(Pashtriku.org, 10. 03. 2013) – Fundi i Luftës së Dytë Botërore, rezultoi me zgjedhë të re për Kosovën dhe popullin shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë së vitit 1912. Pavarësisht prej çmimit të shtrenjtë që shqiptarët paguan në luftën kundër fashizmit dhe pavarësisht prej parimeve të proklamuara nga aleatët jugosllavë në këtë luftë, Kosovës dhe shqiptarëve të saj iu mohua e drejta themelore e shprehjes së vullnetit politik të artikuluar në Rezolutën e Bunjajt. Pozita e re koloniale e tyre u sanksionua në kuvendin famëkeq të Korrikut të vitit 1945 të mbajtur në Prizren, i përgatitur në rrethanat e regjimit të administrimit ushtarak, i vendosur në Kosovë qysh në muajin shkurt të atij viti. Pas këtij kuvendi, për shqiptarët në Kosovë e në viset e tjera shqiptare nën Jugosllavinë socialiste të Titos, jeta koloniale ndryshoi vetëm formën por jo edhe përmbajtjen. Metodat e shtypjes, dhunës dhe shfrytëzimit mbretëror serbo-kroato-slloven ndaj shqiptarëve u zëvendësuan me ato të socializmit jugosllav, që në thelb personifikonte regjimin kriminal të pushtetit serb.
Forma e re e skllavërisë për Kosovën dhe shqiptarët u kamuflua me frazeologjinë komuniste dhe me demagogjinë e të ashtuquajturit vëllazërim-bashkim të popujve të federatës jugosllave. Në të njëjtën kohë, nga gjiri i shqiptarëve u fuqizua një kastë kolaboracionistësh, e cila u përkushtua me devocion në shërbim të regjimit në Beograd. Tradhtarët shqiptarë, si Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mehmet Hoxha, Ali Shukria, Kolë Shiroka, Sinan Hasani, Veli Deva, Mehmet Maliqi e të tjerë, të shquar edhe në përiudhën e kryengritjes së Drenicës, por edhe gjatë tërë periudhës së pushtetit ushtarak, të veshur me aoreolën e pushtetit, shfrytëzuan të gjitha mjetet për ta paraqitur skllavërinë e re jugosllave si parajsë dhe si të vetmen rrugë për prosperitetin dhe lirinë e bashkëkombësve të tyre. Po ashtu, ata bënë të gjitha përpjekjet për të futur urrejtjen e shqiptarëve të Kosovës kundër shtetit shqiptar dhe për të shkaktuar përçarje brendakombëtare.
Në këto rrethana, populli shqiptar i Kosovës, i hyrë në skllavërinë e re i rraskapitur nga lufta, i tradhtuar, i uritur e i çarmatosur, si dhe i gjakosur e i masakruar nga ekspeditat ndëshkuese ushtarake të pushtetit të Titos, u përball me një realitet të rëndë, të cilin fatkeqësisht nuk ishte në gjendje ta sfidonte. Mirëpo, ai ishte i vetëdijshëm se për të po fillonte një epokë e re e skllavërisë dhe se vuajtjet e mëdha do të vinin pastaj, bashkë me përpjekjet e pareshtura për të dalur nga robëria serbe dhe për ta çliruar vendin, bazuar në aspiratën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për bashkim kombëtar.
Rruga e vështirë që populli shqiptar i Kosovës kaloi në dekadat e pastajme dëshmon luftën e pandalshme për liri e mbijetesë kombëtare që ai bëri. Kjo luftë kaloi nëpër etapa të caktuara të kushtëzuara nga rrethanat objektive e subjektive të kohës, e cila pati ngritjet dhe rëniet e saj. Një etapë kthese të luftës çlirimtare hapën demonstratat e vitit 1981, e cila nuk do të pushojë për asnjë çast, deri në kulmimin e saj në epokën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përfundim të shekullit 20.
Kërkesa “Kosova-Republikë” – platformë identifikuese e epokës që hapi viti 1981
Siç dihet, zhvillimet e Vitit 1981 në Kosovë aktualizuan një kërkesë – platformë të mëhershme politike, e cila kishte vegjetuar në mendjen e shqiptarëve herë si vetëdije e herë si ndërdije, por asnjëherë më parë nuk ishte shtruar vendosmërisht në kohën Jugosllavisë së Titos. Kjo kërkesë nuk ishte fashitur asnjëherë deri në momentin e përshtatshëm për t’u shtruar për zgjidhje në mënyrë të hapur, të qartë e përfundimtare. Ky moment erdhi në vitin 1981. Nëse përmbajtja e ngjarjeve të caktuara historike mund të kuptohet nga imperativi që atyre ua parashtron koha, edhe kërkesa “Kosova-Republikë” paraqet në formë të sintetizuar përmbajtjen e ngjarjeve të mëdha të Pranverës së vitit 1981. Kjo kërkesë u përqafua nga të gjithë shqiptarët atdhedashës, pa marrë parasysh shtresimin e tyre ideologjik, fetar, klasor e regjional. Me një fjalë, ajo u bë kërkesë gjithëpopullore dhe kornizë veprimi në vazhdimësinë e rrugës së lëvizjes kombëtare për realizimin e synimeve shekullore për lirinë dhe bashkimin e trojeve të ndara padrejtësisht nga trungu i Shqipërisë natyrale.
Në anën tjetër, komponentet e kërkesës kryesore politike “Kosova-Republikë”, siç ishin parullat: “Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë”, “Lirojini të burgosurit politikë”, “Trepça punon, Beogradi ndërton”, e të tjera, pasqyronin pozitën reale të shqiptarëve në Kosovë, si qytetarë të shtypur dhe pozitën e Kosovës si koloni e shfrytëzuar. Në këtë kontekst, për shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, por kudo në trojet nën ish-Jugosllavi, duke mos përjashtuar as shqiptarët brenda Republikës së Shqipërisë dhe në mërgim, republika u ngrit më lart sesa në simbolikë të subjektivitetit të tyre kombëtar, duke u bërë pjesë e strategjisë së lëvizjes kombëtare të kohës, përkufizimi i së cilës ishte bërë me fleksibilitet të duhur politik e në harmoni me konstelacionet politike ndërkombëtare e me rrethanat ekzistuese në vend. Respektimi i këtyre rrethanave flet për karakterin realist të kërkesës “Kosova – Republikë”, si një formë e mundshme dhe fazë e realizueshme e zgjidhjes së çështjes kombëtare të shqiptarëve në Kosovë, si pjesa më e rëndësishme e çështjes së pazgjidhur kombëtare e shqiptarëve nën Jugosllavi.
Triada titiste: Fadil Hoxha, Veli Deva dhe Ali Shukrija, të cilët me përkushtim
e devocion punuan në shërbim të regjimit pushtues.
* * *
Protagonistë të platformës politike kombëtare republikane ishte lëvizja e fshehtë e forcave kombëtare, e cila kishte shtrirë organizimin e saj në Kosovë e pothuajse kudo në trojet e pushtuara shqiptare nën Jugosllavi, pra në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi. Po ashtu, duhet theksuar faktin se mërgata ishte prapavija më e fuqishme mbështetëse e kësaj lëvizjeje të organizuar. Disa prej organizatave të tilla, sidomos në fund të viteve ’70 të shekullit 20 kishin ngritur cilësinë e organizimit dhe kishin shtuar ndikimin e tyre në masat popullore në aspektin e ndërgjegjësimit kombëtar. Organizatat më të mëdha të kësaj periudhe, siç ishin Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, Fronti i Kuq, Lëvizja Revolucionare Nacionalçlirimtare Shqiptare, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi e të tjera, ndonëse në kushte të konspiracionit, tashmë kishin krijuar disa kontakte dhe kishin vënë hapat e parë të bashkëpunimit e të koordinimit të veprimeve politike. Prandaj, në rrethanat e krijuara, mund të thuhet se organizimet ekzistuese pasqyronin nivelin e gatishmërisë së faktorit subjektiv për t’iu përgjigjur sfidave të cilat po impononte faktori objektiv, i cili faktor ishte në nivel dukshëm më të lartë.
Sidoqoftë, pa ndikimin e frymës mobilizuese të organizatave që kishin vepruar dhe po vazhdonin të vepronin në shërbim të çështjes kombëtare, në vitin 1981 nuk besohet se do të kishte Pranverë, e sidomos është e sigurt së ajo pranverë nuk do të ishte e tillë çfarë ishte dhe as rrjedha revolucionare e ngjarjeve të pastajme nuk do të ishte e tillë çfarë ishte. Marsi, Prilli dhe Maji i vitit 1981 u bënë treguesit më të mirë të gatishmërisë së popullit të Kosovës për t’u ballafaquar me aspiratat e tij historike. Ata qitën në sipërfaqe forcën e tij vullkanike deri atëherë të ndrydhur, e cila u pasqyrua jo vetëm në masivitetin, dinjitetin dhe pathyeshmërinë e demonstratave gjatë asaj pranvere, por sidomos në aspektin e organizimit, ku themelimi i grupeve e organizatave të fshehta me qëllim për t’iu përgjigjur situatës mori përmasa të rrufeshme. Tani ishte fare e qartë vendosmëria e popullit shqiptar të Kosovës për t’i shkuar deri në fund kërkesës për ta bërë Kosovën republikë, duke pasur për bazë edhe një platformë të përpunuar veprimi, siç ishin Tezat e Frontit për Republikën e Kosovës.
81’ta hapi procesin dekolonizues në miniperandorinë ballkanike titiste
Epoka që hapi viti 1981 me shkëndijat e 11 e 26 Marsit dhe me shpërthimin e dufit revolucionar të rinisë dhe të shtresave të tjera të popullit të Kosovës në demonstratat e 1, 2, e 3 Prillt mori dimensionet e një procesi të gjatë e përfundimtar dekolonizues, jo vetëm për popullin shqiptar të Kosovës, por edhe për popujt e tjerë, për të cilët Jugosllavia tashmë ishte bërë një ngrehinë shtypëse e shfrytëzuese e dominuar nga hegjemonizmi serb. Në realitet, Kosova simbolizoi jo vetëm fillimin, por edhe fundin e kësaj epoke dekolonizuese të miniperandorisë ballkanike titiste, e cila u përmbyll me luftën e përgjakshme të armatosur, pas gati dy dekadash përballjeje me një luftë të ashpër speciale të pushtuesit serb kundër qenies fizike, shpirtërore e kombëtare shqiptare. Ky fakt flet vetvetiu për pozitën e rëndë që Kosova kishte si koloni e dyfishtë e kësaj miniperandorie. Ç’është e vërteta, në rrethanat ekzistuese kryengritja e shqiptarëve të Kosovës më 1981, apriori nuk kishte për objektiv shpartallimin e një shteti konglomerat, siç ishte federata jugosllave. Mirëpo, aktualizimi i kërkesës për statusin e republikës së Kosovës që nënkuptonte edhe statusin e kombit për shqiptarët e saj, si çështje jetike për barazinë e tyre, u bë kusht i domosdoshëm për vazhdimin e ekzistencës së asaj federate, fakt që u dëshmua në periudhën e pastajme. Duke qenë në natyrën e pushtuesit kolonizator, hegjemonizmi serbomadh u egërsua tejmase në raport me shqiptarët dhe duke dalur në terrenin e hapur të luftës kundër tyre, përshfaqi aspiratat e vërteta hegjemoniste edhe kundër popujve të tjerë në federatë, e sidomos kundër popullit kroat e atij slloven. Prandaj, mohimi, injorimi dhe luftimi i të drejtës së shqiptarëve të Kosovës për të pasur statusin e shtetit e të kombit, parashkroi dhe përshpejtoi shpartallimin e një federate artificiale mbi 35-vjeçare me prejardhje nga një mbretëri tripalëshe serbo-kroato-sllovene.
Demonstratat kryengritëse të vitit ’81 ishin edhe paqësore edhe demokratike
Njohja e statusit të kombit për shqiptarët në Kosovë, çështje që u shtrua qartësisht dhe vendosmërisht në demonstratat e vitit 1981, nuk ishte kërkesë ekstreme, siç u cilësua në atë kohë nga provinienca zyrtare jugosllave, e cila do ta destabilizonte e do ta rrezikonte ish-Jugosllavinë, por tashmë ajo ishte bërë kusht i domosdoshëm për ekzistencën e saj. Mirëpo, kjo proviniencë nuk deshi ta përfillte këtë kërkesë realiste, duke denjuar më parë shpërbërjen e federatës jugosllave, sesa barazinë e shqiptarëve me popujt e tjerë brenda saj. Megjithëse protagonistët e lëvizjes politike që u identifikuan dhe në njëfarë mënyre u bënë bartës të kërkesave që shtruan demonstratat e pranverës së vitit 1981, asnjëherë nuk mohuan faktin se zgjidhja përfundimtare dhe e drejtë e çështjes shqiptare në Jugosllavi do të mund të bëhej vetëm përmes revolucionit popullor dhe pa mohuar faktin se një moment i tillë do të vinte më vonë, në këtë fazë ata u përqendruan në metodat paqësore të demonstrimit të kërkesës politike për republikën e Kosovës. Madje për shkak të rrethanave të brendshme e ndërkombëtare dhe konstelacionit ekzistues të forcave, përqendrimi në kërkesën politike për republikë kushtëzoi parcializimin e çështjes shqiptare në Jugosllavi. Siç dihet kërkesa Kosova-Republikë nuk shtronte për zgjidhje gjithë çështjen shqiptare në Jugosllavi, pasi ajo ishte një kërkesë konformiste dhe e pjesëshme, megjithëse brenda saj përvijohej në mënyrë latente aspirata e gjithë shqiptarëve për pavarësi kombëtare.
Me gjithë fleksibilitetin e dëshmuar politik, tendenca për të kontestuar karakterin paqësor e demokratik të ngjarjeve kombëtare të pranverës së viti ’81, nuk mungoi. E zgjuar me qëllim herë pas here, sipas saj lëvizja kombëtare në Kosovë bëhet lëvizje autentike kombëtare, lëvizje paqësore e demokratike vetëm pas viteve ‘89/90, meqenëse para kësaj kohe ajo konsiderohet të ketë qenë lëvizje e ideologjizuar, jodemokratike, joautentike etj.. Mirëpo, a mund të vendoset një cilësor i tillë për lëvizjen kombëtare të dinamizuar më 1981? Në kuptimin e vazhdimësisë së veprimtarisë çlirimtare, edhe lëvizja e viteve ’90 të shekullit 20 nuk mund të mos ecte në vazhdën e strategjisë kombëtare të vitit ’81. Kjo vazhdimësi nuk ka të bëjë vetëm me segmentin kombëtar të përmbajtjes së kërkesës “Kosova-Republikë”, por edhe me mjetet e përdorura për realizimin e qëllimit. Kjo vazhdimësi pasqyrohet edhe në epilogun e kësaj lëvizjeje dhe në frytin e korrur si rezultat i luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fund të shekullit 20, pra 18 vjet pas vitit 1981, më 1999.
Zürich, 06 Mars 2011: Veprimtarët – Bejtullah Tahiri, Sejdi Gega, Jashar Alia dhe Sylë Mujaj, gjatë punimeve të Tryezës, kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të pranverës 1981.
* * *
Është mirë e ditur se edhe para 2 korrikut të vitit 1990, shqiptarët përherë kishin deklaruar se Republika e Kosovës ishte shpallur qysh më 1981, pavarësisht nëse atë do ta njihte apo jo, ish-Jugosllavia. Tendenca e shprehur aty-këtu, qëllimisht ose pa pandehur, për ta konsideruar marshin e minatorëve në nëntor të vitit 1988, si kufi që ndan lëvizjen tonë çlirimtare, është tendencë për ndarjen artificiale të kësaj lëvizjeje me këta kufij, prandaj si e tillë është tendencë pa mbështetje historike. Qasja e këtillë ndaj këtyre ngjarjeve historike mëton që lëvizjes së viteve ’90 t’i mohohet baza e saj historike, pra lëvizja e viteve ’80 e më herët. Kualifikimi si paqësore dhe demokratike vetëm i pjesës së lëvizjes kombëtare në Kosovë pas vitit 1989-1990 dhe konstatimi se shqiptarët në Kosovë, vetëm në vitin 1989 e tutje përqafuan rrugën paqësore e demokratike, si dhe format joviolente për realizimin e qëllimeve të tyre kombëtare, paraqet diskualifikimin e drejtpërdrejtë dhe shtrembërimin e karakterit të lëvizjes së dinamizuar në pranverë të vitit 1981. Pohimi i këtillë, a priori lë të kuptohet se para vitit 1989, shqiptarët kishin përdorur format jopaqësore, jodemokratike, prandaj edhe violente të luftës për realizimin e qëllimeve kombëtare.
Asnjë argument nuk mund ta kundërshtojë tezën se edhe në pranverën e vitit 1981 dhe në periudhën pasuese, shqiptarët në Kosovë ishin të përcaktuar për formën paqësore e për mjete politike për zgjidhjen e çështjes së tyre. Ata demonstruan hapur dhe kërkesat e tyre i deklaruan legalisht, në rrugë. Eshtë e ditur se përkundër dhunës brutale policore-ushtarake, në demonstratat e vitit 1981, shqiptarët as iu përgjigjën dhunës me dhunë, as rrezikuan jetën e as vranë ndonjë qytetar joshqiptar. Mbase në favor të këtij konstatimi më së miri flet fakti se edhe atëherë kur masa e demonstruesve, në shenjë ekzaltimi e kundërshtimi ndaj zbarkimit të forcave speciale policore nga Serbia dhe e atyre federative (rasti i njohur i Besisë afër Prishtinës) çarmatosi këto forca policore intervenuese, armët e rrëmbyera në atë rast nuk i zbrazi mbi to. Pastaj vetvetiu flet edhe fakti se intervenimet e panumërta policore-ushtarake mbi familjet shqiptare, rrethimet, arrestimet e përditshme të njerëzve, bastisjet e përditshme dhe shumë sulme e aksione të tjera të policisë e të ushtrisë serbe e jugosllave, të cilat provokonin rëndë jetën e shqiptarëve, patën ngelur pa kundërpërgjigjen e kërkuar e të merituar.
Po këto përcaktime kishte edhe lëvizja e organizuar e periudhës së veprimit të fshehtë, e cila u bë mbështetëse e fuqishme e kërkesës për republikën e Kosovës. Në komunikatat, pamfletat dhe shkrimet e saj, në mënyrë të qartë bëhej dallimi midis aparatit të dhunës shtetërore në njërën anë dhe popujve në anën tjetër. Forma e fshehtë e veprimit dhe organizimit të lëvizjes kombëtare në atë kohë ishte imponuar nga rrethanat ekzistuese dhe ajo duhet shikuar si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e shtypjes shtetërore që ushtrohej mbi shqiptarët e ripushtuar, të cilët duhej të çanin me gjak e djersë rrugën e tyre për liri. Prandaj organizimi dhe veprimi i fshehtë në atë periudhë ishte kusht i domosdoshëm për ta çuar përpara çështjen kombëtare dhe në asnjë rrethanë ai nuk mund të merret e të interpretohet si argument për të kontestuar karakterin e drejtë e atdhetar të lëvizjes politike të kohës, apo për t’i veshur demonstratat e vitit ’81 dhe kerkesat e tyre me petkun ideologjik e konspirativ.
– Pranvera 1981 –
* * *
Sot është momenti të rishtrohet për zgjidhje çështja shqiptare në Ballkan
Gjithsesi, në vitin 1981, kërkesa për republikën e Kosovës ishte një kërkesë revolucionare, realizimi i së cilës nënkuptonte avancimin e ndjeshëm të pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe si rezultat edhe të çështjes së tyre kombëtare. Rikthimi te ngjarjet e mëdha të atij viti, tridhjetë vjet më vonë, mundëson të kuptohet drejt se kërkesa për republikën e Kosovës ishte një imperativ që e kishte imponuar koha dhe e kishte përqafuar populli i saj. Fatmirësisht, këtë imperativ e kurorëzoi me sukses Ushtria Çlirimtare e Kosovës me luftën e saj titanike, në vitet 1997, 1998 e 1999. Megjithatë domosdo duhet të shtrohet pyetja: A është zgjidhur përfundimisht çështja e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë politike? A shtrohet para nesh edhe sot një imperativ i kohës? Dhe, a ka populli ynë potencial të gatshëm për t’iu përgjigjur këtij imperativi? Siç dihet, Kosova sot është republikë dhe shtet i shpallur si i pavarur. Mirëpo për fat të keq, duhet pranuar fakti se lufta fitimtare çlirimtare e UÇK’së nuk rezultoi edhe me bërjen e shtetit plotësisht të pavarur e sovran dhe si pasojë e negociimit të kësaj pavarësie nga klasa servile dhe e padinjitetshme politike në pushtet, negociim i sponsoruar nga UNMIK’u dhe EULEX’i, sot një pjesë e konsiderueshme Kosovës qeveriset nga pushteti i Serbisë, ndërsa e ashtuquajtura Pako e Ahtisarit e bën edhe më të pasigurt të ardhmen e saj. Realiteti në Kosovë, ku nuk kanë mjaftuar as 12 vitet e pasluftës për t’u stabilizuar gjendja e për t’u trasuar perspektiva e saj, si dhe pozita e shqiptarëve në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, por edhe në Çamëri tregon qartë se perspektiva e vërtetë e Kosovës dhe e shqiptarëve në këto treva të trungut të atdheut të tyre do të hapet vetëm pasi të shtrohet për zgjidhje çështja e plotë kombëtare. Kjo zgjidhje duhet të kërkohet në kuadrin e parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes politike, si një e drejtë e patjetërsueshme, por e pashfrytëzuar deri tash edhe për shqiptarët. Siç ka secila ngjarje e madhe dhe secila kërkesë e kohës bartësit e saj, edhe kërkesa që sot imponon koha do të ketë projektuesin dhe përmbaruesin e saj. Sikurse që në vitin 1981, përgjegjësinë historike për ta përfaqësuar kërkesën Kosova-Republikë e kishte marrë lëvizja e organizuar e fshehtë e kohës dhe përgjegjësinë për ta udhëhequr dhe finalizuar luftën çlirimtare në vitet 1997-1999 e barti Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sot çështjen tonë kombëtare, mund ta shpiejë tutje vetëm ajo forcë politike kombëtare, e cila A’në dhe ZH’në e programit të vet veprues e mbështet në të drejtën e vetëvendosjes politike të kombeve për të sjellur kombin shqiptar në gjendjen normale dhe për të formuar shtetin normal shqiptar, në një Shqipëri kombëtare historike.
_______________
Shënime biografike:
Jashar Alia ka lindur më 28. 12. 1949 në Suhogerllë. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë. Ka të regjistruar Fakultetin Ekonomik. Nga viti 1971 ka qenë anëtar i Lëvizjes Kombëtare “Grupi Revolucionar” si dhe anëtar i OMLK’së në vitin 1975. Ka qenë i burgosur politik dhe ka vuajtur herën e parë pesë vite burg, ndërsa edhe gjashtë vite burg i ka vuajtur prej vitit 1981…
Nezir Myrtaj ka lindur më 13. 03. 1954 në Uçë, fshat në komunën e Burimit (Istog). Aktualisht jeton në Prishtinë. Është i martuar dhe ka një fëmijë. Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, dega Fizikë, Universiteti i Prishtinës (1973-1977). Nga vitet 1976 deri më 2005 ka ligjëruar lëndën e fizikës. Nga viti 2005 punon në Ministrinë e Energjetikës dhe Minierave, Udhëheqja e divizionit te Efiçiencës së Energjisë dhe Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë. Aktiviteti i tij politik është zhvilluar në kuadër të lëvizjes kombëtare të kohës, në vitet e 70-80. Nga viti 1981 deri më 1990 ka qenë i burgosur politik. Ka qenë anëtar i Këshillit për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, Prishtinë (1991-1998). Nga viti 1998 deri më 1999 ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.