ÇAST NË TËRBAÇ …

ÇAST NË TËRBAÇ

Albert HABAZAJ

O i bukuri im, Tërbaçi im

O kura natyrore për shërim!

Sa herë të ndjej në shpirt e më vjen ‘ú

Vij me mall e hidhem në krahët e tu.

Tungjatjeta – më thotë lumi – Mirë se erdhe – mali

Buzëqesh ballin Tërbaçi, kur derën i hap djali.

Sa mirë që vjen, o bir, po eja më shpesh

Ngado që të shkosh, si unë nuk do gjesh.

Rrofsh që më mbulon të mos mërdhij

Si ti, secili t’i mbajë fort rrënjët e tij.

Po, kam një merak, si i thonë fjalës,

Shikomëni pakëz edhe tej fasadës.

Mos më lyeni vetëm buzët me buzëkuq

Kam ca plagë që më lëndojnë në trup.

Për ju më dhemb shpirti, sa unë e di

Ngela me ca pleq e shumë pak fëmijë.

Sa pak zjarre e oxhaqe që bëjnë tym

Qilim lulesh kam dhe zogj në fluturim.

Me këtë natyrë që më fali i madhi  Zot

Pa ju, tretem si qiriri, e laj ditën me lot.

Në të shtrenjtën vendlindje një çast përmallimi

Kalova trishtuar me një dritë reflektimi…

I bukur Tërbaçi im

Ti je kura për shërim!

Tërbaç, e diel, 29 Mars 2026

***

I shkreti zog…

Albert HABAZAJ

Nuk është aq e bukur sa duket dëbora,

Nuk është aq e pafajshme sa na thonë,

Ta dini: ajo është katile e tmerrshme,

Ta dini: një zog i vogël dha shpirt në borë!…

Nuk fluturoi më dot në qiell me shokë,

Vocërraku kishte rënë në mes të rrugës,

I kishte ngrirë zemra simbolit të lirisë,

Përmbysur e gjeta kur kthehesha pas punës.

Në nënshtrimin e tij ndaj fatit, më dukej

Aq i mrekullueshëm, sa e mora në dorë,

E vendosa të prehej mes një gjelbërimi,

Iku nga jeta, i shkreti zog. Ah, moj borë!…

***

XHEMIL DUKA DHE MANDOLINA E LIRISË

Albert HABAZAJ

Rrëzë maleve të larta të Lumit të Vlorës

Pushka dhe pena binjake kanë qenë,

Dhe bijtë e Vranishtit si zogjtë e shqiponjës

Emër me firmë në histori kanë lënë.

Nga Gurra e Vranishtit e kthjellët, e kulluar

Janë lartuar bredha të blertë, të bukur,

Një nga ata edhe Mësuesi i Merituar

Me “syrin në belxhik” që s’ luftoi për t’u dukur.

Nga rrënja – fisnik në udhëtimin për dritë

Shndriti për brezat Xhemil Veli Adem Duka,

Ajo derë e bardhë Plakun e Flamurit ka pritur

Në atë derë bujare kombëtare qe buka.

Dy abetaret e shenjta të Ismail Qemalit

Miku i Halim Xhelos dhe Jani Mingës

Ua mësoi Pishtari fëmijëve të fshatit

Me zë e shpirt dhe tingujt e mandolinës.

Ato abetare të Naum Veqilharxhit

Sa zjarre ndezën në Labëri e Vlorë,

Mësuesi në çetën e Sali Kapedanit

Luftoi si trimat me armë në dorë.

Ai që prind i dytë u bë për vogëlushët,

Ai që si vëlla i mësonte banorët e Lumit,

Ai që si kreshnik në zemra ndezi prushe,

Që me dritën e tij ia preu fuqinë plumbit.

Para tij Merçan Qejvani e Daut Seferi,

Dy llambadarë heroikë të arsimit,

Xhemil Duka me shtatë ngjyrat e ylberit

U shfaq në qiellin me vetëtima të Vranishtit.

Dhe stafeta e tij kalon nga bredhi në bredh

Dhe Vranishti me supe në mal të krenarisë,

“Do filloj duke menduar” vargje derdh

Me tingujt ëmbël të mandolinës së lirisë.

Tiranë, 04.04.2026

***

TRISHTOHEN LULET NGA MARSI I HIDHUR

Në kujtim të tragjedisë së 28 Marsit 1997 në kanalin e Otrantos me përmbytjen e Katërit të Radës

Albert HABAZAJ

Trishtohen lulet nga marsi i hidhur

Dhe bregu bregut i mban mëri,

Për jetët pa faj që thellë kanë ikur

Vyshken lulet nga ai mars i zi.

Përvitshëm, kur vjen njëzet e tetë marsi

Rituali i pikëllimit nxin nga ritet mortore,

Sa thonë që Otrantos buza e shpirti i plasi

Sa thonë që dhe dallgët ndihen fajtore.

Të pafajshmit ata që i hipën ëndrrës

Dhe u bënë qivure në fund të detit,

Nga drithërima ime dhemb refren i këngës

Nga harrimi, nga heshtja rrëqethëse e shtetit.

Përditë në monument të memories ata

I kemi me frymën tonë fatkeqët në gjëmë,

As nënat shamizeza, as Shqipëria s’u dha

Nuk thahen lulet, se në kopsht kanë rrënjë.

Vlorë, e premte, 28 Mars 2026

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

ROBIN HUDI

ROBIN HUDI   Nga Xhelala Zejneli Robin Hudi (Robin Hood) është hero qendror dhe legjendar i një sërë baladave…
Read More

SHKALLMIMI

SHKALLMIMI (Prozë e shkurtë) Nga Meti Rexhepi Nuk e dija si më sollën këmbët këtu, kundruall kishës dhe…