HAZIR MEHMETI: MËSIMI I GJUHËS SHQIPE ËSHTË I RREGULLUAR BRENDA SISTEMIT ARSIMOR NË AUSTRI

Vjenë, 31. 08. 2014: Në të gjitha shkollat prindërit mund të kërkojnë formularin për gjuhën shqipe. Kjo është e drejtë e garantuar me ligj dhe duhet shfrytëzuar nga prindërit që t’i mundëson fëmijës së tij vijueshmërinë… Nuk mund të jesh shqiptar e të mos flasësh gjuhën shqipe. Shtatori është koha e fillimit të mësimit dhe formimit të grupeve mësimore për gjuhët amtare, edhe në gjuhën shqipe. Në të gjitha shkollat prindërit mund të kërkojnë formularin për gjuhën shqipe. Kjo është e drejtë e garantuar me ligj dhe duhet shfrytëzuar nga prindërit që t’i mundëson fëmijës së tij vijueshmërinë. Në Austri mësimi i gjuhës amtare është i siguruar brenda sistemit shkollor publik dhe nën përkujdesjen e organeve zyrtare përkatëse. Pak vende në Europë e kanë të rregulluar kaq mirë mësimin amtar sikurse është Austria e përcjell nga Suedia, Finlanda dhe disa komuna në Gjermani. Në vende tjera mësimi në gjuhën amtare është kryesisht i organizuar dhe financuar nga shoqatat e prindërve.
Prindër, shfrytëzoni mundësitë
Nisur nga rrethanat e volitshme prindërit do duhej t’i shfrytëzojnë mundësitë e ofruara.
– Ata duhet me këmbëngulje të kërkojnë që fëmija i tyre të ketë mundësi të mësoj shqip i garantuar sipas ligjit dhe t’i nënshkruajnë fletëparaqitjet (Anmeldung) me kohë, javën e parë.
– Të jenë të organizuar, të komunikojnë mes veti edhe me prindër të shkollave afër deri në formimin e grupit prej 12 nxënësve shqiptarë të cilëve u sigurohet mësimi sipas ligjit për gjuhë amtare. Të gjitha kërkesat pastaj janë në varësi të drejtorive, inspektorit. Mësimdhënësi do sigurohet nga këto organe përgjegjëse, tekstet dhe materiali përcjellës.

Tekstet
Tani janë të siguruara tekstet e reja (19 tekste) nga Ministria e Arsimit dhe Diasporës për të gjitha nivelet mësimore falas. Ato porositen nga mësuesi në Ministrinë e Mësimit të Austrisë, të cilit i dërgohen në shkollë. Në Austri për herë të parë është botuar Abetarja në shqip dhe mësuesi e porositë nga katalogu i teksteve mësimore sipas numrit të nxënësve në shkollë. Të gjitha janë falas. Abetarja dhe Tekst Ushtirimi-1 mund të porositen nga prindërit privatisht, por duhet paguar. Adresa: E.Weber Verlag, Eisenstatdt, përmes internetit direkt (O-line). Kjo abetare është e përshtatshme për nxënësit në diasporë dhe e standardeve bashkëkohore për alfabetizmin paralel me gjuhën e shkollës dhe është porositur nga shumë vende D, S, B, GBr etj. Info: Ph-Zürich Datenbank Mehrsprachigkeit Zvicër; E.Weber Verlag -Austri etj.
Tekstet janë të hartuara sipas kurrikulës së re mësimore për diasporë nga Ministria e Arsimit të Kosovës dhe tani e bashkuar edhe Ministria përkatëse e Shqipërisë.
Për informata shtesë prindërit mund të kontaktojnë me mësuesit shqiptarë. Adresat e tyre janë të shënuara në Ambasadën e Kosovës në Vjenë.
Rëndësia
– Formimi i personalitetit me identitet dhe i kompletuar nuk mund të jetë i plotë pa e mësuar gjuhën e nënës. Nuk mund të jesh shqiptar e të mos flasësh gjuhën shqipe. Gjuha shqipe nuk e pengon integrimin dhe mësimin e gjuhës së shkollës, përkundrazi e ndihmon atë.
Historiku
Në Austri janë rreth 13 560 nxënës shqiptarë. Prej tyre shqip mësojnë vetëm 2400 nxënës në tërë vendin. Janë të punësuar 24 mësues/e shqiptar. Dy vitet e fundit kemi një rritje nga 1665 nxënës në 2400. Pritet që këtë vit të kemi rritje të mëtejme kur dihen mundësitë shumë favorizuese, por duhet përpjekja dhe këmbëngulja e prindërve dhe gjithë faktorit shqiptar.

***
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
ABETARJA E PARË SHQIPE NË AUSTRI

Nxënësit shqiptarë këtë vit shkollor do ta nisin me abetaren e parë në Austri, “Fibel-A-B-C-Abetare” të autorit Hazir Mehmeti, botuar në vitin 2013 nga botuesi ‘E.Weber Verlag’, i njohur për botimin e teksteve shkollore në Austri. “Fibel-A-B-C-Abetare”, u përkrah nga Ministria e Mësimit të Austrisë. Austria historikisht u dallua në mbështetjen e saj ndaj gjuhës e kulturës shqiptare. Nxënësit do të furnizohen me abetaren sipas porosisë së mësuesit dhe ajo do të jepet falas sikurse tekstet tjera mësimore.

Abetarja e re është e standardeve të kohës dhe praktike për nxënësit në diasporë. Në seminarin e mësuesve nga diaspora në Ulqin (gusht 2013) u prezantua dhe u prit mjaftë mirë nga mësuesit mërgimtarë. Mësuesit nga disa shtete të kontinentit treguan interesim për ta pasur në punën e tyre me nxënës dhe porositën një sasi prej tyre. Struktura teknike e tekstit mundëson punën kreative të nxënësit dhe zbatimin e parimeve didaktike-metodologjike bashkëkohore në mësimdhënie e mësimnxënie. Prof.Dr.Musa Kraja, pedagog, me detyrë drejtor në Institutin e Pedagogjisë në Tiranë, rreth këtij teksti në seminar mes tjerash tha: “Të gjithë rilindësit hartuan dhe botuan abetare. Është ky një rast i rrallë ku mësuesi direkt nga mësimi me nxënës harton e boton abetare. Kjo do të jetë pjesë e projektit tim lidhur me tekstet mësimore. … përgëzime vëllazërore”.  Abetarja e re do t`i plotësojë nevojat në alfabetimin fillestar. Teksti tjetër i dedikuar kryesisht ushtrimeve plotësuese “Tekst ushtrimi 1” e plotëson hapësirën brenda orës mësimore kushtuar çdo shkronje duke e lehtësuar mësimin. Prindërit, fëmijët e të cilëve nuk mësojnë në shkollë shqip mund ta porosisin privat tekstin. Mësuesve në diasporë iu shtua edhe një mundësi zgjedhjeje teksti në punën e tyre në alfabetizimin e nxënësve mërgimtarë. Bazuar në standardet e teksteve të kësaj natyre në gjuhën turke e kroate, kjo abetare është me elemente pedagogjike e metodike që i përgjigjen rrethanave dhe kohës në procesin mësimor. Botimi i këtij teksti u prit me dashamirësi edhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Diasporës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura