DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (IV)

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (IV)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

-5-

Konfidenciale

GRS 65A

Zyra e Informacionit 070700Z

FM F C O 061900Z                                                              

Direkt për Beograd                     Kopje origjinale

Nr. tel. 45, datë 6 prill

Telegrami juaj, nr. 41

Çështja e Kosovës

1.         Jemi mirënjohës për raportimin e plotë të trazirave aktuale. Cig do të konsiderojë hartimin e një dokumenti mbi situatën aktuale të mërkurën në orën 13.00 më 8 prill. Çdo koment i mëvonshëm mund paraqitet nga përfaqësuesi i EESD nëse merret këtu përmes Zyrës së Informacionit, për shembull nga 031200Z.

Carrington

-6-

GR 1450

Fm Beograd 071435Z, prill ‘81                                                                              

Direkt për FCO                                                        

Nr. tel. 044, datë 7 prill

Informacion për UKDEL NATO

Kopje për Washington (FCO PSE PASS)

Telegrami im, nr. 43

Kosova

1.         Në një konferencë për shtyp, më 6 prill, Dolanc bëri përshkrimin më të detajuar gjer më sot mbi ngjarjet e fundit në Kosovë.

2.         Ai i vendosi këto ngjarje përballë sfondit të krizës botërore ekonomike dhe zhvillimit të shpejtë të Jugosllavisë që prej luftës për t’u futur në radhët e vendeve mesatarisht të zhvilluara. Duke theksuar se këto influenca nuk mund të ndryshonin politikat aktuale të brendshme dhe të huaja të vetëmenaxhimit dhe mosangazhimit, Dolanc e pranoi se ato shkaktuan njëfarë opozite në Jugosllavi të stimuluar nga forcat e huaja konservatore dhe reaksionare si dhe disa akte kundërshtimi me intensitet të ndryshëm në vetë Jugosllavinë. Për sa i përket këtyre të fundit, Dolanc theksoi se këtu nuk bëhej fjalë për një opozitë të organizuar dhe në shkallë të gjerë e cila mund të kishte ndikim të rëndësishëm politik, por për forca të interesuara vetëm për destabilizimin e Jugosllavisë.

3.         Ai vuri në dukje se në Kosovë kishte disa grupe nacionaliste që ishin të lidhura me qarqe të caktuara emigrantësh jashtë vendit, të cilat ai i përshkroi ose si profashiste ose si informbyroiste. Ishin bërë përpjekje që këto dy tendenca të shpërnguleshin në Kosovë. Këto grupe emigrantësh ishin të njohura. Ai citoi një të tillë në Shtutgart, një tjetër në Bruksel dhe grupe të tjera në vendet evropiane dhe në SHBA. Këta grupe ishin të mirë organizuara dhe komunikonin me njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë, tha ai, ishte e mundur që një incident i vogël në një mensë studentësh në Prishtinë, të kthehej në demonstrata që morën domethënie nacionaliste, irredentiste dhe kundërrevolucionare. Demonstratat filluan në Prishtinë dhe përfshinë më së shumti 2,000 njerëz, pjesa më e madhe e të cilëve në grupe që ndryshonin për nga madhësia në kohë të ndryshme. Në radhët e tyre kishte maksimumi 200 elementë të dhunshëm turbullues të cilët ishin përfshirë në thyerjen e makinave, xhamave të dyqaneve dhe i vinin zjarrin forcave të sigurisë. Ata i vinin fëmijët para tyre për të penguar ndërhyrjen e forcave të sigurisë. Demonstratat me flamuj nacionalistë dhe irredentistë u shpërndanë më pas në gjashtë komuna, kryesisht në afërsi të Prishtinës. Demonstruesit përdornin armë zjarri, kryesisht pistoleta dhe pak pushkë, megjithëse forcat e sigurisë ishin udhëzuar me rreptësi për të përdorur vetëm shkopinj gome dhe gaz lotsjellës. Në disa vende popullsia lokale i shpërndau demonstratat dhe punëtorët refuzuan pranimin e demonstruesve në fabrikat e tyre. Nuk u humb asnjë ditë pune megjithëse disa punëtorë u penguan që të arrijnë në vendet e tyre të punës për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme dhe ndalimqarkullimit. Më 6 prill, këto masa u hoqën ose u pakësuan, veçanërisht u shkurtua periudha e ndalimqarkullimit gjatë natës në mënyrë që jeta ekonomike dhe politike e Kosovës t’i kthehej sa më shpejt normalitetit.

4.         Duke iu kthyer fazës tjetër, Dolanc përmendi se mbledhjet e Lidhjes Socialiste  po zhvilloheshin në të gjithë Kosovën duke rritur mbështetjen për masat e marra nga udhëheqja e Kosovës, Serbia dhe Jugosllavia. Lidhja e Komunistëve dhe forca të tjera socio-politike do të hidheshin tashmë në ofensivë për të normalizuar situatën me mjete politike. Megjithatë, ai theksoi se nëse do të nevojiteshin masa të tjera, autoritetet nuk do të tërhiqeshin prej tyre dhe pohoi se do të vepronin në mënyrë të ngjashme kundër kujtdo që në çfarëdo mënyre kërcënonte zhvillimin e Jugosllavisë dhe që ishte në kontakt me qarqet reaksionare të krahut të djathtë ose të majtë apo elementët profashistë ose pro informbyroistë dogmatikë jashtë vendit.

5.         Duke mbyllur fjalimin e tij, Dolanc shpjegoi vonesën në informimin mbi situatën në Kosovë me faktin se në fillim autoritetet nuk e kishin vlerësuar se demonstratat do të merrnin një intensitet të tillë dhe kishin menduar se nuk ishte e nevojshme për të krijuar ankth. Sipas tij, nuk kishte pasur ndonjë qëllim për t’i mbuluar gjërat.

6.         Dolanc zbuloi detaje të tjera kur iu përgjigj pyetjeve. Së pari, ai tha se ushtria kombëtare jugosllave nuk kishte marrë pjesë në trazira, por disa njësi ishin përdorur ekskluzivisht për të siguruar ndërtesa dhe sisteme të veçanta. Nuk ishte plagosur apo vrarë asnjë anëtar i forcave të armatosura. Deri tani kishte pasur 11 viktima, nga të cilat 9 demonstrues dhe 2 anëtarë të forcave të sigurisë. Viktimat e para rezultuan nga demonstruesit të cilët hapën zjarr në njerëz. Forcat e sigurisë kishin hapur zjarr dy herë kur ishin gjendur përballë zjarrit në Vushtrri dhe Ferizaj. Në këto raste dy demonstrues ishin vrarë, por pjesa tjetër e personave të vdekur ishin gjetur në rrugë dhe për këtë u hap një hetim për të zbuluar shkakun e vdekjes së tyre. Një anëtar i forcave të sigurisë ishte qëlluar dhe tjetri ishte vrarë me gurë.

7.         Dolanc tha se aktualisht nuk mund të thoshte që pas këtyre ngjarjeve ishte qeveria shqiptare dhe se shpresonte që Shqipëria do të vazhdonte të ndiqte politikën e Enver Hoxhës në interes të pavarësisë, integritetit dhe qëndrueshmërisë së kufijve të Jugosllavisë. Ai nuk shihte ndonjë rrezik që mund të largonte popullsinë e Kosovës nga Jugosllavia nëse lejohej lulëzimi i lidhjeve kulturore me Shqipërinë. Tekstet shkollore importoheshin nga Shqipëria dhe 11 mësues shqiptarë jepnin mësim në Prishtinë. Lidhje të tilla kulturore me Shqipërinë duhej të vazhdonin. Ai konfirmoi se një prej parullave kryesore në demonstrata kishte qenë “Kosova Republikë”. Ai pohoi se ishte e pamundur dhe antikushtetuese që të krijohej Republika e Pavarur e Kosovës dhe kjo nënkuptonte shpërbërjen e Jugosllavisë. Ai e minimizoi armiqësinë midis serbëve dhe shqiptarëve, duke pohuar se tani kishte 30,000 serbë më shumë në Kosovë sesa pas eksodit në vitin 1966.

8.         Bakalli, Kryetar i Komitetit Qendror të Kosovës, pranoi haptazi përmes një deklarate në mbledhjen e Partisë më 6 prill, vlerësimin e gabuar të autoriteteve mbi demonstratat e para. Ato ishin përqendruar në kapërcimin e problemeve të jetesës së studentëve dhe nuk ishin marrë sa duhet me zbulimin e karakterit armiqësor të organizatorëve të demonstratave. Ai akuzoi se Komiteti Qendror i Kosovës duhej që në mbledhjen e radhë të analizonte dhe vlerësonte këto ngjarje, shkaqet e tyre dhe rrethanat në të cilat këto veprime armiqësore arritën të gjenin hapësirë për t’u shprehur përmes demonstratave. Sidoqoftë, ai tha se ishte e nevojshme të pohohej tani se Lidhja Komuniste në Kosovë kishte dështuar për të trajtuar situatën politike me efikasitet.

9.         Media aktualisht shprehet se jeta duket se po i kthehet normalitetit në Prishtinë. Por, gazetarët e huaj nuk do të lejohen të hyjnë të paktën deri në fundjavë. Diplomatët janë ende të përjashtuar nga ky rregull.

Bolland                                                                                         [Përsëritet sipas kërkesës] 

-7-

Konfidenciale

GPS 240

Fm Washington 072350Z, prill ‘81

Për FCO rutinë

Telegram nr. 1143, datë 7 prill

Dhe për Beogradin

Jugosllavia: Kosova

1.         Sipas udhëzimeve të Stoessel, Barry që është zëvendësasistent sekretar i Zyrës Evropiane të Shtetit, na tregoi sot mbi atë që amerikanët kishin dijeni për çështjen në Prishtinë. Ai nuk tha ndonjë gjë më shumë se Dolanc në konferencën e tij për shtyp dje.

2.         Reagimi i policisë ka qenë i rreptë dhe më pas Beogradi ka përforcuar masat e sigurisë. Dukej tashmë se Jugosllavia kishte kontrollin në dorë. Megjithatë, shteti ka nxjerrë një njoftim zyrtar mbi udhëtimet ku rekomandonte që të mos udhëtohej për në Kosovë. Barry komentoi se jugosllavët ishin qartazi të predispozuar që të vinin gishtin tek influenca e jashtme si burim i trazirave dhe aludonin se pas gjithë kësaj mund të ishte BRSS-ja. Amerikanët nuk kishin prova për të mbështetur këtë pretendim dhe ishin më të prirur që ta shikonin këtë si një djegie spontane që e kishte origjinën në vështirësitë ekonomike dhe pakënaqësitë e pakicës shqiptare. Jugosllavët do të përpiqeshin që të ruanin dhe zhvillonin “marrëdhëniet strategjike” me Shqipërinë.

3.         Mbase për ju këto janë të njohura, por dimensioni rus ishte i panjohur për ne. Ne dinim vetëm se Dolanc nuk e përjashtonte mundësinë e përfshirjes së huaj në konferencën e tij për shtyp. Ambasada jugosllave këtu, në kontakte me zyrën e kancelarit, pohonte se shkaku kryesor ishte vetëm aspekti ekonomik dhe ai i pakicës shqiptare.

Henderson                                                                             [Ky telegram nuk është përcjellë]

 -8-

Për përdorim të kufizuar

Z. Fergusson,                                                                                                       9 prill 1981

Çështja e Kosovës

1.         Keni pyetur nëse në zhargonin jugosllav, termi “informbyroist” nënkupton sovjetik. Termat “kominformist” dhe “informbyroist” janë emra kode të këmbyeshme për elementët prosovjetikë në Partinë jugosllave. Në fakt, as ne dhe as amerikanët nuk kemi gjetur ndonjë provë që të tregojë se sovjetikët kanë gisht në trazirat e kohëve të fundit.

2.         Zyra e Kabinetit do të nxjerrë sot më vonë një vlerësim aktual të situatës në Kosovë.

        J. C. R. Gray

        Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

-9-

Konfidenciale

GR 650

Fm Beograd 091450Z, maj                                                                          

Direkt për FCO                                                                                          Kopje origjinale

Nr. tel. 049, datë 9 prill 81                                                                     13 prill 1981

Informacion për UKDEL NATO

Kopje për Washington (FCO PSE PASS)                                                          

Telegrami im, nr. 45

Kosova

1.         Siç mund të jetë pritur, Shqipëria ka kundërshtuar deklaratat e bëra nga udhëheqësit jugosllavë, të cilët ngjarjet e Kosovës ia atribuojnë kryesisht nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, dhe ka reaguar përmes një kryeartikulli kritik në gazetën “Zëri i Popullit”, i datës 8 prill, i transmetuar edhe në Radio Tirana (natyrisht teksti ju është vënë në dispozicion nga BBC). Jugosllavët janë kundërpërgjigjur me shpejtësi përmes një kryeartikulli në gazetën e sotme “Rilindja”, gazeta kryesore e Kosovës, ku artikulli përkatës është riprodhuar edhe në gazeta të tjera.

2.         Kritika e Shqipërisë është në disa vende jashtëzakonisht provokative dhe jugosllavët iu përgjigjen me zemërim: tjetërkund ajo prek një numër pikash të ndjeshme të cilat përgjigja e jugosllavëve ose i prek përkitazi ose i injoron krejtësisht.

3.         Shqiptarët përsëritën pyetjen e bërë në disa nga parullat e demonstruesve se përse burimet natyrore të Kosovës po shfrytëzoheshin në dobi të të tjerëve, ndërkohë që Kosova kishte mbetur e prapambetur dhe e harruar. Jugosllavët u kundërpërgjigjen me sugjerimin se problemi i shqiptarëve ishte se ata i shqetësonte lulëzimi i Kosovës.

4.         Mbështetja e gazetës “Zëri i Popullit” për ngritjen e Kosovës në statusin e Republikës në kuadrin e Federatës, irritoi gazetën “Rilindja” të përgjigjej se mbrojtja e saj e “bën gjithkënd të dyshojë se Shqipëria është  vetë nxitëse ose kazani ku po gatuhen dhe nxiten këto tendenca armiqësore”.

5.         Gazeta “Rilindja” i përshkroi si farsë deklaratat solemne të shqiptarëve për stabilitet dhe pavarësi në Jugosllavi dhe vlerësoi se dëshira e tyre për “ruajtjen e miqësisë me popujt vëllezër të Jugosllavisë” ishte edhe qesharake edhe sulmuese, ndërsa gatishmëria e tyre për të ndihmuar “vëllezërit e tyre shqiptarë” tingëllonte më shumë si kërcënim sesa si gatishmëri për bashkëpunim. Me gjithë “sulmet e rënda” të shqiptarëve, gazeta “Rilindja” pohoi gatishmërinë e Jugosllavisë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, megjithëse ushqente dyshime për sinqeritetin e anës tjetër.

6.         Por, jugosllavët e kaluan në heshtje fjalimin moralizues të shqiptarëve se “udhëheqja jugosllave duhet të tregojë maturi dhe të studiojë problemet e brendshme të saj me korrektësi në vend që t’u japë leksione me bollëk të tjerëve për maturinë, zgjidhjen paqësore të konflikteve, të drejtat e njeriut, të drejtat e kombeve e kështu me radhë”. Gjithashtu, jugosllavët nuk arritën t’i përgjigjen justifikimit të shqiptarëve mbi të drejtën e tyre për të ngritur zërin kundër “dhunës dhe shtypjes ndaj vëllezërve tanë” me argumentin e cituar kaq shpesh nga Jugosllavia se çdo shtet duhet të jetë i lirë “për të kërkuar dhe mbrojtur të drejtat e pakicave të tij kombëtare”.

7.         Gazeta “Rilindja” i përmblodhi “mesazhet” e shqiptarëve si “të papranueshme, të palejueshme dhe keqdashëse”.

8.         Të dyja palët kanë përdorur gjuhë të fortë dhe ka të ngjarë që ky të jetë vetëm fillimi i rishfaqjes së fyerjeve në të cilat ishin përfshirë shpeshherë përpara se të fillonin përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve të tyre rreth 18 muaj më parë. Ndërkohë organizatat socio-politike në Kosovë dhe gjetkë po mblidhen çdo ditë dhe inkurajojnë mesazhe mbështetjeje mbi vlerësimin e situatës nga ana e autoriteteve dhe masat e marra në përpjekje për të vërtetuar se pjesa më e madhe e popullsisë së Kosovës është e kënaqur dhe se shpërthimet e kohëve të fundit ishin vepër e vetëm një grupi të vogël të poshtërish që i përkisnin bindjeve të ndryshme politike.

Bolland

[Përsëritet sipas kërkesës]

 [Ky telegram nuk është përcjellë]

-10-

Konfidenciale

A. E. Montgomery                                 Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                         Beograd         

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit, 15 prill 1981

I nderuar Alan,

Kosova

1.         Dy javë pas dhunës në Kosovë, më 1 prill, shtypi vazhdon të raportojë çdo ditë se jeta po i kthehet normalitetit në këtë krahinë, megjithëse ka pasur raporte për trazira të tjera, më 2 dhe 8 prill. Shumica e xhamave të thyer të dyqaneve janë riparuar dhe copëzat e thyera janë hequr nga rrugët e Prishtinës. Njerëzit po i kthehen punës së tyre normale, megjithëse ka mbetur në fuqi ndalimi i tubimeve publike, ndërkohë që qarkullimi i trafikut ka filluar sërish. Forcat e sigurisë kanë mbetur në pikat strategjike. Shkollat fillore janë rihapur më 13 prill, megjithëse mësimi nuk ka filluar ende në shkollat e mesme; ndërkohë Universiteti është duke pastruar dëmet e shkaktuara dhe po përgatitet për të kryer provimet e pranverës. Regjistrimi kombëtar i popullsisë është kryer në shkallë të madhe, megjithëse, kur çmohet e nevojshme, është lejuar shtyrja e afatit në Kosovë.

2.         Lidhja Socialiste e Kosovës sapo ka nxjerrë statistika “përfundimtare” për të korrigjuar zërat që qarkullojnë mbi humbjet dhe plagosjet e njerëzve në këtë ngjarje. Tetë demonstrues dhe një milic janë vrarë; katër anëtarë të forcave të sigurisë janë plagosur dhe 12 janë lënduar; dhe nga demonstruesit 55 janë plagosur dhe 75 të tillë janë lënduar. Këto numra duket se janë të ulët dhe zërat e ushqyer me këmbëngulje nga ambasadori shqiptar këtu sugjerojnë që këto numra janë disa herë më të lartë në të gjitha kategoritë.

3.         Sidoqoftë, situata e përgjithshme nuk i është kthyer ende normalitetit dhe jehona e ngjarjeve vazhdon të tingëllojë në takimet e shumta (Lidhja Socialiste pretendon për 10,000 të tillë deri tani) të organizuara nga organizata të ndryshme socio-politike në krahinë dhe më gjerë. Vazhdon të shprehet mbështetja popullore në shkallë të gjerë për vlerësimin zyrtar të situatës dhe kundërmasat e marra. Ndërkohë, organet më të larta të Federatës dhe të Republikave dhe të Lidhjes së Komunistëve po e shqyrtojnë me kujdes situatën. Sipas raporteve të shtypit, ato janë përqendruar kryesisht në dënimin e shpërthimit të nacionalizmit dhe irredentizmit dhe në thirrjen për nxitjen sërish të vëllazërimit dhe unitetit, por një vend më vete po i jepet nxjerrjes së mësimeve, veçanërisht në lidhje me dështimin e autoriteteve lokale për të vlerësuar me korrektësi seriozitetin e situatës dhe dështimin e komunistëve për të bërë detyrën e tyre jo vetëm për të ndaluar demonstratat, por gjithashtu edhe për të penguar njerëzit që të bashkohen me të! Sindikatat e Kosovës e pranojnë tashmë se një numër punëtorësh në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë dhe Ferizaj, janë përfshirë në mënyrë aktive për të ndihmuar organizatorët e demonstratave dhe se kundër tyre do të merren “masa konkrete”. Lidhja Socialiste në Kosovë e ka pranuar gjithashtu se ende vazhdojnë forma të ndryshme të aktivitetit armiqësor. Kështu, Kosova nuk e ka hedhur lumin akoma.

4.         Ndoshta jeni informuar më mirë se unë mbi vërshimet e fundit të Radio Tiranës, por siç shihet që këtu, parashikimet për të sharat e dyanshme të bëra në telegramin tonë nr. 49 të datës 9 prill, pa dyshim që vazhdojnë. Editoriali i “Zërit të Popullit” vazhdon të evokojë komente të reja në media. Asllan Fazlia, kryetar i Komitetit Qendror të Prishtinës, iu referua këtij artikulli dhe një tjetri në gazetën “Bashkimi”, e përshkruar si organ i Frontit Popullor Shqiptar, më 11 prill, kur foli për “mbështetjen e tyre të hapur për demonstratat, metodat e tyre, përmbajtjen dhe karakterin armiqësor”. Ai i përshkroi ato gjithashtu si “thirrje për kryengritje të hapur të popullit shqiptar në Kosovë” dhe i akuzoi ata se kanë ofruar vetëm “një sistem stalinist për të rregulluar marrëdhëniet shoqërore dhe kombëtare”. Ai i përmblodhi ata “si dhënie e një mundësie ndaj forcave hegjemoniste dhe të tjera për të rirregulluar botën. Kjo mund të mos jetë më në interesin e Jugosllavisë sesa në interesin e vetë Shqipërisë”.

5.         Ndërkohë që vazhdon polemika politike, është me vlerë të thuhet se marrëdhëniet tregtare dhe kulturore ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë, vazhdojnë normalisht. Më 9 prill, Dhoma Jugosllave e Ekonomisë vlerësoi se volumi i tregtisë dypalëshe këtë vit do të arrinte në 135 milionë dollarë, d.m.th. 15 milionë dollarë më shumë se në vitin 1980. Më 8 prill, një grup akademikësh nga Tirana bënë një vizitë zyrtare në Titograd dhe nënshkruan një Marrëveshje bashkëpunimi. Më 10 prill, Akademia e Shkencave të Maqedonisë dhe ajo e Shqipërisë lidhën një marrëveshje për bashkëpunim në fushën shoqërore natyrore dhe atë të shkencave të zbatuara. Ata gjithashtu ranë dakord që bashkëpunimi të krijohej së pari në fushën e gjuhës, historisë, gjeografisë, arkeologjisë, etnologjisë dhe në historinë e të kaluarës së përbashkët të dy popujve. Kjo vizitë u krye në përgjigje të një vizite të tillë të bërë nga një delegacion maqedonas në Tiranë. Pritet të nënshkruhen marrëveshje zyrtare në shtator në Shkup.

6.         Situata ka mbetur kështu e paqëndrueshme dhe do të duhet të presim edhe për pak kohë që të përpiqemi të vlerësojmë ngjarjet, shkaqet dhe pasojat e tyre në një mënyrë më të peshuar. Ndërkohë duket se autoritetet po përpiqen shumë për të kontrolluar situatën në krahinë dhe për të marrë masa të menjëhershme për të eliminuar keqbërësit dhe për të lehtësuar disa nga pikat e presionit, veçanërisht Universitetin e Prishtinës. Megjithëse vëzhguesit e huaj nuk lejohen ende të vizitojnë Kosovën, më shumë informacion po merret mbi ngjarjet që kanë ndodhur sesa mbi ndonjë trazirë të ngjashme në të kaluarën. Një gjë e tillë të paktën përbën progres.

        I Juaji,                     T. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq, Zyra e Kancelarit
Departamenti i Kërkimit, Uashington
Zyra e Kancelarit
UKDEL NATO
Bruksel

-11-

Konfidenciale

EESD
Për dijeni: Z. Bullard                                  16 prill 1981

Kërkesa e ambasadorit jugosllav: Kosova

1.         Ambasadori jugosllav kërkoi dje pasdite për të vazhduar një diskutim të mëparshëm që ai kishte pasur me z. Bullard mbi trazirat në Kosovë kur z. Bullard i kishte sugjeruar, duke pasur parasysh vizitën e z. Eagleberger në Londër, se do të ishte e dobishme që të merreshin përshtypjet aktuale të ambasadorit mbi këto trazira.

2.         Z. Berisavljeviç tha se gjatë ditëve të fundit ai ishte kujdesur për kryetarin e Parlamentit të Vojvodinës, i cili ishte larguar nga Jugosllavia të enjten e kaluar dhe ishte aktualisht në Londër për trajtim mjekësor. Për shkak të sëmundjes së z. Djoronski, kryetari i Parlamentit Federativ, atij i ishte dashur të qëndronte aty gjatë diskutimeve të qeverisë federale mbi masat e nevojshme që duhen marrë për të kontrolluar trazirat. Për këtë arsye, ai ishte plotësisht i informuar, megjithëse jo tërësisht i azhurnuar.

3.         Z. Berisavljeviç tha, nëse – siç e konfirmova – nëse do të kishim lexuar deklaratën e z. Dolanc dhe të kishim raportet nga Ambasada në Beograd, ndoshta do të ishim informuar po ashtu si ai mbi ngjarjet faktike. Ai parashikonte se do të kishte tensione serioze themelore në Kosovë që lindnin nga ndryshimi i ekuilibrit të shqiptarëve dhe serbëve, varfëria e përgjithshme e krahinës me gjithë zhvillimin e konsiderueshëm ekonomik në dekadën e fundit dhe ndikimin e situatës ekonomike që po përkeqësohej në Jugosllavi në tërësi. Përveç kësaj, kishte tensione të veçanta shoqërore mbi ekzistencën në Jugosllavi dhe në Kosovë të diferencimeve në pagë në raportin 1:5, ndërkohë që diferencimi maksimal ishte vetëm 1:2. Sidoqoftë, me gjithë këto sforcime trazirat nuk do të kishin ndodhur po të mos kishte një organizim të qëllimshëm dhe të planifikuar nga ana e një grupi të vogël aktivistësh. Këta ishin drejtuar kundër Jugosllavisë që kur ishte bërë thirrja për autonominë e Kosovës në kontekstin e Shqipërisë së Madhe dhe autonomisë jashtë Jugosllavisë. Për arsye të qarta ky zhvillim ishte shumë trazues. Nëse shqiptarët do të ishin përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë kjo do të ishte edhe më e çuditshme për shkak të përmirësimit masiv të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave gjatë 3 viteve të fundit. Gjithashtu, jugosllavët kishin vënë re se fillimisht nuk kishte komente nga ana e Shqipërisë, por pas trazirave më të fundit kishte pasur të paktën një artikull të zjarrtë në shtypin shqiptar që mbështeste këto trazira. Z. Berisaljeviç dyshonte se mund të kishte rryma të ndryshme politike brenda Shqipërisë dhe komentoi se z. Hoxha ishte i sëmurë dhe se mund të kishte një lloj manovrimi për këtë pozicion në radhët e pasuesve të mundshëm të tij (ai, ashtu si ne dhe italianët, nuk kishte informacion se kush mund të ishte në garë për këtë post).

4.         E pyeta ambasadorin nëse kishte influencë sovjetike. Ai tha se, mesa dinte ai, nuk kishte të dhëna për këtë qëllim, por ishte e mundur të argumentohej se Bashkimi Sovjetik ishte i interesuar për destabilizimin e Jugosllavisë në këtë kohë; modeli jugosllav kishte influencuar qartazi tek polakët dhe të tjerë dhe do të ishte në avantazhin e Bashkimit Sovjetik që të tërhiqte vëmendjen tek dobësitë jugosllave. Për më tepër, kohët e fundit kishte pasur më shumë presion nga bullgarët. Ambasadori komentoi në mënyrë të ashpër se nacionalizmi bullgar, i manifestuar në festimet e përvjetorit 1 300-të nuk është drejtuar asnjëherë kundër Bashkimit Sovjetik. Megjithatë, ishte një kërcënim i përhershëm për Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

5.         Në fund, z. Berisavljeviç tha se autoritetet ishin kundërpërgjigjur me kaq shumë forcë (megjithëse dëmtimet kishin qenë në masë të madhe vepër e protestuesve) për t’i treguar jo vetëm Kosovës, por edhe pjesëve të tjera të Jugosllavisë, se ato nuk ishin përgatitur për të toleruar ndonjë kundërshtim të unitetit të vendit. Sidoqoftë, kjo ishte një situatë shqetësuese dhe ai nuk përjashtoi në asnjë mënyrë faktin se do të kishte trazira të mëtejshme në muajt e ardhshëm.

     E. A. J. Fergusson

(VIJON)

© Pashtriku.org

————————————–

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (V)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura