POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (9)

Nga arkivi i facebookut, 21 shkurt 2023

POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (9)

Nga Sheradin Berisha, Prill 2024

Sheradin Berisha

PËRGJIGJIET …

Nuk e di shokët e PKMLSHJ-së (Abdullah Prapashtica, Osman Osmani …., Nuhi Sylejmani ) a kanë marrë përgjigje me shkrim nga shokët e LNÇKVSHJ -së, në rastin konkret nga kreu i redaksisë së ZiK-ut, në Suedi, Xhafer Durmishi, (ku i kanë dërguar dy letrat e mësipërme), por sidoqoftë Xhafer Durmishi, me rastin e botimit të letrave në ZiK ka dhënë përgjigje të gjerë!

Ndërkaq edhe shokët e OMLK-së, në këtë kohë (pas largimit të Xhafer Shatrit, Xhafer Durmishit, …etj.) që përbënin KQ të LRSSHJ-së, kanë dhënë një përgjigje në prill 1985, jo vetëm për shokët e PKMLSHJ-së që nxirrnin gazetën “Punëtorët”, por i drejtohen edhe “Zërit të Kosovës” që dilte në Suedi…

***

Çka kërkonte KQ i LRSHJ-së nga “Grupet që kanë kërkuar bashkimin”?

Ju ftojë të lexoni letrën (qarkoren) e KQ të LRSSHJ-së dërguar:

KOMITETEVE DREJTUESE DHE KOMITETEVE

TË RRETHEVE TË LRSSHJ-së

Shokë dhe shoqe,

Kohëve të fundit, në KQ të LRSSHJ-së, nga grupe individësh në botën e jashtme kanë ardhur kërkesa (gojore e me shkrim), me dëshirën për të ardhmen deri te një bashkim.

Këto grupe gjatë viteve 1982 e 1984 dolën nga LRSSHJ dhe një pjesë e tyre nxori organin “Punëtorët” e një pjesë tjetër nxori në Suedi gazetën me të njejtën emër si të organit të LRSSHJ-së – “Zëri i Kosovës” duke formuar një “Lëvizje” të re për Republikën e Kosovës.

Të gjithë ata që po kërkojnë bashkim nuk kanë shtruar asnjë kusht.

Duke e ditur dëshirën dhe vullnetin e mirë të elementëve dhe kuadrove të shëndoshë, patriotëve dhe revolucionarëve, posaçërisht nga radhët e klasës punëtore që punon dhe vepron këtej, si dhe duke e parë të nevojshme dhe parimore që secilit që dëshiron për të luftuar në një front të përbashkët për realizimin e kërkesave të popullit të Kosovës, t’i krijohet mundësia për t’u bashkuar në organizatën gjithëpopullore – LRSSHJ, KQ është i mendimit që t’i marrë parasysh këto kërkesa që janë bërë dhe, juve, shokë e shoqe, po ua paraqesim si PROPOZIM për diskutim këto KUSHTE që do t’u parashtronim këtyre grupeve për BISEDIME rreth bashkimit:

1. Grupet që kanë kërkuar bashkimin, a janë grupe me celula apo pa celula. Nëse janë grupe pa celula atëherë nuk mund të shtrohemi për bisedime si me palë.

2. Nëse këto grupe me celula, e konsiderojnë veten organizata (pavarësisht se këto dikur qenë ndarë nga gjiri i LRSSHJ-së), le ta dëshmojnë ekzistencën dhe punën e tyre si organizata duke treguar rrjetin e tyre organizativ, si jashtë ashtu dhe brenda.

(Këtë punë verifikimi duhet ta kryejë një komision i posaçëm i LRSSHJ-së dhe pastaj të shtrohemi apo të mos shtrohemi për bisedime).

Gjatë bisedimeve rreth bashkimit si kushte do t’u paraqesim këto:

1. Të dënohet bashkimi i 17 shkurtit dhe 15 majit 1982, i cili ishte një bashkim krerësh e jo organizatash dhe nuk ishte aspak bashkim e organizim i masave.

Një bashkim dhe organizim i masave, si jashtë ashtu edhe brenda, e patën shtruar drejt në verën e vitit 1981 OMLK në “Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës” dhe në përpjekje e sipër për t’i vënë në jetë ranë shokët: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Këto “Teza…” u shkelën pikërisht një muaj pas rënies së tyre, në bashkimin e 17 shkurtit 1982.

2. Të definohet se çfarë organizate po ndërtojmë: Parti a organizatë të masave apo front popullor i gjithë masave.

3. Të ndërpritet agjitacioni e propaganda si dhe veprimet kundër marksizëm-leninizmit – veprime këto që shkojnë në dëm të unitetit dhe luftës sonë për Republikë.

4. Në bisedime të marrim pjesë nga tre përfaqësues prej secilës palë.

5. Në bisedime nuk mund të marrin pjesë krerët e bashkimeve të 17 shkurtit dhe 15 majit 1982.

6. Ndonjë bashkim eventual mund të bëhet dhe shpallet vetëm si bashkim i emigracionit përparimtar jashtë Kosovës dhe i organizuar në kuadër të një dege të jashtme të LRSSHJ-së që duhet të ndërtohet, zgjerohet dhe funksionojë brenda në Kosovë.

Nëse këto kushte, që do t’u vihen për bisedime atyre që po kërkojnë bashkimin do të diskutohen, plotësohen dhe të bëhen vërejtje dhe orientimet e nevojshme edhe nga ju (që të aprovojmë unanimisht), ne do t’u hymë bisedimeve për bashkim; në të kundërtën duhet t’u themi qartë përse nuk duam as bisedime, as bashkim!

Përshëndetje revolucionare

KQ i LRSSHJ

Prill, 1985

Burimi: Faridin Tafallari: Terror, dhimbje, qëndresë, faqe 255 – 256.

***

Sheradin Berisha

EMËRTIMET E KRAHËVE TË LRSSHJ-së NGA SHOKËT E PARTISË!

Në fakt shokët e LRSSHJ-së nga krahu i PKMLSHJ-së, letra për bashkëpunim me shokët e LRSSHJ-së nga krahët e LNÇKVSHJ dhe OMLK-së, shkruajnë edhe në vitin 1984. Madje bëjnë edhe propozime që krahëve të LRSSHJ-së t’u jepen emra të dëshmorëve!

Nuhi Sylejmani (Luani) në faqen 6 të letrës që e shkruan, së bashku me krerët e partisë (PKK) Abdullah Prapashtica dhe Osman Osmani (më 30.04.1984), dërguar Mërgimit (Sabri Novosellës) thotë:

“P.S. Kaluen dy vite nga Bashkimi dhe nga themelimi i LRSSHJ unike kurse ne po përdorim emrat e Org. të maparme OMLK, PKMLSHJ dhe LNÇKVSHJ e kjo ndikoi që ndasija sektare të mbetet si pykë përqarëse duke bër të lekundëshme unitetin në LRSSHJ, e kete e shfrytzoi edhe armiku e veglat e tij. Kjo praktik duhet të nderprehet menjiher dhe të veprohet vetem në emen të LRSSHJ dhe në emër të Org. e të levave të mbrendshme të LRSSHJ.

Në lidhje me këte propozoi që tani e tutje në vend se të përdoret krahu OMLK, të quhet “dega e LRSSHJ – Kadri Zeka”, në vend të PKMLSHJ të quhet “dega e LRSSHJ, AFRIM ABAZI” dhe në vend të LNÇKVSHJ të quhet “dega e LRSSHJ-ës VLLEZRIT GERVALLA.”

(Burimi: Luani (Nuhi Sylejmani) letër për Mërgimin (Sabri Novosellën) datë 30.04.1982, faqe 6)

***

Dhe me këto emërtime të krahëve të LRSHJ-së, Luani (Nuhi Sylejmani) me autorizimin e shokëve të KD të LRSSHJ-së (Abdullah Prapashtica, Osman Osmani, Faton Topalli etj), më 20 maj 1984 i shkruan letër “Anëtarëve të Komitetit Drejtues të LRSSHJ -së ” KADRI ZEKA”, Shokut HM (Hasan Mala) dhe Shoqes SZ (Saime Zeka):

***

Dëshmi arkivore: Lexoni faksimilin e letrës

***

Sheradin Berisha

LETËR KRAHUT (DEGËS) TË LRSSHJ “VËLLEZËRIT GËRVALLA”

Më 10 qershor 1984, Luani (Nuhi Sylejmani) së bashku me shokët e partisë të krahut të LRSSHJ-së “AFRIM ABAZI”, Abdullah Prapashtica, Osman Osmani …) i shkruajnë letër (me dy faqe) shokut Mërgim (Sabri Novosella) për anëtarët e KD (Degës së LRSSHJ) “Vëllezërit Gërvalla”…

***

Dëshmi arkivore: lexoni faksimilin e letrës:

***

Sheradin Berisha

OSMAN MEQË DERI TASH PËRGJIGJE, T’I KTHEHEMI SHKUARJES TUAJ NË TURQI

I nderuar Osman Osmani

Meqë nuk i dhatë deri më tani përgjigje konkrete, t’i rikthehemi edhe një herë shkuarjes tuaj më 16 korrik 1982 në Turqi, (së bashku me Sahit Tofajn, me makinën e tij), atje ku ishte i strehuar kryetari i Partisë, Abdullah Prapashtica.

Gjatë shfletimit të letërkëmbimeve të veprimtarëve të LRSHJ, të cilat i kam në arkivin tim, e lexova një letër të LLESHIT (Xhafer Shatrit) dërguar GJERGJIT (Xhafer Durmishit) më 25 korrik 1982, dhe qysh në fjalitë e para të kësaj letre Lleshi i shkruan Gjergjit lidhur me shkuarjen tuaj në Turqi.

Siç e kemi thënë, Nuhi Sylejmani në faqen 150 të librit “Vrasja e trefishtë…” lidhur me udhëtimin tuaj për në Turqi ka shkruar:

“Të premten e 16 korrikut, erdhën për vizitë Sahit Tofaj, Hysen Spahiu, Osman Osmani dhe Hasani nga Podujeva. Ata më tepër kishin ardhur të përshëndeteshin me mua, pasi që kishin vendosur të udhëtonin për Turqi.”

Dhe më 25 korrik (9 ditë pas shkuarjes tuaj në Turqi) Lleshi i shkruan Gjergjit si vijon:

“I dashuri shok Gjergj,

i mora dy letrat e tua të fundit dhe nga e para e kuptova se ti akoma s’i ke marrë tri letrat e mia, ndërsa e dyta ishte e gjymtuar, sepse i mungonin dy faqet e para dhe nuk e dija se kush janë ata dy të tjerët që paskan dalë prej ku dhe pse, përndryshe dihej se ajo është në kontekst me Halimin, i cili është dashur të na lajmëroj para se të shkoj në T. (Turqi) dhe t’ia japim disa porosi për shokët atje, pastaj s’di si ka guxuar të rrezikojë e të shkojë me veturë nëpër Jugosllavi kur ai është dekonspiruar.”

***

A mund ta sqarosh më konkretisht tani shkuarjen tuaj në Turqi:

***

Ilustrim nga arkivi i pashtrikut

Ciktimi nga letra e Lleshit dërguar Gjergjit më 25 korrik 1982:

Sheradin Berisha

PROPOZIMI I LIDERIT PËR BASHKIMIN E LËVIZJES ME L.K TË KOSOVËS!

Është e çuditshme! Në një letër të Mërgimit dërguar Skënderit, lideri i PKK-së propozon që të bashkohet Lëvizja me L. K. të Kosovës (LK=Lidhjen Komuniste)!

Dëshmi arkivore:

Letra e Sabri Novosellës dërguar për Xhafer Durmishin, më 12 korrik 1982

I dashur Vëlla, 12 korrik 1982

Letrën tënde dërguar në adresën e fundit e mora. Edhe të tjerat do t’i marrë nesër pasi ende nuk mujta me shkua e me i marrë.

Bukur fort u mërzita për mos nxjerrjen e Hydajetit para gjyqit me shokë. Kjo bënë me kuptuar se, ose është i vdekur, ose është i shkatërruar në çdo pikëpamje.

Më së tepërmi po më mërzitin gabimet krejt të panevojshme. Të ngritet njeriu kryesor i një organizate dhe të hyj në mes të zjarrit pa pasur kurrfarë nevoje, është naivitet i madh. Kjo është mosnjohje e matematikës politike. Shumë lehtë ke mujtë me qenë edhe ti atje.

Rasti i Halimit (Osman Osmanit) po më brengos bukur fort, nuk po mundem me i kuptua këta njerëz. Nga një anë shokët që i kanë organizuar në mënyrë të çoroditur të gjithë i kanë në burg e nga ana tjetër bëjnë aso propozimesh, thua se e tërë Kosova është në duar të tyre. Tani lideri (Abdullah Prapashtica) na ka dalë me një propozim të ri: Të shpallet formimi i Republikës së Kosovës. Që të mos zgjatem më tepër, kam krijuar bindjen se, ky njeri është i krisur, sidomos pas propozimit të tij që të bashkohet Lëvizja me L. K. të Kosovës (LK=Lidhjen Komuniste) dhe propozimit të fundit që e ceka më lart.

Pa marrë parasysh të gjitha, duhet të jemi të matur, të bëjmë çmos që t’i largojmë nga paqartësirat e tyre e t’i kthejmë në rrugë që të bëhen sado pak të dobishëm për çështje. Nga ana tjetër, edhe me qenë të këqij s’kanë çka na bëjnë, pasi për njerëzit tonë në Kosovë nuk dinë as imtësinë më të vogël, kurse për shokët përjashta, s’kanë çka të bëjnë. Fjalën e kam jo nga tradhtia por nga magarllëqet e tyre. Gjithsesi ruaje gjakftohtësinë, sillu sa më mirë me ta. Kam bindjen se sidomos i vogli (Qemajli – Faton Topalli) mundet me u bërë kuadër i mirë. Edhe se ju kanë burgosur shokët kryesor, prapë se prapë ndonjë bisht ju ka mbetur e ata bishta munden një ditë të bëhen degë.

Besoj se të ka ardhur një letër me disa adresa nga e cila shifet se unë mbaj lidhje bukur të forta me Valon Kosovën i cili është njëri nga kryesorët të revistës së re “Iliria”. Ai për mua nuk din asgjë, bile as emrin tim. Ai më ka njohur si Omer me disa fjalë të mira mbrapa e asgjë më tepër. Nga një shok unë e njoh në hollësi. Tani më nuk ka si të bëhet i keq, pasi atë e presin vetëm plumbat nga Jug. (Jugosllavia) e asgjë tjetër. Përndryshe e ka një rreth bukur të mirë. Jam duke u angazhuar që ta krijojmë një Degë të L. në Belgjikë.

Para sa kohës Uka (Xhafer Shatri) më ka propozuar, që kur të piqen kushtet, ta nxjerrim një revistë letrare me titull “Iliria”. Këtë propozim ia përcolla Valonit.

(Sabri Novosella)

_____

Ilustrim nga arkivi i pashtrikut: Letra e Sabri Novosellës për Xhafer Durmishin

Sheradin Berisha

QARKORE E BRENDSHME (E LRSHJ-së) LIDHUR ME RASTIN E ISH-PKMLSHJ (PARTIA KOMUNISTE MARKSISTE – LENINISTE E SHQIPTARËVE NË JUGOSLLAVI), NË VITIN 1983

Qarkore e brendshme lidhur me rastin e ish-PKMLSHJ (shkruar nga Xhafer Shatri në emër të redaksisë të Zërit të Kosovës)

**

Kohët e fundit ka nisur të shpërndahet nëpër Gjermani një broshurë me titull “Platforma Politike, Programi dhe Statuti i OS (orgnizatës sindikale) Bashkimi i Punëtorëve të Kosovës”.

Në këto 40 e sa faqe (46 faqe – shënim i redaksisë së Pashtrikut) ka gjithçka, prandaj kësaj radhe s’po e analizojmë fare përmbajtjen e saj, le ta bëjë këtë vetë lexuesi, por po e analizojmë atë çka i parapriu kësaj.

(…)

Në mërgim (në Turqi më 16/17 shkurt 1982 – shënim i redaksisë) janë zhvilluar bisedime në mes tij (Abdullah Prapashtica, Osman Osmanit dhe Faton Topallit – shënim i redaksisë) dhe shokëve të ish LNÇ-së (Sabri Novosellës dhe Xhafer Durmishit – shënim i redaksisë) … ka ardhur te bashkimi dhe formimi i LRSHJ, jo LRSSHJ.

Përkundër kësaj nuk është zhvilluar kurrfarë aktiviteti, kjo ka mbetur anonime, çështje e tre-katër njerëzve. Në Maj, më 14 e 15 Maj, janë zhvilluar bisedime edhe me përfaqësus të ish OMLK (Xhafer Shatrin dhe Hasan Malajn – shënim i redaksisë), ka ardhur gjer te bashkimi, gjegjësisht formimi i LRSHJ-së, për këtë ekzistojnë dokumente. Në bisedime kanë qenë dy përfaqësues të organizatave të mëparshme (Xhafer Durmishi dhe Osman Osmani – shënim i redaksisë) si përfaqësues të organizatave të tyre.

Kur ka ardhur te botimi i komunikatës, përfaqësuesi i ish-OMLK (Xhafer Shatri – shënim i redaksisë) ka insistuar që ajo të përpunohet pak, po në esencë të mbetet e njëjta dhe i ka bërë ndonjë plotësim, ashtu siç qe vendosur dhe e ka dërguar në botim, mirëpo përfaqësuesi i ish PK (Osman Osmani – shënim i redaksisë) ka insistuar që në komunikatë të futet se prijëse ideore e Lëvizjes të jetë Partia Komuniste, gjë që në fillim tingëllonte fare padjallëzisht… Njeriu, kur të bashkohet me dikënd, të luftojë për të njëjtin qëllim, aty s’ka asnjë vend dyshimi; me thënë të drejtën, sikur të mos ishte përf. e LN (Xhafer Durmishi – shënim i redaksisë), kjo do të bëhej, mirëpo ai, duke i njohur më mirë, ua hetoi qëllimin dhe, kuptohet, doli komunikata që thotë se LRSH është një organizatë unike e operative.

(VIJON…)

***

Sheradin Berisha

VAZHDIM I QARKORES

Qarkore e brendshme lidhur me rastin e ish-PKMLSHJ (shkruar nga Xhafer Shatri në emër të redaksisë të Zërit të Kosovës)

U zgjodhën organet e përkohshme udhëheqëse, por në mbledhjen e tyre mungonte përf. i PK. (Osman Osmani – shënim i redaksisë). Ai insistonte rregullisht që të flasim vetëm në katër sy. Fillimi si çdo fillim nuk na mundësonte takime të shpeshta, nisëm të letërkëmbejmë, shoku i PK nuk përgjigjej në letra, më vonë njëri prej tyre (Luani – Nuhi Sylejmani – shënim i redaksisë) shtroi në një letër të gjatë propozime të shumta që dukeshin të papranueshme, ndër të tjera insistonte që të formohen organizata të brendshme si Fronti Demokratik, organizata e gruas, e pionierëve etj., gjë që për realitetin kosovar kjo është e pamundur: në një shtet totalitar të tipit më fashist t’i shkapëderdhësh njerëzit, kjo është vetëvrasje.

Në të tjera kushte ka vepruar PKSH (Partia Komuniste e Shqipërisë – shënim i redaksisë), ajo e ka pasur malin dhe armikun që ka qenë aty prej një ose dy vjetësh, pra armik me rrënjë të cekta, ndërsa Kosova është krejt diçka tjetër.

VIJON…

_____

Ilustrim nga arkivi i pashtrikut: Letra me tri faqe e N.S (Nuhi Sylejmanit) – Luanit, dërguar më 10 Gusht 1983, shokëve të krahut të OMLK-së, në emër të shokut Ukë (Xhafer Shatrit).

***

Sheradin Berisha

VAZHDIM I QARKORES

Qarkore e brendshme lidhur me rastin e ish-PKMLSHJ (shkruar nga Xhafer Shatri në emër të redaksisë të Zërit të Kosovës)

***

Në këto shkresa kemi dhënë përgjigje dhe kemi shprehur mendimet tona. Kemi insistuar për një takim, sepse e pamë se veç ia kanë nisur t’i përçajnë radhët tona, të organizojnë edhe njerëzit e organizuar, duke u shërbyer me shpifje dhe dinakëri krijuan konfuzion të madh sidomos në rrethin e Shtutgardit. Kjo reflektohej keq te punëtorët.

U përpoqëm të bisedojmë bashkarisht për këto probleme, por u iknin takimeve, njëherë udhëtuam me mijëra kilometra për t’u takuar, por ai burri i botës i iku takimit, vetë shoku i tij më i ngushtë ikjen e tij e çmoi si tradhëti. Ky rast pati pasoja të mëdha. Herën e dytë i shkruam letër urgjente që të propozojnë se ku po shihemi dhe kur bile morëm përsipër që të udhëtojmë 5000 kilometra, me rreziqe të shumta, por përgjigje morëm vetëm pas dy muajsh, kuptohet përgjigje negative. Shkruanim herë pas here, nuk kthenin përgjigje, apo më mirë shërbeheshin me arsyetime që s’ishin gjë tjetër veçse gënjeshtra fare të paskrupullta.

Duke e parë se çdo gjë është e kotë, edhe ne e ndërpremë letërkëmbimin aty nga viti i ri (1983/84) duke u thënë se kur të bëhen gati le të na shkruajnë në ZK e ne do t’u japim përgjigje. Atë ditë e sot nuk kemi marrë letër. Gjersa marrëdhëniet nuk ishin aq të ftohura, ata e shpërndanë një trakt disafaqesh me konglomerat idesh, por në të kishte edhe gjëra të mira; për shpërndarjen e këtij trakti kemi marrë vesh pasi na ka ra në dorë. Disa herë kanë premtuar se do të shkruajnë për ZK, këtë e kanë bërë shumë rrallë dhe punimet kanë qenë krejtësisht të dobta, fare të papërpunuara, kanë premtuar se do të dërgojnë informata për një dëshmor të ri, Afrim Abazin, këtë s’e kanë bërë kurrë.

VIJON ….

***

Xhafer Shatri

O Sheradin, o Shoqi jem!

O qillu ramazan e ashtë rrezik që këo shkresa me na e prishë barkun… e me ë edhe ramazanin!

Por a e merr vesh ti këtë hall? Jo, qe besa, as që ninë! Ti do me i informu njerëzit sakt dhe përmes dokumentesh autentike. A mundet me të ndale dikush? Jo, qe besa, se s’ka mujt as policia e Titos e le ma unë që jam ma e mbrama birë e kavallit dhe tash as gruaja s’po ninë për zhupan!

Hajde shëndet e të mira!

***

Sheradin Berisha

Xhafer Shatri

Historia është shkencë, dhe nuk shkruhet me imagjinatën e shkrimtarit apo të gazetarit! E aq më pak me emocion të llafazanëve! Shëndet e shumë gëzime 🤝

***

VIJON …

© Pashtriku.org

___________________________

Nga arkivi i facebookut, 21 shkurt 2023

POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (10)

Nga Sheradin Berisha, Prill 2024

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura