DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XXIV) / FUND

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XXIV) / FUND

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

-126-

Konfidenciale

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                            Ambasada Britanike                                                                   

Londër SW1A 2AH                                                                                          Beograd

H E Z. E Bolland KCMG                                                                            7 dhjetor 1981

Vizita e profesor Radogan Vukadinoviq në Mbretërinë e Bashkuar

1.         Meqenëse Nigel Broomfield ishte i angazhuar tjetërkund, unë ftova Vukadinoviqin për të drekuar të Premten në Athenaeum. Fatkeqësisht dreka jonë ishte shumë më e shkurtër sesa e dëshironim të dy meqenëse unë kisha një takim në spital atë pasdite. Por meqenëse Vukadinoviq ishte i lirë atë mbrëmje, e ftova në shtëpi për darkë. Ai dëshmoi se ishte një i ftuar mirënjohës dhe bashkëbisedues interesant.

2.         Siç mund ta dini, Vukadinoviq po punon mbi zhvillimet në marrëdhëniet Lindje-Perëndim për periudhën midis fundit të Luftës së Ftohtë dhe ‘detantës’. Ai tha se të dhënat e vëna në dispozicion nga IISS e kishin ndihmuar shumë.

3.         Vukadinoviq dëshironte gjithashtu për të folur rreth gjendjes aktuale të marrëdhënieve Lindje-Perëndim. Mjaftonte ta nxisje shumë pak që ai të fliste mbi zhvillimet në Jugosllavi. Bashkëngjitur po ju dërgoj një njoftim për pikat kryesore që ai diskutoi, ku shpjegoi se ishte në gjendje të ndiqte hap pas hapi zhvillimet në Kosovë, megjithëse studentët shqiptarë nga Kosova që ndjekin kurse pasuniversitare janë në fakultetin e tij.

4.         Vukadinoviq foli me entuziazëm për vizitën tuaj të fundit në Zagreb (ai tregoi me kënaqësi se si një koleg nga Beogradi ishte habitur për faktin që ai nuk ishte ndjerë i detyruar të kërkonte certifikatë sigurie për vizitën tuaj në fakultetin e tij). Gjithashtu, ishte e qartë se ai pëlqen dhe vlerëson lidhjet e tij me Peter Rosling në Zagreb.

5.         Kur po flisnim për ndikimin e problemeve ekonomike të Jugosllavisë në Universitetin e tij, Vukadinoviq tha se një problem madhor përbënte shkurtimi i fondeve për vizitat e punës jashtë vendit. Doli se nevoja e tij kryesore është për ftesa që mbulojnë jetesën e tij jashtë vendit. Fluturimet për JAT mund të paguhen në dinarë, dhe ky fakt përbën problemin më të vogël.

6.         Vukadinoviq pret që të kthehet këtu në mars. Ai tha se do të donte të takohej përsëri me mua deri atëherë. Jam mirënjohës nëse Peter do të më njoftonte për datat e vizitës së tij në kohën e duhur.

G S Barrass

                                                                                      Stafi i Planifikimit

K 115

Për dijeni: P E Rosling Esq, Zagreb

N. Broomfield, EESD

-127-

Centralizmi kundrejt decentralizmit

1.         Për njëfarë kohe, nuk ka shumë shpresë që të shohim një udhëheqje më të fortë. Ndërkohë, perspektivat për përpjekje bashkëpunimi të tilla si Komisioni i Kraiger, nuk janë të mira.

2.         Periudha parazgjedhore për zgjedhjet Shtetërore dhe Partiake vitin e ardhshëm ka vështirësuar marrjen e vendimeve dhe zgjidhjen e problemeve. Por edhe pas zgjedhjeve nuk ka gjasa të ekzistojë një ndjenjë e mjaftueshme urgjence për të zgjidhur disa prej çështjeve të rëndësishme të kontrollit në nivel republikan kundrejt kontrollit qendror.

3.         Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në konferencën e ekonomistëve jugosllavë në Opatia (16/17 nëntor) ishin tepër pesimistë për perspektivat ekonomike të Jugosllavisë dhe barrën e borxhit të Jugosllavisë. Sidoqoftë, nuk dukej ende se politikanët dëshironin apo ishin në gjendje të merrnin vendimet e nevojshme.

4.         Një prej çështjeve qendrore që duhet zgjidhur është baza mbi të cilën do të përdoret monedha e fortë dhe limitet e monedhës së fortë që do të huazohet nga republikat individuale. Sistemi aktual është qesharak (për shembull, është në interesin e Sllovenisë që t’i shesë letër dhe energji Austrisë dhe jo Kroacisë, megjithëse Kroacisë i duhet të blejë letër dhe energji sërish nga Austria me një çmim më të lartë në monedhën e fortë).

5.         Me gjithë problemet ekonomike, nuk ka të ngjarë që të shfaqet versioni jugosllav i sindikatës Solidariteti. Punëtorët e një republike nuk kanë ndonjë simpati për ato të një republike tjetër. Më e rëndësishmja, sistemi i vetë-menaxhimit ka bërë që kategoritë e ndryshme të punëtorëve në fabrika të kenë pak simpati për njëra-tjetrën. Deri më sot janë zhvilluar disa greva në Kroaci, por në asnjërën prej tyre nuk kanë marrë pjesë më shumë se një grup punëtorësh. Asnjë nga fabrikat nuk ka ndërprerë punën plotësisht.

6.         Një kërcënim më serioz për partinë vjen nga klasa e mesme. Rritja ekonomike dhe udhëtimet jashtë vendit e kanë mbajtur atë në gjendje të fjetur. Partia do të bënte një gabim të rëndë nëse do të përpiqej përmes kontrollit të valutës dhe kontrolleve të tjera të kufizonte më tej udhëtimet e tyre jashtë vendit (apo udhëtimet e ndokujt tjetër). Jo çdokush udhëtonte jashtë vendit, por njerëzit besonin se e drejta për ta bërë këtë ishte e rëndësishme për ta.

7.         Problemet ekonomike të Jugosllavisë kanë inkurajuar disa studentë Universiteti që të ekzagjerojnë avantazhet e socializmit të Evropës Lindore. Pretendimet për punësim të plotë dhe vizitat e shkurtra në Hungari me kurse të favorshme këmbimi, prej tyre ose miqve të tyre, i kishte bërë ata të mendonin se jeta në vendet socialiste kishte vërtetë diçka për ta lavdëruar. Gjithsesi, jo shumë njerëz mendonin në këtë mënyrë. Por të rinjtë në Jugosllavi nuk e kishin pasur një opinion të tillë prej dekadash.

8.         Bashkimi Sovjetik nuk po përpiqej që të impononte ritmin e marrëdhënieve të tij me Jugosllavinë (pjesërisht për faktin se perspektivat për marrëdhënie me Shqipërinë dukeshin më të mira – shih më poshtë). Megjithatë, pritet së shpejti një vizitë në Beograd e një udhëheqësi sovjetik, me gjasa Tikhonov.

Kosova

9.         Situata në Kosovë është e keqe. Për shumë vite që do të vijnë Kosova do të jetë “Provincë e Jugosllavisë” (Ulster).

10.       Në Serbi dhe Maqedoni (në Bosnje dhe Mal të Zi gjithashtu) ekzistonte një mosbesim i thellë për nacionalizmin shqiptar. Kishte pikëpamje që ndryshonin lidhur me faktin nëse Kosova do të ishte forca shtytëse për një Shqipëri të re dhe të madhe (si Piemont në krijimin e Italisë), apo nëse do të kërkonte integrimin e saj me Shqipërinë aktuale. Sidoqoftë, një gjë është e qartë – shqiptarët e Kosovës janë “jo-jugosllavë për nga botëkuptimi”. Nuk ekzistonte perspektiva që statusi i Kosovës brenda Serbisë të mund të ndryshohej për një kohë të gjatë në të ardhmen.    

11.       Për të ardhmen e parashikueshme nuk ka perspektivë se shqiptarët e Kosovës do të ofrojnë një udhëheqje efektive partiake në krahinë. Vetëm pak njerëz ishin të gatshëm t’i shërbenin Partisë “në interes të Jugosllavisë”. Vetëm një grup i vogël shqiptarësh i Partisë së Kosovës shprehte gjëra që mund të citoheshin në shtyp. Pjesa tjetër e partisë ndiqnin një politikë të rezistencës pasive.

12.       Aktualisht vetëm 200,000 njerëz (prej popullsisë 1.5 milionë) ishin të punësuar rregullisht; 300,000 njerëz ishin të papunë dhe 450,000 ishin në shkollë dhe Universitet. Në të kaluarën udhëheqja e Partisë së Kosovës kishte qenë në gjendje të ruante pamjen e kontrollit përmes lëvrimit të shumave të konsiderueshme të financave federale. Klasa e mesme kishte përfituar shumë nga përmirësimi i lehtësirave kulturore/arsimore dhe nga përfitimet që rridhnin prej projekteve të ndërtimit.

13.       Rëniet dhe uljet aktuale në investimet në Kosovë kishin vënë nacionalizmin shqiptar në plan të parë në Kosovë. Në fillim të viteve 1970, klasa e mesme kroate kishte preferuar të kufizonte ndjenjat e saj nacionaliste dhe jo të përballej me rrëmuja politike që kërcënonin mirëqenien e tyre. Situata në Kosovë është ndryshe. Nacionalizmi është më i fortë dhe madje edhe në rrethana të vështira klasa e mesme mjaft e vogël në numër mund ta përballojë mjaft mirë situatën.

14.       Vështirësitë aktuale u shoqëruan me eksodin e serbëve dhe “jugosllavëve” të tjerë nga Kosova. Ka shumë pak shpresë që të vërshojë rritja e ndihmës ekonomike në Kosovë, megjithëse disa nga fondet mund të investohen në mënyrë më produktive. Kontrolli do të duhet të ushtrohet nga policia dhe ushtria dhe jo me mjete politike.

Shqipëria

15.       Karakteristika kryesore e politikës së jashtme të Shqipërisë është se ajo ka preferuar të jetë miqësore me ato vende me të cilat Jugosllavia ka marrëdhënie të dobëta. Shqipëria ka qenë shumë e afërt me Kinën deri kur u përmirësuan marrëdhëniet mes Kinës dhe Jugosllavisë.

16.       Ky faktor si dhe struktura dhe traditat e Partisë Komuniste Shqiptare theksuan afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, nëse jo më parë, atëherë pas vdekjes së Hoxhës.

17.       Zyrtarët e MPJ të Jugosllavisë pretendojnë se janë në dijeni që Bashkimi Sovjetik i ka thënë aleatëve të saj të Paktit të Varshavës që të bëjnë përpjekje të veçanta për të plotësuar kërkesat shqiptare për pjesë këmbimi industriale/ushtarake dhe këtë ta bënin me çmime favorizuese. Bashkimi Sovjetik do të paguante diferencën. Tregtia e Shqipërisë me Hungarinë dhe disa vende të tjera të Evropës Lindore është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë dy viteve të fundit apo më shumë.

                                                                       -128-

Konfidenciale

Z. Montgomery

Z. Broomfield                                                                                                11 dhjetor 1981                                                        

Politika e jashtme e Shqipërisë

1.         Keni kërkuar komente mbi vlerësimin e Profesor Vukadinoviqit për politikën e jashtme shqiptare siç raportohet në paragrafët 15-17 të përkujtesës së Z. Barrass.

Paragrafi 15

2.         Mendoj se ka shumë për të thënë në këtë drejtim. Politika e jashtme e Shqipërisë që në vitin 1948, është bazuar në nevojën për të shmangur dominimin jugosllav. Mjeti më i mirë për të sigurua këtë ka qenë patronazhi i një fuqie të madhe (në mënyrë të njëpasnjëshme BRSS dhe Kina) që ka marrëdhënie të dobëta me Jugosllavinë(meqë ra fjala, jam mjaft i sigurt se dyshimi që shqiptarët mund të mos jenë në gjendje të qëndrojnë pa një patron, mund të jetë frika që theksojnë pohimet e përsëritura, por, mesa di unë, të pabazuara të jugosllavëve për një bosht bullgaro-shqiptar). Por kjo politikë ka përfunduar gjithmonë me faktin e një rëndësie më të madhe strategjike dhe politike të Jugosllavisë. Secili nga patronët e Shqipërisë kanë qenë të detyruar nga ana e tyre që të ndreqin kufijtë e saj me Jugosllavinë dhe kjo gjë në mendjen e shqiptarëve ka krijuar perspektivën se një ditë patronët e tyre mund të jenë të përgatitur për t’i shitur ata me qëllim që të kultivojnë jugosllavët. Ky ka qenë një faktor kyç në përçarjet e njëpasnjëshme shqiptaro-sovjetike dhe shqiptaro-kineze.

Paragrafi 16

3.         Por nuk jam i bindur se një gjë e tillë vë theksin domosdoshmërisht në një rivendosje të hershme të marrëdhënieve miqësore shqiptaro-sovjetike. Për momentin, shqiptarët po përqendrohen qartazi në Evropën Perëndimore dhe Botën e Tretë. Në aspektin afatgjatë mbrojtja ruse mund të duket vërtet për shqiptarët e vetmja mburojë kundër Jugosllavisë. Por nuk ka garanci se rusët do t’i përgjigjeshin përçapjeve shqiptare për afrim. Për momentin, ata e shohin Jugosllavinë qartazi si një çmim më i lartë sesa Shqipëria dhe, për pasojë, mendoj se ata nuk do të cenojnë marrëdhëniet e tyre me Jugosllavinë, duke kultivuar haptazi marrëdhëniet me shqiptarët. Megjithatë, nëse rusët do ta ndjenin se nuk po arrijnë ndonjë gjë me jugosllavët, lidhjet e tyre më të ngushta me Shqipërinë do të përbënin një mënyrë të mirë për t’i bërë presion Jugosllavisë. Gjithashtu, Shqipëria do të ofronte bazën ideale nga e cila do të nxiteshin trazira në Kosovë, Mal të Zi apo Maqedoni.

Paragrafi 17

4.         Nuk e kam dëgjuar këtë sugjerim më parë megjithëse, së paku, fjalia e parë është bindëse. Siç thotë Profesor Vukadinoviq, tregtia e Shqipërisë me anëtarët e Kominternit të Evropës Lindore është rritur me shpejtësi që prej prishjes me Kinën. Por, po kjo e vërtetë qëndron edhe për tregtinë e Shqipërisë me Evropën Perëndimore (madje edhe me ne). Unë mendoj se kjo i atribuohet kryesisht nevojës së shqiptarëve për t’u shkëputur nga kinezët, të cilët deri në vitin 1978, përfaqësonin më shumë se gjysmën e tregtisë së përgjithshme të Shqipërisë.

                                                                                                                    J. C. R. Gray

                                                                       -129-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                       Ambasada britanike

EESD                                                                                                                Beograd

FCO                                                                                                           15 dhjetor 1981                                                                                                                                                                                         

I nderuar Charles,

Kosova: situata politike dhe e sigurisë

Përmbledhje

1.         Ka pasur dy incidente të tjera që kanë bërë bujë në Universitetin e Prishtinës dhe incidente nacionaliste në Mitrovicën e Titos dhe në Pejë. Nacionalizmi shqiptar është shfaqur gjithashtu në Mal të Zi afër kufirit me Shqipërinë. Janë raportuar humbje të panumërta ekonomike të shkaktuara nga pakujdesia dhe papërgjegjshmëria në punë. Në një vizitë në Kosovë, Kryeministri Gjuranoviq e vlerësoi situatën politike dhe të sigurisë si “ende të ndërlikuar”.

Detaje

Universiteti i Prishtinës

2.         Ka pasur dy ‘provokime’ të tjera në Universitetin e Prishtinës (shih shkresën time dërguar për ju më 9 nëntor). Në kohën e drekës, më 10 dhjetor, një numër prej 90 vetash, shumica e tyre studentë, vërshuan në një mensë studentësh dhe i detyruan njerëzit që po shërbenin ushqimin që t’i jepnin atyre një drekë falas. Këta elementë turbullues u shpërndanë përpara profesorëve dhe mësuesve për t’i dalluar që kishin mbërritur. Gazeta “Borba” e datës 13 dhjetor tha se ky rast ishte haptazi një incident i mirorganizuar meqenëse në radhët e tyre ishte edhe një grup punëtorësh ndërtimi nga Vushtrria, të cilët kishin qenë në grevë pak ditë më parë. Rasti në fjalë u vlerësua zyrtarisht se ishte një provokim i frymëzuar nacionalist. Në incidentin e dytë, më 12 dhjetor në orën 23:00, rreth 300 studentë krijuan një trazirë tjetër të ndezur, duke hedhur karrige përreth dhe duke vrapuar nëpër rrugë pasi panë në TV heroin lokal të boksit nga Prishtina, i cili kishte mundur kundërshtarin e tij në një ndeshje boksi ndërmjet Jugosllavisë dhe SHBA.

3.         Një zëdhënës zyrtar për Qendrën Studentore në Prishtinë konfirmoi se forcat armiqësore ishin ende aktive në Universitet. Çdo ditë shfaqeshin parulla në konvikte, u shpreh ai, ku në disa thuhej “Poshtë Titizmi” dhe “Patriotët shqiptarë nuk shkruajnë në mure – dalin në rrugë”. Por, pjesa më e madhe e studentëve që shkaktonin trazira në konvikte dhe përreth tyre, nuk ishin banorë në konvikte; në të vërtetë, kur një banor konvikti kishte pyetur recepsionistin e konviktit që të pranonte një person ‘të jashtëm’ për atë natë dhe kjo kërkesë ishte refuzuar, një grup studentësh e kishin rrahur recepsionistin.

Mitrovica e Titos dhe Peja

4.         Më 23 nëntor, Komuna e Mitrovicës, qyteti i kompleksit minerar të Trepçës e ndryshoi emrin në Mitrovica e Titos, dhe Drvar në Bosnje-Hercegovinë u bë të nesërmen Drvar i Titos për nder të Presidentit Tito. Këto ndryshime u raportuan se u pritën me gëzim nga banorët e të dyja qyteteve. Megjithatë, disa jugosllavë u shprehën privatisht se ndryshimi i emrit të komunës së Mitrovicës në rrethanat aktuale shkaktoi një provokim të panevojshëm; me të vërtetë, më 26 nëntor, një tabelë e re rrugore që mbante shënimin ‘Mitrovica e Titos’ u zhduk nga periferitë e qytetit ndërkohë që hajdutët përfituan nga mjegulla e dendur! Ky veprim u denoncua menjëherë si një akt armiqësor, por autorët nuk u kapën dhe as tabela rrugore nuk u rivendos. Kryetari lokal tha se situata politike dhe e sigurisë në këtë zonë ishte ende “e ndërlikuar”, por se kishte pasur përmirësime kohët e fundit në faktin që parullat fyese nuk shfaqeshin më në muret e fabrikave.

5.         Më 12 dhjetor, Gazeta “Politika” raportonte se 31 njerëz ishin përjashtuar nga LKJ në Pejë. Ata ishin anëtarë të organizatave të ndryshme punëtore dhe të shkollave në të cilat mbisundonin “dobësitë, oportunizmi dhe marrëdhëniet e dobëta ndër-komunale”. Për më tepër, Organizata e Veteranëve të Pejës, më 11 dhjetor shprehu shqetësimin për sigurinë e banorëve të Pejës nga sulmet e frymëzuara nga nacionalistët; Disa serbë dhe malazezë ishin dëmtuar rëndë gjatë sulmeve dy ditë më parë. Gazeta e sotme “Politika” kishte intervista të shkurtra me 3 nga viktimat e këtyre ngjarjeve dhe komentoi se ky ishte “padyshim një rast i një bande të mirë-organizuar rrugaçësh të prirë për të përhapur trazira në komunitetin serb dhe atë malazez”.

Nacionalizmi shqiptar në Mal të Zi

6.         Nacionalizmi shqiptar është shfaqur në forma të ndryshme edhe në Ulqin në Mal të Zi pranë kufirit jugosllavo-shqiptar. Më 9 dhjetor, situata u vlerësua nga LKJ e Obstinës si “më e rëndë se asnjëherë tjetër gjatë tre dekadave të fundit”. Kongresi i Partisë në Shqipëri, veçanërisht kishte nxitur rritjen e aktivitetit nacionalist. Këngët nacionaliste gjëmonin nga altoparlantët e vendosur në fshatin Sukobin në kufi; folësve jo-shqiptarë u ishte refuzuar shërbimi në markete dhe ishin bërë kërkesa që faturinot e autobusëve për rrugë të caktuara të ishin shqiptarë. Një seminar i punonjësve të arsimit në shtator ishte kthyer në forum për çështje dhe ankesa nacionaliste. LKJ në Ulqin shpërndau Organizatën e Partisë në Sukobin, përjashtoi 10 anëtarë Partie dhe rekomandoi shkarkimin nga puna të 9 personave në arsim.

Dëmet ekonomike dhe industriale të Kosovës

7.         Më 14 dhjetor, Kryesia e Lidhjes Socialiste të Kosovës vlerësoi me trishtim ekonominë e Kosovës. Rritja ekonomike nuk po materializohej, produktiviteti po binte dhe ndërkohë që pagat vazhdonin të rriteshin, po kështu rriteshin edhe humbjet, të cilat në nëntë muajt e parë të këtij viti arritën në 1.85 miliard dinarë. Gazeta “Politika”, më 14 dhjetor raportonte pasojat shkatërrimtare të papërgjegjshmërisë dhe neglizhencës së përhapur në fabrikat e Kosovës (shih shkresën time dërguar për ju më 8 shtator, paragrafi 13). Gjatë dy muajve të fundit, dëmet e shkaktuara vetëm nga zjarret e vëna arrinin në 68 milionë dollarë, por kishte edhe mijëra raste mashtrimi apo kriminaliteti tjetër. “Shkaku kryesor i këtyre rasteve duhet të kërkohet kryesisht në marrëdhëniet e pazhvilluara vetë-menaxhuese, në plogështinë dhe papërgjegjshmërinë”, siç e përmblodhi një mbledhje e kohëve të fundit të Vetë-Mbrojtjes Sociale të Kosovës.

Gjuranoviq viziton Kosovën

8.         Më 11 dhe 12 dhjetor, Kryeministri Federal Veselin Djuranoviq vizitoi Kosovën i shoqëruar nga Ivan Stamboliq. Ata ndaluan në fabrika të ndryshme për të diskutuar problemet lokale me punëtorët dhe menaxherët. Raporti i mbledhjes së tyre me udhëheqësit kryesorë të Kosovës thoshte se proceset e përmirësimit dhe konsolidimit ishin tashmë në proces, “por situata politike dhe e sigurisë në Kosovëështë ende shumë e ndërlikuar dhe e rrethuar me probleme”. Duhej zbatuar politika e Platformës Politike të KQ të LKJ si dhe nevojitej që deri në fund të vitit të bihej dakord për Planin Social të Kosovës (Komiteti Krahinor i LKK do të mblidhet më 21 dhjetor për të diskutuar zbatimin në praktikë të Platformës).

Komente

9.         Siç përmendet në njoftimin e tretë të ambasadorit për Kosovën (paragrafi 12), Platforma Politike e KQ të LKJ e ka hequr përmendjen e përfshirjes së punëtorëve në trazira në Kosovë dhe rreth saj. Sidoqoftë, incidentet e fundit të përshkruara më lart sugjerojnë se trazirat nacionaliste të formave të ndryshme janë gjithsesi të pranishme në fabrika, shkolla dhe vende të tjera pune. Gjithashtu, megjithëse autoritetet qendrore janë duke minimizuar incidentet e fundit në Universitetin e Prishtinës, përsëri është e habitshme se jo pak studentë aty janë ende të patrembur për të rrezikuar dënime të rënda duke i përfshirë në lojëra të rënda nacionaliste.

                                                                                                                                  I Juaji

                                                                                                                      Charles Crawford

Për dijeni: P Rosling Esq, Zagreb

P Rennie Esq, Departamenti i Kërkimit, FCO

                                                           -130-

Konfidenciale

Kërkesë e ambasadorit jugosllav për Z. Bullard,

 23 dhjetor 1981

1.         Kërkesa e Z. Stamenkoviqit bëhej për të konfirmuar pozitën e Qeverisë së Madhërisë së Saj mbi pretendimet e qarta shqiptare për territorin jugosllav dhe për të bërë të qartë pozitën e Jugosllavisë. Duke iu referuar Notës që i është dorëzuar ambasadorit shqiptar në Beograd më 4 dhjetor (bashkangjitur), Z. Stamenkoviq tha se Jugosllavia dëshironte të mbante marrëdhënie të mira me Shqipërinë, por i duhej që të reagonte ndaj disa veprimeve të papranueshme. Shqiptarët dëshironin që të ndryshonte pozita e Kosovës, duke e shndërruar atë në Republikë brenda Jugosllavisë. Kjo ishte ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë. Hapi tjetër ndoshta do të ishte përpjekja për të përfshirë Kosovën brenda Shqipërisë. Hoxha kishte thënë disa vite më parë se qëllimi i tij ishte që të bashkonte të gjithë shqiptarët në një shtet. Jugosllavia kishte frikë se shqiptarët, të cilët ishin përpjekur të fitonin mbështetje në Perëndim për idetë e tyre, po përpiqeshin të destabilizonin të gjithë rajonin.

2.         Z. Bullard shpjegoi se meqenëse Britania nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, njohuritë tona mbi zhvillimet e atij vendi ishin të limituara. Ne nuk e dinim nëse incidenti i Kosovës ishte provokuar nga shqiptarët, megjithëse padyshim ata e kishin shfrytëzuar atë. Britania e konsideronte integritetin dhe pavarësinë e Jugosllavisë si shumë të rëndësishme dhe do t’i vinte keq për çdo gjë që mund ta dëmtonte këtë fakt.

3.         Megjithëse Z. Stamenkoviq pa një mundësi të Bashkimit Sovjetik që tëkenë ndërhyrë tek shqiptarët, ai tha se nuk kishte tregues që incidenti i Kosovës të jetë provokuar nga shqiptarët në përgjigje të vlerësimit të kërkesës së Spanjës për të hyrë në NATO.

4.         Pas disa vërejtjeve të përgjithshme për Poloninë, Z. Stamenkoviq iu kthye çështjes së rrezikut të destabilizimit në rajon dhe veçanërisht në Jugosllavi. Ai theksoi se Jugosllavia po bënte përpjekje reale për të kapërcyer vështirësitë e saj ekonomike. Ajo synonte të zgjeronte tregtinë e saj në Perëndim, ndoshta për shkak se në të kaluarën ishte përqendruar shumë nëtregtinë me Lindjen. Njerëzit ishin të gatshëm të bënin sakrifica. Ata kishin pranuar një rënie prej 7% në nivelin e jetesës si në vitin e kaluar, dhe në atë aktual.

Departamenti Sovjetik & i Evropës Lindore                                                      24 dhjetor 1981
Shpërndarë për:
Z. Bullard
Z. Broomfield, EESD
Z. Gray, EESD

Zyra e Kancelarit, Beograd.

                                                                       -131-

Konfidenciale

FM Beograd ZIGR 5028       


Situata e brendshme në Jugosllavi-Kosovë


1.         Situata në Kosovë ka ndryshuar që prej përshkrimit në telegramin e përmendur. Herë pas here vazhdojnë të zhvillohen demonstrata sporadike në shkallë të vogël si dhe akte të tjera proteste, por duket se autoritetet tani janë në gjendje të mbajnë situatën nën kontroll pa përdorimin e tepruar të forcës (megjithëse ende jo normale/jo plotësisht normale, situata në Kosovë duket se është normalizuar).
2.         Gjyqet në lidhje me demonstratat e pranverës së kaluar, duket se kanë mbaruar. Rasti i fundit që mori vëmendjen tonë ishte ai i shqiptarit etnik në Bosnje akuzuar se ka mbështetur statusin e Republikës për Kosovën. Ky rast sjell numrin e personave të gjykuar në 233. Në të ardhmen mund të ketë gjyqe të tjera në lidhje me protestat e kohëve të fundit: gjatë javëve të fundit ka pasur dy demonstrata të vogla në Universitetin e Prishtinës, disa shkarravitje të parullave dhe heqje të tabelave të qarkullimit jashtë qytetit të posa riemëruar të Mitrovicës së Titos. Shtypi vazhdon të pasqyrojë ngjarje të tilla në detaje.
3.         Komiteti Qendror i LKJ ka miratuar kohët e fundit “Platformën Politike”, e cila përmban një analizë të pakursyer të dështimit për të miratuar dhe zbatuar politika, të cilat autorët e raporteve besojnë se do të kishin parandaluar zhvillimin e nacionalizmit radikal në Kosovë. Rekomandimet e raporteve përfshijnë rritjen e mëtejshme të ndihmës ekonomike për Kosovën, masa për të siguruar se ndihma është kanalizuar në ndërmarrjet që krijojnë vende pune, dhe një gamë të gjerë masash të planifikuara për të forcuar lidhjet politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të Kosovës me pjesën tjetër të vendit. Një analizë me e detajuar do të dërgohet dorazi.
4.         Polemikat jugosllavo-shqiptare mbi çështjen e Kosovës vazhdojnë, ku asnjëra palë nuk tregon ndonjë gatishmëri për të ulur klimën politike, por marrëdhëniet ekonomike nuk janë cenuar. Më 10 dhjetor media jugosllave publikoi tekstin e një note proteste që i është paraqitur ambasadorit shqiptar këtu (më pas ai e ktheu përsëri) dhe në të njëjtën ditë njoftoi se në Tiranë ishte nënshkruar Protokolli i Tregtisë për vitin 1982. Tregtia midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë parashikohet të arrijë në 130 milionë dollarë amerikanë në vitin 1982.
5.         Në lidhje me përgjigjen ndaj shkresës së Crosbie (telegrami juaj i përmendur) besojmë se do të ishte me vend të jepej një përgjigje minimale, pasi kjo është çështje me ndjeshmëri tejet ekstreme këtu. Jugosllavët kanë reaguar me shumë ashpërsi ndaj prezantimit të “përfitimit për viktimat e Kosovës”, dhe çdo koment tjetër, nëse bëhet publik, mund të nxjerrë përgjigje të tillë të ngjashme. Do t’ju ishim shumë mirënjohës nëse do të kishit mundësinë të komentonit mbi hartimin e ndonjë përgjigjeje të mirëfilltë.

CCC/088 280800ZZLGR5028

                                                                               -132-

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                          Londër SW1A 2 AH
Shkëlqesisë së Tij                                                                                               24 dhjetor
Z. Edwin Bolland KCMG                                                                               
Beograd
I nderuar Edwin,

Çështja e Kosovës

1.         Ju falënderoj për telegramin tuaj të datës 7 dhjetor mbi vazhdimin e tensionit në Kosovë. E kemi dërguar për qarkullim nëdepartamentet përkatëse dhe do ta paraqesim dhe qarkullojmë për komente nga departamentet e interesuara. Nëse del ndonjë gjë me rëndësi të veçantë, do t’ju shkruaj përsëri.

2.         Siç keni bërë të qartë, Kosova e paraqet Federatën jugosllave me një problem thelbësor për të cilin nuk mund të ketë zgjidhje të lehtë. Siç e dimë shumë mirë në Mbretërinë e Bashkuar, çështjet e minoriteteve nuk zhduken dhe zhvendosja e përgjithshme etnografike brenda krahinës për të cilën keni tërhequr vëmendjen në paragrafin 14, ka të ngjarë që më shumë t’i acarojë sesa t’i lehtësojë vështirësitë.

3.         Sidoqoftë, ka tre aspekte të reagimit të autoriteteve jugosllave të cilat unë i shoh inkurajuese. Në radhë të parë, më duket se ato janë përballur me natyrën e problemit në mënyrë më të drejtpërdrejtë sesa ç’mund të ndodhte në shumë vende të tjera megjithëse mund të kenë bërë përpjekje që disa vështirësi t’i veshin me shkëlqimin e tyre ideologjik. Nuk ka përpjekje për t’i shpëtuar problemit duke e paraqitura të si thjesht një pasqyrim i përkohshëm i qeverisjes së keqe ose i disavantazheve sociale dhe ekonomike. Ka një pranim të qartë se thelbi i problemit qëndron në nacionalizmin e Kosovës (paragrafi 6).

4.         Së dyti, jugosllavët duket se kanë reaguar ndaj një goditjeje të papritur me forcë dhe realizëm. ‘Platforma’ përfaqëson një përpjekje pozitive praktike për trajtimin e problemit dhe megjithëse ne nuk i pëlqejmë disa nga aspektet ideologjike, kjo platformë është brenda kuadrit të sistemit jugosllav si përpjekje konstruktive për të vënë situatën nën kontroll.

5.         Së treti, ka një pikë më të gjerë ndaj së cilës ju keni tërhequr vëmendjen në paragrafin tuaj 17 sipas të cilit sinqeriteti i debatit si në shtyp dhe në Komitetin Qendror pasqyron një hap të rëndësishëm përpara drejt demokratizimit.

6.         Ne do të vëzhgojmë me interes hapat e mëtejshëm për t’u angazhuar në këtë problem me sigurinë se të paktën jugosllavët duket se do të vazhdojnë me një diagnozë të shëndetshme edhe nëse trajtimi mund të dalë më i vështirë nga sa ata e kanë parashikuar.

                                                                                                          I Juaji,
                                                                                                                 N H R A Broomfield
                                               Departamenti Sovjetik & i Evropës Lindore

-133-

Për përdorim të kufizuar

RR Beograd

RR Romë

RR Ankara

RR Athinë

GRS 60

FM FCO 211645Z dhjetor ‘81

Informacion rutinë për Beograd

Telegram nr. 181, i datës 21 dhjetor

Dhe informacion rutinë për Athinë, Romë, Vjenë, Paris, Ankara, dhe të ruhet për Uashington, Moskë, UKDEL NATO

Vdekja e kryeministrit

1.         Në mungesë të misionit tonë në Tiranë, do të ishim mirënjohës për çdo detaj që mund të arrini të nxirrni për rrethanat e vetëvrasjes së pretenduar të Shehut.

Carrington

Kopje për:

Znj. Lewis, Stafi i Vlerësimit

Zyra e Kabinetit

                                                           -134-

Për përdorim të kufizuar

GR 100

FM Athinë 221540Z dhjetor ‘81

Direkt për FCO telegram nr 450 i datës 22 dhjetor ‘81

Telegrami juaj nr. 181: vdekja e kryeministrit

1.         Mazarakis, Kreu i Drejtorisë së MPJ, i përshkruan rrethanat e vdekjes së Shehut si “shumë të çuditshme”. Sipas Ambasadës greke në Tiranë, ai u varros me nxitim. Qeveria shqiptare i ka thënë grekëve se në vdekjen e tij nuk do të ketë ndonjë ceremoni zyrtare dhe se nuk do të ketë mesazhe ngushëllimi. Ambasada greke ka raportuar gjithashtu zëra të papërmbajtura se Hoxha është plagosur, por nuk ka prova për ta mbështetur këtë.

Southerland

Kopje për

Znj. Lewis

Stafi i Vlerësimit

Zyra e Kabinetit

-135-

Për përdorim të kufizuar

GR 80

FM Paris 221446Z dhjetor ‘81

Direkt për FCO

Telegram nr. 1139, i datës 22 dhjetor 1981

Informacion për Beograd, Athinë, Romë, Vjenë, Ankara, Uashington, Moskë dhe UKDEL NATO

Telegrami juaj nr. 181 për Beogradin: vdekja e kryeministrit

1.         Departamenti i Evropës Lindore i QUAI shprehet se nuk ka informacion që mund të kundërshtojë versionin zyrtar sipas të cilit Shehu ka kryer vetëvrasje në gjendje depresioni nervor. Departamenti nuk është në dijeni të ndonjë informacioni që sugjeron se ai kishte probleme politike, dhe as nuk beson se ai ishte në një gjendje shëndetësore veçanërisht të keqe fizike, megjithëse, njësoj si disa nga kolegët e tij, Shehu kishte shkuar herë pas here për trajtim mjekësor në Francë.  

Hibbert

Kopje për

Znj. Lewis

Stafi i Vlerësimit

Zyra e Kabinetit

                                                           -136-

Për përdorim të kufizuar

GRS 270

Nga Beogradi 221507Z dhjetor ‘81

Prioritet për FCO

Telegram nr 229, i datës 22 dhjetor 1981

Informacion për Athinë, Romë, Paris, Vjenë, Ankara.

Informacioni të ruhet për Uashington, Moskë dhe UKDEL NATO

Telegrami juaj nr. 181: vdekja e kryeministrit

1.         Obradoviq, Zëvendës/Sekretari përgjegjës në SFPJ, në një bisedë me mua dhe Ambasadorët e tjerë më 19 dhjetor hedhin dyshime mbi vetëvrasjen e raportuar të Shehut. Ai sugjeroi se Shehu mund të jetë “hequr qafe” për shkak të dallimeve me Hoxhën, ndoshta mbi marrëdhëniet me Jugosllavinë. Ai nuk dha prova për të mbështetur këtë.

2.         Shtypi i sotëm ka një raport të “Tanjug-ut”, nën titullin “Dyshime për vetëvrasje”, ku pasqyrohen dyshimet e shtypit perëndimor (AFP dhe gazeta franceze ‘Çlirimi’) për vërtetësinë e vetëvrasjes së Shehut. “Tanjug” raporton se Radio Tirana nuk dha asnjë lajm për vetëvrasjen e Shehut deri plot 12 orë pas ‘Vetëvrasjes’; gjithashtu, raporton se nuk u dha asnjë detaj mbi atë që ndodhi, nuk pati asnjë ndërprerje të programit normal në Radio dhe se, sipas burimeve Perëndimore, në Tiranë nuk u mbajt asnjë ceremoni, nuk u ngrit flamuri gjysmë shtizë dhe as nuk u hapën librat e ngushëllimit. E gjithë kjo situatë do të dukej e zakonshme pas vdekjes së një personaliteti të lartë shtetëror.

3.         “Tanjug” raporton më tej se Shehu u shfaq për herë të fundit në publik më 16 dhjetor kur priti një delegacion nga Rumania për çështje ekonomike. Megjithëse i pranishëm në Kongresin e 8-të të Partisë në fillim të nëntorit, u vu re se ai nuk e ndoqi festimin e Ditës Kombëtare më 28 nëntor.

4.         Korrespondenti lokal i Reuters ka dëgjuar nga Ambasadori shqiptar se Ramiz Alija do të jetë numri 2 në Byronë Politike dhe Adil Çarçani do të bëhet Kryeministër.

FCO, Ju lutem telegrami të dërgohet në adresat e mësipërme.

Bolland

                                           [Të përsëritet sipas kërkesës]

Kopje për:

Znj. Lewis

Stafi i Vlerësimit, Zyra e Kabinetit

-137-

Konfidenciale

Telegram Romë nr. 322

GR 320

Nga: R Culshaw

Dosja REF: 020/18                                                                                             23 dhjetor 1981

Për ndjekje: J C R Gray Esq., EESD

D. I. Miller Esq., Beograd

Vdekja e kryeministrit të Shqipërisë

1.         Telegram i FCO 181 për Beogradin.

2.         Vinci Giacchi, Kreu i Departamentit Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), më tha dje se italianët nuk kanë informacion të saktë mbi vdekjen e Shehut. Ambasadori i tyre, Gentile, ka vetëm tre muaj që qëndron në Tiranë dhe ende nuk ka kontakte mjaft të mira për të mësuar thelbin e ngjarjes.

3.         Vinci Giacchi tha se gjithsesi MPJ nuk (nuk) ishte e prirë që të besonte versionin zyrtar të vdekjes së Shehut si vetëvrasje. Në Kongresin e Partisë në Nëntor ai nuk kishte dhënë shenja sëmundjeje të rëndë apo të depresionit nervor. Ai mund të ketë pritur të ketë shumë vite të tjera në jetën aktive politike. Për më tepër, qëndrimi i qeverisë shqiptare pas vdekjes së tij dukej shumë i çuditshëm: Shehut nuk i ishin bërë të gjitha nderimet e duhura që i takonin si Kryeministër.

4.         Hamendësimi më i fortë i Vinci Giacchit ishte se midis Hoxhës dhe Shehut ishte krijuar diferencimi politik mbi marrëdhëniet me Jugosllavinë ose mbi shkallën e hapjes ndaj Perëndimit që duhej të mbante Shqipëria; ai gjithashtu hamendësonte se Hoxha kishte vendosur ta zëvendësonte atë me dikë tjetër më të bindur. Një tjetër motiv i mundshëm ishte xhelozia për Shehun i cili po fitonte popullaritet. Vinci Giacchi tha se Italia nuk priste ndonjë ndryshim të rëndësishëm në politikat e Shqipërisë pas vdekjes së Shehut. Vendin e tij do ta zinte ndoshta zëvendësi i tij.

5.         Në përfundim, Vinci Giacchi tha se në Tiranë ishte arritur një marrëveshje në parim nga mesi i dhjetorit për të filluar shërbimin me traget nga Bari në Durrës. Motivi i Shqipërisë ishte ndoshta që të ri-siguronte veten ndaj ndonjë ndërhyrjeje në rrugët e saj të furnizimit përmes Jugosllavisë: E vetmja alternativë tjetër praktike ishte rruga për në Athinë, por një gjë e tillë kërkonte shumë punë që të arrinte të ndërmerrte rrugë të rregullta me kamionë.

6.         Për EESD: Ju lutem dërgoni kopje të këtij telegrami me faksimile për marrësit e tjerë të telegramit të FCO nr. 181, sipas rastit.

Nënshkruar nga: R Culshaw

-138-

Konfidenciale

GRS 200

FM Beograd 231450Z dhjetor ‘81

Prioritet për FCO

Telegram nr. 232, i datës 23 dhjetor 1981

Informacion rutinë për Athinë, Romë, Paris, Vjenë dhe Ankara, të përsëritet për Uashington, Moskë, UKDEL NATO.

Telegrami im nr. 229: vdekja e kryeministrit

1.         Ambasadori amerikan më dha sot informacionin shtesë në vijim duke sugjeruar gjithashtu se vdekja e Shehut nuk ishte vetëvrasje por rezultat i një mosmarrëveshjeje të panjohur politikash me Hoxhën.

2.         Melovski, Zëvendës/Sekretar në MPJ, duke folur personalisht, tha se dyshonte që Shehu të ketë kryer vetëvrasje pas një krize nervore, por arsyetoi se mbase ai ka kundërshtuar izolacionizmin fanatik të Hoxhës dhe në vend të kësaj, ka debatuar për marrëdhënie më normale me botën e jashtme. Melovski, duke u kujtuar se i kishte takuar Shehun dhe Hoxhën tridhjetë vjet më parë, e krahasoi të parin si një person racional që ishte i mësuar të merrej me botën reale, ndërsa të dytin si një person që ishte i paparashikueshëm dhe që “jetonte në ndonjë planet tjetër”.

3.         Anderson tha se Grlickov, anëtar i Kryesisë së Partisë, i kishte thënë atij më 22 dhjetor se edhe ai nuk besonte që Shehu të ketë kryer vetëvrasje por spekuloi duke thënë se Shehu nuk ishte pajtuar me Hoxhën për një numër ligjesh të rëndësishme që po diskutoheshin aktualisht në Parlamentin shqiptar.

4.         Ambasadori shqiptar i kishte thënë Ambasadorit austriak se Tirana nuk dëshironte që Kreisky të dërgonte ndonjë mesazh ngushëllimi për vdekjen e Shehut.

5.         FCO, Ju lutem telegram të dërgohet në të gjitha adresat e ruajtura.

Bolland

                                           [Të përsëritet sipas kërkesës]

Kopje për

Znj. Lewis

Stafi i Vlerësimit

Zyra e Kabinetit

                                                                       -139-

Konfidenciale

GRS 75

FM Vjenë 231625Z dhjetor ‘81

Direkt për FCO

Telegram nr. 270, i datës 23 dhjetor

Informacion rutinë për Beograd, Romë

Informacioni të ruhet për Athinë, Paris, Ankara, Uashington, Moskë dhe UKDEL NATO

Telegrami juaj nr. 181 për Beogradin: vdekja e kryeministrit të Shqipërisë

1.         Departamenti Lindor i MPJ nuk ka informacion që të kundërshtojë linjën zyrtare shqiptare sipas së cilës Shehu ka kryer vetëvrasje në gjendje depresioni.

2.         Ambasada amerikane këtu ka dëgjuar raporte nga Roma ku sugjerohet se vetëvrasja e Shehut është organizuar me qëllim që “të hiqej qafe”.

FCO, Ju lutem telegrami të dërgohet në adresat e mësipërme.

Lush

                                           [Të përsëritet sipas kërkesës]

Kopje për

Znj. Lewis

Stafi i Vlerësimit

Zyra e Kabinetit

-140-

ENA 014/1                                                                                                  Ambasada britanike         

D G Manning Esq                                                                                                            Moskë                                                         

EESD                                                                                                             Ref jonë: A 021/8

FCO                                                                                                                   24 dhjetor 1981

I nderuar David,

Vdekja e kryeministrit të Shqipërisë

Gazeta “Pravda” e datës 20 dhjetor ka cituar fjalë për fjalë raportin e dhënë nga Agjencia e Shtypit shqiptar mbi vdekjen e Shehut. Nuk kishte komente.

                                                                                      E Juaja

                                                                                 Anne Jackson

Për dijeni:

Departamenti i Kërkimit, FCO;

Zyra e Kancelarit, Beograd

-141-

Konfidenciale

GRS 290/6

FM Ankara 281235z dhjetor ‘81

Përparësi për FCO

Telegrami nr. 257, i datës 28 dhjetor

Informacion rutinë për Beograd, Athinë, Romë, Paris dhe Vjenë.

Informacion i ruajtur për Uashington, Moskë, UKDEL NATO.

Telegrami Juaj Nr. 181 për zyrën e Beogradit: vdekja e kryeministrit të Shqipërisë

1.         Kreu i Zyrës së Kancelarit diskutoi çështjen e Shqipërisë me oficerin e informacionit në MPJ turke më 28 dhjetor. Duke theksuar faktin se në mënyrë të pashmangshme ai po tregohej disi spekulativ, Turker tha se turqit nuk e besonin që Shehu të kishte vrarë vërtet veten. Sipas informacioneve të tyre, ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore si nga pikëpamja mendore dhe fizike. Ata mendonin se Shehu ishte detyruar të vriste veten, ose ishte vrarë, pasi kishte humbur luftën për pushtet me ata që aspironin të pasonin Hoxhën.

2.         Turqit mendonin se në themel kjo luftë është zhvilluar midis një grupi (të udhëhequr nga Shehu) që favorizonte politikën izolacioniste, dhe grupit të atyre që do të dëshironin të shihnin një politikë më “shumëpalëshe” pas epokës së Hoxhës. Grupi i fundit, i udhëhequr nga Ramiz Alia (paragrafi 4 i telegramit nr. 229 të Beogradit), duket se është në pozitë më të fortë sot, të paktën përkohësisht. Që prej vdekjes së Shehut, e veja e tij, me sa duket, është arrestuar dhe është nxjerrë para gjyqit, por Turker nuk e dinte me çfarë akuze.

3.         I pyetur se çfarë roli mund të ketë pasur Hoxha në vdekjen e Shehut, Turker tha se besonte që Hoxha kishte ende kontroll të fortë dhe kështu pothuaj, pa dyshim, duhet të ketë dhënë miratimin e tij paraprak për eliminimin e Shehut, megjithëse mund të mos ketë qenë iniciatori i idesë.

4.         Ambasadorit turk në Tiranë i është lënë të kuptojë në mënyrë diskrete, por të qartë nga autoritetet shqiptare se nuk (nuk) ishte e nevojshme për mesazhe ngushëllimi apo formalitete të tjera.

Ju lutem të ruhet kopje për Washington, Moskë, UKDEL NATO.

Laurence

[Të përsëritet sipas kërkesës]

Kopje për

Znj. Lewis

Stafi i Vlerësimit

Zyra e Kabinetit

____________

 F U N D

© Pashtriku.org

——–

Kthehu në fillim të librit:

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (I)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura