Nga Dr. Afërdita SOKOLAJ (*)
PARATHËNIE
Objekti i këtij studimi është trajtimi që media në Shqipëri i ka bërë zhvillimeve në Kosovë për një periudhë historike relativisht të gjatë, gati 20 vjeçare, Mars 1981 – Qershor 1999, gjatë së cilës ndodhën ndryshime thelbësore ndërkombëtare: degradimi dhe përmbysja e plotë e sistemit socialist, shpërbërja e shteteve shumëetnikë dhe krijimi i një harte të re politike europiane.
Miratimi i eliminimit të statusit kushtetues të krahinës autonome të Kosovës nga ana e Kuvendit të Serbisë, më 28 mars 1989, i dha legjitimitet kthesës më regresive në hapësirën jugosllave në fillim të viteve ‘90. Zhvillimet pasuese shkruan fillimin e historisë së re për Kosovën.
Rezistenca popullore deri në luftë të armatosur në Kosovë shënoi një ngjarje historike me impakt të rëndësishëm në marrëdhëniet rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX. Ajo i dha fund dhunës etnike sistematike mbi popullsinë shqiptare shumicë në Kosovë dhe pranisë ushtarake serbe në këtë vend, vendosi administratën ndërkombëtare për ngritjen e funksionimin e institucioneve vetëqeverisëse lokale mbi bazën e parimeve demokratike, garantoi sigurinë nëpërmjet Forcës Paqeruajtëse të NATO-s (KFOR) mbylli ciklin e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe hapi rrugën e zgjidhjes së statusit të saj politiko – juridik, me krijimin e një shteti të ri të pavarur.
Ngjarjet nё Kosovë në harkun kohor nga fillimi i Pranverës 1981 deri në fund të Pranverës 1999, kanë qënë dhe janë në qendër të studimeve dhe botimeve vendase, rajonale dhe ndërkombëtare. Një varg botimesh me karakter historik, gjeopolitik, ushtarak, të marrëdhënieve ndërkombëtare, të memoralistikës, të letërsisë, por dhe të fushës publicistike dhe mediatike qarkullojnë sot në të gjithë botën. Autorёt e tyre janë njerëz të zakonshëm, dëshmitarë të ngjarjeve, aktorë të lojës politike, personalitete të studimeve e kёrkimeve nё institucione prestigjioze ndërkombëtare, analistë të njohur të medias.
Falë teknologjisë së sofistikuar të informacionit ngjarjet në Kosovë janë të fiksuara edhe në formë audiovizive. Njё numёr dokumentarësh televizivë kanë riprodhuartabllonё e kohës dhe qarkullojnë në të gjithë botën. Zhvillimet e kësaj periudhe në Kosovë u ndoqën hap pas hapi nga media në Republikën e Shqipërisë. Ajo luajti rol shumë të rëndësishëm në informimin në vijimësi të opinionit publik vendas dhe të huaj për ngjarjet në Kosovë ndër më madhoret në historinë e kombit shqiptar. Vlerësimi real i punës së medias në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe më vonë në Republikën e Shqipërisë lidhur me ngjarjet në Kosovë në dy dekadat e fundit të shekullit XX kushtëzohet nga shumë faktorë, të cilët në punim janë analizuar veçmas dhe në marrëdhënie të ndërsjellë me njëri tjetrin.
Ky studim ka për qëllim:
të analizojë trajtimin nga ana e medias shqiptare të problematikës së Kosovës në periudhën përkatëse,
të identifikojë burimet kryesore të informacionit të saj dhe nivelin profesional të përdorimit të tyre nga media,
të tregojë raportin dhe impaktin e ndërsjellë të medies me opinionin publik dhe me spektrin politik, kombëtar e ndërkombëtar,
të vlerësojë rolin e medias si jehonë e ngjarjeve në Kosovë dhe për Kosovën, por edhe si promotore e zhvillimit të tyre,
të verë në dukje disa nga tiparet e reja që u përvetësuan dhe u shpalosën nga media shqiptare, veçanërisht në Luftën e Kosovës, përgjatë së cilës u promovua profesioni i reporterit në luftë.
Në funksion të qëllimit të studimit, analiza është përqëndruar në këto çështje:
Ç’vend zuri problematika e Kosovës në medien në Shqipëri në rrjedhën e viteve të marra në studim?
Cili ishte qëndrimi i medias moniste ndaj raportit që politika kishte vendosur mes interesit shtetëror dhe interesit kombëtar, mes kritereve ideologjike dhe pragmatizimit shtetëror për zhvillimet në Kosovë?
Cilat ishin synimet e medias moniste në komunikimin me publikun lidhur me problematikën e Kosovës?
Cila ishte cilësia e burimeve mediatike që përdori media moniste për informimin e opinionit publik për ngjarjet në Kosovë ?
Sa arriti ajo medie të riprodhonte tablonë reale të procesit të eliminimit të statusit të krahinës autonome të Kosovës?
Cili ishte qëndrimi i medias pluraliste shqiptare ndaj alternativës opozitare në Kosovë?
Çfarë qëndrimi mbajti media shqiptare lidhur me dy rrugët e zgjidhjes së problemit të Kosovës, rrugës paqësore dhe asaj të luftës së armatosur?
Cili ishte roli i medias shqiptare gjatë Luftës në Kosovë?
Cilat janë burimet ku mbështetet studimi? Ky studim është mbështetur në:
Burime arkivale dhe dokumentare të publikuara.
Median e shkruar në Shqipëri dhe Kosovë (koleksionet e gazetave pranë Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë).
Informacionin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Median informative vizive, (kryesisht filmarkiva e televizionit shqiptar).
Median ndërkombëtare që ka trajtuar problematikën e Kosovës.
Raporte të organizatave ndërkombëtare dhe të atyre të gazetarëve për Kosovën etj.
Literaturën historike përkatëse me autorë shqiptarë e të huaj; botime studimorë, autobiografikë të aktorëve ndërkombëtarë politikë të angazhuar në këto ngjarje.
Literaturën mediatike ndërkombëtare me fokus Kosovën.
Cilat ishin arsyet që kërkimi mori në analizë kryesisht shtypin e shkruar?
Një nga arësyet kryesore pse u muar në analizë kryesisht media e shkruarnë Shqipëri lidhet me faktin se ai ishte mjeti më funksional i komunikimit me opinionin publik në vitet 1980 – 1990. Në kushtet e një medie të vetme partiake, edhe media vizive dhe ajo radiofonike transmetonin në publik të njëjtët mesazhe me atë të shkruar.
Pluralizmi në media në Shqipëri lindi dhe u zhvillua në fushën e medies së shkruar. Media e shkruar ishte më e konsoliduar dhe më e larmishme si dhe me një spektër të gjërë informacioni, opinionesh dhe analizash krahasuar me atë audiovizive. Ndërsa në gjysmën e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar, mediet audiovizivë alternativë në Shqipëri ishin në fillimet e tyre dhe nuk kishin krijuar formatin e duhur profesional. Kanalet radiofonikë e televizivë privatë ishin ende në procesin e ngritjes së infrastrukturës mediatike dhe strukturave programore.
Arsyeja tjetër lidhur me pyetjen e shtruar më sipër shpjegohet me faktin se në medien e shkruar shqiptare zuri një vend të gjerë tematika e Kosovës e trajtuar nga media e huaj e shkruar. Media në Shqipëri i referohej shtypit të huaj për sasinë e cilësinë e informacionit për Kosovën, dhe sepse nëpërmjet tij përcillte në publik qëndrimet e politikës e diplomacisë perëndimore, si dhe alternativa të tjera mendimi dhe vlerësimi profesional për problematikën kosovare. Roli i agjencive të mëdha ndërkombëtare si qendra të fuqishme të grumbullimit dhe të shërbimit të informacionit, i gazetave autoritare ndërkombëtare si dhe perfeksionimi i teknologjisë mediatike vizive që mundëson informimin e opinionit publik në mbarë botën në kohë reale është i padiskutueshëm për çdo medie kombëtare.
Qëllimi i punimit nuk është studimi i nivelit të mbulimit nga ana e medias ndërkombëtare të problematikës së Kosovës apo Luftës në Kosovë.
Referimi ndaj agjendës së medias ndërkombëtare për Kosovën dhe Luftën në Kosovë në këtë punim shërbeu për të arësyetuar rreth nivelit të agjendës së medias në Shqipëri për këtë çështje dhe rrjedhimisht për standardet profesionalë në mbulimin e saj.
Trajtimi i problematikës së Kosovës nga media e shkruar Tiranës tërhoqi vemendjen e medias ndërkombëtare pasi ajo ishte e interesuar për qëndrimet zyrtare të Shqipërisë si shtet amë në momentet kryesore të zhvillimeve në Kosovë dhe kryesisht për mbështetjen faktike të shqiptarëve të Kosovës në kohën e luftës, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe si strehë e mijëra refugjatëve nga Kosova. Duhet patur parasysh se për Kosovën deri në vitin 1998 – 1999 informacioni mediatik ndërkombëtar ishte shumë i pakët dhe edhe ky më shumë në kontekstin e shpërbërjes së ish federatës apo të luftrave në të tre ish republikat e shkëputura. Informacionet e mëherëshme për zhvillimet në Kosovë (1981, 1990 apo dhe përpjekjet e drejtuesve shqiptarë të Kosovës për promomovimin e filozofisë së rrugës paqësore) ishin sporadikë. Perceptimi i Kosovës nga media e huaj dhe përcjellja publikut të saj ishte pothuaj ai i vitit 1981, e përcaktuar si krahinë e prapambetur e ish federatës jugosllave apo Jugosllavisë së tretë. Ngjarjet e marsit ‘98 si fillim, trupat e ngrirë në një klasë shkolle, eksodi i kosovarëve drejt Shqipërisë në qershor – korrik 98, masakra e Raçakut në janar 1999 e bënë atë lajm dite në medien ndërkombëtare për ta bërë kryelajm të saj për 78 ditët e aksionit ushtarak të NATO –s, (24 mars 1999 – 13 qershor 1999), duke vijuar të mbetej edhe më pas në agjendën e medias. Ndryshe kishte ndodhur me medien në Shqipëri, e cila e kishte ndërtuar agjendën për problematikën e Kosovës prej një kohe të gjatë.
Arsyet e përzgjedhjes së literaturës studimore për punimin:
Kriter për përzgjedhjen e literaturës historike shqiptare dhe të huaj për Kosovën ka qenë tematika, periudha,profili profesional i autorit, të cilat i përshtateshin synimit të këtij punimi.
Literatura e përzgjedhur nga fusha e studimeve mediatike e trajton rolin e medias në vijimësinë e procesit historik në të cilën kaloi Kosova në vitet 1981 – 1999. Njëkohësisht, kjo literaturë nuk kufizohet në analizën e një medie të vetme. Literatura e shfrytëzuar për studim ka analizuar përvoja konkrete të medieve autoritare ndërkombëtare dhe ka ofruar përfundime me interes të veçantë në fushën e studimeve mediatike në tërësi. Në literaturën mediatike u përzgjodhën botimet nga studjues të mirëfilltë të
institucioneve studimore, nga diplomatë, politikanë, ashtu dhe ato nga gazetarë të njohur në botën e medias, të cilët kanë përgjithësuar përvojën vetjake në mbulimin e konflikteve dhe luftërave. Mbi ç’bazë teorike mbështetet kërkimi. Metodologjia e punimit.
Ky kërkim mbështetet në Teorinë e vendosjes së përparësive (Agenda Setting Theory) dhe Teorinë e Formatimit (Framing Theory). Punimi është bazuar në konceptin e Bernard Cohen për agenda setting të medias se “shtypi mund të mos jetë i suksesshëm
për t’i treguar njerëzve se çfarë të mendojnë, por ai është shumë i suksesshëm për t’i treguar lexuesve të tij se rreth çfarë të mendojnë”1 dhe në përcaktimin e McCombs dhe Shaw se “kërkimet e reja që eksplorojnë efektet e vendosjes së përparësive (agenda setting) dhe të formatimit (media framing) sugjerojnë se media jo vetëm na tregon se rreth çfarë të mendojmë, por gjithashtu dhe si të mendojmë rreth disa temave të caktuara dhe rrjedhimisht çfarë të mendojnë”2.
Argumentet e tyre ishin mbështetje për shpjegimin si të arsyeve pse media në Shqipëri përzgjodhi dhe i dha përparësi disa çështjeve të problematikës së Kosovës ashtu edhe të mënyrave të trajtimit të tyre në periudhën 1981 -1999.
Në këtë linjë arësyetimi media në Shqipëri ka përdorur çështjet më kryesore për të ndikuar në opinionin publik rreth çfarë ai duhej të mendonte për problematikën e Kosovës. Ajo kishte përcaktuar çështjen e së drejtës për vetëvendosje të shqiptarëve në Kosovë si përparësore. Mënyra e trajtimit të saj, thellësia, intensiteti dhe shtrirja në kohë ka patur ndikimin e vet në opinionin publik për të kuptuar rëndësinë e përmbushjes së kësaj kërkese. Njëkohësisht media i ka treguar publikut edhe si duhej të mendonte për zgjidhjen e kësaj çështje. Pra studimi shtrihet dhe në nivelin e dytë të teorisë së agjenda setting, në agjendën e atributeve, (Framing Theory) në të cilën analizohet mënyra se si realizohet mbulimi nga ana e medias e kësaj çështje parësore në problematikën e Kosovës, pra si media ia ka paraqitur atë publikut.
Bernard C.Cohen, themelues i Teorisë së Agenda Setting; studjues në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të medias; formuloi në vitin 1963 konceptin e agenda setting,cituar më sipër.
1 Maxwell McCombs and Donald Shaw, “The Evolution of Agenda-Setting Research: Twenty-Five Years in the Marketplace of Ideas,” Journal of Communication, Volume 43 (1993): 65, Tërhequr 12 maj 2012, doi: 10.1111/j.1460-2466.1993.tb01262.x.
Prof Maxwell McCombs, ish reporter i gazetës New Orleans Times-Picayune, dhe Prof. Donald Shaw, ish gazetar, investiguan fushatën zgjedhore presidenciale në SHBA në vitin 1968 në zonën e Chapell Hill në Karolinën e Veriut dhe formuluan konceptin e agenda setting. Studimi përkatës u prezantua nëUniversitetin e Chapel Hill-it, duke shënuar elaborimin e teorisë së agenda setting edhe mbi bazën e studimeve të Walter Lipman (1922) dhe Bernard Cohen (1963). Ata njihen si themeluesit e teorisë së agenda setting. Studimi me titull “Funksioni i agenda setting i mass medias” u botua më 1972 në The Publik Opinion Quarterly. 2 Po aty.
Për të arsyetuar për këtë aspekt kërkimi është mbështetur në përcaktimin e McCombs dhe Shaw se “si përzgjedhja e objekteve për të tërhequr vemendjen (salienca), ashtu dhe përzgjedhja e formatimit (frame) për të menduar rreth këtyre objekteve, janë funksione të fuqishme të agenda setting”3.
Në përzgjedhjen e kampionit për studim u synua që ai të përmbushte disa prej funksioneve kryesore të formateve të grupimit bazik (më i përshtatshmi për mbulimin e ngjarjeve nga ana e medies), si:
– përcaktimi i rrethanave kryesore të një ngjarje,
– njohja e shkaqeve të saj,
– vlerësimi etik i saj
– ofrimi i rrugëzgjidhjeve.
Përcaktimi i nivelit të realizimit të funksioneve të mësipërme nga ana e kampionit u kushtëzua nga përdorimi dhe vlerësimi i fjalëve kyçe, të cilat përafronin me kërkesat e funksioneve sikurse ishin :
– përshkrimi i ngjarjeve, të cilësuara nga media si “Kërkesa për t’i njohur Kosovës statusin e republikës është e drejtë”(1981-1990) apo “Kosova – Luftë” (1999), që përafrohej me funksionin e parë të formatit, që është përcaktimi i problemit.
– përshkrimi i shkaqeve të ngjarjeve, si thelbi i formatimit të një lajmi për ngjarjet në vijimësi në Kosovë, sikurse ishin shkelja e të drejtave themelore të njeriut, pabarazia sociale dhe kombëtare, duke realizuar kështu përafrim me funksionin e dytë të formatimit.
– përshkrimi i palëve në konflikt, serbët dhe shqiptarët në Kosovë, si fajtorë e viktima, që përafrohej me funksionin e tretë, vlerësimin etik të tyre.
– përshkrimi i qëllimeve të palëve në konflikt, të cilat media i analizoi gjërësisht; pala serbe për të ruajtur sundimin në Kosovë, ndërsa ajo shqiptare për t’u çliruar nga ai sundim dhe për të marrë vetë në dorë fatet e saj. Në këtë kuadër ofroheshin rrugëzgjidhjet si nëpërmjet rrugës paqësore dhe asaj të forcës, mbështetur në të dy raste nga faktori ndërkombëtar. Edhe në këtë aspekt verehej përafrim me funksionin e fundit të përcaktuar nga studiuesit e medias, miratimin i rrugëzgjidhjeve.
Për të vlerësuar rëndësinë që media i kushtoi zhvillimeve në Kosovë u pa rritmika e pasqyrimit të përparësive të problematikës së saj në të përditshmet vendase, e matshme me numrin e informacioneve (lajme dhe artikuj) dhe me gjatësinë e tyre, të grupuara në lajme, (deri në 200 fjalë) editoriale (deri në 500 fjalë) dhe analiza 700 fjalë). Ndërsa paraqitja që media i bëri atyre ngjarjeve në publik u mbështet në analizën e përmbajtjes së fjalëve kyçe.
Nga ana tjetër përdorimi i fjalëve kyçe në informacione për përshkrimin e zhvillimeve është tregues i këndvështrimit dhe qëndrimit të medias ndaj atyre zhvillimeve. Konceptet status, vetëvendosje, kushtetutë, autonomi, republikë, federatë, të drejta njerëzore, dhunë, separatizëm, shpërbërje, Kosovë, Serbi, Jugosllavi, adresojnë mënyrën se si ishin konceptuar shkaqet e konfliktit dhe interesat e palëve në të. Përdorimi i koncepteve terrorist, guerilas, ushtarë, luftëtarë, konflikt, luftë, ka shërbyer për të përshkruar palët në konflikt, konceptimin dhe vlerësimin nga ana e medias të ngjarjeve në zhvillimin e tyre.
3 McCombs and Shaw “The Evolution of Agenda-Setting”,61.
Ndërsa përdorimi në informacionin mediatik të koncepteve gandizëm, bisedime, ndërmjetësim, marrëveshje, forcë, ndërhyrje, NATO, referojnë konceptimin e mënyrave të zgjidhjes së problematikës.
Në këtë kërkim mbështetja në teoritë e mësipërme ia ka vlejtur për të treguar si vendin që zuri problematika e Kosovës në media, ashtu dhe për mënyrën se si u konceptua dhe si u formatua problematika e Kosovës nga media në Shqipëri për t’ia përcjellë opinionit publik, sa ndikoi në opinionin publik shqiptar dhe a mundi të ndikojë politikën zyrtare apo thjesht funksionoi mekanizmi i manipulimit të marrëdhënieve shtet – media sipas të cilit “lajmet ndikohen nga politikat zyrtare dhe vetëm shumë rrallë ato ndikojnë te qeveritë, në mënyrën që efekti CNN sugjeron”4.
Por, vëzhgimi me kujdes i medias në Shqipëri, veçanërisht asaj të shkruar, shtroi dhe pyetjen se kush e vendoste agjendën e medias në periudhën në fjalë dhe në çfarë kushtesh. Studimi ka venë në dukje dhe procesin e përgjegjësisë së mbledhjes, kontrollit, përzgjedhjes dhe bllokimit të informacionit (ai që nuk publikohet) për trajtimin nga ana e medias në Shqipëri të çështjes së Kosovës. Në këtë këndvështrim është marrë në konsideratë Teoria e Gatekeeping, e cila është më pranë teorisë së agenda setting sikurse vërenin edhe dy themeluesit McCombs dhe Shaw. “Ky proces (gatekeeping) përcakton jo vetëm se cili informacion përzgjidhet, por gjithashtu dhe cila do të jetë përmbajtja dhe natyra e mesazheve, sikurse janë lajmet”.
5 Trajtimi në këtë këndvështrim bëhet më kompleks pasi në mënyrë të pazgjidhshme drejton në problematika më të shtrira social -politike, shpjegimi i të cilave kërkon mbështetje edhe në argumentet e teorisë së konstruksionit social, sipas së cilës lajmet nuk janë paqyrim objektiv i realitetit, por janë në funksion të politikës së një grupi të caktuar social. Studimi i medias në Shqipëri për problematikën e Kosovës, veçanërisht në vitet 1981 – 1990, dëshmon se procesi gatekeeping ka qenë në funksion të plotë në medien e kësaj kohe për problematikën e Kosovës.
Pse analiza e përmbajtjes është metoda e duhur për kërkimin?Mbledhja e të dhënave për studimin e medias së shkruar shqiptare në periudhën e marrë në studim është mbështetur mbi metodën e analizës së përmbajtjes, thelbi i së cilës është të përshkruajë karakteristikat e përmbajtjes së një teksti. “Analiza e përmbajtjes bazohet mbi një metodë sistematike që kodifikon dhe mat përmbajtjen e mesazheve të medias” 6.
Kjo metodë është e duhura për kuptimin e përmbajtjes (së dukshme dhe të padukshme) të një teksti mediatik, për sqarimin e kuptimit dhe efektin e mesazheve të tij dhe për mënyrën se si bëhet analiza (nëpërmjet klasifikimit dhe vlerësimit të fjalëve kyçe). Tradicionalisht, analiza e përmbajtjes është kuptuar më shumë si analizë konceptuale, e cila fillon me identifikimin e çështjeve të kërkimit dhe përzgjedhjes së kampionit, kodifikimi i të cilit është thelbësor në analizën e përmbajtjes pasi mundëson analizën dhe interpretimin e mesazheve.
4 Piers Robinson, The CNN effect. The myth of news, foreign policy and intervention (London: Routledge, 2002), 13.
5Pamela J.Shoemaker and Timothy P.Vos, Gatekeeping Theory (New York : Routledge, 2009), 1. 6 Richard Campbell, Christopher R. Martina, Bettina Fabos, Media & Culture, (Boston: Bedford St. Martin’s, 2005), 522-523.
Për mbledhjen e të dhënave nga kampionet e këtij kërkimi kjo metodë u aplikua në të dyja format e saj, sasiore dhe cilësore.
Metoda e analizës sasiore të përmbajtjes, duke venë në dukje numrin e informacioneve, shërbeu për të kuptuar se çfarë vendi zuri problematika e Kosovës në medien shqiptare. Sipas studjuesve kjo metodë kërkon saktësi në përdorimin e mjeteve metodologjike dhe përgjithësisht shmang anshmërinë. Mbi bazën e analizës sasiore të përmbajtjes u vërejt prania dhe intensiteti i përdorimit të fjalëve kyçe.(psh fjales“konflikt” dhe fjalës kyçe “luftë”.
Analiza cilësore e përmbajtjes mundësoi përzgjedhjen e mesazheve kryesore të kampionit, pasi ajo analizon në mënyrë sistematike dhe të detajuar përmbajtjen e një lënde të caktuar, nga e cila përcaktohen temat kryesore të periudhës përkatëse dhe bëhet interpretimi i ngjarjeve. Njëkohësisht ajo krijon mundësi për interpretimin e tematikave në kohështrirjen e tyre pasi ajo analizon përbërësit e përmbajtjes së lajmeve dhe artikujve edhe në raport me rrethanat, mjedisin dhe kontekstin e tyre.
Ndërsa analiza leksike e kampionit shërbeu për të venë në dukje fjalët kyçe të kampionit. Fjalët kyçe u analizuan për të kuptuar kontekstin ku janë përdorur, për të kuptuar zgjedhjet e terminologjisë që shtypi ka bërë dhe për të formatuar zhvillimet në Kosovë, dhe për të njohur produktin mediatik informativ.
Krahas është përdorur dhe metoda e intervistimit me gazetarë, informacioni i të cilëve ndihmoi për të mbledhur të dhënat dhe për të konkretizuar rëndësinë që iu kushtua kësaj teme në dy dekadat e marra në studim. Intervista e strukturuar si më e përshtatshmja për kërkimin në aspektin sasior ndihmoi veçanërisht për të mbledhur informacion lidhur me angazhimin mediatik në Luftën e Kosovës. U
intervistuan nëpërmjet postës elektronike 4 gazetarë. (Frok Cupi, Hamit Boriçi, Lulzim Çota, Llazar Semini). Këto metoda të ndërthurura ndikojnë për arritjen e përfundimeve të besueshme të studimit. Mbi këtë bazë punimi synoi të tregonte vendin që zuri Kosova në medie në këto vite dhe formatet me të cilat media i a tregoi Kosovën opinionit publik. Mbledhja e të dhënave u bë kryesisht mbi bazën e burimeve shqiptare mediatike, të përditshmet vendase të kësaj periudhe. Si u realizua procesi i kërkimit.
Fillimisht u zgjodhën mediet (gazeta, agjenci lajmesh, rrjete transmetuese, arkiva mediatike) që do të shërbenin për analizë. Përzgjedhja mori në konsideratë autoritetin e tyre kombëtar dhe njohjen e tyre në rrethet mediatike ndërkombëtare, rolin që ato kishin luajtur për njohjen e opinionit publik dhe zyrtar me problematikën e Kosovës në veçanti.
Mediet e zgjedhura për studimin kanë qenë:
1.Lajme dhe artikuj të botuar në gazetat në Shqipëri :
Zëri i Popullit
Bashkimi
Rilindja Demokratike
Albania
Koha Jonë
Gazeta Shqiptare
Shekulli
Rilindja (botuar në Tiranë)
2. Lajme dhe artikujt të botuar në gazetat në Kosovë,Maqedoni dhe Zvicër :
Rilindja
Bujku
Fakti
Zëri i Kosovës
3. Revista studimore dhe kulturore:
Studime Historike
Media shqiptare
Klan
Spektër shqiptar
Alternativa (Lubjanë)
Communication research trends
The Hungarian Observe
3. Informacione dhe artikuj të agjencive të lajmeve:
ATSH (Agjencia Telegrafike Shqiptare)
TANJUG (Agjencia Jugosllave e Lajmeve)
Reuters (Agjensia Britanike e Lajmeve)
AFP (Agjensia Franceze e Lajmeve)
4. Medie elektronike:
RTVSH
Euronews
CNN
6. Medie On-line:
Bota Sot
Expres
bbc.co.uk
DW (Radio Gjermane)
7. Arkiva On – line:
Open Society Archieves
RFE-RL Radio Europa e Lirë
The New York Times
Nga mediet e gazetat e përzgjedhura u kalua në përzgjedhjen e lajmeve dhe artikujve më domethënës dhe që referonin ngjarjet më të rëndësishme lidhur me objektivat e këtij kërkimi. Mbi 70 mijë raportime, kronika dhe artikuj të botuar në medien shqiptare u evidencuan për këtë studim (rreth 50 mijë lajme dhe 20 mijë artikuj të botuar në shtypin shqiptar). Numri i madh i lajmeve dhe artikujve kushtëzoi zbatimin e metodës së kampionimit, mbi bazën e së cilës u përzgjodhën lajmet dhe artikujt për analizë. Përzgjedhja e kampionit të analizës u bazua në vlerësimin e rëndësisë që artikujt i dhanë ngjarjeve kyçe në rrjedhën e viteve. Metoda e kampionimit drejtoi në përzgjedhjen e rreth 900 lajmeve dhe 800 artikujve që adresojnë burimet e mësipërme sipas rendit kronologjik për periudhën në studim. Studimi u përqëndrua në kampionin e përzgjedhur nga shtypi vendas.
Lajmet me përmbajtje të njëjtë të publikuara në të përditshmet e përzgjedhura nuk janë llogaritur gjatë numërimit. Është marrë në konsideratë lajmi në variantin më të plotë. Përzgjedhja e lajmeve u bazua në funksion të qëllimit të studimit dhe duke ndjekur rendin kronologjik. E njëjta procedurë është zbatuar edhe për artikujt. Përgjithësisht është përdorur lajmi me burim agjencinë zyrtare të lajmeve, (ATSH). Përsa i përket artikujve janë marrë në analizë si ata shqiptarë dhe të huaj (500 autorë shqiptare dhe 300 të huaj) me synimin për të gjykuar për nivelin e produksionit mediatik informativ shqiptar.
Si modeli teorik, ai i vendosjes së përparësive në medie, (salienca) i formatimit, ashtu dhe metoda e analizës së përmbajtjes, mbi të cilët është mbështetur gjithë procesi i këtij kërkimi, rezultuan të përshtatshme për realizimin e qëllimit të studimit: vendi që zuri problematika e Kosovës në medien në Shqipëri në vitet 1981-1999 dhe mënyra si ajo i pasqyroi dhe i trajtoi prioritetet e kësaj problematike. Metodologjia e ndjekur ishte baza për analizën e produktit mediatik informativ shqiptar për çështjen e Kosovës. Treguesit profesionalë u shfaqën në përcaktimin dhe trajtimin e çështjeve të rëndësishme të të drejtave themelore të njeriut, ku e drejta për vetëvendosje është universale dhe e patjetërsueshme e çdo populli. Në këtë këndvështrim u vrejt se media shqiptare e periudhës së Luftës në Kosovë i kontribuoi produktit mediatik informativ ndërkombëtar. Ajo informoi gjërësisht mbi ngjarjet, pa rrëshqitur në pozitat e një medie megafon që bën thirrje për luftë, që nxit urrejtje etnike dhe që në momente kyçe gjeti rrugën e duhur në funksion të interesave kombëtare.
Gjatë luftës, Kosova ruajti klasifikimin si kryelajm në të gjithë medien e botës, [edhe pse zhvillohej një tjetër luftë e ngjashme për nga karakteri, në Timorin Lindor, sensitive për medien], proces ky në të cilin ka pjesën e vet padyshim edhe media shqiptare.
Produkti mediatik informativ shqiptar lidhur me problematikën e Kosovës në periudhën e marrë në studim është trupëzim i rolit të medias si dëshmitare dhe aktore në ngjarje, pasi me publikimin e tyre ajo informoi publikun, ndikoi në njohjen e analizën e kompleksitetit të rrethanave dhe aktorëve politikë.
Studimi përbëhet nga pesë kapituj
Kreu i parë analizon qëndrimin mediatik në Shqipëri për ngjarjet e vitit 1981 nëKosovë. Në referencë të trajtimeve mediatike, nënvizohet fakti se mohimi padrejtësisht i statusit të kombit nga kushtetuta federative i kishte shndruar shqiptarët në pakicë kombëtare, status me të cilin popullsia shqiptare nuk u pajtua asnjëherë. Në mjedisin e përgjithshëm post Tito në shtetin federativ, shqiptarët e Kosovës u ngritën të parët në demonstrata për të kërkuar në mënyrë paqësore një status kushtetues të barabartë me kombet e tjerë të federatës.
Zhvillimet dramatike në Kosovë që nga mars – prilli i vitit 1981 e në vijim u bënë objekt i rëndësishëm i mjeteve të informimit në Shqipëri në përmasa të pakrahasueshme për këtë çështje me më parë. Për herë të parë tematika kosovare u paraqit gjithëpërfshirëse, në dinamikën dhe kompleksitetin e saj. Në punim shpegohen arësyet përse Kosovës me problematikën e saj iu dhanë hapësira të konsiderueshme në mjetet e informimit masiv në Shqipërinë komuniste. Arësyet ishin politike dhe jo thjesht mediatike.
Shteti shqiptar nuk mund të anashkalonte një çështje të ndjeshmërisë së lartë për popullin shqiptar sikurse ishte çështja kombëtare, veçanërisht në rrethanat konkrete historike në të cilat ndodhej Shqipëria, vihen në dukje në punim. Ky realitet i mbivendosur mbi terrenin e vështirë të krijuar nga faktorë të tjerë objektvë, të brendshëm dhe të jashtëm, shumë kompleks dhe të rëndësishëm, të përmendura në studim, shpegon arsyet e rolit që politika i caktoi medias së kohës, shoqëruar me investim në media, i konsideruar si një nga mënyrat më të përshtatshme dhe më efektive në duart e shtetit amëndaj detyrës madhore kombëtare. Në këtë mënyrë në këndvështrimin mediatik të kohës ndaj situatës në Kosovë u vendos një raport i caktuar, i ndryshëm nga më parë i marrëdhënies mes interesit shtetëror dhe interesit kombëtar, qëndrimeve ideologjike dhe pragmatizmit politik. Orientimi editorial, trajtimi dhe interpretimi i zhvillimeve në Kosovë dhe përgjithësisht performanca mediatike lëvizi brenda kufijve të nivelit politik dhe propagandës partiake të kohës. Mungesa e mjeteve alternative të informimit kushtëzoi mungesën e oponencës dhe mendimit të lirë të opinionit publik në medie. Media eci me ritmin e politikës së partisë shtet për këtë problem. Në varësi nga qëllimet politike lidhur me ngjarjet në Kosovë për efekt studimi janë përcaktuar grupet kryesore sociale të publikut, të cilët janë patur parasysh në orientimin dhe formulimin e politikës zyrtare të shtetit shqiptar për Kosovën si dhe objektivat që politika synonte të arrinte nëpërmjet medies te këto grupe. Procesi i komunikimit për këtë çështje paraqitet kompleks.
Në këtë kapitull një vend të veçantë ze pasqyrimi konkret në median e shtetit shqiptar i ngjarjeve të mars prillit 1981. Media analizoi në rrjedhën historike demonstratat e vitit 1981, vendin e tyre në lëvizjen e gjërë popullore në Kosovë dhe mbështeti kërkesat e demonstruesve. Lajmet, komentet, vëzhgimet dhe artikujt analitikë ishin të konsiderueshëm (krahasuar me më parë) si përsa i përket numrit, ashtu dhe trajtimit të zhvillimeve, reflektimit ndaj ngjarjeve dhe parashikimit të rrjedhës së tyre në të ardhmen. Tematika e artikujve të botuar në mjetet e informimit publik lidhur me ngjarjet në Kosovë përshkohej sa nga vlerësimi realist i zhvillimeve të kohës dhe shkaqeve objektive të tyre, nga përkrahja publike e qëllimeve dhe kërkesave të demostruesve shqiptarë në Kosovë, aq dhe nga kërkesa për zgjidhjen e tyre nëpërmjet respektimit të të drejtave themelore të shqiptarëve. Njëkohësisht verehej një trajtim kompleks i çështjes së Kosovës në të gjitha llojet e medias, të shkruar, radiofonike dhe televizive. I aplikuar nëpërmjet gjinive të ndryshme gazetareske në konceptimin për çështjen në fjalë ndërthurrej interesi kombëtar me atë shtetëror, aktualiteti me të shkuarën, respektimi i principeve të së drejtës ndërkombëtare, referoheshin çështje të pakicave kombëtare dhe zgjidhjet në raport me marrëdhëniet ndërshtetërore e marrëveshjet ndërkombëtare në epokën e Luftës së Ftohtë. Publikimi i artikujve analitikë – sintezë, me karakter ballafaques, debatues e polemizues nga media e Tiranës shënoi njëkohësisht fillimin e polemikës me median jugosllave për ngjarjet dhe përfshirjen e saj në rrjetin mediatik botëror për këtë çështje.
Të gjitha format e shprehjes gazetareske në median në Shqipëri lidhur me çështjen e Kosovës duke filluar nga viti 1981 dhe më pas i përshkon një bosht, që mund të emërtohet vetëvendosja, si kryeqëllimi dhe kryekërkesa e shqiptarëve në Kosovë në atë periudhë. Mohimi i së drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje në të tre kushtetutat jugosllave u etiketua në shtypin shqiptar si ‘ves juridik’ i konstitucionalizmit federativ.
Çështja e mbrojtjes dhe e respektimit të parimit të së drejtës për vetvendosje e popullit shqiptar në Kosovë shtrohej në planin e respektimit të së drejtës ndërkombëtare për mosndryshimin e kufijve dhe respektimin e të drejtave njerëzore e kombëtare, në rrethanat historike të ekzistencës së Luftës së Ftohtë.
Në punim identifikohen burimet kryesore të informacionit me të cilat operoi media shqiptare në vitet ‘80 – 90 të shekullit të kaluar. Mungesa e plotë e raportimeve të drejtëpërdrejta nga vendngjarja nga ana e reporterëve nga Shqipëria apo dhe e atyre nga Kosova e kishte bërë apatik informacionin në raport me dinamikën e ngjarjeve, të cilat skematizoheshin në hapësirën e paracaktuar në gazetë në faqen e saj të fundit, ndërsa në ekranet e vegjël të shtëpive shqiptare nuk arrinte asnjë imazh nga terreni. Ky ngërç u çbllokua disi nëpërmjet përdorimit në mënyrë të konsiderueshme të shtypit të huaj të shkruar, që plotësonte deri diku mangësinë për informacion për publikun shqiptar. Nën kryetitullin “Shtypi botëror për ngjarjet në Kosovë” opinioni publik shqiptar perceptonte ç’ka ndodhte në Kosovë kryesisht nëpërmjet këndvështrimit të medias së huaj të referuar. Gazetarët e huaj që firmosnin raportet për Kosovën në shtypin e tyre, i cili shfrytëzohej nga ai i Tiranës, nuk ishin të mirëpritur të vinin në Shqipërinë moniste.Heshtja e plotë dhe e gjatë e medias në Shqipëri për situatën reale në Kosovë u thye përfundimisht. Kreu i dytë analizon pasqyrimin në medien shqiptare të strategjisë kundërautonomi të Serbisë në Kosovë në vitet 1981 -1987. Eliminimi i statusit të krahinës autonome të Kosovës nga federata jugosllave u analizua në medien shqiptare, si një proces gradual historik, me fazat e tij dhe me objektivat përkatëse të çdo faze. Kjo qasje krijoi dhe zhvilloi edhe konceptimin mediatik të kohës ndaj strategjisë kundërautonomi të Serbisë ndaj Kosovës, në kuadër të së cilës ishte ideuar instrumentalizimi i medias për objektiva pragmatiste politike dhe nacionaliste. Media shqiptare e konsideroi median serbe me manipulimet e saj me gjysëm të vërtetat instrumentin më të rëndësishmën të strategjisë kundërautonomi ndaj Kosovës; ndërsa revanshin kundër statusit kushtetues të Kosovës e etiketoi “atak kushtetues” ndaj vetë Kushtetutës së vitit 1974. Informacioni mediatik ruajti karakterin objektiv, megjithë kufizimet për të mos i dhënë shkas Beogradit për të vijuar me akuza për ndërhyrje në punët e brendëshme të Jugosllavisë nga ana e Shqipërisë. Në vitet 1981 – 1987, media shqiptare mori një përmasë të re përballë medias serbe, përmasën e denoncimit të hapur të procesit kundërautonomi në Kosovë. Kërkimi në këtë kuadër është përqëndruar në:
propagandën jugosllave (veçanërisht atë serbe) për shpërnguljen e serbëve nga Kosova. Media shqiptare e quajti çështjen e shpërnguljes së serbëve nga Kosova, një shpërdorim nacionalist dhe e njohu publikun vendas me mënyrat e përshpejtimit të procesit të serbizimit të Kosovës. Masat e qeverisë republikane të Serbisë për të mbrojtur të drejtat historike të popullsisë serbe në ‘tokën e shenjtë’ në Kosovë media e Tiranës i perceptoi si risjellje në skenë e platformave të njohura nacionaliste.
Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, i konsideruar nga mendimi i specializuar dhe nga media si shprehja më adeguate e interesave politike të një klani të caktuar nacionalist, i cili riprodhonte platformat e vjetra nacionaliste serbe me ndryshimin e vetëm se ato ishin produkte individualë, ndërsa dokumenti në fjalë ishte produkt i institucionit më të lartë akademik, një platformë kundërautonomi në funksion të politikës serbe.
ngjarjet e prillit të vitit 1987 në Fushën e Mëllenjave, që instrumentalizimin e serbëve në Kosovë e shikonte si kusht për t’i hapur Milosheviçit rrugën drejt pushtetit.
Në funksion të krijimit të një tabloje realiste të asaj që ishte projektuar e po zbatohej çdo ditë në Kosovë media shqiptare herë pas here kapërcente, gjithënjë me miratim zyrtar, disa nga kufizimet tabu të deriatëhershme për federatën, sikurse ishte rasti i rrallë i evidentimit të rolit të Titos në ruajtjen e ekuilibrit të forcave të grupit nacionalist serb dhe grupit kroato – slloven në shtetin jugosllav, apo pak raste të devijimeve të zbehta nga klishetë ideologjike për përcaktimin e lidershipit jugosllav, i cili historikisht ishte vlerësuar en bllok dhe etiketuar titist si dhe evidentimi i një ndryshimi në qëndrimin ndaj klasës politike kosovare, e cila përherë ishte fshikulluar në grup, etj. Këto ‘shkelje’ të vogëla të rregullit të pashkruar nga ana e medias shqiptare kushtëzoheshin vetëm nga kërkesa urgjente për ruajtjen e Kushtetutës ‘74, që në momentin e dhënë ishte ombrella mbrojtëse më e rëndësishme e interesave të shqiptarëve në Kosovë. Në këtë kuadër duhet marrë në konsideratë edhe përdorimi në vijimësi i mediave republikane sllovene, kroate, boshnjake për këtë tematikë edhe si një lloj qëndrimi diferencues që media shqiptare bëri brenda spektrit të medias federative.
Në punim nënvizohet fakti se mjetet e informimit në Shqipëri në pasqyrimin e procesit të likuidimit të autonomisë së Kosovës kanë përmendur edhe rolin që ka luajtur media serbe në këtë proces. Nga kqyrja e medias së përzgjedhur për këtë kërkim vërehet se roli i medias serbe në këtë kuadër nuk u bë objekt i analizave dhe opinioneve të veçanta të gazetarëve, politikanëve apo specialistëve shqiptarë. Rrallë në artikujt polemizues të Tiranës me ata jugosllavë, veçanërisht me ata serbë, cilësohet karakteri regresiv nacionalist antishqiptar i tyre, por analiza të mirëfillta të saj munguan. Objektivat dhe praktikat kryesore të medies serbe, sikurse ishin konfirmimi i Milosheviçit si personi kyç për realizimin e projektit serb për hegjemoni në federatë, përpunimi dhe përgatitja e opinionit publik serb për kundërvënien përfundimtare ndaj autonomisë së Kosovës, formimi i një opinioni negativ ndërkombëtar për shqiptarët. Përgjithësisht roli i medias serbe në procesin regresiv kundër autonomisë së krahinës u zbardh deri diku në mënyrë të tërthortë në median e Tiranës, nëpërmjet trajtimit realist dhe të paanshëm të raporteve të korespondentëve seriozë perëndimorë.
Kreu i tretë ka objekt trajtimin që media shqiptare i bëri përshpejtimit dhe përmbylljes së procesit kundërautonomi në vitet 1988 – 1990.
Faza e përshpejtimit të procesit kundërautonomi në Kosovë përkoi në kohë me disa zhvillime rajonale sikurse ishin dy Mbledhjet e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit (Beograd,1988 dhe Tiranë, 1990) dhe ato mes përfaqësuesve zyrtarë të fushave të ndryshme të jetës ekonomike e kulturore që pasuan. Zhvillimet në Kosovë binin ndesh me qëllimet e shpallura të atyre takimeve. Madje çështja e Kosovës nuk ishte përfshirë në agendat e tyre. Identifikimi i qasjeve mediatike me ato politike në Shqipëri u shpreh dukshëm në anashkalimin që media shqiptare i bëri faktit të mospërfshirjes së problemit Kosova në axhendat e takimeve dhe të fjalimeve të ministrit të jashtëm shqiptar.
Raportimet objektive të reporterëve apo vëzhguesve mediatikë të huaj të kohës kanë nënvizuar pikërisht këtë ngërç të raportimeve të medias shqiptare lidhur me këto takime.
Mungesa e fleksibilitetit në mjetet shqiptare moniste të informacionit karakterizoi trajtimin e ngjarjeve konkrete në Kosovë, sikurse ishin protestat e 17 – 21 nëntorit 1988, të cilat nuk arritën të përcillnin synimin dhe përmasën e tyre reale, për shkak të varësisë së plotë të medias nga ideologjia dhe politika partiake.
Analiza rreket të verë në dukje qëndrimet mediatike ndaj zhvillimeve më të ndjeshme të vitit 1989 në Kosovë sikurse ishin abrogimi i neneve kushtetuese që anullonin autonominë e Kosovës dhe ngjarjet me rastin e 600 vjetorit të Betejës së Fushë Kosovës në qershor të vitit 1989. Qëndrimin armiqësor të Milosheviçit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe manifestimet e skajshme nacionaliste me këtë rast media shqiptare i quajti legalizim zyrtar i fushatës serbe në Kosovë si dhe parapërgatitje për skenarë të errët në të ardhmen. Ajo i cilësoi ato si pika kulmore të lëvizjes nacionaliste serbe dhe ky orientim ishte i ngjashëm me atë të medias serioze ndërkombëtare. Nga vështrimi i të përditshmeve të kësaj kohe vihet re një qëndrim më elastik në përdorimin e burimeve nga ana e sektorëve përkatës për çështjen Kosova, gjithësesi të kontrolluar. Emetimi i edicionit informativ Ditari të RTV Prishtinës, publikimi i mendimit të intelektualëve shqiptarë të Kosovës (shprehur në mediet republikane) luajti rol për perceptimin e saktë të realitetit në Kosovë nga opinioni publik dhe i dha një tjetër përmasë kornizës mediatike shqiptare për zhvillimet në Kosovë. Ndonëse në kushte të terrorit psikologjik dhe të dhunës sistematike, intelektualët kosovarë kishin folur pa droje mëse një herë përgjatë vitit 1989 për mediat republikane jugosllave. Shansi për të shpalosur drejtpërdrejt pikëpamjet e tyre në mjetet e informimit të shtetit amë intelektualëve shqiptarë të Kosovës nuk iu paraqit deri në mesin e vitit ‘90.
Në këtë periudhë shënohet fillimi i publikimeve të shkrimeve të para nga gazetarë shqiptarë, që megjithëse të rrallë janë tregues të nivelit analitik të gazetarisë shqiptare në fushën e gazetarisë ndërkombëtare.
Kthesa historike europiane e vitit 1989, me impakt thelbësor në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk shënoi ndryshim thelbësor për mjetet shqiptare të informacionit. Në trajtimin e problematikës së brendshme, të çështjes së Kosovës dhe të situatës ndërkombëtare në tërësi, media shqiptare ende nuk ishte vetëvepruese, pasi ajo ishte ende e kapur nga ideologjia. Shenja të zbehta të ndonjë ndryshimi minimal do të dukeshin vetëm disa muaj më vonë kur mediet shqiptare përfshinë në agjendën e tyre dokumentet e institucioneve evropiane dhe amerikane duke thyer ‘tabut’ për to. Politika e vetizolimit e shtetit shqiptar, distancimi ndaj problemit kombëtar të shqiptarëve në Jugosllavi, madje dhe zgjedhja e rrugës mediatike për të shprehur mbështetje për shqiptarët në Kosovë prej 8 vitesh, nuk mund t’i jepte të drejtë qeverisë shqiptare të gjykonte veprimet e niveleve europianë, sikurse kishte vepruar deri në atë kohë. Por ndryshe nga qasja e shtypit të shkruar ndaj atij të huaj, dokumentarët vizivë realistë perëndimore për gjendjen në Kosovë i munguan opinionit tonë publik.
Gjithësesi korniza mediatike shqiptare për zhvillimet në Kosovë gjatë vitit 1990 mund të përshkruhet si një fotomontazh i ngjarjeve, që adresonin represion, dhunë, protesta, viktima, institucione të mbyllura, varfëri, në të cilën artikujt e firmosur nga gazetarë shqiptarë kanë vendin e tyre gati në çdo dy numra. Forma të ndryshme shprehëse më shumë të huazuaar nga media e huaj filluan të përdoren në funksion të çështjes së trajtuar.
Në fundin e dhjetëvjeçarit të tetë të shekullit të kaluar, në artikujt redaksionalë dhe ato të gazetarëve shqiptarë shënohet ndryshimi përsa i përket raportit: argument ideologjik dhe argument kombëtar, që sendërtohet në kalimin gradual nga dominimi i të parit në përparësi të të dytit.
Kreu i katërt në respekt të rendit kronologjik fillimisht ndalet në këndvshtrimin e medias moniste ndaj zhvillimeve thelbësore në Kosovë, si pasojë e ndryshimeve të mëdha politike në Evropë dhe Jugosllavi. Punimi fokusohet në mbulimin nga media të dy alternativave të zgjidhjes së çështjes së Kosovës: rrugës paqësore dhe rrugës së luftës të armatosur (1991-1999). Krijimi i alternativës së parë opozitare shqiptare në Kosovë kryesuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe rruga paqësore e zgjidhjes së çështjes së Kosovës si filozofi e saj politike erdhën zbehtë në median moniste.
Lindja e medias opozitare në Shqipëri (janar 1991) dhe niveli profesional i lëvrimit të tematikës kosovare, ballafaqimi i saj me atë moniste për tematika konkrete historike dhe të realitetit në Kosovë ishin procese që krijuan diferencën në median shqiptare lidhur me çështjen e Kosovës. Media opozitare u karakterizua nga respektimi i disa standardeve profesionalë bashkëkohorë, sikurse ishin ruajtja e balancës, transparencës dhe ballafaqimit të burimeve për këtë çështje. Por këto standade do të humbnin terren me shndërrimin e forcës politike që ajo i përkiste në forcë drejtuese të shtetit shqiptar. Në këto kushte ndodhi dhe ndryshimi i raporteve mes zhanreve mediatikë; analiza u tkurr në favor të lajmit apo komentit të ditës të anshëm, ndërsa protokolli mbyti hapësirën mediatike për tematikën kosovare, të cilat skematizuan problematikën e Kosovës në këtë medie. Gradualisht, por në mënyrë të dukshme media e djathtë, në përpjekje për të promovuar veprimtarinë e LDK dhe drejtuesit të saj, u bë në një farë mënyre zëdhënëse e saj.
Lindja, zhvillimi, veprimtaria e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK), si bartëse e rrugës së luftës për çlirimin e Kosovës zhvendosi agjendën e medias drejt saj. Në këtë punim vihet në dukje veprimtaria e UÇK për mediatizimin e operacioneve të saj luftarake dhe marrëdhënia që ajo krijoi me spektrin mediatik në Shqipëri. Në trajtimin mediatik të Tiranës, dy rrugët e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, rruga paqësore dhe rruga e forcës zunë një vend të konsiderueshëm. Të trajtuara në median partiake të Tiranës,përkatësisht Rilindja Demokratike (RD) dhe Zëri i Popullit (ZP) u motivuan nga preferencat e forcave politike që përfaqësonin ndaj atyre në Kosovë, raportet që ato krahë politikë kishin me ato të Kosovës dhe reflektuan qëndrimet e forcave politike përkatëse, PD e PS. Media e majtë dhe ajo afër saj përgjithësisht prej vitit 1997, e bëri veprimtarinë e UÇK pjesë të rëndësishme të hapësirës së saj. Në median e spektrit të djathtë, shfaqja e UÇK i u nënshtrua një procesi që kaloi nëpër disa faza, të denigrimit, tërheqjes dhe të afirmimit të saj. Këto qëndrime të këtyre krahëve të medias nuk nënkuptonin përjashtimin e publikimeve në faqet e tyre të shkrimeve ku reflektoheshin opinione të ndryshme nga linja politike përfaqësuese apo të artikujve objektivë, veçanërisht të gazetarëve të huaj lidhur me konceptimin e tyre ndaj alternativave të zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Ndërsa media e pavarur u karakterizua përgjithësisht nga përpjekje për të sjellë mendim të balancuar dhe racional, duke u dalluar nga mediet e mësipërme për nivelin profesional. Mendimi analitik në faqet e saj nënvizonte se të dy alternativat nuk përjashtonin njëra tjetrën, pasi si drejtime politike ato bashkoheshin në qëllimin e njëjtë, që ishte pavarësia, ndërsa ajo që i dallonte ishin mënyrat dhe mjetet që palët konsideronin më frytdhënëse për arritjen këtij qëllimi.
Përgjithësisht, balanca format më dinamike të pasqyrimit të zhvillimeve, kujdesi për të mos rënë në rutinën e informacionit protokollar e kësaj medie, shënuan një kthesë në profesionalizmin e medies shqiptare. Pa hezituar ndaj sfidave, media e pavarur ndikoi në ridimensionimin e kontributit të të gjithë spektrit politik në Kosovë dhe u ngrit mbi përkatësinë partiake për t’u paraqitur me një zë në përkrahje të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Ndërkohë në median shqiptare në përgjithësi zuri vend një numër i madh burimesh të huaja mediatike dhe këndvështrime të institucioneve të specializuar.
Kreu i pestë trajton pasqyrimin e luftës së Kosovës nga media shqiptare, rolin që ajo luajti për informimin e publikut shqiptar dhe të huaj gjatë Luftës në Kosovë dhe tiparet kryesore profesionale dhe njerëzore që gazetarët shqiptarë demonstruan gjatë kësaj lufte në kërkimin, gjetjen dhe publikimin e lajmit.
Lufta e Kosovës, pak kohë pas ngjarjeve të viteve 1997 – 1998, e gjeti shoqërinë shqiptare politikisht të polarizuar. Realiteti bëhej edhe më gri për shkak të preferencave diverguese të klasës politike shqiptare ndaj faktorëve politikë në Kosovë. Këtij mjedisishumë të vështirë për median i bashkëngjitej mungesa e përvojës profesionale pёr kushte lufte dhe e llogjistikës së sofistikuar mediatike për informim në kohë reale, infrastruktura e dobët rrugore për informacion të shpejtë dhe të pandërprerë dhe konkurenca e homologeve ndërkombëtare.
Lufta e Kosovës u zhvillua në kushtet kur teknologjia mediatike kishte mundësuar informimin në kohë reale të ngjarjeve. Përcaktimi i Luftës në Kosovë si “luftë mediatike” apo “luftë imazhesh” shprehte jo vetëm tipin e ri të luftës, por edhe rolin e rëndësishëm të medias për mbulimin e ngjarjeve dhe për informimin dhe përpunimin e opinionit publik, si edhe konkurrencën e fortë brenda llojit për burime, hapësira mbulimi dhe për audienca të gjëra. Studiuesit e medias kanë theksuar se në Luftën e Kosovës u vrejt një angazhim në përmasa të mëdha i forcës njerëzore të medias, i krahasueshëm me atë ushtarak. Gjithashtu vihet në dukje roli që luajti media shqiptare gjatë luftës në Kosovë për informim në vijimësi e sa më të plotë të asaj tematike shumëdimensionale.
Studimi ndalet në dy aspekte konkrete profesionale të medias sikurse janë, burimet e informacionit dhe respektimi i standardeve etiko – profesionalë. Në punim identifikohen burimet kryesore të informacionit që përdori media shqiptare gjatë Luftës në Kosovë. Problematika e përdorimit të burimeve të informacionit të huaj është trajtuar në këndvështrimin e përpjekjes për ruajtjen e identitetit të tyre. Identifikimi i burimeve kryesore të përdorura nga media shqiptare, të cilat për avantazhet e tyre, të përmendura në studim, u bënë dhe burime të rëndësishme për median e huaj trajtohen lidhur ngushtë me standardet etiko profesionale të kohës. Qasjet e plurimedias shqiptare ndaj burimeve të huaja ishin të ngjashme. Dallimet mes tyre qëndronin në preferencat ndaj llojeve të medias së huaj. Vlerësimi lidhur me burimet e huaja, ishte i lidhur ngushtë me preferencat ndaj prestigjit të medias referuese.
Nga ana tjetër vihet në dukje edhe një aspekt shumë i rëndësishëm, aftësia dhe përkushtimi i stafeve mediatikë për të përvetësuar shpejt infrastrukturën mediatike të kohës, e cila i mundësoi publikut shqiptar një informacion objektiv e të gjërë të asaj që ndodhte. Falë teknologjisë së komunikimit dhe procesit të globalizimit të medias publikut iu ofrua mundësia e perceptimit edhe në kohë reale të ngjarjeve në terren si dhe veprimet luftarake të NATO-s.
Studimi ve në dukje edhe veçoritë e medias shqiptare në mbulimin e luftës, mangësitë e saj në profesionin gazetar në luftë. Ky aspekt në studim është parë edhe në këndin e përvojës nga ballafaqimi me luftën reale, por dhe si vlerë e fituar përsa i përket medias shqiptare në tërësi.
Studimi tërheq vemendjen në disa tipare kryesore të medias në Shqipëri të shpalosura gjatë Luftë në Kosovë.
Studimi i kryer për temën “Çështja e Kosovës dhe media shqiptare” (1981 – 2000) (në Shqipëri) është rrjedhojë e një pune kërkimore disavjeçare. Nga kërkimi rezultoi se problematika komplekse e pasqyrimit mediatik të Kosovës në periudhën në fjalë nëmedien në Shqipëri ende nuk është bërë sa duhet objekt i studimeve mediatike brenda vendit. Ndërkohë, periudha të veçanta ose tematika të caktuara të problematikës së Kosovës në medien shqiptare ose të huaj kanë qenë edhe më parë objekte trajtimi interesante.
Ky kërkim në përpjekje për të realizuar qëllimet e tij krahas parashtrimit dhe analizës së medias në Shqipëri për trajtimin e problematikës së Kosovës në periudhën përkatëse sjell risi për studimet në fushën historiko – mediatike shqiptare në drejtim të:
Raporteve media-politikë në periudhën moniste në Shqipëri. Studimi ka evidentuar dhe veçuar disa nga grupet kryesorë publikë dhe zyrtarë, ka analizuar objektivat përkatës ideologjikë dhe pragmatistë që shteti shqiptar synonte të arrinte nëpërmjet medias te ato grupe. Procesi i komunikimit të medias me këto grupe të opinionit publik për çështjen e Kosovës përfshinte disa nivele sikurse janë:
Komunikimin me opinionin e brendshëm publik,
Komunikimi me publikun shqiptar në Kosovë, në ish Jugosllavi e
diasporë,
Komunikimi me opinionin publik ndërkombëtar,
Komunikimi me strukturat politike ndërkombëtare,
Komunikimi me opinionin publik jugosllav dhe qarqet federative,
Komunikimi me të ashtuquajturat grupe të majta marksiste leniniste etj.
Burimeve të informacionit të medias shqiptare. Evidentimi, identifikimi dhe mënyrat e përdorimit të tyre i shërbejnë njohjes së standartit të medias së kësaj
periudhe.
Vlerësimit të dimensionit të ri të medias shqiptare me përfshirjen e saj për herë të parë në një luftë reale, duke promovuar në këtë mënyrë profesionin e ri për median në Shqipëri, atë të reporterit të luftës.
Të identifikimit dhe analizimit të disa tipareve themelore të medias të konsoliduara gjatë Luftës në Kosovë sikurse janë: pasqyrimi përgjithësisht realist i ngjarjeve, vizioni demokratik në perceptimin dhe zhvillimin e situatave, shprehja e interesave kombëtare, sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial, zhveshja e saj nga përmbajtja nacionaliste dhe distancimi nga propaganda luftënxitëse,bartja e humanizmit dhe kontribueses shumë të rëndësishme në krijimin e imazhit realist për individin dhe shoqërinë shqiptare humanizmi etj. Këto tipare të performuara në kompleksitetin e tyre kontribuan në krijimin e imazhit tjetёr për individin shqiptar dhe shoqërinë shqiptar.Trajtimi i subjektit të përzgjedhur në këtë punim shpresoj të zgjojë interesim për studimet mediatike të mëtejshme me objekt ngjarjet madhore në Shqipëri, gjatë të cilave çështje shumë të mprehta sikurse janë raporti media – politikë, shkalla e varësisë apo pavarësisë së saj, raporti interes kombëtar e interes mediatik çfaqen në mënyrë më të dukshme.
***
Duke paraqitur këtë studim dëshëroj njëkohësisht të shpreh falenderime për të gjithë mbështetësit e mi. Falenderim dhe respekt shpreh për drejtuesen shkencore të këtij studimi, Prof.dr.Ana Lalaj, që më udhëhoqi në të gjitha fazat e realizimit të këtij kërkimi.
Falenderimet shkojnë për Prof.Valentina Duka, zv/dekane e Fakultetit të Historisë, për orientimin në drejtim të përmbushjes së detyrimeve të shkollës doktorale.Falenderoj edhe pedagoget prof.as. Lira Sula dhe prof.dr. Fatmira Rama për inkurajimin gjatë procesit të përgatitjes së kërkimit.Dëshëroj të falenderoj Qendrën e Kërkimeve për Europën Juglindore, (SEERC)të Fakultetit Ndërkombëtar në Universitetin e Shefilldit (The University of Sheffield) CITY College dhe Qendrën e Kërkimeve për Europën Juglindore në Selanik, Greqi, që më mundësoi paraqitjen e një përmbledhje të punimit në Konferencën 7 vjetore të studentëve doktorantë, (DSC2012) mbajtur në Selanik në shtator 2012. Mirënjohje shpreh për familjen time, e cila më krijoi kushtet e nevojshme për të punuar gjatë gjithë kohës.
*) Doktoratura e Afërdita Sokolaj, Fakulteti i Histori – Filologjisë, Departamenti i Historisë – Tiranë
(VIJON)
____________
Pranvera Shqiptare 81
Hello there, I discovered your blog via Google whilst looking for a
related matter, your site got here up, it appears too be like
great. I’ve bookmarked it in my goole bookmarks.
Hi there, jyst changed into aware of your wewblog via Google,
and located that it’s really informative. I am going to watch out for
brussels. I will be grateful when you continue this
iin future. A lot of people will be benefited out of your writing.
Cheers!
Feel ffee to visit my webpage https://casinoonlinevavada.Onepage.website/