën e viti 1912, ka qenë në kryengritjen e Mirditës, gjë që e pohon Ymer Deliallisi në kujtimet e shkruara: “Kur Abdi bej Toptani me shokë gjindej n’Orosh t’Mirditës çon e thërret edhe mua me t’em vëlla e shokë të shkonim atje për me ba zgjidhjen e delegatëve që do t’u dërgojshin në Kosovë në kuvend…”.
Ka bashkëpunuar me Imzot Nikollë Kaçorrin dhe Mustafa Krujën në qarqet patriotike në qarkun e Durrësit (kjo prefekturë përfshinte pesë ndënprefektura: Durrësi vetë me pak katunde, Kavajën, Tiranën e Krujën).
Abdi Toptani ka pasur letërkëmbim me Hasan Prishtinën, për zbatimin e programit të Hasanit, që kryengritja shqiptare të ishte e përgjithshme. Ai ka shkruar: “Hasan bej, në mos gabohem, që prej kryengritjes sonë, asht e katërta kjo qi po të dërgoj. Me lajmin e parë qi më dërguet, unë bashkë me dy vëllaznit dhe me kushërinjtë e mij Fuad e Refik beun dualëm në mal dhe qëllimi ashtë me luftue kundra fatkeqësive e robënisë qi po heqë kombi jonë”.
Në nëntor 1912, priti në Durrës Ismail Qemalin dhe e shoqëroi atë deri në Vlorë, së bashku me të vëllanë, Muratin, ku morën pjesë në ngritjen e flamurit si delegatë të Tiranës dhe Abdi beu firmoi aktin e pavarësisë me siglën “Abdi”. Në shpalljen e pavarësisë ka qenë i zgjedhur edhe si përfaqësues i Kavajës, mbasi u shpall pavarësia, sipas njoftimit që i dërgoi Ismail Qemalit, Shehsyvar Alltuni , kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Kavajës. Në fakt, rezulton se, Abdi Toptani ka qenë i caktuar delegat i Krujës, i Tiranës dhe i Vlorës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, më 28 nëntor 1912
Më 13 të vjeshtës së tretë 1328/1912, ai, së bashku me Mustafa Krujën, iu kanë dërguar telegraf kryesisë së bashkisë së Tiranës dhe Krujës: “Shqiptarët shpallën indipendencën. Memorandumin qi po shkruajmë këtu poshtë, ia dërgoni sa ma parë komandantëve të ushtrive të hueja qi janë nisë drejt për aty, me anë të nji komisioni të posaçëm edhe të nënshkruem prej kryetarit të Sundimit Kombëtar të Përkohshëm e të Këshillës Administratore.
Në votimin e kuvendit për ministrat fitoi që në raundin e parë 34 vota, duke u renditur i katërti dhe fituar drejtpërdrejt besimin për postin e ministrit. U zgjodh ministër i Financave në qeverinë e parë shqiptare, të kryesuar nga Ismail bej Qemali.
Më 18 qershor 1913, Abdi bej Toptani ka pritur në shtëpi Edith Durham, në prani të së cilës janë paraqitur një numër i madh refugjatësh nga Dibra që treguan gjerë e gjatë për vuajtjet e popullit në fshatrat e aneksuara nga serbët. Ata pohuan se pesëqind vetave u kishin djegur shtëpitë, kishin mbetur në mes të katër rrugëve, dhe serbët nuk i lejonin të merrnin ndihma nga një punonjës i Komitetit Maqedonas të Ndihmave”.
Abdi bej Toptani, qeveritari provizor, më 11 gusht 1913, priti në shtëpinë e tij peshkopin Fan Noli, në prani të majorit Tajar beu. Gazeta “Liri e Shqipërisë”, pak ditë më parë pati njoftuar se Abdi Toptani “jep dorëheqjen”
Sejfi Vllamasi e ka përmendur këtë fakt, kur shkroi: “Përveç Preng Pashës, Aqif Pashës, Abdi bej Toptanit, të dalluar si patriotë, dhe krerëve kosovarë, e tërë paria e Shqipërisë, ashtu dhe intelektualët Faik Konica, Mit’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Dervish Hima, Abdyl Ypi, Nexhat Libohova e tjerë u kthyen kundra Ismai Qemalit. Ky kundërshtim, përveç disa gabimeve të I. Qemalit, rrjedh edhe nga ambiciet dhe inatet personale”. Në fakt edhe Abdi bej Toptani jep dorëheqjen nga posti ministrit, njoftoi gazeta “Liri e Shqipërisë”.
Më 23 shtator 1913, Abdi bej Toptani dërgoi në Durrës, Mustafa Merlika-Kruja të bisedonte me Eqrem bej Vlorën për qëndrimin politik që duhej mbajtur në ta ardhmen, në kohën kur Eqrem beu ishte nisur me mision të mblidhte opinione nga “Shtatë Krajlitë”, për fatin e Shqipërisë.
Ende pa u dorëhequr Ismail Qemali, Esad pashë Toptani, me porosi të komisiësë ndërkombëtare (KNK), dërgoi Abdi bej Toptanin “që të këshillojë Dervish benë (Biçakçiun H.L.) që të rrijë urtë”. Meqenëse ai nuk iu përgjigj pozitivisht kësaj kërkesë u dërguan nga KNK, te ai, Glikor Cilka, Mit’hat bej Frashëri, Abdyl bej Ypi, nga Elbasani, dhe morën si kërkesa të tij lirimin e Aqif pashës (kushëririt të tij) nga detyra e prefektit të Elbasanit, si dhe Elbasani të bashkohet me Durrësin e jo me Vlorën.
Gazeta “Përlindj’ e Shqipëniës”, nën titullin “Abdi bej Toptani kundër titullave”, shkroi komente për një artikull të gazetës “Tribuna”, ku një gazetar i ishte drejtuar me titullin “pashë”, Abdi beut dhe ky i ishte përgjigjur: “Nuk ka më pashallarë në Shqipëri. Ne jemi duke fshirë çfarëdo kujtimi të Turqisë…ne kemi nevojë për shumë mirësi e ndihmë. Shqipëria është e sëmurë, fatbardhësisht ndër Fuqitë e Mëdha ka disa miq që do të mundin të shëndoshin, por ka edhe dy njerka: Serbinë dhe Greqinë, që do të përpiqen t’i sjellin të liga. Nga ana jonë i shtrëngojmë dorën atdhetarisht këtij zotnie me ndjenja kaq të bukura, të cilat ndjenja i ushqejnë vetëm ata që dëshirojnë për të vërtetë shpëtimin e Shqipërisë”.
Abdi Toptani bashkëpunoi ngushtë me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin dhe sekretarin e Ministrisë së Jashtme, Zihni Kanina, për problemet e politikës së jashtme të shtetit të ri shqiptar.
Abdi, Murat dhe Refik Toptani nuk kanë qenë dakord me Esad Pashën, i cili pati mbledhur në Tiranë parin e vendit dhe të Shqipërisë së Mesme, ku i ftoi të përkrahnin mendimin e tij lidhur për mënyrën e sundimin të vendit dhe për një princ mysliman. Gazeta “Koha”, për qëndrimin atdhetar të tij shkroi: “Në kohën e sundimit të Esadit, Abdi Toptani duke mbajtur gjithnji nalt idealin e atdheut ishte më i rreptë armik i kushëririt të vetë”.
Abdi Toptani ka qenë i njohur si pari në fushën patriotike dhe me fuqi personale, sikurse Aqif pashë Biçaku në Elbasan, Bajram Curri në Malësi të Gjakovës, e Ahmet Zogu në Mat.
Kur shpërtheu kryengritja e majit 1914 (kupto edhe lojën e Esad Toptanit-H.L.), qeveria e Turhan pashës kishte dhënë urdhër për të mbledhur rezervistët dhe, për të lehtësuar këtë veprim, ishte emëruar edhe Abdi bej Toptani si komandant i batalionit të Tiranës…Në Tiranë mezi u mblodhën nja 460 veta, prej të cilëve gati gjysma ishin dibranë të paguar prej rezervistëve tiranas. Duhet shënuar se gjithë elementët që dëshironin shkatërrimin e qeverisë shqiptare, jashtë e brenda, vunë gjithë fuqinë e tyre për të bërë një kryengritje.
Kur vdiq perandori austriak, Franc Jozefi, Abdi Toptani, Bajram Curri, Masar Toptani dhe Nexhip Basha, i dërguan një telegram ngushëllimi perandorit të ri, në emër të kolonisë shqiptare të Vjenës, duke provuar se Abdi beu, sikurse miku i tij Bajram Curri, qenë disa kohë rezidentë edhe më herët atje. Në fundin e vitit 1916, gazeta “Vëllazënija” ka publikuar telegramin për falënderimin që perandori i ri i Austrisë, nëpërmjet ministrit të Jashtëm i dërgoi Abdi Toptanit, ku shkruhej se “Perandori pranoi ngushëllimet nga kolonia shqiptare e Vjenës”.
Më 20 maj 1914, kur u riformua kabineti i Turhan Pashës, Abdi beu u emërua ministër i Bujqësisë.
Viti 1915, Abdi bej Toptanin e gjen jashtë atdheut, në organizimet patriotike të shqiptarëve në Zvicër. Kur qëndroi në Zvicër u bë nismëtar i botimit të gazetës “Albania”, por, nuk qëndroi gjatë atje, kthehet shpejt në Shqipëri, për t’u bërë pjesë e aktiviteteve politike të vendit.
Në gusht të vitit 1918-të, ushtria austro-hungareze, që asokohe kishte nën administrim pothuaj të gjitha territoret e Shqipërisë, filloi të tregojë shenja dobësie, çka bëri që ky rast të shfrytëzohej nga ana e shqiptarëve duke ndërmarrë një ofensivë të përgjithshme. Nisur nga kjo ofensivë e shqiptarëve, austro-hungarezët u detyruan që të nënshkruanin me ta një marrëveshje armëpushimi, më 11 nëntor të vitit 1918-të. Në atë marrëveshje u vendos që ushtria aleate austro-hungareze, të mbetej në Shqipëri deri sa fati i saj të përcaktohej nga Konferenca e Paqes, që ishte mbledhur në Paris. Ndërsa ishte mbledhur Konferenca e Paqes në Paris, ushtritë aleate që ishin në Shqipëri, me veprimet e tyre po tregonin se ato ishin të interesuara që të zbatonin Paktin e fshehtë të Londrës të 1915-ës, me një fjalë kërkonin që të realizonin copëtimin e Shqipërisë. Në këtë periudhë shqiptarët ishin të ndarë dhe të përçarë, si rezultat i intrigave të vendeve të huaja që kishin interesa në Shqipëri. Kështu disa politikanë ndiqnin politikën italiane, kurse disa të tjerë atë serbe dhe greke. Asokohe vetëm një grusht i vogël njerëzish të ndërgjegjshëm për fatet e vendit, ndiqnin një politikë thellësisht kombëtare.
Më 8 dhjetor 1918, nën kryesinë e Ismail Ndroqit, Abdi Toptani ka marrë pjesë në mbledhjen që u organizua në Tiranë nga disa atdhetarë “Për me sigurua bashkimin e njësimin e Kombit dhe me pre propagandat e huaja”, ku u vendos të vijnë nga çdo qark, në Tiranë, nga dy përfaqësues, më 18 dhjetor.
Si rezultat i kësaj, në atë vorbull anarkie, ata patriotë vendosën dhe u mblodhën përsëri edhe në dy takime të tjera: një në Tiranë, më 19 dhjetor 1918, nën kryesinë e Abdi Bej Toptanit dhe një tjetër në qytetin e Durrësit, më 25 dhjetor, të po atij viti. Në këto dy takime u theksua organizimi i mbrojtjes së integritetit tokësor të Shqipërisë dhe i pavarësisë së saj. Nga këtë dy mbledhje doli dhe qeveria e përkohshme e Durrësit, e cila emëroi dhe një delegacion për në Konferencën e Paqes në Paris, e cila duhej të mbronte të drejtat e kombit shqiptar. Mbledhjet e Tiranës dhe Durrësit i paraprinë Kongresit të Lushnjës, që do të mbahej afro një vit më vonë.
Më 19 dhjetor, nga mbledhja e thirrur, Abdi beu u zgjodh kryetar i Kongresit të Tiranës, nga delegatët e Tiranës, Krujës, Kavajës, Peqinit e Matit (Durrësi erdhi një ditë vonesë). Mbledhja mori disa vendime ku pëlqehej vijimi i punës nga qeveritë vendore në detyrë; lidhjen e besës njëvjeçare për gjaqet e armiqësitë; krijimin e komisioneve të gjakmarrjes e armiqësive; zhvillimin e një mbledhje tjetër në Krujë, më 11 janar 1919, për të caktuar përfaqësuesit që do të shkojnë në konferencën e Paqes në Paris; caktimin e komitetit veprues të kryesuar nga Abdi Toptani për të organizuar mbledhjen e përgjithshme, dhe një falënderim komandës italiane për lejimin e zhvillimit të mbledhjes.
Abdi beu ka qenë delegat i Tiranës në kongresin e Durrësit, më 25 dhjetor 1918 (ka munguar në mbledhjen e parë).
Abdi Toptani mori pjesë edhe në Kongresin e Lushnjës, i caktuar delegat i Tiranës, vlerësuar si ndër nga pjesëmarrësit “aktivistët kryesorë”. Në kongresin e Lushnjës Abdi Toptani përfaqësoi Tiranën. Në mbledhjen e katërt, që u mbajt më 30 janar 1920, kongresi i Lushnjës zgjodhi si anëtarë të Këshillit të Lartë, imzot Bumçin, Aqif Pashë Elbasanin, Abdi bej Toptanin dhe Dr. Turtullin.
Abdi Toptani, si pjesëtar i Këshillit të Naltë, u betua me formulën: “Betohem n’emër të Perëndis, tue dhanë besën Shqiptare e fjalën e nderit para mbledhjes së Kombit se do i shërbej popullit dhe Shtetit Shqiptar drejtësisht, do të mbrojë ligjet dhe indipendencën e plotë t’Atdheut Shejt”.
Kur u zëvendësuan Aqif pashë Elbasani dhe Imzot Bumçi, të rrëzuar nga Parlamenti si anëtarë të Këshillit të Naltë, të akuzuar se ishin në krye të komplotit që rrëzoi qeverinë e Pandeli Vangjelit, në dhjetor 1921, edhe Abdi Toptani me dr. Turtullin, dhanë dorëheqjen, duke e konsideruar rrëzimin e dy shokëve të tyre një shkelje të Statutit të Lushnjës. Në vendin e tyre u zgjodhën Refik Toptani e Sotir Peci.
Abdi Toptani ka përkrahur kryengritjen e marsit 1922, e udhëhequr nga Bajram Curri e Elez Isuf Ndreu. Sipas Eqrem bej Vlorës “Lëvizja antizogiste e vitit 1922, prapa së cilës qëndronin vëllezërit Hamit e Abdi Toptani, ka synuar “t’i jepnin fund sundimit personal, gjithnjë në rritje të Ahmet Zogut”.
Pas ngjarjes së 22 marsit 1922, u mor i pandehur nga “gjykatorja ushtarake për të hetuar e gjykuar fajtorët e lëvizjes”, i dyshuar si person që ka pasur dijeni për kryengritjen, mbasi disa ditë para se ajo të fillonte i kishte dërguar një kartëvizitë Xhafer Ypit, ku i shkruante se kishte marrë vesh se po bëheshin përgatitje për një kryengritje, pa dhënë shpjegime të tjera, por qeveria kishte grumbulluar të dhëna se ashtu si Aqif Pasha në Elbasan edhe Abdi beu në Tiranë ka pasur haber për këtë kryengritje.
Izet Dibra qe hetuesi i Abdi beut, dhe ai pretendonte se sipas dëshmisë së një katundari “Abdi beu ishte kompromentuar me kryengritësit”. Më këtë rast ka qenë ndërhyrja e Mehdi Frashërit pranë Ahmet Zogut që dënimi për Abdi beun të ishte lirimi nga burgu dhe dëbimi i tij nga Shqipëria. Ndërkohë, sipas pohimeve të vetë Mehdi beun, me urdhër të Amet Zogut, ka qenë ky që i është imponuar Abdi beut të largohet nga atdheu, gjë e cila u realizua më pas nga Qemal bej Delvina, i cili e çoi atdhetarin toptanas deri në Durrës, nga ku mori rrugën e mërgimtarit drejt Vjenës.
Abdi Toptani, mbajti anën e grupit politik ku ishin Aqif Pashë Elbasani, Hamit Toptani, Sulçe beg Bushati, etj. Në zgjedhjet e vitit 1923, duke qenë kundër Zogut që kishte marrë kryesinë e një partie ku përfshiheshin gati gjithë bejlerët, një shumicë kundërshtarësh të ish-Krahut Kombëtar, veglat e Jugosllavisë dhe shumë të tjerë nga elementi dallkauk e me moral të dyshimtë.
Pas lëvizjes së qershorit 1924, si kundërshtar i regjimit të Zogut, dënohet me vdekje, por ky vendim nuk u zbatua si pasojë e reagimit të madh publik. Kjo ndikoi në frenimin e tij në veprimtarinë politike të mëtejshme në vend.
Sejfi Vllamasi e ka portretizuar: “Abdi bej Toptani, patriot, i ndershëm, i matur, i rezervuar, por i butë dhe pa guxim, gjë që ka qenë një e metë e madhe për atë kohë, kur lypej energji, guxim dhe vullnet i fortë për një burrë shteti. Ai gëzonte besimin e të gjithë shtresave të Tiranës dhe të rrethit të Tiranës. Ka qenë kundër Esad Toptanit dhe ka bërë shërbime të mëdha në kohën e kongresit të Lushnjës”.
Hylli i Dritës ka shkruar: “Abdi beu ishte i çmuem ndër qarqet intelektuale nacionaliste si patriotë, në popull përgjithësisht si burrë i mendshëm, shumë i matun e i ndershëm”.
Eqrem bej Vlora ka shkruar se: “Abdi bej Toptani, një nga të paktët sundimtar shqiptarë me të vërtetë fisnikë e shpirtmëdhenj…ai më bënte të harroja dukuritë e shumta të zvetënimit të shtresës feudale shqiptare . Abdi beu, ministër i Financave, pikëllohej dhe dëshpërohej sa s’thuhej kur ishte i detyruar ta vononte një a dy javë pagimin rrogave në shtetin e ri shqiptar. Po ku e mësuan shqiptarët, pyesnim më shpesh me tallje, konceptin e rrogës mujore?”
Abdi Toptani ka pasur çifligun e tij, në afërsi të Valiasit e Kamzës, në Tiranë.
Në vitin e festimit të 30 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, evenimentit historik në jetën e tij ku ai mori pjesë dhe ishte protagonist, më 1942, Abdi Toptani vdiq në Tiranë. Dhimitër Berati, ish-delegat në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, më 1912, mbajti fjalën e rastit në ceremoninë mortore. Ndër të tjera ai përmendi: “Plot 30 vjet përpara, nji ditë të vrejtun të Nandorit, e kam njoftun Abdi bej Toptanin në Durrës, atëherë kur Ismail Qemali me shokët e tij kishte zbritun në skelë dhe po përgatitej për t’u nisun në Vlorë…Abdi bej Toptani ka qenë njani asi atdetarësh qi nuk kanë pritun as të binden për idhenë e naltë të lirisë, as të ftohen për t’u bashkue në qëllimin e ngritjes së flamurit. Abdi bej Toptani e pranoi me krahë hapun mendimin e shpalljes së pavarësisë, iu ngjit mendimit të madh me flagë në zemër”.