“Shteti Bektashi” në Shqipëri – legjitimon “Zajednicën” serbe në Kosovë!
KRIJIMI I SHTETIT BEKTASHI SHKATËRRON SHTETIN UNITAR TË SHQIPËRISË!
Nga Sheradin Berisha – më 2 shtator 2026
Këto ditë risjellja e idesë së kryeministri Edi Rama për krijimin e një “Shteti Bektashi” në Shqipëri, po përdoret si një strategji politike për shpërqendrimin e opinionit publik dhe zbutjen e presionit të protestave masive që kërkojnë dorëheqjen e tij.

1. Edi Ramës po cenon shtetin unitar dhe sovran të Shqipërisë
Neni 1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e përkufizon qartë vendin si një republikë parlamentare, shtet unitar dhe të pandashëm. Ky parim themelor plotësohet nga neni 2, i cili sanksionon se sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i takon vetëm popullit. Paralajmërimi
i Kryeministrit Edi Rama (në shtator të vitit 2024) për krijimin e të ashtuquajturit “Shtet i Urdhrit Bektashi” në Tiranë bie ndesh direkt me këto shtylla juridike. Pas krijimit të enklavave të mëparshme me iranianë e afganë, si dhe marrëveshjeve për pritjen e emigrantëve afrikanë në Shëngjin, ky projekt i ri shihet si një hap drejt fragmentimit të territorit kombëtar dhe si një precedent i rrezikshëm që tradhton interesat e shtetit dhe të popullit shqiptar.
2. Nenet specifike kushtetuese që shkelen në mënyrë flagrante
Përtej parimeve fillestare të unitetit dhe sovranitetit, shpallja e një entiteti sovran fetar brenda kufijve të Shqipërisë rrëzon një sërë nenesh të tjera të rendit juridik:
A) Neni 3 (Tërësia Territoriale): Kushtetuta shpall se “indipendenca e shtetit dhe tërësia e territorit të tij… janë baza e këtij shteti”. Falja e 27 hektarëve një entiteti tjetër me pasaporta dhe kufij më vete përbën dështim për të mbrojtur tërësinë territoriale.
B) Neni 7 (Ndarja e Pushteteve): Sistemi shqiptar bazohet në ndarjen e pushtetit ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Krijimi i një enklave të tillë nxjerr një pjesë të vendit jashtë kontrollit të këtyre pushteteve legjitime.
C) Neni 10 (Sekularizmi dhe Asnjanësia): Ky nen shkelet rëndë. Pika 1 thotë se “në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare”, ndërsa Pika 2 kërkon që shteti të jetë asnjanës. Duke i dhënë status shtetëror një urdhri fetar, ekzekutivi po zyrtarizon një besim mbi të tjerët. Po ashtu, Pika 5 i njeh komunitetet fetare vetëm si persona juridikë nën ligjin shqiptar, dhe asnjëherë si subjekte të së drejtës ndërkombëtare (shtete).
D) Neni 18 (Barazia para Ligjit): Krijimi i një territori me pasaporta të veçanta dhe rregulla të tjera jetese cenon të drejtën e qytetarëve për të qenë të barabartë përpara ligjit të vetëm të republikës.
F) Neni 121 (Procedura për Territorin): Ndryshimi
i kufijve ose lëshimi i sovranitetit territorial nuk mund të bëhet me deklarata kryeministrore. Kushtetuta kërkon marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara me shumicë të cilësuar në Parlament dhe një rol kyç të Presidentit. Çdo rrugë tjetër pa referendum popullor mbetet antikushtetuese.
3. Harmonia historike fetare pa ndarje territoriale
Përpjekja për të justifikuar një shtet fetar në emër të “tolerancës” injoron faktin se Shqipëria e ka ruajtur dhe kultivuar harmoninë fetare historikisht pa pasur kurrë nevojë për mure, kufij apo ndarje politike:
– Formula e Rilindjes dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878)
Kur kombi kërcënohej nga copëtimi, myslimanë, katolikë e ortodoksë u bënë bashkë nën parimin e madh të Pashko Vasës: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Ata nuk kërkuan kantone fetare, burimi i unitetit ishte kombi.
– Kongresi i Lushnjes (1920) dhe Këshilli i Naltë
Kur u rindërtuan themelet e shtetit shqiptar, udhëheqja iu besua një Këshilli të Naltë të përbërë nga katër anëtarë që përfaqësonin katër besimet kryesore (Sunit, Bektashi, Katolik, Ortodoks). Ata qeverisnin bashkë një shtet laik dhe unitar, duke treguar se balanca ruhet përmes institucioneve të përbashkëta, jo përmes ndarjes në parcela sovrane.
– Kodi Civil i Mbretërisë Shqiptare (1929)
Nën udhëheqjen e Ahmet Zogut, Shqipëria miratoi një kod civil modern e laik, duke shkëputur përfundimisht ligjin shtetëror nga sheriati apo të drejtat kanonike fetare. Ky unifikim ligjor e forcoi dhe nuk e dëmtoi bashkëjetesën.
4. “Shteti Bektashi” legjitimon projektet e Beogradit për “Zajednicën” dhe “eksteritorialitetin e kishave serbe” në Kosovë
Ky vendim nuk prodhon pasoja negative vetëm brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë, duke nxitur pretendime të ngjashme nga komunitete të tjera fetare apo minoritare. Efekti i tij më shkatërrues shtrihet në rrafshin gjithëkombëtar specifikisht në Kosovë. Duke krijuar një mikroshtet fetar në Tiranë, Shqipëria legjitimon projektin e “Zajednicës” (Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe) dhe planet e Beogradit për eksteritorialitetin e kishave dhe manastireve ortodokse serbe. Ky veprim rrezikon t’i shndërrojë këto objekte kulturore e fetare në minishtete sovrane brenda territorit të Kosovës, duke minuar sovranitetin e saj shtetëror. Përballë këtij rreziku kombëtar, reagimi i shqiptarëve përmes protestave shihet si një emergjencë kombëtare për të ndalur këtë projekt.
5. Plani i Edi Ramës i zbuluar nga “The New York Times’i”
Plani i Kryeministrit shqiptar mori përmasa ndërkomëtare më 21 shtator 2024, kur gazeta prestigjioze amerikane The New York Times publikoi artikullin me titull “Shqipëria po planifikon një shtet të ri mysliman brenda kryeqytetit të saj”. Sipas këtij raportimi, Edi Rama synon t’i dhurojë anëtarëve të Urdhrit Bektashi një enklavë sovrane të stilit të Vatikanit, me qëllim promovimin e tolerancës fetare. Ky entitet i ri politik pritet të shtrihet në një sipërfaqe prej 27 hektarësh midis Tiranës dhe Krujës, duke pasur administratën, pasaportat dhe kufijtë e vet sovranë.
6. “Shteti Bektashi” si Vatikan i Tiranës – rregullat dhe vizioni i Baba Mondit
Në krye të këtij shteti të ri, i cili nëse realizohet do të jetë më i vogli në botë, pritet të jetë kleriku Edmond Brahimaj, i njohur nga ndjekësit e tij si Baba Mondi. Për gazetën amerikane, ai shpjegoi vizionin e tij liberal për enklavën, ku do të lejohet konsumimi i alkoolit dhe gratë do të kenë liri të plotë veshjeje, pa rregulla strikte të stilit të jetesës. “Zoti nuk ndalon asgjë; prandaj na dha mendjen”, deklaroi udhëheqësi bektashi, duke mbrojtur idenë e një hapësire sovrane të çliruar nga dogmat e ngurta, por që juridikisht shkëputet plotësisht nga autoriteti sovran i shtetit shqiptar.
7. Keqpërdorimi i historisë, vëllezërit Frashëri dhe koncepti i shtetit kombëtar
Në debatet e ndezura në rrjetet sociale, mbështetësit e kësaj ideje shpesh përdorin figurën e rilindasit tonë të shquar Naim Frashëri për të justifikuar veprimet e qeverisë, duke kujtuar përkatësinë e tij bektashiane. Megjithatë, ky argument dëshmon një injorancë të thellë historike. Vëllezërit Frashëri, ndonëse krenarë për besimin e tyre, punuan ditë e natë për krijimin e një shteti kombëtar dhe laik, e jo për një shtet fetar apo për copa tokash të shkëputura nga trungu i përbashkët. Përpjekja për të përdorur trashëgiminë e tyre për të justifikuar ndarjen territoriale është një fyerje ndaj idealit të Rilindjes sonë Kombëtare.
───
Bibliografia:
1. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Miratuar me ligjin nr. 8417, datë 21.11.1998, i ndryshuar: Nenet 1, 2, 3, 7, 10, 18, 121.
2. Higgins, A. (2024, September 21). Albania Is Planning a New Muslim State Inside Its Capital.
(Shqipëria po planifikon një shtet të ri mysliman brenda kryeqytetit të saj.) The New York Times.
https://www.nytimes.com/2024/09/21/world/europe/albania-tirana-muslim-state-bektashi.html
3. Vaso Pashë Shkodrani (1878). O moj Shqypni. (Poemë mbi unitetin kombëtar dhe kapërcimin e ndarjeve fetare gjatë Rilindjes Kombëtare).
4. Bernd Jürgen Fischer (1984). Mbreti Zog dhe lufta për stabilitet në Shqipëri. [King Zog and the Struggle for Stability in Albania. East European Monographs]. (Mbi sekularizimin dhe Kodin Civil të vitit 1929).
5. Akademia e Shkencave e Shqipërisë (2002). Historia e popullit shqiptar II (Rilindja Kombëtare). Tiranë: Toena. (Për Kongresin e Lushnjes dhe rolin e katër komuniteteve fetare në Këshillin e Naltë).
_______
Një ilustrim:
***
Biznesi i zhurmës
SI PO E KTHEJNË (B)ANALISTËT DEBATIN PUBLIK NË NJË FUSHËBETEJË PA MENDIM?!
Nga Sheradin Berisha, më 1 shtator 2026
https://pashtriku.org/si-po-e-kthejne-banalistet-debatin-publik-ne-nje-fushebeteje-pa-mendim/
© Pashtriku.org