FERMA E LEPUJVE
Nga Xhelal Zejneli
Do ta izolojmë, do ta syrgjynosim te Përroi i Keq, përtej Kodrës së Qyqes. Do ta lëmë pa bukë. Do ta detyrojmë që t’i drejtojë sytë kah qielli. Qielli do t’i duket fushë e mbjellë me grurë e gjysmëhëna drapër. Do t’ia presim ujin mu si kështjellave të mesjetës.
* * *
Që të mos hetohej se ishte vonuar në punë,Remi i shpejtoi hapat nëpër korridor. Me të hyrë në zyrë pa mbi tryezën e punës do letra. I kaloi nëpër duar për t’u ndalur te njëra prej tyre. Ishte nënshkruar nga shefi i Sektorit të njoftimit. Selia e Forumit të Gjahtarëve vlonte nga entuziazmi. Emërimin e njërit prej tyre për kryetar të Fermës së Lepujve e kishin cilësuar si moment historik. Sa më parë, lajmi duhej të përhapej në mbarë Makondon. Fjalët “moment historik” i shkaktuan Remit ankth. Iu rrëqeth trupi, e kapluan mornicat. Këmbë e krye e përshkuan djersë të ftohta. “Letrës së parë do t’i kthehem sërish, të shoh se ç’përmban tjetra”. E la kumtesën mënjanë për t’i hedhur një sy tjetrës. E lexoi nga mesi teposhtë. U ndal, e la lapsin dhe fërkoi ballin. Kjo e dyta u dashka të lexohet, jo dy herë por më shumë se kaq. Sidoqoftë, fjalët moment historik të letrës së parë, sa e ngazëllenin, aq edhe i shkaktonin drithërimë. Më vonë mësoi se këtë çast historik kishin dashur ta krahasojnë me vjeshtën e tretë të 1912-ës. Nga një paralelizëm i tillë kishin hequr dorë vetëm pas ndërhyrjes së Sali Sylës. Madje ky kishte kërkuar që aktit t’i qasen me gjakftohtësi. Pas shumë fërkimesh dhe përplasjesh, më në fund kishin rënë dakord se në çfarëdo rrethane duhet të mbizotërojë arsyeja. Me të marrë veten, Remi i mori letrat dhe i lexoi me ngadalë. Në të parën, përpos tjerash thuhej: “Emërimi i kryetarit të Fermës së Lepujve nga radhët tona, është vetëm hap i parë. Ne nuk ndalemi këtu, nuk kënaqemi me kaq. Do t’i shtimë në dorë radhazi të gjitha fermat. Në u dashtë, do të formojmë edhe fermë çinçilesh që do t’i sjellim prej Andeve”. Mirëpo disa pjesë të letrës së dytë, me numër protokolli FGj-122/24, i shkaktonin shqetësime. “Për emërimin e sipërthënë të njoftohen i madh e vogël, i tërë Makondoja. Lidhur me zhvillimet do të prononcohen edhe krerët e Forumit të Gjahtarëve, përfshi edhe vetë Prijësin tonë të madh. Janë marrë të gjitha masat që mediumet e Makondos të vihen në veprim dhe të jenë në krye të detyrës. Pothuajse të gjitha mediumet janë nën kontrollin tonë, nën urdhrat tonë, nën mbikëqyrjen dhe vëzhgimin tonë. Për çastin historik ato do të njoftojnë pa reshtur, që në të gdhirë deri në muzg, që nga muzgu deri në agimin e së nesërmes. Çfarëdo studioje të çelësh do të dëgjosh njoftime për momentin historik, madje në çdo cep të Makondos. Do të angazhohen të gjithë analistët tanë, të gjithë krijuesit e opinioneve. Që të gjithë i kemi nën kontrollin tonë, nën urdhrat tona. Lidhur me ngjarjen çdo studio 24 orë do të organizojë debate. Kryetari i sapoemëruar i Fermës së Lepujve do të jetë mysafir pothuajse në të gjitha studiot e Makondos. Kuptohet, i pranishëm nëpër studio do të jetë edhe Prijësi i madh, i pavdekshëm. Në ditën e përurimit do të ketë mysafirë eminentë nga çdo cep i Makondos. Moderatorëve, gazetarëve dhe analistëve më me renome u janë rezervuar vende nderi, aty ku s’mund të ulen as ambasadorët. I tërë Makondoja duhet të njoftohet për rolin e madh dhe meritat e jashtëzakonshme të Prijësit tonë të pazëvendësueshëm”. Telegrame urimi për momentin historik erdhën nga vise të ndryshme. Urime vinin prej krerëve, udhëheqësve, prijësve. Dha krye edhe Vjosa. Moment historik. Histori e s’ka mahi. Vërshime dhe përmbytje në verilindje të Makondos. Rrezikohen edhe digat dhe pritat. “Ne nuk jemi lexues dhe studiues të historisë. Ne jemi krijues dhe ndërtues të saj”, kishte thënë një i Forumit. “S’ka kush na del para, ndryshe e përpin nata, terri, errësira, e kaplon uria dhe etja”. Në këtë letër kishte do vendime dhe mendime për të cilat Remi shprehte dyshim. Takimi që kërkoi me këshilltarin Z, të autorizuar për çështje politike – iu refuzua. “Nuk është kohë takimesh dhe këshillimesh, është kohë veprimi. Oportunistët nuk kanë vend në radhët tona. Çastet historike kërkojnë sakrifica dhe veprime historike”. “Alamet fjalë”, i tha Remi vetes. Iu kujtuan krerët e Revolucionit Francez – Robespjerit, Dantonit dhe Marasë. Sidoqoftë, Remi ia doli të vendos kontakt dhe të takohet me një këshilltar tjetër, por të rangut më të ulët. I tha: “Ngjarja duhet të shënohet, por jo me patetikë. Në letrën – direktivë, midis tjerash shkruante: ‘…se ne kemi Prijësin, që në ballë na prin’. Diskursi si ky na përkujton këngët e një të shkuare të zymtë. Rrëmbimi i mediumeve dhe kontrollimi i hekurt i tyre bie ndesh me kohën në të cilën jetojmë. Në raportet vjetore ndërkombëtarët do të shkruajnë se në Makondo nuk ka mediume të pavarura, nuk ka liri fjale, liri shtypi, nuk ka mendim ndryshe, mendim tjetëror, alternativ. Do të shkruajnë se mediumet tona janë nën kontrollin e hekurt të pushtetit, të pushtetarëve. Do të shkruajnë se mediumet tona janë të blera dhe të shitura katërçipërisht”. Këshilltari i rangut të ulët ia ktheu: “Ka raste kur mediumet e paraqesin realitetin në mënyrë realiste dhe jo të lustruar. Me këtë rast përgjegjësia bie mbi ne, se ne jemi në pushtet. A nuk flet kjo për lirinë e shtypit”?! Remi e ndërpreu: “Mediumet e kontrolluara nga ne, nëntë herë na lëvdojnë, njëherë na shajnë, gjoja na kritikojnë. Kjo është t’i hedhësh hi syve të publikut. Edhe kur na kritikojnë, e bëjnë këtë për diçka të parëndësishme, si për shembull për çmimin e ulët të patateve”. Këshilltari i rangut të ulët i premtoi Remit se vërejtjet e tij do t’ia përcillte këshilltarit Z. “Sidoqoftë, udhëzimet unë do t’i zbatoj me përpikëri” ia ktheu Remi. “Këto s’janë udhëzime, janë direktiva” – ishin fjalët e këshilltarit të rangut të ulët. Në çajtoren e Lul Shahinit, mu afër Urës së Kryeqyqit, Halil Meta me shokë kishte kërkuar ndërrimin e programit televiziv. Ndonëse me shkollë, ishte i papunë. Për ta siguruar bukën punonte si ndihmësmjeshtër pllakash. I vëllai i punonte si roje nate në shkollën e Kryeqyqit. Halilin e thirrshin Lilë. Priste t’i bëhen dokumentet për në Gjermani. “Do të shkoj bashkë me familjen dhe kurrë s’kam për t’u kthyer” – i kishte thënë mësuesit të fillores. Mësuesi ishte mallëngjyer. Mezi e kishte mbajtur veten të mos lotonte. Atë mbrëmje, me t’i parë në studio analistët, pjesëmarrës në debat, i kishte kërkuar të ndërrohet programi. “Nuk mbahet shtëpia me analistë të cilët publiku i quan dhe i merr për mercenarë, për njerëz pa vlera etike, të shitur dhe të blerë, edhe këta katërçipërisht, njësoj si mediumet. Njëzet e katër orë shpëlarje truri. Ku shpie kjo tirani, despotizëm, autokraci, autoritarizëm, totalitarizëm dhe diktaturë. Menduam se stalinizmi ka vdekur që me rënien e murit të Berlinit dhe shpërbërjes së perandorisë sovjetike. Ç’pret prej kësaj politike: Në fillimin e punimeve të një rruge katundi me gjatësi prej dy kilometrave, merr pjesë – para kamerave – e tërë nomenklatura qeveritare. Këta të pabesë sillen si në kohën e Luigjit XIV i cili thoshte: Shteti, ky jam unë”. Në një cep të çajtores, Ramë Huta e përziente gotën me çaj rusi. Ishte pastrues rrugësh. Kishte hyrë në çajtore, më shumë për t’u ngrohur sesa për të pirë çaj. Nuk kuptonte fort se ç’flet Lila. As që i hynin në punë fjalët e tij. Lila vazhdoi të derdhte vrer: “Ka mbetur ose jo në Makondo ndonjë shkollar? Mos ndoshta të gjithë i ka kapluar oportunizmi, konformizmi, demagogjia dhe poltronizmi?! Mos vallë kanë ikur për në Gjermani? Do të ikin të rinjtë, do të ikë edhe truri, jo pse ikja është dukuri globale, siç pretendojnë ta paraqesin politikanët e papërgjegjshëm. Ikin ngase Makondoja bën pjesë në grupin e vendeve me shkallën më të lartë të korrupsionit. Korrupsionin e bëjnë pushtetarët, qeveritarët, politikanët, maja e politikës, e pushtetit dhe e qeverisë. Në pikëpamje ekonomike, jemi ndër vendet më të pazhvilluara në botë. Jemi pa industri, pa prodhim, pa eksport. Po të mos jetë kurbeti, vdesim për bukë. Ndonëse në pluralizëm, jemi të kapluar nga terri informativ, nga propaganda. Të mbetur pa popull, një ditë do të vërshojnë të rinjtë nga Nepali dhe Bangladeshi. Pas shpërbërjes së amalgamës jugosllave pritnim që Orakulli i Dodonës apo ai Delfit të parathoshin ditë më të mira. Të emërohesh kryetar i Fermës së lepujve, për herë të parë në histori, s’ka asgjë të keqe, përkundrazi është mirë. Por, kryetari sado yni, detyrohet ta respektojë kushtetutën dhe ligjin që për ne, sot e gjithë ditën janë diskriminuese. Sipas këtyre ligjeve, ne konsiderohemi pakicë dhe jo popull shtetformues. Pas vdekjes së perandorit Josip Broz, i cilësuar si prijës i botës së tretë, një nga këto anë u bë kryetar shteti, por në të mirën tonë s’bëri asgjë. S’bëri ngase ligji ishte i skllavnisë. Shtypi sllav e konsideronte shqiptar të ndershëm. Ky farë shtypi, i merrte për të ndershëm ata shqiptarë që shanin Arbërinë dhe lëvdonin skllavninë. Ky shqiptar i ndershëm vdiq në skllavni. E varrosën në vendlindje natën, në prani të dhjetë vetëve”. Me të dëgjuar fjalët “Josip Brozi”, Ramë Huta e ngriti gotën e çajit dhe iku ka sytë këmbët. Nuk dihet përse iku. Dikush tha: “Iku ngase ende mendon se është kohë e Brozit”. Një tjetër shtoi: “Ndoshta mendon se pushtetarët e tashëm, s’janë veçse pasardhës të devotshëm të tij”. Në atë çast, në ekran u shfaq Prijësi. Të pranishmit në sallë u ngritën në këmbë dhe shpërtheu një duartrokitje frenetike. Lilës iu kujtua libri i Sollzhenjicinit “Arkipelagu Gullag”. I dënuari i Siberisë shkruan: “Në sallë kishte mijëra vetë. Sapo u përmend emri i vozhdit, që të gjithë u ngritën në këmbë dhe filluan të duartrokasin. Kjo zgjati disa minuta, saqë të pranishmit u lodhën. Një inxhinier që ishte ulur në rreshtin e personaliteteve të merituara, i pari e ndërpreu duartrokitjen dhe u ul. Pas tij, duartrokitjen e ndërprenë të gjithë dhe u ulën. Atë natë, dy-tri orë pas mesnate, dy agjentë të KGB-së të veshur me mantele të zeza i shkuan në shtëpi, e morën dhe e shpënë në hapësirat e shërbimit sekret. E shpallën sabotues të hidrocentraleve, armik të popullit, agjent të imperializmit amerikan. Ky u tha se para pak ditëve ishte vlerësuar me Urdhrin e Leninit. Çdo arsyetim ishte i kotë. Në mëngjes e liruan dhe e sugjeruan: Edhe njëherë, kur të përmendet emri i Stalinit, mos u bëj ti i pari dhe më i mençuri që do ta ndërpresë duartrokitjen dhe që do të ulet”. Lila vazhdoi: “Kult personaliteti ndërtojnë popujt e pazhvilluar, popujt e prapambetur. Në qindvjeçarin XXI kulti i personalitetit nuk duhet të ekzistojë. Askush s’është i pazëvendësueshëm. Të tillë janë vetëm prijësit dhe liderët e vendeve të prapambetura. Liderizmi është në kundërshti me parimet e demokracisë. Kjo tregon se ne jemi larg asaj që quhen vlera demokratike. S’ka demokraci në varfëri. Dhe kurrë s’ka për të pasur. Nuk hyhet në botën e qytetëruar me gjyqësi të shthurur, të korruptuar deri në palcë, me këtë mjekësi ku bari për sëmundje të rëndë shitet mijëra euro, ku me cilësinë e arsimit renditemi ndër të fundit në botë, ku hedhurinat nuk ke ku i depoziton, ku prej lypësve të trotuareve s’mund ta luash këmbë, ku qentë endacakë trajtohen në mënyrë barbare”. Mu atë natë, fjalët e Lilës kishin mbërritur në Sektorin informativ të Forumit të Gjahtarëve. Atij s’kishin çka t’i bënin ngase edhe ashtu ishte i papunë. Punonte privatisht. Madje, e kishte mendjen të shpërngulej. Por vëllait të tij i cili ishte roje nate në shkollën e Kryeqyqit, menjëherë të nesërmen ia kishin ndërruar vendin e punës. E kishin syrgjynosur në shkollën e Kroit të Zi, përtej shtatë kodrave. Duke qenë se shkolla e atjeshme, si pasojë e dyndjes së popullsisë, ishte mbyllur, i kishin thënë me ironi: “Duhet të presësh ditë më të mira”. Lilën e kishte qortuar gruaja e vet: “Si e more në qafë vëllain! E le pa bukë”! Që andej kishte ardhur lajmi: “Le të ketë kujdes ai farë Lille. Duart e pushtetit janë të gjata. Ne jemi aq të pushtetshëm saqë edhe rrugën për në Gjermani ia ndalim. Do ta izolojmë, do ta syrgjynosim te Përroi i Keq, përtej Kodrës së Qyqes. Do ta lëmë pa bukë. Do ta detyrojmë që t’i drejtojë sytë kah qielli. Qielli do t’i duket fushë e mbjellë me grurë e gjysmëhëna drapër. Do t’ia presim ujin mu si kështjellave të mesjetës. Lilës iu kujtuan skenat e Xhorxh Oruellit: “Këta janë aq të ligë saqë ta prishin edhe familjen. Në perandorinë sovjetike qindra mijë gra burrat e të cilave vuanin dënimin në Siberi, shërbimi sekret i kishte çnderuar dhe i kishte shndërruar në spiunë. Spiunonin kundër burrave të veta”. Shefi i Sektorit informativ i ra tavolinës dhe bërtiti: “Askënd nuk do ta lejojmë të na i çrregullojë llogaritë. Ne jemi pushtet dhe do të jemi në skenë më gjatë se çdo tiran. Kuptohet, para publikut gjithmonë do të dalim me ide demokratike. Fjala jonë e parë dhe e fundit është integrimi”.