BREZI I SUPEVE DHE AI I XHEPIT!

Brezi që mbajti Kosovën mbi supe dhe brezi që mban botën në xhep

Nga Prof. Enver N. Rexhaj

Nga Homo Subjecticus te Homo Demokratikus – a po lind Homo Shqiptaricus?

“Një popull nuk humbet vetëm kur pushtohet. Ai humbet edhe kur harron pse sakrifikoi.”

Për ta kuptuar Kosovën e sotme nuk mjafton të shohim institucionet, rrugët apo zhvillimin teknologjik. Duhet të shohim njeriun. Duhet të kuptojme se si historia e ka formuar karakterin e tij dhe si koha po e ndryshon atë.

Historia e Kosovës nuk është vetëm histori luftërash, rezistence dhe shtetndërtimi.

Është, mbi të gjitha, historia e formimit të njeriut. Çdo sistem politik, çdo periudhë historike dhe çdo ndryshim shoqëror krijon një mënyrë të re të të menduarit, të jetuarit dhe të vepruarit. Në këtë kuptim, historia e Kosovës mund të lexohet edhe si historia e transformimit të Homo Shqiptaricus.

Sociologët na mësojnë se njeriu nuk lind me një identitet shoqëror të gatshëm; ai formohet nga familja, shkolla, kultura, institucionet dhe koha në të cilën jeton. Personaliteti nuk është vetëm çështje psikologjie, por edhe produkt i shoqërisë. Pikërisht për këtë arsye, brezat shqiptarë të Kosovës janë kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri.

Brezi i lindur ndërmjet viteve 1960 dhe 1980 u rrit në një realitet ku liria nuk ishte një e drejtë, por një ëndërr. Për ta, shkolla nuk ishte vetëm vend mësimi; ishte vend ruajtjeje i identitetit. Familja nuk ishte vetëm strehë; ishte institucioni që edukonte qëndresën.

Komuniteti nuk ishte vetëm fqinjësi; ishte garanci mbijetese.

Ata u rriten pa internet, pa telefona inteligjentë dhe pa rrjete sociale. Komunikimi ishte njerëzor. Miqësia ndërtohej me praninë fizike.

Fjala kishte peshë. Besimi fitohej me vite dhe humbej për një qast. Kjo krijoi një brez me durim, vetëpërmbajtje dhe ndjenjë të fortë përgjegjësie.

Kur Kosova kaloi periudhat më të vështira të historisë së saj moderne, ishte pikërisht ky brez që mbajti barrën kryesore. Disa rezistuan në bankat e shkollës, disa në institucione, disa në  mërgim, disa në front dhe shumë të tjerë në sakrificat e përditshme. Ata nuk luftuan vetëm për territor. Luftuan që brezat që do të vinin pas tyre të mos jetonin më me frikë. Ata nuk e dinin nëse do ta shihnin ditën e lirisë, por besonin se fëmijët e tyre duhej ta jetonin atë.

Prandaj, kur themi se ky brez e mbajti Kosovën mbi supe, nuk është metaforë. Është një përshkrim i një realiteti historik.

Pas luftës lindi një realitet krejt tjetër.

Brezi i lindur pas viteve ’90 u rrit në një shtet që aspironte demokracinë, në një shoqëri të hapur dhe në një botë të globalizuar. Ai nuk e mësoi historinë duke e jetuar, por duke e dëgjuar. Kujtesa e tij është e trashëguar, jo e përjetuar.

Ky brez ka lindur në epokën e internetit.

Telefoni inteligjent është bërë bibliotekë, gazetë, televizion, klasë mësimi, vend pune dhe shoqëri në të njëjtën kohë. Kurrë më parë një brez nuk ka pasur kaq shumë mundësi për të mësuar dhe për t’u lidhur me botën.

Por, siç do të thoshte sociologu Zygmunt Bauman, shoqëria moderne është bërë “e lëngshme”. Marrëdhëniet ndryshojnë shpejt, identitetet bëhen më të paqëndrueshme dhe gjithçka lëviz me ritme që njeriu e ka të vështirë t’i përballojë. Liria rritet, por edhe pasiguria.

Edhe Erich Fromm kishte paralajmeruar se njeriu modern mund të ketë frikë nga liria, sepse liria kërkon përgjegjësi. Është më e lehtë të ndjekësh turmën sesa të mendosh në mënyrë të pavarur.

Në Kosovë kjo sfidë merr një dimension të veçantë. Nëse brezi i parë rrezikonte të humbiste lirinë, brezi i sotëm rrezikon të humbasë kujtesën.

Nëse dikur propaganda vinte nga pushteti, sot ndikimet vijnë nga mijëra burime njëherësh. Informacioni është bërë i pafund, por kjo nuk do të thotë se edhe urtia është bërë e pafund.

Teknologjia nuk është armik. Ajo është mjeti me i fuqishëm që ka pasur ndonjëherë njerëzimi. Por teknologjia nuk mund të edukojë karakterin. Ajo nuk mund ta zëvendësojë familjen, mësuesin, librin, përvojën dhe dialogun.

Këtu lind pyetja më e rëndësishme.

Çfarë është sot Homo Shqiptaricus?

A është ai ende njeriu i sakrificës?

A është bërë qytetar demokratik?

Apo është një individ që jeton mes krenarisë për të kaluarën dhe pasigurisë për të ardhmen?

Ndoshta përgjigjja është se Homo Shqiptaricus është ende në ndërtim. Ai mbart kujtesën e një populli që luftoi për liri, por jeton në një botë ku sfidat nuk janë më tanket dhe kufijtë.

Sfida janë indiferenca, humbja e besimit, emigrimi i të rinjve, polarizimi, mungesa e dialogut dhe rreziku që teknologjia të zëvendësojë mendimin kritik.

Sociologu Pierre Bourdieu do ta quante këtë kapital shoqëror: besimi, solidariteti, rrjetet njerëzore dhe kultura e bashkëpunimit. Asnjë shtet nuk bëhet i fortë vetëm me ekonomi. Ai bëhet i fortë kur qytetarët besojnë tek njëri-tjetri dhe tek institucionet.

Prandaj, pyetja nuk është nëse brezi i vjetër ishte më i mirë se brezi i ri.

Pyetja është nëse po arrijmë t’i bashkojmë virtytet e të dyve.

Nga njëri brez duhet të marrim sakrificën, përgjegjësinë, durimin dhe ndjenjën e detyrës.

Nga brezi tjetër duhet të marrim dijen, kreativitetin, teknologjinë dhe guximin për të konkurruar në botë.

Vetëm atëherë Kosova do ta ketë fituar betejen më të rëndësishme: jo betejën për territor, por betejën për karakterin e qytetarit të saj.

Sese shtetet nuk ndërtohen vetëm nga politikanët.

Ato ndërtohen nga njerëzit që edukojnë fëmijët, respektojnë ligjin, mbajnë fjalën, punojnë me ndershmëri dhe nuk e harrojnë historinë.

Ky është misioni i Homo Shqiptaricus të shekullit XXI: të ndërtojë një shoqëri ku sakrifica e djeshme dhe dija e sotme ecin krah per krah. Vetëm atëherë brezi që mbajti Kosovën mbi supe dhe brezi që mban botën në xhep do të kuptojnë se nuk janë kundërshtarë, por vazhdim i së njëjtës histori.

——

NJERIU PЁRBALLЁ KUFIJVE TЁ EKZISTENCЁ

Shttps://pashtriku.org/njeriu-p%d1%91rball%d1%91-kufijve-t%d1%91-ekzistenc%d1%91s/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura