Pashtriku.org, 13. 03. 2013 – (Intervista e Dr.Moikom Zeqos dhënë kritikut Fatmir Minguli: 20 pyetje + 20 përgjigje) – FATMIR MINGULI: «Libri i Sinopseve» (EUGEN, 2012) më ka tendosur vëmendjen më shumë se librat e tu të tjerë Moikom. E rilexoj, më krijohet një pështjellim dhe pas kësaj një qartësi e re. E shkrova dhe e botova në një të përkohshme një esse për këtë libër, por e ndjej mangësinë e shtjellimit përfundimtar. “Libri i Sinopseve» më ngjan si një kristal shumëfaqësh, ku format gjeometrike përsëriten dhe madje tingëllojnë. Tek Parafjala ti ke thënë: «Sinopset janë krijesa të copëtuara, një galeri arkeologjike. Po ky është copëtim kozmik si ai i një Big Bengu. Në “Librin e Sinopseve” janë të gjitha librat e mi papërjashtim, madje edhe ato që nuk janë botuar ende, ose nuk do të botohen kurrë.” Ide pak e skajshme, që gati nuk kërkon kundërshtim. Po si ka mundësi? A vallë është kështu?
DR.MOIKOM ZEQO: Ndoshta Fatmir. Çdo tekst është i vërtetë në ambiguitetin e vet. Kjo duhet kuptuar më tepër se sa ta ndjesh me intuitë. Shkrimtari shkruan gjithë jetën vetëm një libër (edhe në pas-vdekjen e tij mbetet ky konceptim), pavarësisht shumësisë së titujve. Ky libër i vetëm është konceptualiteti i tij.
Nëse shkrimtari «e shpik» (është në fakt gjithashtu një metaforë) këtë konceptualitet ahere nuk ka rëndësi numri i pakët apo i shumtë i titujve të botuar apo të pabotuar. Konceptualiteti është thelbi i thelbeve! Konceptualiteti është misteri i sintezës me instrumentet mendorë, racionalen dhe irracionalitetin, dijen dhe imagjinatën. Si t’i harmonizosh? Si t’i kthesh në stil? Stili është perceptimi dhe vetëperceptimi sui generis. Konceptualiteti dhe stili janë e njëjta gjë, semantikë e njëjtë për fjalë të ndryshme. Ndonëse kanë edhe dallime.
FATMIR MINGULI: Dallime për kritikën e specializuar?
DR.MOIKOM ZEQO: Për kritikën më tepër strukturaliste, me mendësi linguistike, kaq shpesh të stërholluar plot tepri hollësirash dhe konotacionesh shpesh krejt të kota dhe përgjithësisht të mërzitshme. O Medaur, sa shumë komente të komenteve!
Dr.Moikom Zeqi
FATMIR MINGULI: Ju mendoni se kritika strukturaliste ka dështuar? Mos është diçka mjaft e skajshme? Anatemë kapriçioze?
DR.MOIKOM ZEQO: Ka një zhvillim historik të strukturalizmit zanafillor nga substanca linguiste: ideja e sistemit, raporti arbitrar i gjuhës me realitetin, meta-teksti, interteksti etj., etj. Pastaj dekonstruktizmi i Derrida-së me sulmin e tij ndaj “logocentrizmit”, por edhe “vdekja e autorit” e Roland Barthes-it (vepra letrare studiohet pavarësisht autorit – shumë absolute apo jo?) deri tek Jacques Lacani i cili shpall se “vetvetja është një trillim”.
Të gjitha këto sollën diçka, por kitch-strukturalizmi kaloi në sterilitet. Formalizmi i tij më kujton filologjinë aleksandrine.
Më kujtohet një ngjarje e kritikut të madh rus të formalizmit Mikail Baktini i cili në fund të jetës kishte mbaruar një dorëshkrim mbi letërsinë artistike gjermane që i kishte kushtuar shumë vite punë.
Gjatë pushtimit gjerman të Rusisë në Luftën e Dytë Botërore, i vetmuar dhe i varfër, i grisi faqet e dorëshkrimit duke i përdorur për të dredhur cingare, duke djegur kështu fragmentet e librit, të pabotuar kurrë, derisa i dha fund.
Parabolë e dhimbshme, patjetër.
Unë dua kritikë të llojit tjetër, kritikë konceptuale si Harold Bloom-in dhe George Steiner-in.
Ata thonë gjëra të thelbshme të mençura pa përdorur makinën e pafund të Abrakadabrës.
FATMIR MINGULI: Po kritika shqiptare?
DR.MOIKOM ZEQO: Është ende shumë larg për fat të keq. Kjo është temë tjetër. Injoranca e saj është tepër klienteliste dhe agresive.
Nuk do t’ju besoja syve, por një farë biznesmeni i dyshimtë, pronar universiteti privat dhe i disa mediave shkruan në një rubrikë me titullin inkuizicionist “10 libra për tu djegur” (ndër këto libra ishin edhe të Kasem Trebeshinës, Oliver Schmitt-it, Ben Blushit, Arben Putos etj.) për librat e mi, për tërë veprën time se “shpresoj që Moikom Zeqo të më kuptojë në këtë koment tim prej amatori duke shprehur një respekt shumë të madh për të si individ, për kontributin e tij shoqëror dhe politik, për erudicionin e tij dhe përpjekjen e jashtëzakonshme për njohjen e dijes në përgjithësi”
Por shton ky riosh sqimatar me pubertetin e tij gëbelsian se duhet “djegur” e tërë vepra e Moikom Zeqos “nga libri i parë deri i fundit” si një vepër “pa gjini, pa zhanër, pa metodë”.
FATMIR MINGULI: E pabesueshme!
DR.MOIKOM ZEQO: Pse e pabesueshme? Krejt e besueshme për delirin e pakujdesshëm të një amatori.
Ai ka një arsyetim të thjeshtë, vetëm me një “jo”, apo një “po”, ngaqë s’ka shkruar asnjë libër vetë kërkon t’i hedhë në zjarrin e skëterrës tërë librat e mi, pra është një lloj polici dhe teologu arkaik, që pushtetin e mjerë të parasë e kthen në totalitarizëm hitlerian të shpirtit.
Djegia e librave!
Mendoja se kjo qe harruar.
FATMIR MINGULI: Po si e ka emrin ky shkrues?
DR.MOIKOM ZEQO: S’dua t’ia përmend emrin. Jo për shkak të krupës, por as për shkak të keqardhjes.
FATMIR MINGULI: Të kthehemi në temë: “Libri i Sinopseve” është kaledoiskopik, një sinops sinkretik i tërë sinopseve. Ndihet tek secili sinops ndjesia e papërmbysjes, siç thonë italianët “non finito”. Ka plot përbërës të laboratorit krijues, ti jep variantin 1, 2 ose 3 të subjektit, ose shtjellon se si mund të shkruhet sinopsi si tregim dhe roman, apo skenar kinematografik. Serioziteti shfaqet si saktësi. Është hera e parë që botohet në letrat shqipe një koleksion i tillë thjesht sinopsesh. Askush s’e ka bërë deri më sot. Pse ka ndodhur kështu? Është me qëllim nga ana juaj? Apo trill?
DR.MOIKOM ZEQO: Këto sinopse janë shkruar lirshëm, kanë veskun rastësor, të çastit, por nuk janë menduar për botim. Shkrimtari vetëkuptohet shkruan për të botuar, botimi i mpreh, i tendos shqisat, rrit adrenalinën, ndoshta dhe përgjegjësinë. Kështu ndodh. Por edhe mund të mos ndodhë.
Këto sinopse kanë patur statusin e shënimeve në një kurbë kohore gati prej 30 vitesh. Kanë qenë si zbulimet në një qytet arkeologjik, por që s’ka emër, nuk është i fiksuar as në hapësirë, as në kohë. Pra një arkeologji shpirtërore.
Detaje, ide, ameba me AND përbindëshash, gjeneza, sekrete, miklime, tematikë, elektricitet ndërlidhjesh, fytyra, ngjarje, metapsikoza personazhesh, gjenealogji të shpikura, peizazhe onirike, kujtesa të tradhtuara por edhe kujtesa të restauruara, të gjitha në një vërtitje që s’ndal asnjëherë. Kjo gjë është hutuese, ose shokuese, shumë fillime sinopsesh janë pëlhura të bardha, por që u takon shansi të shfaqen mbi to tablo, kompozime për të cilët ende s’di asgjë askush, as vetë shkrimtari. Kjo është gjendje fillestare, nebuloza, ku prania e mendimeve është më shumë se prania e fjalëve.
Floberi bënte qindra skica për një roman, Heminguej arrinte të shkruante deri në dhjetë herë të njëjtën faqe të librave të tij.
Regjisori Stenley Kubrick la pas vdekjes një arkiv të tërë shënimesh, vizatimesh, vërejtjesh gjeniale për filmin që do t’ia kushtonte Napoleonit, por ky film s’u bë dot.
Akoma më i frikshëm dhe skandaloz është arkivi i Stephane Mallerme-së me mijra faqe të një projekti për Librin Total, që do të përfshijë tërë librat e shkruar dhe ato që do të shkruheshin në pafundësi. Këto tentativa ambicioze kanë në vetvete një strategji mendimi, por nuk janë substancë e mirëfilltë artistike. Ky dallim i kufizon.
Thashë që sinopset i kam shkruar fillimisht për të mos i publikuar. Për një kohë të gjatë dyshues, i pavendosur, mes dorëshkrimeve dhe vizionit, indiferencës dhe motivimit kuptova se edhe veprat e mëdha të letërsisë botërore, pavarësisht se konvencionalisht quhen të përfunduara (struktura unike) janë megjithatë sinopse.
Kështu “Don Kishoti” është sinopsi i qindra sinopseve, ku kufijtë e mbylljes së strukturave (monadave) përherë zhduken, humbasin, s’kanë fuqi ndarëse.
Odiseu homerik është sinopsi arketipal i Eneut virgjilian, i Dantes në udhëtimin e tij në Përtej-botën e Trefishtë, i Faustit të Gëtes, i Guliverit të Swiftit, i Lizës në Botën e Çudirave të Carrol-it, i Uliksit të James Joyce-it etj.
Kryeveprat e patjetërsueshme të letërsisë nuk e mëtojnë përsosjen, përkryerjen absolute. Shkrimtari i madh nuk është argjendar që bën filigrame ku simetritë janë formale, as nuk i bën librat e tij si mobilie dhe kaq.
Shkrimtari i vërtetë i jep rëndësi asaj që duhet thënë universalisht, prerjes konceptuale, origjinalitetit dhe jo rëndomtësisë pluhurosëse.
Prozat e shkurtra të Franc Kafkës janë sinopse. Po edhe prozat e Migjenit.
Kështu kuptimi i sinopsit shumëfishohet.
Vetësemantizohet!
FATMIR MINGULI: Në një kuptim më të përgjithshëm ndoshta është pikërisht kështu…
DR.MOIKOM ZEQO: Në një kuptim më të abstraguar.
FATMIR MINGULI: Megjithatë sinopset janë sinopse. Në këtë mënyrë mund të artikulohen disa përmasa dhe tipizime të domosdoshme.
DR.MOIKOM ZEQO: E saktë Fatmir. Tipizimi sinkronik i takon tërë zhanreve apo teksteve letrare. Madje edhe poezisë. E tillë është letërsia.
Për letërsinë ka shumë klasifikime elegante por asnjë përcaktim shterues. Çdo gjë duket vagëlluese.
Letërsia ka ekzistuar qysh përpara lindjes së vet, ashtu si çdo njeri ka ekzistuar përpara se sa të vijë në jetë. Një fëmijë nuk e di nëse do të bëhet shkrimtar. Fëmija më parë nis të pikturojë ashtu si vetë njerëzimi në prehistori. Një përsëritje ciklike e filmit të stërlashtë biologjik. Të tërë fëmijët pikturojnë por pak bëhen piktorë.Për shkrimtarët është akoma më enigmatike, ku Rasti ka një plotfuqishmëri të çuditshme. Letërsia nuk shfaqet përherë e plotë. Ajo thotë, por jo gjithçka. Më shumë letërsia grish me mungesën e fjalëve se sa me fjalët e tipografuara.
Mungesa ka shumë substancë, e pathëna mbart letërsi. Letërsia mëton infinitin. Është fragmenti i të pafundmes, por edhe esencë.
Ky karakter i ndërlikuar i letërsisë thjesht thjeshtëzohet, por kjo s’i hyn në punë askujt. Letërsia është një lexim imagjinar, pavarësisht fjalëve konkrete.
Tharmi i botës së librit është shumësia e mundësive, sekreteve, mospajtimeve, subjekteve dhe ëndrrave, gjersa gjithçka shndërrohet në thelb, qendra e librit shndërrohet gjithkund, përpara, mbrapsh, në të gjitha pikët pa u kufizuar në asnjë perimetër të ravizuar përfundimisht, sepse qendra është kudo dhe çdo pikë është qendra, ose është Private Eye (Syri Privat), por edhe Universal Eye (Syri Universal). Ka shumë sy, ka dhe shumë vështrime. Jo vetëm për të parë të dukshmen, por edhe të padukshmen. Kjo e përafërson statusin e gjallë të letërsisë.
Kronikat shënojnë hollësira se si u dogj nga zjarri inkuizicionist heretiku Xhordano Bruno dhe se kur u përpi nga zjarri ai klithi dhe tha diçka. Askush nuk i regjistroi fjalët e fundit. Çfarë tha? Ç’kuptim kishte ajo që Brunoja tha? Pse ato që e dëgjuan nuk i shënuan për kujtesën e njerëzimit këto fjalë? Pse nuk e bënë këtë gjë? Brunoja thirri. Vazhdon ende të thërrasë. Po fjalët e fundit tanimë s’janë fjalë. Heshtja na tmerron. E kundërta e vetvetes. Vdekja është heshtje, por heshtja s’është vdekje!
Thirrja e fundit është ftillëzimi i letërsisë! Kështu skajet e infinitit nuk ekzistojnë, nocioni i skajeve përball dhe zhduk nocionin e infinitit, kurse vetë infiniti është pikërisht për shkak se skajet nuk ekzistojnë realisht.
Shëmbëlltyra e fjalëve të fundit të Brunos është në thelb shëmbëlltyra e sinopsit. Kuptimshmëria dhe shpalosja e tij. Kjo të grish, ke mister dhe imagjinatë, dëshmi dhe hamendje. Asgjë s’është tërësisht e gatshme, as e listuar si menutë. Gjithçka të fton, të miklon.
“Vetëvrasja e trumcakut” e Migjenit është potencialisht një roman ekzistencialist, sepse është një sinops i sinopseve, plot semiotikë radioaktiviteti të brendshëm. Dhe kjo është mjeshtëria.
Pra sinteza maksimale intelektuale presupozohet me shumë pak rreshta më afro dyqind fjalë. Të njëjtat fjalë në një rrëfim mediokër do të ishin edhe vetëm fjalë, apo simbole grafike mediokre. Mjeshtëria i pasuron dhe i sublimon fjalët.
E kundërta i varfëron.
Por në kuptimin natyror fjalët s’e kanë fajin në vetvete.
Profili i shkrimtarit i organizon, i praron ose i ndryshk, i përjetëson ose i kalbëzon, i bën ajrore, monumentale, ose i zhbën dhe i kthen në pluhur, në hiç. Sepse shkrimtari është një lloj demiurgu, duam apo s’duam.
Në këtë kuptim proza e shkurtër dhe romani janë e njëjta gjë.
Kështu klasifikimet e zhanreve, siç thotë Benedeto Kroçe janë vetëm konventa, marrëveshje për letërsinë, por jo vetë thelbi i letërsisë. Optikë e lëvizshme, dinamike, përtej sipërfaqes, formës, shkurtësisë dhe madhësisë.
Stili është e kundërta e stilizimeve baroke, ornamenteve dhe formalizmit shpërdorues. Lirishmëria e të shkruarit s’shkëputet nga përqendrimi.
Koncentrimi në një hapësirë të vogël burimëson idenë e pamatshmërisë dhe shumë kohë, vijimësi, përtëritje.
Mogtagne thotë se mençuritë e mëdha janë tek fjalët e shkurta. Të shkruash gjatë ndonjëherë, ose shpesh herë do të thotë të mos thuash gjë, ose “të prashitësh në ujë” (shprehja është e Gëtes).
Shkrimtari është midis Skillës se çfarë shkruan dhe Karidbës se si shkruan, midis të mundurës dhe të pamundurës, suksesit dhe dështimit. Kjo është vetëdija.
Mjeshtri i Koncentrimit të madh Borgesi jo pa ironi vëren se “Krijimtaria letrare duhet të rrjedhë lirshëm si uji dhe jo t’i ngjajë një makinerie, që vihet në lëvizje me forcë.”
Ç’sekret i papërballueshëm!
FATMIR MINGULI: Kam vënë re, Moikom, çdo sinops e ka një ngjarje, ose parabolë, lidhet me përvojat tuaja perceptuese, shpesh shumë konkrete. Mund t’i spikasje me disa tubime, përcaktuar nga leximi. Në grupin A do të futje prozat “Fytyra”, ‘Vrasësi i dhëmbëve prej floriri”, “Tregimi i parë”, “Lëkurët”, “I zhvarrosuri”, “Këmisha prej flokësh”, “Zonja”, “Dysheku me kartëmonedha”, “Libri i Thotit”, “Qendra Veksner”, “Qeni me rrota”, “Varri”. Në grupin B i përfshij subjektet e Bizantit me prozat “Endoksia e Bizantit”, “Mihal Apostoli”, “Madhështia”, “Tubëzat prej papiri”, “Eustathi i Durrësit”, “Ipati, perandori pesëditësh i Bizantit”, “Gjumi i Konstandinit të Madh”, kurse në grupin C shtjellohen subjektet e krishtërimit të hershëm dhe mesjetar me prozat “Sizifi dhe Krishti”, “Korrigjimi i projektit”, “Herezia”, “Monedha”, “Psalmi 28”, “Murgu Teodor”, “Ungjilli i Judës”. Në grupin Ç përmblidhen motivet e filozofisë së Lindjes me “Shahisti”, “Prifti i Isisës”, “Mensur Hallaçi”, “Shemsi Tabrizi”, “Në kafenenë Serapis”, “Banori i topit”, “Njerëzit me fytyra kafshësh”, “Kanibalizmi”, “Estetika e Xhingis Khanit”, “Ismail Saferi, princi i shiitëve”. Në grupin D mbështillen prozat me motive historike si “Shekspiri i shfytyruar”, “Ungjilli i Kolodit”, “Ëndërra e Paul Emilit”, “Mark Park Sopartri”, “Meridiani i Durrësit”, “Zezaku i Libohovës”, “Pela e De Radës”, “Kalorsi i vdekur”, “Kurora e Shqipërisë”, “Filip Fluturuesi”, “Kali i Kaligulës”, “Admirali Gedik”, “Princesha Rugina”, “Motiv studentesk”, “Centauri”, “Aisa”, “Letra e shkruar me gjakun e lakuriqit të natës”, “Plaku i mrekullueshëm”, “Jeta e ndërlikuar e Makabe Zaharisë”, “Kozmonauti i braktisur”etj. Ka edhe sinopse që është vështirë t’i klasifikosh. Motivet futen dhe dalin nga njëri tjetri.
DR.MOIKOM ZEQO: Po, është një optikë të vështruari.
FATMIR MINGULI: Kuptohet, por parashtrimi i analizës s’është e lehtë. Tek “Njeriu i ëndrrave” personazhi U.Rots vendos të shkruajë libra me mënd vetëm me ëndrrat e tij, për një tipografi onirike dhe t’i shpërndajë për lexim në ëndrrat e të tjerëve.
Një sinops tjetër “Njeriu prej avulli” flet për një personazh që fotografon dhe studion retë dhe mjegullat dhe dallon në to fytyra të historisë por edhe të mitologjisë.
Sinopset prej ëndrre lidhen me sinopse avulli.
DR.MOIKOM ZEQO: Ashtu si metaforat besoj.
FATMIR MINGULI: Qartë, si metaforat. Por jo edhe thjesht si metaforat. Në sinopset ka personazhe, të ravizuara çuditshëm. Një gruaje të re malësore i vdes djali i porsalindur, ahere që të mos çmendej e mëkon me qumështin e gjinjve një qingj, subjekti është huazuar nga një rrëfim i Mis Durhamit, por sinopsi shndërrohet në një skenë ikonografike të shën Marisë me Krishtin fëmijë, i cili është quajtur edhe Agnus Dei (Qingji i Zotit).
Tek “Dy personazhe në një”, ti i nderuar Moikom, tregon dy fytyra të të njëjtit personazh, të perandorit romak Trajanit. I njohur si persekutues i të krishterëve të hershëm Trajani në një moment tregoi një ndershmëri të madhe. Atij ju lut një grua e panjohur për drejtësi, të cilës i kanë vrarë djalin e vetëm. Trajani i dha fjalën se do ta ndëshkonte vrasësin. Mbas hetimit mësoi se atë e kishte vrarë pikërisht biri i perandorit. Ahere Trajani e mbajti fjalën dhe e dënoi me vdekje djalin e tij.
Në mesjetë qarkullon gojëdhëna se Papa Grigori i Madh duke ju lutur Zotit i kujtoi edhe gjestin e Trajanit dhe i kërkoi ta lironte nga vuajtjet e Ferrit. Zoti e dëgjoi.
Trajani pati një jetë të dytë, krejt të ndryshme nga ajo e dikurshmja.
Ky dyzim i kategorisë së personazhit të njëjtë (edhe i Keqi, edhe i Miri) ngrihet mbi paradoksin, në një syzim të tjetërllojtë teorik.
DR.MOIKOM ZEQO: Po, e pranoj ka një shtjellim të ri teorik të personazhit dhe të letërsisë.
FATMIR MINGULI: Më lejo të vështroj më tej. Sinopsi “Dandoni pesëqind vjeç” flet për një ilir me jetëgjatësi biblike. Ky është Dandoni, të cilin e përmend Gai Plini Sekundi që ka jetuar në shekullin I pas Krishtit, tek “Naturalis Historiae”.
Ti i dashur Moikom e vërtit personazhin e rrallë dhe të pabesueshëm si dëshmitar të qytetërimit ilir dhe të vdekjes së tij në suaza shekujsh.
Kjo shëmbëlltyrë reale dhe irreale njëkohësisht plotësohet tek “Heroi i katastrofës”me shërbëtorin e përvuajtur të Anton Udino – Burburin, në ishullin Voglia të Dalmatisë i cili vdiq në 1898, 72 vjeç dhe qe i vetmi njeri në botë që dinte ende gjuhën e harruar ilirishten.
Me vdekjen e tij vdiq përfundimisht dhe ilirishtja. Duket sikur qe një lloj binjaku i Dandonit.
Kjo është tepër intriguese.
DR.MOIKOM ZEQO: E vërtetë, tepër intriguese. Shpesh historia është më e plleshme, më interesante se letërsia. Pse të mos funksionalizohet kjo gjë?
FATMIR MINGULI: Në sinopsin “Murgjit alfabetikë” përmendet asketi Pakomi i Madh i cili ndërton manastire në Tebeada të Egjiptit në shekullin III pas Krishtit. Sejcilit manastir i ve germën e alfabetit grek.
Pastaj Pakomit të Madh i lind ideja epifanike se duke grumbulluar murgjit alfabetikë mund të krijonte fjalë dhe fraza me anë të tyre për t’i lexuar nga lart qiellorët, për të dhënë kumte dhe mesazhe shenjtërie të paparë.
Pra një tjetërlloj shkrimi.
DR.MOIKOM ZEQO: Ose letërsie.
FATMIR MINGULI: Natyrisht. Të habit ky konceptim. Por sinopset më të trillshme për mendimin tim janë “Hadi ndryshe”, “Jetë e ndërlikuar e Makabe Zaharisë” dhe “Letra e shkruar me gjakun e lakuriqit të natës”.
Këtu personazhet abstragojnë dhe sublimojnë hollësirat konkrete historike skajërisht.
DR.MOIKOM ZEQO: Është një nga sekretet e tipizimit të personazheve.
FATMIR MINGULI: Pra ti beson seriozisht tek tipizimi?
DR.MOIKOM ZEQO: Afërmenç. Nuk ka letërsi pa personazhe. Por varet si i shqison dhe si i krijon. Tipizimi nuk mund të shmanget. Është e pamundur. Është fuqi magjepsëse e përhershme. Ndaj dhe mbijeton letërsia.
Tërë personazhet e një shkrimtari e shndërrojnë vetë shkrimtarin në një kryepersonazh. Dhe kjo ka gjithashtu diçka enigmatike.
Por vetëm shkrimtarët e mëdhenj mund të jenë dhe janë kryepersonazh.
Mesatarët s’mundet dot, s’arrijnë dot tek kjo pikë inkandeshente kujtesore.
FATMIR MINGULI: Kritiku filozof amerikan George Steiner është tepër skeptik për letërsinë post-moderniste, e quan amorfe dhe si post-kulturë, e globalizuar si kitch-art pra edhe kitch-qytetërim. Ai madje thotë se “Muzat e Mëdha kanë heshtur përgjithmonë”. Po ju ç’mendoni?
DR.MOIKOM ZEQO: Në shumë pika të arsyetimit të tij Stainer-i ka të drejtë. Kriticizmi i tij është emancipues. Një tjetër filozof Jean-François Lyotard në një libër të tij për Post-modernizmin (botuar në 1979) se irracionaliteti i gjendjes post-moderniste është katastrofik se “Rrëfimet e Mëdha”të shoqërisë njerëzore janë shembur dhe nuk besohen më.
Ai thotë: “I kemi mbijetuar fashizmit, e pamë fundin e komunizmit totalitar dhe tani po dëshmojmë edhe përjetojmë ekonomitë globale të stilit mafioz, babëzinë e tregtisë së lirë dhe apokalipset mjedisore në shkallë botërore. Nëse këto janë rezultate të fundme “të arsyes objektive”ahere diçka këtu s’është në rregull”. Jean Baudrillard-i flet për njerëzimin e klonuar, për njerëzit kopje të kopjeve dhe konceptin tjetërsues të Simulacrum-it. Kjo është problematika e thekshme, acaruese. Këtë e ndjejnë të gjithë. Dhe shqiptarët. Ankthet e botës janë dhe ankthet e shqiptarëve.
Por situata kërkon zgjidhje.
Letërsia nuk mund të vdesë. Ajo është e kërcënuar vdekshëm nga kitch-letërsia.
Klement Grinberg në librin e tij “Avant-Garde and Kitch”(1939) thotë “Kitch quhet përvoja zëvendësuese dhe ndjenjat e shtirura. Kitch-i ndryshon sipas stilit, por mbetet gjithmonë i njëjti. Kitch-i nuk mëton t’u kërkojë klientëve të tij asgjë tjetër përveç parave – madje as kohën e tyre.” Edhe në Shqipëri kultura masive, mediatike është e tillë si asnjëherë më parë. Kjo është e frikshme. Kjo e shton më hiperbolikisht meskinitetin dhe provincializmin shekullor shqiptar.
FATMIR MINGULI: Mos duket pak fataliste e tërë kjo katrahurë?
DR.MOIKOM ZEQO: Aspak. Përtej fatalitetit (arketipi apokaliptik i letërsisë por edhe i filozofisë për mendimin tim ka shteruar dhe është bërë rutinor dhe spekulativ) ka përherë hapësira dhe mundësi të fshehura të intelektit për të bërë një letërsi të vërtetë.
Shihni librat e Elias Canet-it, Gynter Grass-t, Gabriel Marquez-it, Davia Wallace Stevens-it, Anthony Burgess-it, Amos Ozit, Saramagos, Thomas Pynchon-it, Umberto Eco-s, Zbiguer Merbert-it, John Ashberyt, Borgesit, Danillo Kish-it, Kazanxaqit, Italo Calvino-s, Isac Singer-it, Kenzaburo Oe-it etj.
Ata besojnë tek plotfuqishmëria e Njeriut (me germë të madhe).
Letërsia e vërtetë është mbijetesë dhe shpëtim shpirtëror.
Pra zgjidhja e kapërcimit është substancialisht konceptuale. S’ka rrugë tjetër.
FATMIR MINGULI: Kjo edhe për letërsinë shqipe?
DR.MOIKOM ZEQO: Po edhe për letërsinë shqipe. Ne na kërcënon banaliteti. Banaliteti është kudo. Po depërton në inde, në veprime, në psikologji, në perceptime, në etikë, në politikë, në ekonomi, në dituri.
Banaliteti është si kulturat mikrobike që shumëfishohen dhe modifikohen me një rezistencë të lemeritëshme.
Shkrimtari bashkëkohor amerikan Paul Auster në romanin e tij “Ghost” (“Fantazmat”) pikëzon historinë e vdekjes së poetit Wollt Whitman-it.
Një ditë mbas vdekjes një mjek i autopsisë i hoqi trurin Whitman-it për t’ia dërguar Shoqatës Amerikane të Antropometrikës për ta studiuar.
Truri mbriti në laborator por ai që po e mbante u pengua dhe truri ra në dysheme dhe u copëtua. Kështu truri i poetit më të madh amerikan i të gjitha kohërave përfundoi i mbledhur me fshesë dhe i hedhur në plehra. Ja pra ç’është banaliteti i pamëshirshëm dhe i vrazhdë.
Ky banalitet na sfilit, na lodh, na çmend!
Përballja me banalitetin është të përballosh katrahurën, prapambetjen retrograde, injorancën historiciste.
Banaliteti është provincializmi, dogmat e tij, që kolonizojnë mendërisht njerëzit, i klonojnë, i minimizojnë mënyrën e të jetuarit, pa dinjitet, pa ideale, pa moral.
Banaliteti shkatërron mundësitë për të jetuar, është mpiksje dhe varfërim permanent shpirtëror.
Banaliteti është realiteti i rremë, politika e rreme, gënjeshtra me pushtet të paparë mediatik, patologjia e ligjërimeve.
Banaliteti është letërsia e keqe, konsumiste manipulimi i vlerave dhe hierarkive, fashitja e rebelimit të ideve të mëdha, kancerizimi i fjalëve, deformimi i së bukurës dhe fisnikes. Banaliteti squll dhe shkatërron karakteret, legjitimon vagabondët, kriminelët, zhvatësit e paskrupullt, akademikët zyrtarë servilë, mitet e autoritetit subversiv, shtypës, përfituesit, të paaftët, “lojën virtuale të pushtetit”.
Është maskarada e historisë dhe artit. Helmon gjëmshëm klimën demokratike.
Prandaj letërsia e vërtetë sfidon banalitetin. E rrëzon. E demaskon.
Kujtoni kryeveprën e Jonatan Swiftit “Batles of books” (“Beteja e librave”) Sepse banaliteti është më i rrezikshëm dhe më rezistent në letërsi për t’i prishur letërsisë sistemin jetik të imunitetit. Kjo është një çështje ekzistenciale edhe për shkrimtarët shqiptarë.
Duhet kuptuar se letërsia është humanizmi. Dhe humanizmi përherë s’e zhduk Shpresën. Dhe pa Shpresë nuk mund të jetohet.
Këto janë kredencialet e pavdekshme të së ardhmes.
FATMIR MINGULI: I dashur Moikom, e di që kjo bisedë e improvizuar s’mund të ketë mbarim. Por “Libri i Sinopseve” na e dha këtë shtytje dialogu.
Unë kam në duar librin tënd “Papagajtë e Nembrotit” (TOENA, 2012) dhe po e lexoj i përqendruar. Edhe ky është një libër ndryshe.
Për të dua të flasim njëherë tjetër nëse është e mundur.
DR.MOIKOM ZEQO: Sigurisht.
FATMIR MINGULI: Tani një pyetje standarde, që në fakt nuk e kam shumë për zemër. Çfarë keni në duar?
DR.MOIKOM ZEQO: Kam përgatitur për botim librin “Ofelia me mjekër”, si bleun e tretë të lidhur me “Refuzimin e Shkrimit”(Dituria, 2011) dhe “Vetullat Hyjnore”(Bota Shqiptare, 2012). Gjithashtu po i jap dorën e fundit një libri të ri me proza të shkurta, që e kam quajtur “Sinaksarët e Bizantit”.
– Faleminderit!
Durrës, 25-27 shkurt 2013.