Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (IX)
Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
-26-
-33-
Konfidenciale
A. E. Montgomery Esq Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit, 18 maj 1981
I nderuar Alan,
Kosova: situata e sigurisë
1. Çdo vit 13 maji festohet këtu si “Dita e Sigurisë”, ku forcat e sigurisë nën Sekretariatin Federativ të Punëve të Brendshme nderohen zakonisht se kanë mbrojtur me sukses sigurinë e brendshme të kombit gjatë vitit të kaluar. Me këtë rast këtë vit, Franjo Herljeviç dha një intervistë për “Tanjug”, ku hodhi më shumë dritë mbi ngjarjet në Kosovë.
2. Ai filloi të theksonte faktin se udhëheqja në Federatë, Republikat dhe Krahinat kishin dhënë vlerësime “kompetente” për situatën e sigurisë në vend. Së paku në lidhje me Kosovën, kjo deklaratë u besua nga dëshmia e tij e mëvonshme e detajuar mbi një seri incidentesh që çuan në ngjarjet e fundit, ku udhëheqja e Kosovës qartazi nuk e vlerësoi situatën “me kompetencë”.
3. Herljeviç pohoi se që nga mesi i vitit 1980, d.m.th. periudha post-Tito, armiku ishte bërë gjithnjë e më agresiv dhe më i rrezikshëm. Ai renditi grupe të ndryshme armiqësore aktivitetet e të cilave ishin zbuluar gjatë viteve të fundit, të tilla si: “nacionalistët, një pjesë reaksionare e klerit, dhe patronët e liberalizmit dhe anarko-liberalizmit”, të cilët kërkonin një lloj “shoqërie borgjeze, multi-partiake”, dhe të cilët janë angazhuar në shpërndarjen e broshurave dhe fletushkave, kanë organizuar tubime të ndryshme, kanë publikuar intervista dhe artikuj me karakter armiqësor në shtypin e huaj dhe atë të emigrantëve; “informbyroistët” që veprojnë nga pozita “burokratike-dogmatike”; “organizatat fashiste të emigrantëve”, të cilat kanë rritur veprimtarinë e tyre antijugosllave, veçanërisht në lidhje me Kosovën, ku një numër i caktuar elementësh “proustashë, proçetnikë, ballistë, zogistë dhe irredentistë” janë përfshirë në vend; si dhe “Partia e re Komuniste e Jugosllavisë”, udhëheqja e së cilës ishte “shkatërruar”. Ai theksoi se në disa vende perëndimore ishin marrë masa policore kundër organizatave fashiste e terroriste të emigrantëve. Megjithatë, ai shtoi një pikë që duhet mbajtur mend për vizitën e Vrhovec: “ne presim me të drejtë nga këto vende më shumë efikasitet në këtë level, që është detyrimi i tyre ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe të gjitha formave të dhunës”.
4. Sidoqoftë, pjesa kryesore e intervistës iu kushtua Kosovës. Ajo ishte e jashtëzakonshme në dy aspekte. Së pari, Herljeviç nuk iu referua vetëm një herë organizatorëve kryesorë të të ashtuquajturit kundërrevolucion të quajtur nga Mojsov në mbledhjen e fundit të KQ-së së LKJ-së – “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi”. Së dyti, efektivisht ai ka hedhur poshtë argumentin se kosovarët ishin zënë në befasi nga ngjarjet duke dhënë detaje të aksionit të sigurisë kundër elementëve armiqësor në Kosovë gjatë muajve të mëparshëm, dhe, në të vërtetë, gjatë viteve të mëparshme.
5. Herljeviç tha se gjatë viteve të fundit ishte rritur aktiviteti në mbështetje të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH). Pas demonstratave të vitit 1968, fushatat e para të mëdha të propagandës u zhvilluan në vitin 1973 dhe 1974. Me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në vitin 1978, u shpërndanë fletushka në Prishtinë dhe vende të tjera të Kosovës në mbështetje të PPSH-së dhe iu bë thirrje shqiptarëve “të luftojnë për liri dhe të bashkohen me Shqipërinë”. Në vitin 1979, një aktivitet të tillë të ngjashëm ka pasur në shtatë qytete të Kosovës. Në vitin 1980, ishin regjistruar disa raste të parullave irredentiste të shkruara në vende publike; gjithashtu ishte asgjësuar një fushatë në shkallë të gjerë propagandistike nga forcat e sigurisë në nëntor, të cilat kishin kapur disa mijëra fletushka, mbi 1,000 gazeta dhe qindra libra të futura nga anëtarë të organizatës proshqiptare “Fronti i Kuq”. Së fundi, në fund të shkurtit 1981, ishin shkruar parulla përsëri në vende të ndryshme të Kosovës. Në kundërpërgjigje, forcat e sigurisë kishin marrë masat e duhura. Për shembull, Heljeviç citoi se në vitin 1974 ishte zbuluar një grup irredentist dhe në vitin pasardhës ishte zbuluar aktiviteti i një organizate tjetër. Në vitin 1979 dhe 1980 ishin zbuluar pesë grupe në Prishtinë dhe Ferizaj. Në fund të vitit 1980 dhe në fillim të vitit 1981 ishte zbuluar një grup tjetër që i përkiste “Frontit të Kuq”. Gjithashtu, në periudhën midis viteve 1978 dhe 1980 ishin shkatërruar dy grupe në Maqedoni; njëri grup ishte i lidhur me Kosovën dhe grupi tjetër me Shërbimin e Fshehtë Shqiptar dhe emigrantët fashistë shqiptarë (ai nuk e përmendi, por shtypi raportoi më 14 maj se pesë shqiptarë do të gjykohen në Shkup për aktivitet armiqësor në periudhën midis qershorit 1979 dhe shkurtit 1981 në Tetovë, Gostivar dhe zonat përreth, përfshirë organizimin e Partisë Kombëtare të Punës). Kështu, në periudhën midis 1974-1981 forcat e sigurisë në Kosovë kishin identifikuar mbi 600 veta si persona që kanë vepruar në një mënyrë pak a shumë të organizuar në mbështetje të pozitave nacionaliste/irredentiste nga të cilët 89 persona ishin dënuar për vepra penale dhe 40 të tillë për vepra të vogla; dhe një numër tjetër prej 503 vetash ishin akuzuar se kishin mbështetur publikisht nacionalizmin/irredentizmin.
6. Herljeviç u ndal më tej në çështjen e “Frontit të Kuq”, duke e bërë të qartë me lejen e Mojsov, se ky front ishte një nga organizatorët më aktivë të aktivitetit armiqësor në Kosovë. (Nëse ka vlerë të thuhet, kolegu im rumun më tha se një anëtar i Sekretariatit të Heljeviç i kishte thënë atij që nuk kishte dëgjuar asnjëherë për PKMLSHJ!). Ai tha se kjo organizatë operonte nga disa vende perëndimore dhe mbështeste PPSH-në. Ajo përfshinte “disa dhjetëra nga qytetarët tanë me origjinë shqiptare të cilët janë duke punuar përkohësisht jashtë vendit”. Disa anëtarë ishin të lidhur me Shërbimin e Fshehtë Shqiptar dhe vepronin sipas udhëzimeve nga Shqipëria të cilat, së bashku me materialet propagandistike, ata i merrnin përmes kanaleve diplomatike/konsullore shqiptare dhe zyrave të tjera përfaqësuese, të ashtuquajturat grupe marksiste-leniniste dhe kanale të tjera. Qendrat kryesore të organizatës “Fronti i Kuq” ishin të njohura; dhe kjo organizatë ishte e lidhur me emigrantët fashistë shqiptarë në Evropën Perëndimore dhe gjetkë (mund të shtoj se kolegu im zviceran më tha në konfidencë se qytetari zviceran i cili paraqiti kërkesën për demonstratën e fundit në Cyrih njihej se punonte për Shqipërinë).
7. Herljeviç u pyet më pas nëse në këtë situatë forcat e sigurisë ishin zënë në befasi. Ai e kuptoi që informacioni i mëparshëm tregonte se ata kishin “dijeni të sigurt dhe kishin marrë masat kundër njerëzve në fjalë”. Megjithatë, ai shtoi: “fatkeqësisht, individët në Kosovë nuk nxorën konkluzionet e duhura dhe nuk morën masat e nevojshme. Për më tepër, ka pasur amulli në forcimin dhe përgatitjen e vetë-mbrojtjes sociale, duke përfshirë forcat e sigurisë në Kosovë” (ishte zbuluar në mbledhjen e KQ-së së LKJ-së nga sekretari kosovar i Punëve të Brendshme, se milicia kishte forca të pamjaftueshme me vetëm një milic për 789 qytetarë, krahasuar me raportin 1:545 që ishte mesatarja në shkallë kombëtare).
8. Herljeviç e mbylli me pak fjalë duke folur për maturinë me të cilin ishin prirur të vepronin forcat e sigurisë (duke harruar trajtimin e ashpër të demonstruesve më 26 mars). Ai pohoi se shumicës së njerëzve të përfshirë në incidentet e mëparshme thjesht u ishte folur për t’u thënë se ishin në rrugë të gabuar. Në vetë ngjarjet, forcat e sigurisë kishin vepruar “në mënyrë humane dhe të disiplinuar dhe nuk kishin përdorur forcën me përjashtim të rasteve ekstreme”. Ai tha se kjo konfirmohej nga numri i të plagosurve që pësuan forcat e sigurisë. Ai përmendi gjithashtu se forcat e sigurisë vinin nga e gjithë Jugosllavia dhe nuk ishin vetëm “milicë serbë”, siç pretendonin disa, dhe se nuk ishte përdorur asnjë ushtar i vetëm për rivendosjen e rendit.
Komente
9. Kjo ishte deklarata më e hollësishme që mbaj mend nga Herljeviç apo ndokush tjetër e cila është bërë në lidhje me çështje të sigurisë dhe për këtë arsye është një shembull tjetër se si autoritetet po përkulen para presionit për t’i ofruar publikut më shumë informacion në dispozion. Megjithatë, një tablo e plotë e ngjarjeve në Kosovë mbetet e paplotë. Kjo situatë të lë përshtypjen akoma më të fortë të naivitetit, vetëkënaqësisë ose të marrëveshjes së fshehtë nga ana e autoriteteve politike në Kosovë për të shpjeguar dështimin e tyre për t’iu përgjigjur shenjave paralajmëruese të pranishme prej kohësh të trazirave të pashmangshme. Po kështu, është e qartë se autoritetet qendrore të sigurisë duhen fajësuar njësoj që nuk nxorën konkluzionet e duhura për krijimin e aktivitetit nacionalist shqiptar gjatë viteve të fundit. Ose, ndoshta këtë e bënë dhe autoritetet politike qendrore refuzuan që të vepronin nga frika se mos trazonin kosovarët dhe akuzoheshin për ndërhyrje, siç edhe ndodhi në kontekstin më të gjerë të marrëdhënieve midis Federatës, Serbisë dhe Kosovës. Më shumë të dhëna në këtë drejtim mund të zbulohen ende në të ardhmen.
10. Sidoqoftë, një gjë po bëhet akoma më e qartë: askush deri më sot nuk e ka mbështetur pretendimin e Mojsov se PKMLSHJ-ja ishte përgjegjëse për organizimin e demonstratave. Hamendja ime është se ky emër mund të jetë përdorur në fletushkat që kanë qarkulluar në Kosovë dhe se, në lidhje me organizimin e ngjarjeve, ka më shumë të ngjarë që të jetë përfshirë “Fronti i Kuq”.
I Juaji,
T. C. Clark
Për dijeni: P. Rennie Esq; P. Rosling Esq
Departamenti i Kërkimit, Zagreb
-34-
Konfidenciale
GRS 320 Kopje origjinale
Fm Beograd 181400Z, maj ‘81
Drejtuar direkt FCO
Tel. nr. 69, i datës 18 maj ‘81 ENU 015/3
Deskby 191000Z
RFI UKDEL, NATO, MODUK
Ruhet për Washington
Telegrami im, nr. 66
Kosova
1. Që prej publikimit të konkluzioneve të mbledhjes së Komitetit Qendror, më 14 maj, Lidhja e Komunistëve ka zhvilluar një fushatë të fuqishme në Kosovë për të spastruar radhët e saj nga të gjithë ata elementë të cilët ose morën pjesë në demonstrata ose u simpatizuan me to. Rreth 200 anëtarë partie janë përjashtuar deri më sot dhe të tjerë janë pushuar nga Universiteti i Prishtinës, disa shkolla të mesme, shtëpia botuese e gazetës kryesore, televizioni dhe radioja si dhe institucione të ndryshme kulturore. Asnjë figurë tjetër politike drejtuese nuk ka dhënë dorëheqjen, megjithëse disa janë kritikuar publikisht ose kanë bërë autokritikë publikisht. Anëtarët e Partisë në Universitet po tregohen të ngadaltë për të shprehur pozicionin e tyre. Është shpallur gjykimi për disa shqiptarë në Maqedoni të akuzuar për organizimin e aktiviteteve politike armiqësore atje.
2. Shtypi vazhdon të përshkruajë situatën e përgjithshme politike të sigurisë si shumë të vështirë, por gjatë ditëve të fundit nuk janë raportuar incidente. Nga Tirana pretendohet se një aksion i milicisë më 13 maj, kundër një shqiptari vendas të kërkuar për krime të ndryshme që nuk kanë lidhje me ngjarjet e fundit, i cili rezultoi me katër milicë të vrarë dhe tre të plagosur përveç personit të kërkuar dhe babait të tij që u vranë, ka qenë një sulm nga “milicia ndëshkuese serbe” ndaj një fshati të pafajshëm shqiptar.
3. Më 14 maj, ambasadori shqiptar këtu është thirrur pranë Sekretariatit për Punët e Jashtme për t’i paraqitur një protestë të fortë për “ndërhyrje të ashpër” nga ana e Shqipërisë në punët e brendshme të Jugosllavisë. Më vonë ai u kritikua personalisht nga zëdhënësi zyrtar për rolin e tij dhe të Ambasadës së tij. Gjer tani Plaka nuk është thirrur më, por zëdhënësi tha se qeveria shqiptare duhet ta marrë “seriozisht në konsideratë” këtë.
FCO ju lutemi të ruhet kopje për Uashington
Bolland
[Përsëritet sipas kërkesës]
-35-
Konfidenciale
GRS 360 Kopje origjinale
Fm Beograd 201030Z, maj ‘81
Drejtuar direkt FCO
Telegram nr. 070, i datës 20 maj ‘81
Prioritet për UKDEL, NATO, MODUK
Dhe ruajtur për Washington
Telegrami im nr. 069
Kosova
1. Është njoftuar më 19 maj, se qeveria e Kosovës kishte vendosur të mbyllte menjëherë Universitetin e Prishtinës, konviktet e studentëve dhe mensat, d.m.th. para përfundimit të zakonshëm të semestrit. Kjo situatë vijoi me një vlerësim të komitetit lokal për mbrojtjen e të gjithë njerëzve dhe vetëmbrojtjen sociale se gjatë ditëve të fundit situata në universitet ishte bërë “e vështirë”. Shtypi raportonte se gjatë dy netëve të mëparshme me qindra studentë ishin mbledhur në kampus dhe kishin kënduar këngë nacionaliste dhe kishin hedhur parulla armiqësore. Autoriteteve të Universitetit u ishte kërkuar që të shikojnë mundësinë për të zhvilluar provimet e rregullta në qershor.
2. Kjo masë e ngutshme nga autoritetet kosovare konfirmon se ata nuk janë në gjendje të kontrollojnë nacionalistët në Universitet dhe për rrjedhojë u është dashur të marrin këtë masë administrative për të shmangur çdo shqetësim të mëtejshëm. Me sa duket ata kanë supozuar se nacionalistët do të kontrollohen më lehtësisht në grupe të vogla në shtëpitë e tyre. Sidoqoftë, kjo mund të ketë edhe efektin e kundërt në përhapjen e trazirave.
3. Në konfirmim të telekonf. nga Clark/Gray, njoftoj se një zëvendëskryetar i Këshillit Ekzekutiv për Arsimin dhe Kulturën dhe sekretari për Arsimin dhe Kulturën dhanë dorëheqjen, më 18 maj. Në të njëjtën ditë filloi në Shkup gjykimi i pesë shqiptarëve vendas të akuzuar për aktivitet armiqësor në Maqedoni. Sipas deklaratave të këtyre të fundit, ata kanë marrë mbështetje nga Shqipëria.
4. Artikulli i gazetës “Zëri i Popullit” i datës 17 maj që bënte fjalë për statusin e Republikës së Kosovës është hedhur poshtë sot përmes një deklarate në “Tanjug” si një dëshmi tjetër e mbështetjes nga Tirana për kundërrevolucionarët në Kosovë. Megjithatë, kjo deklaratë nuk hyri në rastin historik të argumentuar me zgjuarsi nga Shqipëria për pavarësinë e Kosovës nga Serbia, përveç se përsëriti shpjegimet e aktit final të Helsinkit mbi nevojën për të respektuar pandryshueshmërinë e kufijve të trashëguar nga Lufta e Dytë Botërore.
Bolland
-36-
Sekret
GR 150
Fm FCO 211727z, maj ‘81
Informacion rutinë për Moskën
Nr. i telegramit 311, datë 21 maj
Dhe për Beogradin
Kosova
1. Ambasadori jugosllav, Berisavljeviç, ka pretenduar në disa raste se në trazirat aktuale në Kosovë ka dorë sovjetikë dhe ka sugjeruar se arsyeja është për të diskretituar shembullin jugosllav në një kohë kur mund të bëhej gjithnjë e më tërheqës para syve të polakëve. Aktualisht ka të dhëna se ky qëndrim pasqyron drejtimin zyrtar jugosllav.
2. Duke shprehur mirënjohje për komentet tuaja mbi tezën e Berisavljeviç, natyrisht nuk dyshojmë se në aspektin afatgjatë rusët shpresojnë t’i kthejnë sërish jugosllavët në vathën e vet. Por, duhet të përshëndesim vlerësimin tuaj se deri ku mund të shkojnë rusët qëllimisht për të destabilizuar Jugosllavinë, duke i nxitur ndoshta ne shpresën se do të përfitojnë nga rritja e tensionit midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, ose thjesht duke i vështruar ngjarjet në distancë me shpresën se në fund të fundit ngjarjet do të kthehen në duart e tyre.
Carrington
Kopje për stafin e vlerësimit Zyra e Kabinetit
Ky dokument është kopje. Origjinali është ruajtur në Departament në Seksionin 3(4) të aktit të të dhënave publike, 1958.
-37-
Sekret
GR 150
Fm FCO 211727Z, maj ‘81
Informacion për Moskën
Telegram nr. 311, i datës 21 maj
Dhe për Beogradin
Kosova
1. Ambasadori jugosllav, Berisavljeviç, ka pretenduar në disa raste se ka vënë re dorën sovjetike në trazirat aktuale në Kosovë dhe ka sugjeruar se motivi është për të diskredituar shembullin jugosllav në një kohë kur mund të bëhej gjithnjë më tërheqës për shembull, para syve të polakëve. Tashmë ka të dhëna se ky qëndrim pasqyron drejtimin zyrtar jugosllav.
2. Jemi mirënjohës për komentet në lidhje me sugjerimet e tezës së Berisavljeviç. Natyrisht që nuk dyshojmë se në aspektin afatgjatë, rusët me të vërtetë shpresojnë që t’i kthejnë jugosllavët sërish në vathë. Por, ne duhet të mirëpresim vlerësimin se deri ku mund të kërkojnë rusët qëllimisht të destabilizojnë Jugosllavinë, mbase duke shkaktuar përçarje me shpresën se do të përfitojnë nga rritja e tensionit midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, apo thjesht duke i vëzhguar nga larg në pritje me shpresën se në një periudhë afatgjatë ngjarjet do të kthehen në duart e tyre.
Carrington
Kopje për stafin e vlerësimit, Zyra e Kabinetit.
Ky dokument është kopje. Origjinali është ruajtur në Departament në Seksionin 3(4) të aktit të të dhënave publike 1958.
-38-
Konfidenciale
N H R A Broomfield ESQ Ambasada britanike
EESD, Athinë
FCO, 26 maj 1981
I nderuar Nigel,
Kosova
Më 20 maj diskutova me z. Mazarakis, drejtor i Drejtorisë së Ministrisë së Punëve të Jashtme, përgjegjës për marrëdhëniet me vendet komuniste, mbi pikëpamjen greke për zhvillimet në Kosovë.
2. Mazarakis u shpreh se grekët nuk ishin informuar aq sa do të donin për shkak të karantinës që jugosllavët kishin imponuar në këtë zonë. Konsulli grek në Shkup nuk ishte lejuar që të udhëtonte atje.
3. Megjithatë, ai kishte një pikëpamje të qartë mbi origjinën e këtyre trazirave. Kjo ishte një pikëpamje e zakonshme se trazirat filluan në Kosovë dhe nuk u nxitën nga ndonjë forcë e jashtme. Arsyeja për këtë ishte një kombinim i pakënaqësisë nacionaliste nga ana e banorëve myslimanë që ishin nën juridiksionin e Serbisë, me pakënaqësitë ekonomike. Mazarakis kujtoi një vërejtje profetike të bërë nga Dolanç 2 vjet më parë para ambasadorit grek me efektin se Jugosllavia do të përballej shpejt me probleme reale që do të lindnin nga ambiciet konfliktuale të nacionalistëve, sidomos myslimanëve të Kosovës.
4. Mazarakis konstatoi se deklarata të ndryshme të politikanëve jugosllavë mbi origjinën e trazirave ishin konfuze dhe kontradiktore, dhe nuk gjenin asnjë kuptim në atë që Dolanç kishte thënë për përgjegjësinë e Kominternit dhe tendencave fashiste nga jashtë vendit. Greqia nuk kishte të dhëna për përfshirjen e Qeverisë shqiptare dhe të dhënat dukej se me të vërtetë ishin të kundërta, p.sh.: periudha 3-ditore e prapambetur para raportit të parë të trazirave të shprehura në gazetën “Zëri i Popullit”, si dhe hendekun 7-ditor para artikullit të parë të rëndësishëm. Kjo situatë sugjeronte se shqiptarët ishin kapur në befasi. Gjithashtu, grekët nuk kishin asnjë të dhënë për përfshirjen apo nxitjen sovjetike dhe ishin të shqetësuar nga një artikull i Cyrus Sulzberger i botuar në “New York Times” (një kopje bashkangjitur) ku sugjerohej se Greqia kishte “informacion të saktë” se kryengritja e Kosovës ishte nxitur nga Moska. Mazarakis tha se Sulzberger nuk kishte kërkuar pikëpamjen e Ministrisë së Jashtme greke, fakt për të cilin ai kishte kontrolluar pranë Ministrisë së Mbrojtjes, e cila mohoi të kishte informuar Sulzbergerun në këtë drejtim.
5. Mazarakis sugjeroi se jugosllavët kishin bërë gabim kur kishin lejuar që niveli i kontaktit midis Shqipërisë dhe myslimanëve të Kosovës të ishte kaq i rëndësishëm; ai iu referua lidhjeve arsimore dhe kulturore duke përfshirë vizitat e profesorëve shqiptarë në universitet. Një gjë e tillë thjesht kishte nxitur tendencat nacionaliste në radhët e myslimanëve. Vendimi i kohëve të fundit për të mbyllur universitetin ishte tregues i faktit që jugosllavët i njohën gabimet e tyre. Ai mendoi se në rrethanat aktuale do të ishte e pamundur për Qeverinë Socialiste Federative të Jugosllavisë që t’i jepte Kosovës statusin e Republikës. Kjo do të ishte një tronditje e fortë për krenarinë serbe dhe në çdo rast do të ishte e pamundur që të gjendej konsensusi i nevojshëm në udhëheqjen jugosllave për këtë kurs veprimesh. Mazarakis bëri të qartë se meqenëse sipas pikëpamjes greke praktikisht çdo ndryshim kushtetues, përfshirë lëshimet ndaj Kosovës, mund të ishte destabilizues, ai mendoi se Qeveria Socialiste Federative kishte të drejtë të mos bënte lëshime – një pikëpamje që padyshim ngre pyetjen e pasojave të mundshme destabilizuese të mungesës së fleksibilitetit.
I Juaji,
M. J. Llewellyn Smith
Për dijeni: Kancelarive, Beograd-Moskë.
-39-
International Herald Tribune
By C.L. Sulzberger
Balkan questions
Athinë – Situata strategjike në Ballkan ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme muajt e fundit. Greqia ka “informacion të saktë” se revolta e pakicës shqiptare të Jugosllavisë në zonën e Kosovës është stimuluar nga Moska dhe ishte shumë më serioze sesa kuptohej në përgjithësi jashtë vendit. Parullat e përdorura ishin prosovjetike, jo pro Enver Hoxhës, kreut të Shqipërisë së pavarur. U deshën disa ditë që forcat e Beogradit të rivendosnin rendin.
Konkluzioni i nxjerrë këtu është se Bashkimi Sovjetik po heton Jugosllavinë e pas epokës së Titos për të parë se çfarë mjetesh mund të zbulojë në shpërbërjen e unitetit të saj nën sundimin e komitetit. Greqia është e detyruar të ndihmojë Jugosllavinë në fund të fundit përmes transportimit të armëve të SHBA-së në rast të ndonjë kërcënimi të drejtpërdrejtë sovjetik të fqinjit të saj verior. Kjo marrëveshje është negociuar me miratimin e SHBA-së kur Tito ishte ende gjallë, nga ministri jugosllav dhe ai grek i mbrojtjes.
Një tjetër pasojë e kësaj situate të re – të paktën siç nënkuptohet nga trazirat në Kosovë – është që t’i kujtohen Greqisë detyrimet e saj në NATO dhe në të njëjtën kohë të zhvendosë vëmendjen e autoriteteve më të larta ushtarake nga frika e kërcënimit turk ndaj kufijve veriorë të Greqisë.
Ka edhe një shqetësim në atë që grekët e quajnë “Pentagoni” i tyre që Kremlini, me gjithë preokupimet e veta me Poloninë, mund të parashikojë testimin e zhvillimeve të ngjashme me Kosovën në Maqedoninë e Jugosllavisë ku ekziston elementi probullgar. Bullgaria është satelit i bindur i Moskës.
Një tjetër pikë e lidhur në mënyrë indirekte me shqetësimin e ringjallur për mikun e Greqisë, Jugosllavinë, është ulja graduale e tensionit midis këtij vendi dhe Turqisë. Ndërmjet këtyre dy vendeve të NATO-s ka ekzistuar një krizë serioze që prej pushtimit turk të Qipros në vitin 1974. Me gjithë një alarmim të vogël këtë muaj kur 11 aeroplanë luftarakë turk vërshuan mbi ishullin grek të Kios dhe ujërat territoriale dhe turqit kërkuan falje për këtë “gabim”, duket se Qetësia u rikthye.
Autoritetet e larta, ndërkohë që nuk e pëlqenin idenë e një qeverie ushtarake si në Ankara, pranojnë se junta ushtarake e ka shpëtuar Turqinë nga një kërcënim i pashmangshëm dhe luftë të mundshme civile.
Që prej asaj kohe negociatat midis Athinës dhe Uashingtonit janë zhvendosur paksa në kërkimin për një marrëveshje bilaterale për të vendosur një bazë të SHBA-së këtu. Kjo kërkesë duhet të arrijë një pikë vendimtare kur sekretari i Shtetit, Alexander M. Haig Jr., të takojë ministrin e Jashtëm grek në Romë në fillim të muajit tjetër.
Të dyja vendet e pranojnë nevojën për një marrëveshje të re me shkrim por ka pasur vonesa në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje të tillë. Qeveria greke fajëson Uashingtonin që nuk ka përshpejtuar bisedimet para se parlamenti i Athinës të shpërndahet brenda dy muajsh për të vijuar me zgjedhjet e reja.
Parlamenti i ri i cili sipas Kushtetutës do të nevojitet të ratifikojë ndonjë marrëveshje bilaterale, pa dyshim që do të jetë më i majtë dhe më pak i prirur për të pranuar një marrëveshje të re me Shtetet e Bashkuara.
Greqia dëshiron që marrëveshja e propozuar për bazën ushtarake të formulohet saktësisht si marrëveshjet midis SHBA-së dhe Turqisë për bazat ushtarake, por Uashingtoni ka kundërshtuar ndryshimin e gjuhës së drafteve të sugjeruara. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë që të nënshkruajnë një angazhim me shkrim sipas të cilit Greqisë do t’i jepet e drejta të blejë pajisje ushtarake të Shteteve të Bashkuara në një raport armësh prej shtatë të tilla për Greqinë në dhjetë të tilla për Turqinë.
Një raport i tillë është rënë dakord në një dokument të firmosur nga ministri i Jashtëm dhe sekretari i Shtetit, Henry Kissinger, në vitin 1976 nën drejtimin e administratës Republikane të SHBA-së. Megjithatë, ky dokument nuk është ratifikuar nga parlamenti grek apo Kongresi i SHBA-së dhe ka mbetur një letër e vdekur.
Uashingtoni ishte përgatitur gjithashtu të garantonte një kundërpërgjigje “të menjëhershme” ndaj çdo lëvizjeje të re ushtarake në zonën e Egjeut, nëse Greqia do të kërkonte të çmilitarizonte ishujt e saj afër Turqisë. Greqia konsideroi se një garanci e tillë kishte thjesht vlerë “teorike”. Nën administrimin e Carter, një zyrtar i lartë nënkuptonte se marrëveshja me Greqinë ishte pikëpamje skeptike.
Mbroni krahët
Ndërkohë, situate strategjike e Turqisë ka ndryshuar. Revolucioni gllabëroi Iranin fqinj. Qeveria turke është e shqetësuar gjithashtu për situatën në Irak dhe Siri. Personalisht, udhëheqësit grekë besojnë se Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë raportin 7 me 10 të armëve pasi mund të dëshirojnë të bëjnë edhe më shumë ndarje bujare të disponueshme për Turqinë për shkak të shtimit të shqetësimeve gjeografike të Ankarasë në Lindjen e Mesme.
Këtyre komplikimeve, çdokush shton edhe shqetësimin në rritje për të ardhmen e Jugosllavisë simbolizuar në çështjen e Kosovës. Rezultati i dukshëm është – ose duhet të jetë – rritja e presionit të ngjarjeve për z. Haig dhe ministrin e Jashtëm grek për të qetësuar njëri-tjetrin përmes koncensioneve në Romë muajin e ardhshëm për të siguruar aftësinë e vazhdueshme të SHBA-së për të ndihmuar në mbrojtjen e krahut lindor të Aleancës.
Një gjë e tillë do të përmirësonte shanset për të bërë hapa në drejtim të rikthimit të miqësisë greko-turke. Bllokimet e vazhdueshme diplomatike ndërmjet Uashingtonit dhe Athinës si dhe ndërmjet Athinës dhe Ankarasë mund të jenë fatale.
(VIJON)
© Pashtriku.org
____________________________________
Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (X)
Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba